“Arsimin tonë të Lartë e shkatërruan akademikët jo politikanët”
Intervistë e “JAVA” me pedagogun e universitetit të Birmingham-it, Gëzim Alpion. Si e shikon ai reformën e Arsimit të Lartë dhe si mund të bëhej vërtetë, sipas modelit anglo-sakson. Fondet për kërkimet shkencore dhe si duhet të menaxhohen ato, apo çfarë e pengon një reformë të mirëfilli arsimore…
Gëzim Alpion është nga të pakët studiues shqiptar, që ndërrimi i regjimit e gjeti në botën perëndimore. Sot, pedagog në Birmingham dhe rezident në Britaninë e Madhe mbetet një zë vazhdimisht autoritar sa i përket problemeve të ndryshme. Por, fusha, ku studimet e tij kanë ngjallur më shumë interes ka qenë pa asnjë mëdyshje, ajo që lidhet me Nënë Terezën, ku ai mbahet si një nga njohësit më të mirë të saj dhe një nga zërat më përkrahës të saj në botën perëndimore dhe lindore. Ashtu si shprehet dhe vetë, në këto momente, është duke u marrë me ‘errësirën shpirtërore të Nënë Terezës në kontekstin post-modernist’.
Mendoni se modeli anglo-sakson është i lehtë për t’u ndjekur për Reformën e Arsimit të Lartë në Shqipëri?
“Reforma e Arsimit të Lartë është e domosdoshme për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm që, për mendimin tim, përbën një krim, pasojat e të cilit Shqipëria do t’i vuajë për një kohë të gjatë. Duke parë sesa poshtë ka rënë Arsimi i Lartë, me gjithë reformën e trumbetuar me të madhe nga qeveria dhe shtypi që ajo ka nën kontroll, çështja nuk mund dhe nuk duhet të shtrohet nëse do të jetë e lehtë që Shqipëria të ndjek modelin anglo-sakson pasi përgjigja është e qartë, e shkurtë dhe e zymtë: JO.Do të ishte tjetër gjë po qe se shteti shqiptar do të funksiononte normalisht si një institucion ligjor transparent, për të cilin do të komentoj më gjerë e më poshtë.Nuk duhet të gënjejmë veten se fakti që një agjenci britanike akreditimi është përfshirë në Reformën Arsimore do të thotë se gjërat do të ndryshojnë për mirë si me magji.Eksperiencën pozitive botërore – modeli anglo-sakson është modeli që njoh më mirë dhe që unë preferoj, por nuk duhet shikuar si i vetmi nga i cili duhet të mësojmë – si në Arsimin e Lartë ashtu edhe atë pasuniversitar do të jenë në gjendje ta sjellin në Shqipëri kryesisht intelektualët shqiptarë në diasporë, të cilët kanë eksperiencë në mësimdhënie, funksione administrative dhe, mbi të gjitha, që janë autorë studimesh të publikuar nga shtëpi botuese akademike dhe revista shkencore me reputacion ndërkombëtar”.
Ka mungesë të përgjithshme fondesh në arsim. A nuk e penalizojnë këto kërkimin shkencor me këtë ligj?
“Mungesa e fondeve sigurisht që është problem për Arsimin e Lartë në Shqipëri por kjo nuk është çështje e pazgjidhshme. Problemi kryesor është se kush financon në Arsimin e Lartë dhe për çfarë qëllimesh.Kjo është një ndër arsyet kryesore përse tani për tani aplikimi i modelit anglo-sakson është më shumë një ëndërr sesa një mundësi reale. Në Shqipëri termi modeli ‘anglo-sakson’ është lakuar nga qeveria dhe mediat më shumë në një trajtë disi parokiale duke lënë pas-dore paradigmën e tij të nuancuar. Në Mbretërinë e Bashkuar universitetet u përkasin disa kategorive, por unë do të veçoj vetëm dy: ‘Grupin Russell’ dhe ‘Universitetet e Reja’.Në grupin e parë përfshihen 24 institucione me reputacion ndërkombëtar të konsoliduar si rezultat i kontributit të tyre në fusha të caktuara të dijes dhe përkushtimit që tregojnë kryesisht ndaj veprimtarisë kërkimore-shkencore. Ky grup universitetesh, që është ekuivalenti britanik i grupit elitar prej 8 universitetesh amerikane, që njihen si Ivy League, ka kërkesa më të larta pranimi për studentët përsa i përket rezultateve në provimet AS (Advanced Subsidiary) and A (Advanced) Level.Në grupin e dytë përfshihen kryesisht ato institucione arsimore, siç është rasti i një numri ish-politeknikumesh, të cilëve iu akordua statusi i universitetit pas 1992. Në këto universitete vëmendja kryesore është në mësimdhënie. Është për të theksuar se një numër i konsiderueshëm universitetesh të reja po afirmohen edhe për vëmendjen që i kushtojnë aktiviteteve kërkimore-shkencore, gjë që ka ndikuar pozitivisht edhe në shtimin e resurseve financiare.
Ajo që shumica e universiteteve britanike kanë të përbashkët që para tre vitesh është se 80 përqind e fondeve i sigurojnë nga tarifat e studentëve dhe 20 përqind nga burime të tjera, që përfshijnë ‘grants nga Research Council’, institucione si Akademia Britanike, si dhe nga Research Exercise, që organizohet çdo 5 vjet. Pavarësisht nëse këto fonde akordohen nga shteti, institucione shkencore apo individë bamirës, ata nuk shoqërohen me asnjë kusht. Pra, akorduesit nuk kanë asnjë influencë, përsa i përket programeve akademike apo axhendës kërkimore-shkencore të universiteteve që përfitojnë nga këto fonde, të cilat akordohen në bazë të meritës dhe administrohen me përgjegjësi dhe transparencë.Është pikërisht kjo pavarësi intelektuale, që përbën themelin e shëndoshë të universiteteve britanike, pavarësi që është e pakompromentueshme.E rëndësishme është që fondet, si nga tarifat e studentëve ashtu edhe nga burimet e tjera, përdoren me efikasitet për t’u shërbyer sa më mirë tre grupe njerëzish të cilët, së bashku, mundësojnë funksionimin normal të çdo universiteti: studentët, administratën, dhe stafin akademik.Në Shqipëri ka neglizhime dhe abuzime në mënyrën se si trajtohen studentët, punonjësit e administratës dhe pedagogët. Kohët e fundit, për shembull, kam mësuar se në Universitetin e Tiranës ka pasur disa shkarkime, pezullime dhe emërime, të cilave u vjen era bajraktarizëm, inkuizicion intelektual dhe nepotizëm. Këto veprime janë të dënueshme dhe të trishtueshme sepse po ndodhin në kohën, kur reforma në Arsimin e Lartë akoma është në proces. Po që se proçka të tilla akoma janë ‘normë’ në Universitetin e Tiranës, imagjino se ç’bëhet në universitete të tjera, veçanërisht ato private. Për aq kohë sa universitetet nuk përmbushin detyrimet ndaj të tre këtyre kategorive njerëzish, Arsimi i Lartë nuk mund të funksionoj normalisht.”
Mungesa e institucioneve të pavarura, a nuk e bën vallë të thyeshme këtë reformë?
“Në Shqipëri kemi një hall akoma më të madh se Arsimi i Lartë dhe ai pasuniversitar. Pa u zgjidhur ky hall, nuk mund të zgjidhet drejt asnjë çështje tjetër. Ky hall për të cilin akoma nuk po gjejmë zgjidhje, është ‘shteti partiak’, që nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin ligjor në Perëndim. Ne nuk mund të marrim eksperiencën e mirë në Perëndim në asnjë fushë, veçanërisht në arsim, po qe se nuk çlirojmë shtetin nga kthetrat e pronarëve të partive.Politika në momente të caktuara ka rrezikuar pavarësinë e institucioneve arsimore edhe në perëndim. Kështu, për shembull, Max Weber, një nga themeluesit e sociologjisë moderne, u angazhua personalisht para një shekulli për të mbajtur universitetet gjermane jashtë influencave politike.Tani për tani, fatkeqësisht, intelektualët në Shqipëri nuk kanë as vizionin, as guximin të përballen me liderët amatorë që e shikojnë politikën si vokacion të përjetshëm. Asnjë kryeministër gjatë amullisë së tranzicionit të stërgjatur nuk ka pasur predispozicionin të inicioj një dialog konstruktiv me intelektualë të mirëfilltë, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë për zhvillimin e vendit pa u bërë marioneta politike.Nga sa jam informuar, duket se reforma aktuale e Arsimit të Lartë është kompromentuar që në fillim pasi qeveria ka lejuar institucione dhe individë me reputacion të diskutueshëm të influencojnë atë në mënyrë të tërthortë dhe në disa raste edhe të drejtpërdrejtë. Kjo influencë, me sa duket, përfshin edhe një element financiar. Po që se kjo është e vërtetë, atëherë shtrohet pyetja se deri në ç’shkallë drejtuesit e politikës shqiptare – si në qeveri dhe në opozitë – janë vetë përgjegjës për gjendjen mjerane në të cilën është katandisur Arsimi i Lartë.Nuk e kuptoj se si ka mundësi që intelektualet në Shqipëri nuk e ngrenë zërin për të protestuar për masakrimin e Arsimit të Lartë? Zërat që dëgjohen rrallë janë ose të mekët ose nuk kanë kredibilitet, pasi në mënyrë direkte apo indirekte kanë gisht në katrahurën që po përjeton Arsimi i Lartë. Arsimi u shkatërrua jo nga politikanët por nga akademikët që nuk patën kurajo t’u thonë ‘ndal’ politikanëve, që shikuan tek arsimi një burim tjetër pasurimi për ta dhe sejmenët e tyre.
Dhe, gjendja e arsimit pasuniversitar…
“Gjendja e arsimit pasuniversitar është po aq e zymtë. Numri i madh i doktoraturave që ‘prodhohen’ në disa universitete shqiptare është një realitet donkishotesk. Unë kam mbi 10 vjet në Universitetin e Birmingham-it dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam udhëhequr një numër të kufizuar temash pasuniversitare. Kjo pasi kriteret e pranimit që ka universiteti dhe une personalisht janë të tilla që nuk lejojnë akordimin e një vendi në programin tonë të doktoraturës pa plotësuar të gjitha kushtet.Nuk e kuptoj se përse doktorantët në Shqipëri lejojnë të drejtohen nga akademikë ‘anonimë’, të cilët nuk kanë rekord kualifikimesh dhe botimesh në Perëndim. Ashtu si me ‘Korleonët’ e politikës shqiptare, edhe disa ‘kapo’ të universiteteve shqiptare shndërohen në njerëz anonimë sapo lenë Rinasin.Çdo përpjekje për të reformuar Arsimin e Lartë është e destinuar të dështojë në qoftë se këto reforma anashkalojnë hallkat e tjera të arsimit duke filluar nga ai parashkollor, dhe për aq kohë sa emërimet e mësuesve dhe drejtorëve bëhen kryesisht në bazë të përkatësive dhe orientimeve politike.Faik Konica është shprehur se në fillimet e shtetit shqiptar, monarkia ishte ndoshta forma qeverisëse më e përshtatshme për shqiptaret. Sot politika shqiptare ka ‘mbretër’ të rinj, të cilët ndonjëherë bëjnë zhurmë gjoja për reformimin e Arsimit të Lartë dhe atij pasuniversitar sipas këtij apo atij modeli Perëndimor kur, me sa duket, nuk janë të interesuar në krijimin e një inteligjence që një ditë do t’u këlthasë me zemërim të ligjshëm zolaesk këtyre satrapëve të pandreqshëm: ‘J’accuse!’
Biografi e shkurtër:
Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 1962. Ai ka studiuar në Kajro për BA dhe MA, dhe në 1997 mbrojti doktoratën në Universitetin e Durhamit. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Sheffield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku aktualisht është Drejtor i Sociologjisë, dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisjes dhe Shoqërisë. Alpion është anëtar i bordit të disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge.Fillimisht ai tërhoqi vëmendjen e mediave britanike me botimin dhe vënien në skenë në disa qytete angleze të dramave ‘Vouchers: A Tragedy’ (2001) dhe ‘If Only the Dead Could Listen’ (2008).Monografia ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ është botuar në gjuhën angleze nga Routledge në Londër dhe New York (2007), New Delhi (2008), dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë (2008). Kjo vepër dhe vëllimet me esë ‘Foreigner Complex’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, botuar në Indi (2008) dhe Amerikë (2009 dhe 2011) nga Transaction Publications, janë vlerësuar shumë nga kritika akademike. Autor i një numri studimesh në revista shkencore dhe përmbledhje akademike, Alpion konsiderohet si eksperti më autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze. Ai ka botuar artikuj në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’, ‘Hindustan Times’, ‘The Middle East Times’, and ‘The Hürriyet Daily News’.