Artisti i rumun Ion Caramitru: “Nuk jetojmë periudhë të një interpretimi të madh dramaturgjik”
Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Rumanisë, Ion Caramitru, personalitet i kulturës bashkëkohore
Nga Entela Binjaku
Jon Caramitru (Ion Caramitru) është Drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar “Jon Luka Karaxhiale” në Bukureshti. Ai ndodhet në këtë pozitë të lartë prej vitit 2005. Për realitetin e brishtë shqiptar, ku drejtuesit më shpejt ndërrohen sesa emërohen, ky fakt është një tregues i fortë i asaj që mund të arrihet kur ke një potencial të lartë leadershipi, kur rrethohesh nga admirimi dhe kur besimi në aftësitë e tua është faktor përcaktues. Jon Karamitru është një ndër artistët më të dashur të Rumanisë të të gjitha brezave që njohin artin e tij. Në këto kushte edhe personaliteti si drejtues merr të tjera vlera. Nëse ndodheni në Bukuresht dhe përmendni emrin e z. Karamitru, reagimet që do të merrni janë të ndryshme, por të gjitha me të njëjtin emërues: një personalitet i çmuar i kulturës, një aktor hyjnor dhe një zë i bukur. Të gjitha këtyre cilësive, do t’u kisha shtuar edhe të tjera që vërejta në të shtunën e fundit të muajit janar, kur pata mundësinë të kryej edhe këtë intervistë ne zyrën e tij në Teatrin Kombëtar në Bukuresht, dhe konkretisht: një artist i madh mikpritës, i ngrohtë dhe i vëmendshëm. Ndiqni në vijim intervistën me z. Karamitru:
Pyetje: Zoti Karamitru, cila është gjendja aktuale e dramaturgjisë në Rumani?
Jon Karamitru: Dramaturgjia nuk është një dukuri shumë e zhvilluar, sipas mendimit tim. Shkruhet pak teatër e do të thoja se nuk ekziston një shkollë me traditë në dramaturgjinë bashkëkohore, edhe pse në periudhën mes dy luftërave kanë qenë disa shkrimtarë që bënë histori në teatrin rumun. Në periudhën komuniste, në një shkallë befasuese, dramaturgjia ishte e bindur dhe të vetmet përpjekje për të gjetur zgjidhje provokuese të teatrit ishin vënia në skenë e pjesëve klasike me ngjyrime disidence. Nuk mund të flasim përveçse për disa autorë që përpiqeshin të përdornin një gjuhë ezopike, një fjalor të huazuar që të shtrydhte disa gjëra prej censurës. Këtu kanë qenë shkrimtarë si: Marin Soresku, D.R.Popesku, Josif Naghiu dhe të tjerë, që bënë deri diku disa përpjekje të kësaj mënyre. Pas vitit ’89 shpresuam të gjithë tek një “letërsi në sertar”, siç quhet, pra për pjesë të shpëtuara prej censurës nga vetë shkrimtarët dhe të ruajtura për kohëra më të mira, por u gjendëm përballë një realiteti shumë hidhur: nuk ekzistonin! Nisma e parë serioze për të nxitur një krijimtari të re u bë në nivelin e Unionit Teatror të Rumanisë UNITER- ku që në vitet ’90, një nga programet kryesore të Unionit quhet “ Pjesa më e mirë rumune e vitit”. Kjo pjesë vlerësohet me çmim dhe është mbështetur deri në një pikë të caktuar nga Fondacioni “Princesha Margareta”, për të kaluar më pas nën autoritetin e Shtëpisë Mbretërore të Rumanisë, e cila ndan çmimin çdo vit në Gala-në e Çmimeve UNITER. Prej një copëz të mirë kohe, Teatri Kombëtar që unë drejtoj përpiqet të vendosë në skenë, të mbajë shfaqje me pjesën fituese. Pikërisht kohët e fundit, pra rreth tri-katër javë më parë, patëm një premierë me pjesën e titulluar “Matilda si Groparii”, të autores Stela Giurgeanu, që fitoi çmim në vitin 2018. Një vit më parë vumë në skenë pjesën fituese të konkursit paraardhës dhe shpresojmë të arrijmë ta bëjmë këtë çdo vit. Por kanë qenë edhe vite kur as pjesa fituese nuk ka qenë e mirë. Stili dramatik është një stil shumë i ndërlikuar dhe kërkon shumë shkathtësi drejt asaj që është specifike e literaturës dramatike dhe që bën që disa autorë, të themi të prozës, të shkruajnë keq pjesë teatri. Ka edhe poetë që janë përpjekur, edhe Eminesku ka provuar, por pjesët e tij janë të paluajtshme. Megjithatë ekzistojnë shkrimtarë që mes dy luftërave botërore kanë lënë disa pjesë, jo shumë, por që mund të luhen. Për shembull, Mihail Sebastian, që ndërroi jetë i ri, ka lënë tre apo katër pjesë, por po kaq thuajse ka edhe Karaxhiale në fund të fundit. Ende nuk kemi shpresa të shfaqet edhe tek ne një Molier, një Shekspir apo një Goldoni, me një vepër të pasur. Nuk jetojmë periudhë të një interpretimi të madh dramaturgjik. Tani provohen më shumë formula të teatrit: teatri dokument, teatri që përpiqet të zbulojë një situatë të vërtetë dhe ta transferojë atë në skenë, formula që janë më shumë afër informacionit sesa psikologjisë së teatrit klasik. Sigurisht, na interesojnë, por nuk janë tekste që mund të mbeten për më vonë. Kështu që aktualisht, mund të themi se ajo që është e gjallë dhe gjithmonë e re në teatrin rumun është arti i spektaklit, që tejkalon në përmbajtje dhe në vlerë edhe dramaturgjinë në vetevete, pra mënyrën sesi bëhen spektaklet mbi pjesë klasike apo mbi pjesë bashkëkohore, artin regjizorial dhe atë aktorial.
Pyetje: A keni marrëdhënie me teatrot e shteteve të tjera në rajonin tonë?
J.Caramitru: Si jo! Kemi vendosur në radhë të parë një marrëdhënie me Teatrin Kombëtar “Mihai Eminesku” të Kishinëut, që para 6 vitesh. Kemi ndërtuar një marrëdhënie mes këtyre dy teatrove. Ne quhemi “Karaxhiale”, ata quhen “Mihai Eminesku” duke rindërtuar në të njëjtën kohë edhe një miqësi të vjetër mes këtyre dy shkrimtarëve. Kemi përcaktuar një program nën titullin:” Teatri Rumun në Bukuresht dhe në Kishinëu”, përmes të cilit çdo vit, shkojmë në shtëpinë e secilit.Titulli ka edhe një kuptim historiko-politik, sepse për shumë vite, në Republikën e Moldavisë konsiderohej se gjuha rumune nuk është gjuha amtare dhe provoheshin variante : “gjuha moldovene” “gjuha jonë” që në fund dhe më së fundi, të pranohej se në fakt gjuha zyrtare është gjuha rumune. Kjo çon në rekonfigurimin së paku teorikisht, të Rumanisë, një shteti që u gjymtua në vitin 1940 nga Pakti Ribbentrop-Molotov, përmes të cilit Basarabia dhe një pjesë e Bukovinës, ajo që ndodhet drejt kufirit me Ukrainën, hynë në Bashkimin Sovjetik dhe që atëherë aty dhe mbetën. Marrëdhënia me Teatrin Kombëtar të Kishinëut është një marrëdhënie jashtëzakonisht e rëndësishme nga të gjitha pikëpamjet. Më shumë se kaq, prej katër vitesh në Kishinëu çdo vjeshtë mbahet Festivali i Teatrove Rumune, ku marrin pjesë si Teatrot Kombëtarë të Rumanisë, po ashtu edhe Teatrot Kombëtare të Moldavisë, nën titullin Teatri Rumun, sigurisht. Kështu që ne jemi të pranishëm çdo vit si Teatër Kombëtar dy herë në Kishinëu edhe me programin tonë të drejtëpërdrejtë me ta, edhe si Festivali i Teatrove Kombëtarë. Kemi një marrëdhënie me Teatrin Kombëtar të Sofjes, edhe kjo për shkëmbime të përhershme, por më të u vazhdua deri në një pikë të caktuar, sepse për fat të keq, aty shkëmbimet e drejtimit kanë qenë të shumta dhe të shpejta në dhjetë vitet e fundit dhe nuk kemi mundur të bëjmë përveçse dy manifestime të kësaj natyre. Edhe me Teatrin Kombëtar të Budapestit kemi marrëdhënie. Aty organizohet një Festival i Teatrit ku kemi marrë pjesë çdo vit- më pak vitin e kaluar, dhe po njëlloj edhe ata vijnë ne Bukuresht. Kemi vënë në vijë marrëdhëniet e kësaj natyre dhe me Teatrin në Kiev ku do të paraqitemi në muajin qershor në një Festival. Kemi në vazhdim një marrëdhënie me Serbinë, kemi qenë dy herë në Festivalin e Nishit dhe tani jemi në bisedime me Beogradin. Disa vite më parë kemi organizuar në Bukuresht një Festival të quajtur NETA.
NETA ishte një organizëm që mblodhi në një vend shumë institucione teatrore të Ballkanit. NETA kishte kuptimin e New European Theater Meeting dhe u themelua në Maqedoni. Unë kam qenë në fillesat e këtij organizmi dhe kam qenë presidenti i saj i parë. Kemi mbajtur në Bukuresht para 6 vjetësh, një Festival ku kemi ftuar të gjitha Teatrot e Ballkanit. Një sukses i madh! Kemi qenë në marrëdhënie me Teatrin e Metropolit të Tiranës, kur u themelua dhe i kam rënë gongut përurues, i ftuar në atë kohë nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. Ne jemi njohur kur ai ishte Ministër i Kulturës në Shqipëri ndërsa unë isha Ministër i Kulturës në Rumani dhe shiheshim në takimet evropiane dhe u afruam, le të themi, shpirtërisht, aq sa kur u themelua Teatri i Metropolit, isha i ftuar zyrtarisht të godas gongun përurues. Pas kësaj ne patëm një vizitë në Korçë, ku kam edhe të afërm. Një motër dhe një vëlla të babait mbetën aty në vitin 1925. Familja Karamitru është një familje mjaft e madhe në Korçë dhe kryetari i Bashkisë së Korçës më ka bërë “Qytetar nderi” të qytetit. Duke pasur marrëdhënie me Korçën, jam ftuar edhe të vendos në skenë diçka, por për fat të keq deri tani nuk kemi pasur kohën e nevojshme por të shohim në të ardhmen. Edhe me Malin e Zi kam pasur një marrëdhënie shumë të afërt në linjën e teatrit, me Teatrin Kombëtar të Podgoricës, që ka qenë në Bukuresht dhe me ish drejtorin e Teatrit që u bë ministër i Kulturës, më pas ambasador në Beograd, me të cilin kemi ndërmarrë NETA-n. NETA ka qenë në fakt një ide e nisur nga tre nismëtarë: Branco Mikunoviç, që në atë kohë ishte Drejtor i Teatrit Kombëtar të Podgoricës, që më pas u bë Ministër i Kulturës. Tek unë ndodhi e kundërta: unë kam qenë Ministër Kulture dhe më pas u bëra Drejtor Teatri si dhe me Ministrin e Kulturës së Maqedonisë në atë kohë, Blagoj Micievski. Nisma lindi edhe nga bindja ime se nga Ballkani, në këto kohë vjen krijimtaria kulurore evropiane më e freskët dhe më provokuese. E them këtë sepse ngjarjet e fundit që kanë bërë histori në Ballkan me betejat fetare, me konfliktet që duket sikur nuk përfundojnë, kanë sjellë një literaturë të denjë për vëmendje, që përpiqet të zbërthejë të gjithë problematikën e ballkanasve, e cila është po ashtu post-komuniste. Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe me mëvetësimin e secilit shtet, shtete të vogla, me popullsi të vogla por me ambicie të mëdha dhe me talente autentike. Kjo është një zonë që tejkalon në humanizëm të gjitha përpjekjet më së shumti formale të Perëndimit në fushën e kulturës dhe të artit, ndërsa unë bëj pjesë tek ata ngulmuesit për të vënë në dukje vlerat e kulturës së kësaj ane të botës. Tani punojmë për një lloj Akademie Kulturore Evropiane që do të rregjistrohet në Ballkan dhe ku do të bëjnë pjesë të gjtiha shtetet për të cilat flas, përfshirë Rumaninë që ka edhe ajo një përbërëse ballkanike të rëndësishme.
Pyetje: Në këto çaste që flasim, cili është repertori që vihet në skenë dhe a ka ndryshim repertori krahasuar me atë përpara viteve 90?
Jon Karamitru: Sigurisht që po! Ka një dallim shumë të madh sepse para viteve ’90 repertori ishte në mënyrë të detyrueshme i miratuar nga Ministria e Kulturës, që në atë kohë quhej Këshilli i Kulturës dhe i Edukatës Socialiste, pra i shtohej kulturës edhe tipi i edukimit, që, shih se duhet të jetë patjetër edhe socialist, më saktë komunist dhe që i bënte publikut edukim të tipit komunist. Në atë kohë kishte shumë autorë të huaj që ishin të ndaluar. Tekstet dërgoheshin për miratim para repertorit dhe të thuhej po apo jo për pjesën në fjalë. Kishte fillimisht një censurë të tekstit dhe më tej vijonin komisionet e vizionimit të spektakleve, komisione të formuara nga aktivistë partie dhe nga “specialistë” në artet e spektaklit por edhe nga punëtorë të ndërmarrjeve dhe shokë që pa pasur kulturë, mund edhe të kishin reagime negative në përpjekjet tona për të qenë më të lirë sesa lejohej. E megjithatë, shfaqjet tona të mëdha dhe shfaqjet disidente janë kryer mbi pjesët klasike. Pjesë që i përkisnin Shekspirit në veçanti, këtu ishte fjala për “Makbethin”, për “Hamletin” që u kthyen në shfaqje disidente që bënë histori në Rumani, por edhe për Molierin “ I sëmuri për mend”, pjesët e Marin Soreskut, sidomos shfaqjet e mëdha të regjizorit Lucian Pintilie që u ndaluan zyrtarisht nga udhëheqja komuniste. Spektaklet e muzikës dhe të poezisë që mbaja unë, edhe ato u ndaluan, menjëherë pas të tjerave. Kemi kaluar një periudhë shumë të pasur në shfaqje por shumë të trishtë sa i takon censurës. Sot, nuk të ndalon askush të vësh në skenë çfarë pjese dëshiron.
Kam këtu edhe listën e shfaqjeve, portofolin e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar që e drejtoj prej 15 vjetësh. Kemi 55 pjesë që vihen në skenë në Teatrin tonë të repertorit. Nga këto, në një shkallë prej gati 40% janë pjesë rumune. Qofshin këto pjesë cilësore nga periudha mes dy luftrave siç është “Allegro ma non troppo” e Jon Minuleskut, “Dy lote” e Karaxhales, apo dhe pjesë bashkëkohore siç është “Zoti vishet tek second hand” një pjesë ë shkruar kohët e fundit nga zoti Julian Margu nga Rëmniku Vëlçea, apo “Idhulli dhe Jon Anapoda” e G.M. Zamfireskut ose “Mësimi” i Euxhen Joneskut, “Njeriu DADA” një shfaqje nisur nga vargjet dadaiste të Tristan Tzara, “Pylli i të varurve” e Liviu Rebreanut, “Ferri i vogël”, “Njeriu që pa vdekjen”, dy pjesë të periudhës interbelike shumë të suksesshme. “Papagalli memec” një pjesë origjinale e shkruar nga regjizori i shfaqjes që është edhe një regjizor i madh filmi, zoti Nae Karanfil, “Qilimi” që bëri histori në periudhën komuniste, “Mbreti vdes” e Euxhen Joneskos, “Letra e humbur” e Karaxhales. Më tej janë tre pjesë shekspiriane: “Mbreti Lir”, “Furtuna” dhe “Tregtari i Venedikut”. Po ashtu kemi dhe gjithë kohës kemi vënë në skenë pjesë nga Çehovi, premiera e fundit “ Tre motrat” ka bërë tashmë histori. Janë vënë në skenë pjesë nga Matei Vishniek, një autor rumun që jeton në Francë, pjesë bashkëkohore irlandeze dhe angleze, franceze, disa nga të cilat komedi, të tjerat drama, pjesë italiane.“No man’s land” është një pjesë e përshtatur nga filmi i famshëm që fitoi çmimin “Oskar” me problematikën e Ballkanit, luftrat vëllavrasëse. Një pjesë e shkëlqyer, një vepër nga Izraeli është “Shkelësit e rinj të ligjit” , Gogoli me “Revizorin”, Eugene O’Niell, Arthur Miller, që vihen në skenë prej 10 vjetësh por edhe Ivan Vërëpaiev, shkrimtari i shquar nga i cili kemi luajtur “UFO” dhe kështu me radhë. Kemi një portofol pjesësh që duhet të sigurojnë shfaqje në katër salla ku ne zhvillojmë repertorin. Çdo mbrëmje Teatri Kombëtar ka shfaqje në katër salla. Në sallën e Madhe që ka thuajse 1000 vende, më saktë 940, në Sallën “Studio” me 540 vende, Sallën “Atelier” me 180 vende dhe Sallanë “Pikturë” që ka deri në 240 vende.
Pra, njëra me tjetrën, çdo mbrëmje në Teatrin Kombëtar hyjnë nga 1500 deri në 1900 spektatorë dhe luajmë katër pjesë përnatë, në të njëjtën kohë. Salla e pestë, Salla e Vogël me 130 vende është caktuar të jetë vendi, që mirëpret të rinjtë eksperimentues. Kjo sallë jepet ekskluzivisht për një program që quhet “9G” në kuptimin New Generation. Emërtimi është disi i sforcuar nisur nga sistemi telefonik 3, 4, 5, G. Në këtë program kundrejt disa projekteve që dërgohen dhe që janë sipas kritereve apo jo, të ndërmarra nga të rinj aktorë të paangazhuar në teatre, të pavarur, që mirëpriten këtu dhe gjejnë të gjithë mbështetjen materiale dhe shpirtërore për të prodhuar shfaqjen. Programi funksionon prej 6 vjetësh dhe ka ritmin e tij, publiku i tij është shumë ri, është një fidanishte nga e cila kemi punësuar aktorë edhe për Teatrin Kombëtar. Së fundmi, kemi hapur një sallë në mjedis të hapur, në teracën e Teatrit, që ka 300 vende për sezonin veror kur Teatri është mbyllur dhe Bukureshti është i tejet i nxehtë. Aty kemi pritur grupe teatrosh, të xhazit, shfaqje baleti, poezie, paraqitje mode, ku kemi luajtur thuajse 24 shfaqje në muaj nga 15 maji deri në 15 shtator. Ky është thuajse regjimi që ne ndjekim çdo vit.
Cili është roli arumunëve dhe pozicioni i tyre sot në shoqërinë rumune?
J.Karamitru: Dua të vërej këtu një nismë që nuk gëzon mbështetje historike apo të realitetit dhe të traditës të një fraksioni arumunësh që jetojnë në Rumani dhe janë pasues të atyre që kanë ardhur në vitin 1925 atëherë kur pas rënies së Perandorisë Otomane, ish Maqedonia u nda mes shteteve: Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Shqipërisë. Këta dëshirojnë të deklarohen këtu pakicë kombëtare dhe refuzojnë të quhen rumunë. Por në territorin respektiv jetonin edhe arumunë që ishin pasardhës të rumunëve të veriut të Danubit. Midis Bukureshtit dhe Selanikut janë afërsisht 700 e ca km. Si mund të kenë arritur arumunët aty gjatë historisë? Përmes dukurisë së prakticitetit. Ata ishin në kërkim të livadheve për të imtat. Dhe kur ke nevojë për kullota, verës ngjitesh në mal dhe dimrit zbret në bregdet. Pak a shumë kjo është dukuria e blegtorëve. Duke u nisur me bagëtitë në kërkim të kullotave, ata arritën aty ku mali përfundon në det, ku kanë malin dhe detin në të njëjtin vend në zonat që po flasim. Dhe u vendosën aty, jetuan në komunitetet e tyre, nuk u përzien, folën dialektin e gjuhës rumune që e ruanin në familje. Shteti rumun në periudhën kur u themelua Shoqata Kulturore Macedono-Rumune në vitin 1880, vuri në dispozion përmes shoqatës fonde të rëndësishme në Ballkan, sidomos në ish Maqedoninë që i përkiste Perandorisë Otomane, fonde për hapjen e shkollave, liceve dhe kishave, me shërbesa dhe mësimdhënie në gjuhën rumune kulte. Kanë qenë tre lice, nga të cilët njeri tregtar, në Selanik, ku studioi edhe babai im, tjetri në Bitola. Çdo fshat rumun kishte shkollë. Kur ra Perandoria Otomane dhe kur u bë shkëmbimi i të burgosurve mes grekëve dhe turqve, erdhën të burgosur nga Turqia thuajse një milionë ushtarë grekë që do të duhej të ishin shpërblyer sepse ishin mercenarë. Atëherë nisi përplasja mes grekërve dhe arumunëve që edhe pse ishin ortodoksë nuk e duronin njëri-tjetrin. Nisi një betejë mbijetese për jetë a vdekje. Në atë kohë u ngritën delegacione që erdhën në Bukuresht ku ka bërë pjesë edhe gjyshi im, dhe që kërkonin edhe kthimin në shtetin amë, duke e konsideruar Rumaninë shtetin amë. Morën nënshtetësi brenda natës dhe u kolonizuan në jugun e Dobroxhias ku ishin tre qarqe, duke u pajisuar me prona me 10 hektarë për kokë, për çdo burrë. Në vitin 1925 mbi 35 mijë arumunë u sollën në Rumani në Kadrilater, morën nënshtetësinë dhe u kolonizuan aty. Vetëm se 15 vjet më vonë, më 1940 ky territor, ashtu si dhe Basarabia ju shkëput Rumanisë përmes paktit Ribbentrop-Molotov dhe ju dha Bullgarisë, Basarabia ju dha Bashkimit Sovjetik ndaj ju desh të iknin që aty dhe erdhën në Mbretëri. Nisi lufta. Njëherë lanë çdo gjë në Greqi, herën e dytë lanë çdo gjë në Bullgari, erdhën në Rumani në vitin 1940 kur nisi lufta botërore, Rumania hyri në luftë në 1941, ata humbën sërish çdo gjë, për të filluar të hynin edhe në burgjet komuniste kur në Rumani u instalua komunizmi.
Në këto çaste përpiqemi të vëmë në vend historinë tonë të vërtetë, që thotë se arumunët janë rumunë në origjinë, që flasin një dialekt të gjuhës rumune, që janë pakicë në shtetet ballkanike. Kam marrë me gëzim vendimin e Shqipërisë për t’i konsideruar pakicë kombëtare aty, ndërsa në Bullgari, Serbi e sidomos në Maqedoni nuk konsiderohen si rumunë, por kjo është temë tjetër diskutimi. Në këmbim, në Rumani është trupëzuar ideja se do të duhej të deklarohemi këtu në Rumaninë tonë, pakicë kombëtare, pra që nuk jemi rumunë, jemi tjetër gjë, një tjetër popull, me një gjuhë tjetër e keshtu me radhë, gjë e cila është një marrëzi pa kufij, sepse kjo do të thoshte se arumunët nuk kanë asnjë shtet amë, që edhe pse quhen arumunë, nuk janë rumunë, dhe prej këtu lind pyetja retorike: atëherë, ku ndodhet Arumania, cili është ai shtet?Akademia Rumune, Parlamenti Rumun dhe gjithë historia jonë tregon qartë origjinën latine, rumune dhe veriore –danubiane të arumunëve! Shoqata jonë këtë po bën tani, po çgropos historinë e re dhe më të vjetër, punon me Akademinë Rumune dhe me Ministrinë e Jashtme. Së fundmi, prej disa vitesh është votuar në Parlament një ligj që vlerëson rumunët e kudondodhur dhe ku arumunët shfaqen si rumunë dhe janë emërtuar me të gjitha përkufizimet e tyre: cëncar, arumunë, rrëmënj, kuço-vllah etj. E di që në Shqipëri ka shoqata arumunësh që e pranojnë këtë realitet dhe shpreh gjithë falënderimet drejtuar shtetit shqiptar për vendimin historik të ndërmarrë. Po ashtu, kujtoj se në Shqipëri gjenden gjurmë të pranisë rumune, kur mendoj për shtëpinë në Sarandë që Nikolla Jorga e bleu për shtetin rumun, ashtu siç bleu edhe në Itali Qendrën Kulturore në Venecia, siç bleu ndërtesat ku ndodhen ambasadat e Rumanisë në Paris dhe Londër. Tani, në muajin maj do të festojmë 140 vjetorin e themelimit të Shoqatës.