Arta Dade: Opozita e re po bën gabimet e vjetra të PD-së. Berisha relikë e tranzicionit, jo model për politikanët e rinj

thotë se Shqipëria, si një vend me probleme të imazhit, duhet të investojë më shumë në përmirësimin e imazhit të tij. Duke komentuar bojkotin e zgjatur të opozitës, zonja Dade thotë se ajo po bën gabimet e vjetra të PD- së kur ishte herën e parë në opozitë dhe po bën edhe gabimet e dikurshme të PS-së në opozitë. Sipas saj, kjo gjë ndodh nën ndikimin e doktor Berishës, për të cilin Dade gjykon se “…duhet të mbetet një relikë e viteve të tranzicionit e nuk mund të jetë model për brezin e ri të politikanëve…”.

Nga Lorenc Vangjeli

Niseni në Moldavi me statusin e Kryetares së Misionit vëzhgues  të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet parlamentare të datës 30 nëntor në Moldavi, nën siglën e OSBE-së. Çfarë do të thotë një gjë e tillë për një politikane shqiptare, e cila ka njohur më shumë se një proces zgjedhor të deformuar në Shqipëri?

 Zgjedhjet parlamentare të datës 30 nëntor në Moldavi konsiderohen të rëndësishme për vetë Moldavinë, por edhe për organizatat euroatlantike ku Moldavia bën pjesë, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me standardet e gjithëpranuara demokratike. Në përgjithësi, legjislacioni garanton bazë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Përfaqësues parlamentarë të 24 shteteve anëtare të OSBE- së do të vendosen në terren ditën e zgjedhjeve, për t'i vëzhguar ato në përputhje me mandatin e përcaktuar të organizatës. Përvoja ime 10- vjeçare si anëtare e kësaj organizate në vëzhgim zgjedhjesh edhe në vende të tjera, por edhe përvoja në vend si pjesëmarrëse direkte në organizim dhe vëzhgim zgjedhjesh në Shqipëri që prej  vitit 1991, është vlerësuar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i cili më ka ngarkuar detyrën e kryetares së këtij misioni vëzhgues. Do të jetë punë e vështirë dhe me përgjegjësi të thellë në ndihmë të proceseve integruese dhe konsolidimit të demokracisë atje dhe, padyshim, hartimi i raportit për këtë mision do të jetë produkti më i rëndësishëm i këtij  misioni. Do të mundohem që raporti të jetë i qartë, jo me terma evazivë sikurse ka ndodhur në ndonjë rast me raportet për zgjedhjet në Shqipëri. Në zgjedhjet e 2009-ës, sa për të marrë një shembull. Po studjoj situatën e përgjithshme parazgjedhore e në mënyrë të veçantë legjislacionin që ka lidhje me zgjedhjet, regjistrin e votuesve, rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sistemin e ankimimit e elementë të tjerë që përfshihen në organizimin e zgjedhjeve. Ka një ekip ekspertësh të ODIHR-it të vendosur atje në një periudhë më afatgjatë dhe kjo do të jetë ndihmesë e mbështetje edhe për punën tonë. Jam e bindur që ky mision do të jetë i suksesshëm.

E majta mbushi një vit në qeverisje, pas tetë vjetësh në opozitë. Gjykoni se janë përmbushur pritshmëritë e publikut ndaj qeverisjes dhe pritshmëritë e PS-së ndaj kryeministrit Rama?

 Ka më shumë se një vit që koalicioni PS – LSI po qeveris vendin, pas një situate tejet dramatike ekonomike e sociale, por edhe në aspektin e funksionimit të institucioneve të pavarura e përgjithësisht në atë të sundimit të ligjit. Janë vënë në rrugën e zgjidhjes mjaft probleme, si sundimi i ligjit, kufizimi i terrenit për veprimin e krimit, e atij të organizuar, dhe korrupsionit. Eshtë ndalur rrëshqitja e mëtejshme e vendit drejt humnerës social-ekonomike, ka një klimë më të përmirësuar e frymëmarrje më të madhe për biznesin vendas, por edhe garanci të besueshme për investime të huaja. Ka një zë më të fuqishëm në rolin që vendi luan në kontekstin rajonal, edhe në funksion të axhendës europiane, si një vend tashmë me një status cilësisht të ri në marrëdhënie me Bashkimin Europian. Nuk besoj e as kam patur iluzione se të gjitha pritshmëritë do të përmbusheshin  brenda një viti, askush nuk e ka artikuluar këtë, për shumë arësye, një pjesë të të cilave e rendita më sipër. Vërejtjet e sugjerimet që ne, si deputetë të Kuvendit, kemi për qeverisjen, i avancojmë pranë Kryeministrit dhe ministrave e shpresoj që ato të adresohen në frymën e përgjegjësive të përbashkëta të kësaj maxhorance, që pikë referimi nuk mund të ketë qeveritë e Berishës, por destinacionin e përcaktuar nga programi qeverisës, nga premtimet e dhëna elektoratit e axhendën europiane.Viti që vjen do të jetë i rëndësishëm e shpresoj dhe besoj që edhe efektet pozitive të qeverisjes  të jenë të prekshme, të ketë më shumë ritëm në reforma, duke shmangur praktikat që  efektet e kostot e tyre të rëndojnë mbi qytetarët,  të cilët, nga ana e tyre, votuan këtë maxhorancë për t'i dhënë fund mungesës së shtetit e ligjit, dhe besuan e vazhdojnë të besojnë se do të kenë arsimim më të mirë për fëmijët e tyre. Përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar; për më shumë vende pune, e kjo realizohet me shumë vështirësi; për më shumë investime në bujqësi e turizëm; për një administratë publike të aftë e jemi ende larg asaj që presim; për shërbim mjekësor më të mirë e më të kualifikuar. Ka një ndryshim rrënjësor në koncept e mentalitet në lidhje me raportin shtet – qytetar e kjo është vështirë të përthithet nga kategoria e madhe e qytetarëve që përballen me jetesën e tyre të përditshme, përmes vështirësish pa fund, që as nuk janë krijuar brenda një viti dhe as nuk mund të zgjidhen brenda një viti.

Nëse do t’ju duhet të dëshmoni tre arritjet më të mëdha të qeverisjes dhe tre  dështimet e saj, cilat do të ishin ato sipas këndvështrimit tuaj?

Nuk e kam të lehtë ta përmbledh vlerësimin për arritje të kornizuar apo për dështim të përcaktuar qartazi. Vendosmëria për sundimin e ligjit dhe kufizimi i terrenit për abuzivizëm, përpjekjet për reformën në drejtësi, reforma teritoriale dhe reforma radikale për energjinë mund të jenë disa nga arritjet e dukshme. Ka ende paqartësi për reformat në fushat të tjera e sidomos në lidhje me kostot sociale të disave prej tyre, nisur nga fakti që jemi votuar si një maxhorancë që në themel të politikave qeverisëse ka politikat sociale. Shpresoj!

Kontrolli i territorit, lufta kundër informalitetit në arsim, përpjekja për pagesën normale të energjisë e të tjëra të ngjashme – cilat janë kostot elektorale të këtyre aksioneve?

Lufta kundër informalitetit në arsim është mirëpritur, sepse shqiptarët janë të mënçur dhe arsimin e vlerësojnë si një nga aspektet më të rëndësishme të jetës. Ata e kuptojnë që defektet e arsimimit të fëmijëve të tyre krijojnë  dëm të madh jo vetëm në formimin e vetë fëmijëve dhe përgatitjes së tyre për jetën, por dëmtojnë edhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit  ku këta fëmijë do të jetojnë. Këto dëme kërkojnë dhjetra vjet që të rikuperohen. Lidhur me aksionet e tjera të kontrollit të territorit apo masat kundër vjedhjes së energjisë, sigurisht që janë të domosdoshme, por është po aq e domosdoshme që të zbatohen politika e projekte zhvillimore, që qytetarët të mbajnë gjallë perspektivën për një jetë normale e të ketë transparence, që masat shtrënguese në sektorin e energjisë do të jenë deri në stabilizim të situatës e shanset për të vjedhur energji do të jenë zero.

A përmbush buxheti i ri për vitin e ardhshëm nevojat për financim të shërbimit diplomatik dhe atë të destinuar për politikën e jashtme në përgjithësi?

Sigurisht që po të ishte e mundur, do të mbështesnim buxhet më të madh për diplomacinë e përgjithësisht në fushën  e politikës së jashtme. Një vend që vazhdon të ketë probleme të imazhit, duhet të investojë më shumë në përmirësimin e këtij imazhi. Nga ana tjetër, kjo nuk arrihet vetëm me diplomacinë e politikën e jashtme, sepse përmirësimi i imazhit nis te politikat qeverisëse brenda vendit e tek sjellja e shoqërisë. Shqetësimi që ne pozuam për një trajtim financiar më të mirë të diplomatëve që shërbejnë jashtë vendit, do të adresohet gjatë shqyrtimit të projektligjit të ri “Për shërbimin e jashtëm” i cili i jep zgjidhje edhe një trajtimi më të mirë financiar diplomatëve e familjarëve të tyre.

Mund të ketë diplomatë të mirë sa kohë që, varësisht pagave të tyre, ata janë pothuaj të varfër në vendet ku ata shërbejnë?

Trajtimi financiar i diplomatit nuk lidhet domosdoshmërisht me performancën e tij në kryerjen e detyrës, sepse për pagesë të njëjtë ka diferencime të dukshme në efikasitetin e punës së tyre, në volumin e angazhimit konkret në punën e tyrë, në pasionin e përgjegjshmërinë me të cilin i shërbejnë vendit, në profesionalizmin me të cilin prezantojnë vendin. Një trajtim më i mirë financiar i diferencuar edhe në varësi të kostos së jetesës në vendin ku shërbejnë, do krijonte kushte më të mira jetese e do jepte më shumë dinjitet në kryerjen e detyrës. Kjo, nga ana tjetër, do shoqërohet edhe me detyra të mirëpërcaktuara e instrumente monitoruese, sepse edhe puna në diplomaci duhet të jetë e matshme me rezultatet.

U mbushën disa muaj që opozita po vazhdon bojkotin e saj. Mundeni të hiqni paralele mes bojkotit të saj dhe atij që socialistët bënë pesë vjet më parë? Çfarë do ta risillte atë sërish në Kuvend?

Opozita që do kisha dëshirë ta cilësoja si opozitë e re, po bën gabimet e vjetra të PD- së kur ishte herën e parë në opozitë e hidhte gurë mbi institucionet, derisa edhe i sulmoi ato e godinat, por po bën edhe gabimet tona, pavarësisht motiveve që ne patëm për të bojkotuar parlamentin, pas kontestimit të zgjedhjeve si rezultat i manipulimit. Por nuk mund të përdoren të njejtat instrumente në situata kohore të ndryshme e në stade të ndryshme, edhe në lidhje me stacionin e ri që vendi ka në rrugëtimin e tij drejt Europës, përpos faktit që Kuvendi i sotëm nuk ka shumë njësi matëse të përbashkëta me atë që drejtonte Berisha e Topalli. Ka një frymë krejt tjetër drejtimi e hapësira krejt të ndryshme bashkëpunimi.

Ju duket se partia kryesore e opozitës vazhdon të jetë nën hijen e drejtuesit të saj historik Berisha? Çfarë e bën të ngjashme e të ndryshme në këtë drejtim PD-në me PS-në e vitit 2005, kur u largua Fatos Nano?

Kjo jo vetëm duket, por reflekton një realitet që çdokush që ka mësuar sadopak nga demokracia ende e brishtë, nuk do ta miratonte. Ish – lideri duhet të mbetet një relikë e viteve të tranzicionit e nuk mund të jetë model për brezin e ri të politikanëve, jo për moshën, se mosha në politikë e bën më të mençur e të urtë një politikan, por për mendësitë e praktikat që ka ndjekur në krye të qeverisë, shtetit e të vetë PD – së. Kjo reflekton frymën e përgjithshme që ka brenda vetë PD – së, që nuk krahasohet me situatën që ne patëm në PS në 2005, kur kaluam në opozitë. Çdo parti serioze përmbush cikle të caktuara qeverisëse dhe e ka të domosdoshme të riformatohet e ristrukturohet, ka nevojë të reflektojë për mënyrën si qeverisi e pse u refuzua nga votuesit, pse në rastin e PD- së la një tokë të djegur financiarisht e një popull të varfëruar e të pashpresë për të ardhmen. Unë do të dëshiroja që PD-ja ta bënte këtë. Lidhur me pyetjen tuaj, nuk ka asgjë të përbashkët, sepse Edi Rama gjeti një mjedis mbështetës nga ata që e themeluan PS-në, shtuan vlera ndër vite në vlerat e PS-së. Vetë ai këtë mbështetje e kërkoi me ngulm. Fatos Nano ndoshta prej aspiratave të tjera që mendonte t'i realizonte jashtë PS-së, nuk iu bë pengesë Ramës e as nuk gjeti mjedis brenda PS-së që ta bënte këtë.

Opozita paralajmëron protesta në këtë muaj, ndërsa shumica premton festime për 70- vjetorin e çlirimit të vendit. Mendoni se është realisht po aq i madh hendeku mes tyre, sa duket edhe në sipërfaqe?

Secili krah i politikës ka projektet e veta në betejat politike. Opozita ka zgjedhur të protestojë e sa kohë protestat janë me mjete demokratike, kjo është një e drejtë legjitime. Nëse opozita do të ishte e re, sikurse pretendon, duhej të ishte në krah të luftës kundër abuzivizmit me ligjin e shtetin ligjor, me grabitjet e energjisë, e pronave dhe aseteve publike, një trashëgimi e qartë e qeverisjes së liderit të saj të vjetër e të ri. Basha kërkoi një ndjesë të mekur, por me sa duket tenton ta shtjellojë këtë ndjesë me rastin e protestave. Nuk besoj se do të nxisë mbështetësit e vet të kërkojnë azil në vendet e BE-së, sikurse është raportuar prej medias pranë tij, e artikuluar edhe nga Berisha. Si ish – ministër i jashtëm e ministër i brendshëm ai e di më mirë se shumë të tjerë që në Europë nuk na pranojnë po nuk zbatuam ligjet e po nuk forcuam shtetin e së drejtës. Nga ana tjetër, jo vetëm maxhoranca qeverisëse, por të gjithë shqiptarët do festojnë 70 – vjetorin e çlirimit të vendit nga okupatorët, sikurse kanë vepruar gjatë gjithë vitit në datat përkujtimore. Ne jemi krenarë që jemi kontributorë në disfatën historike të nazi-fashizmit dhe të vlerave që na renditën me fituesit, në anën e atyre që krijuan Europën e Bashkuar e që industrinë e luftës e shndërruan në projekte bashkëpunimi e në projektin e madh të BE-së. Festa e BE-së , Dita e Europës, është 9 Maji, dita e fitores mbi fashizmin. Kjo nuk mund të jetë rastësi. (Revista JAVA)

SHKARKO APP