Astrit Beci: Karta e shëndetit, ja përfitimet

Z.Beci, çfarë është karta e shëndetit dhe për çfarë përdoret ajo?

Karta e shëndetit është mjeti që identifikon të siguruarit dhe me anë të saj përfitohen shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjitha nivelet. Pra, nëse jeni pensionistë, invalidë, veteranë, të punësuar, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijë, gra shtatzëna, persona që trajtoheni me ndihmë ekonomike, punëkërkues etj, me anë të kartës së shëndetit mund të përfitoni nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke filluar nga recetat e rimbursueshme, shërbimi te mjeku i familjes, te mjeku specialist, në qendrat spitalore, pra në të gjithë sistemin tonë shëndetësor. Karta e shëndetit është mjeti që do të zëvendësojë gradualisht librezën e shëndetit.

 

Si lindi nevoja për kartën e shëndetit?

Çdo pensionist apo person i siguruar, duhej të kishte një librezë shëndeti për të përfituar shërbimet shëndetësore nga skema e sigurimeve. Libreza ishte mjeti për të identifikuar pacientin dhe me anë të saj përfitoheshin më pas shërbimet shëndetësore. Por një nga vështirësitë me të cilat përballeshin pacientët ishte vonesa në marrjen e shërbimit. Vështirësi që kishin dhe mjekët, të cilët duhet të rishkruanin 3 herë mjekimin për pacient në fletën e librezës së shëndetit, në recetë dhe në kartelën mjekësore. Po kështu farmacisti shpenzonte kohë të tepërt gjatë dhënies së barnave të rimbursueshme, me riplotësim të recetës dhe fletëve të librezës shëndetësore. Kur u konceptuan këto procedura, ishte koha e një Bote të ndërtuar rreth letrave. Kur u emërova në këtë detyrë, një nga shqetësimet e para si mjek ishte lehtësimi i procedurave dhe eliminimi i burokracive, duke përdorur teknologjinë e informacionit. Për këtë arsye, një vit më parë ngritëm një grup pune për të parë mundësinë e lehtësimit të procedurave dhe rikthimit të rolit që i takon mjekut të familjes. Përcaktuam objektivat, që ishin lehtësimi i pacientit, i mjekut, i farmacistit, kalimin nga kodi i pacientit në identifikimin me ID kombëtare, krijimin e një sistemi online të centralizuar me sisteme të shpërndara, kalimin nga letër e shkruar në print. Kështu “lindi” karta e shëndetit.

 

Çfarë lehtësish krijon karta e shëndetit?

Avantazhi kryesor i kartës së shëndetit është se lehtëson pacientët, sidomos pensionistët apo veteranët të cilët nuk kanë nevojë të rinovojnë periodikisht kartën, sikurse ndodh sot me librezen e shëndetit. Një pensionisti i ndodhte te shkonte dhe 3 herë në vit për të rinovuar librezën e shëndetit pasi i konsumoheshin fletët e librezës, ndërsa karta i vlen përgjithmonë. Duhet theksuar se ne kemi rreth 80% të përdoruesve të skemës, që janë pikërisht këto kategori: pensionistë dhe veteranë, pra është një lehtësim i madh për ta. Përveç kohës, pacienti kursen dhe para, pasi, ndryshe nga libreza e shëndetit, karta është falas! Eshtë lehtësi dhe për mjekët dhe farmacistët, pasi, për çdo recetë, çdo mjeku do i duheshin mesatarisht dy minuta për të plotësuar librezën e shëndetit dhe po kështu farmacitit. Me kartën e shëndetit, kjo kohë nuk shpenzohet më. Duke patur parasysh volumin e recetave mujore, çdo mjek familje kursen rreth 8 orë të plota pune në muaj, çdo farmacist që jep barnat me rimbursim kursen po ashtu 8 orë të plota në muaj.

 

Si perfitohet karta? Cila eshte rruga që ndjek një i siguruar për t’u pajisur me karte shendeti?

Mjeket e familjes ne te gjithe vendin aksesojne online regjistrin elektronik të pacientëve, ku hedhin te dhenat ne sistem. Me keto te dhena, karta printohet nga punonjesit tane, në pikat e shperndarjes në Tiranë pranë Qendrave Shëndetësore dhe në rrethe pranë degëve të Fondit. Po marrim disa shembuj konkretë për ta bërë më të kuptueshme. për njerëzit qe duan te pajisen me karte: Nje pensionist, i cili sot ka nje libreze shendetesore dhe i kane mbaruar fletet e librezes – duhet te shkoje ne te njejten pike ku sot merr librezen e shendetit dhe te kete me vete librezen e vjeter dhe karten e identitetit. Punonjesi yne ne piken e shperndarjes – i printon ne vend karten e re – te cilen e ka pergjithmone, pra nuk ka nevoje ta rinovoje. Në rast se ju jeni i punesuar qe keni nje libreze shendetesore se ciles i ka skaduar afati, duhet te shkoni ne te njejten pike ku keni marre librezen e shendetit, per tu pajisur me karten e re. Duhet te keni me vete karten e identitetit dhe librezen e kontributeve. Punonjësi yne me te dhenat qe I ka ne sistem, ju printon ne vend karten e re. Por ka edhe raste kur personi është I punësuar, ka paguar rregullisht kontributet, por nuk ka patur asnjehere libreze shendetesore. Në këtë rast, nëse nuk jeni i regjistruar prane mjekut te familjes, duhet te zgjidhni nje mjek ne qendren shendetesore te zones ku ju banoni. Mjeku ju regjistron ne regjistrin elektronik te pacienteve te tij. Pas kesaj, ju paraqiteni pranë pikës së shpërndarjes së kartës, duke patur me vete me karten e identitetit dhe librezen e kontributeve.

 

Si ka ecur procesi i shpërndarjes së kartave të shëndetit dhe a duhet të nxitojmë për tu pajisur me këtë kartë?

Procesi po ecën shumë mirë dhe deri tani janë shpërndarë rreth 15 mijë kartat e para në Tiranë dhe në rrethe. Por ditët e fundit është vënë re një fluks I shtuar në pikat e shpërndarjes së kartës, ndaj gjej rastin të ftoj qytetarët ta marrin gradualisht kartën e shëndetit, sepse të gjithë të siguruarit që kanë një librezë të vlefshme, nuk kanë nevojë ta zëvendësojnë menjëherë atë me kartën e re. Gjatë vitit 2015, libreza dhe karta e shëndetit do të jenë njësoj të vlefshme, ndaj për të mos krijuar fluks, fillimisht do të përfitojnë ata persona të cilëve u ka mbaruar apo skaduar libreza e shëndetit.

 

A vlen karta e shëndetit edhe për shërbimet në spitalet private?

Karta e shëndetit vlen për të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Pra ajo është e vlefshme edhe për shërbimet që ne si Fond ofrojmë edhe në sektorin privat, sic janë konkretisht paketat e shërbimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për 10 paketa, kryesisht të kardiologjisë dhe nefrologjisë, të cilat sot përfitohen në spitalet publike dhet private, të financuara 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Aktualisht, ne po financojmë paketën e dializës sipas çmimeve të përcaktuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave, si në spitalet publike ashtu edhe ato private, ku përfitues janë 900 pacientë. Gjithashtu janë kryer ndërhyrjet e para pa pagesë (pra me financim nga Fondi) për paketat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplantin e veshkave, edhe në spitalet private. Për t’i përfituar këto shërbime, pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, ku mjet i domosdoshëm është karta e shëndetit. Karta e shëndetit është një hap drejt projektit të Qeverisë për shëndetësinë elektronike.

 

Çfarë do të bëhet më tej?

Karta e shëndetit është një hap i rëndësishëm për të patur një informacion me të plotë shëndetësor të dixhitalizuar, por synimi është të arrijmë në shtrirjen e plotë të shëndetësisë elektronike (E­Health). Ne po punojmë dhe synojmë në të ardhmen e afërt, të arrijmë shkëmbimin e të dhënash elektronike me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore, në mënyrë që të kemi elektronikisht të dhënat e çdo që personi që është në sistem dhe të lehtësojmë qytetarët nga barra e sjelljes së dokumentacionit për të provuar nëse janë të siguruar.

“Java”

SHKARKO APP