“Australia ‘një mundësi që bie nga qielli’ për shqiptarët”
Mike Rann, ambasadori australian në Shqipëri, ishte në Tiranë për festimin e ditëve të Australisë. Njohës dhe studiues i çështjeve shqiptare, ai tregon për 'JAVA' përshtypjet nga vendi ynë
Nga Skënder Minxhozi, JAVA
Ambasador Rann, sa dhe si e njihni Shqiperine?
Mund të jem një ndër të paktët Ambasadorë në Shqipëri, që ka kryer studimet universitare për politikën shqiptare në universitetin e Okland në Zelandën e Re, në vitin 1973. Pastaj më vonë, si deputet në Parlament, Ministër dhe me tej Kryeministër i Australisë së Jugut, kam patur rastin të takoj pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Australi. Për më shumë se 100 vjet, shqiptarët kanë kontribuar në ndërtimin e vendit tim. Ata njihen si punëtorë. Për shumë emigrantë shqiptarë dhe fëmijët e tyre, Australia ka përfaqësuar "një mundësi që vjen nga qielli". Pra, unë u gëzova shumë kur u emërova Ambasador në Shqipëri, përveç detyrave të tjera që kryej në Romë. Kjo është vizita ime e tretë në vendin tuaj të bukur dhe mikpritës dhe kam bindjen se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur.
Angazhimi juaj i gjate politik dhe akademik ne fushen e shkencave politike e sociale, na shtyn t'ju pyesim sesi e komentoni situaten qe kalojne sot vendet e mesdheut Verior? Si e vleresoni sitiuaten ne Greqi, Itali e Shqiperi per shembull?
Padyshim kriza globale financiare ka shkaktuar vështirësi edhe në këtë pjesë të Europës, si papunësi të lartë, sidomos tek të rinjtë, si dhe nivel të lartë borxhi publik. Në Itali, qeveria e kryeministrit Renzi po bën përpjekje ta "shbllokojë Italinë" dhe të ulë fashën e kuqe dhe burokracinë që e ka mbajtur peng atë. Italia ka një Ferrari në garazh, por duhet t’i hapë derën e ta lerë të vrapojë.
Them se Shqipëria vitin e kaluar fitoi kupën, me marrjen statusit "vend kandidat" që është fillimi i procesit për të shkuar drejt anëtarësimit në BE. Ka shumë punë që duhen bërë dhe BE kërkon nga Shqipëria ta heqë qafe damkën e korrupsionit e të krimit të organizuar, që kanë penguar zhvillimin e saj. Shqipëria duhet që tani të merret seriozisht me reformën e sistemit gjyqësor e të shërbimit publik në tërësi. Kjo është thelbësore. Dhe shihet që janë hedhur hapa përpara, në drejtimin e duhur dhe krahas fushatës për anëtarësimin në BE, Shqipëria zhvillon bisedime me vende aziatike, si Kina e Singapori, për të marrë mbështetjen e tyre në zhvillimin e vendit. Lidhjet me Azinë kanë sjellë sukses në rastin e Australisë. Rreth 78 përqind të eksporteve sot kanë destinacion Azinë, edhe pse ne jemi marrëdhënie më të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Europën. Rritja ekonomike e Azisë mund t’i sherbejë edhe Shqipërisë.
Shqiptarët po ndeshen në media me disa mesazhe mjaft të forta, në gjuhën shqipe, që duken të financuara nga qeveria juaj, në lidhje me pengimin e emigracionit ilegal. A mund të na thoni diçka më tepër për këtë nismë?
Australia ka qenë historikisht shumë mikpritëse për emigrantët dhe refugjatët nga e gjithë bota. Por Australia mban qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve të paligjshëm, kur ata kapërcejnë caqet.
Cilat janë sot interesat e Australisë në këtë pjesë të botës?
Australia është vend me tregëti shumë të zhvilluar. Ne kemi patur 24 vjet radhazi rritje ekonomike të pandërprerë, madje pa asnjë tremujor negativ
Ne kemi një ekonomi të fortë, financa publike të shëndosha, papunësi të ulët, paga të larta, standard të lartë jetese, dhe katër nga qytetet tona renditen çdo vit ndër 10 qytetet e botës, ku jetohet më mirë. Jam shumë i interesuar që shoqëritë tona të njohin Shqipërinë dhe potencialet e saj. Dëshiroj që shoqëritë shqiptare të bëhen pjesë e historisë së suksesit ekonomik të Australisë dhe që shoqëritë australiane të përfshihen në zhvillimin e Shqipërisë. Ky rol sot quhet diplomaci ekonomike
Çfarë mund të bëhet për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Australisë dhe Shqipërisë? Dje keni organizuar një pritje me rastin e ditës së Australisë, ku janë ftuar shumë shqiptarë që konsiderohen si miq të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të institucioneve vendase, të huaja e ndërkombëtare.
Emigrantët shqiptarë në Australi krijojnë një bazë reale për përtëritjen e miqësisë. Unë dëshëroj të shoh rritje të vëllimit të tregëtisë, këmbime tregtare, më shumë investime, më shumë lidhje në fushën e arsimit e të turizmit ndërmjet Australisë dhe Shqipërisë. Rreth 812,000 Australianë shkojnë në Itali çdo vit, ku shpenzojne mbi 1 miliardë euro në favor të ekonomisë italiane. Shqipëria ka male mahnitëse dhe bregdet të bukur. Duhet të nxisim më shumë australianë që të vijnë ta vizitojne atë. Dhe do ishte po aq e mrekullueshme te shikonim me shume Shqiptare si vizitore, sipermarres, studente apo per te jetuar aty. Dhe jemi vetem nje dite larg njeri tjetrit. Pra duhet pare si partneritet nga te dyja anet.