Avokati i 21 Janarit: Shteti është përgjegjës dhe duhet të paguajë dëmin

Nga Lindita Çela, BIRN

Më shumë se 1 vit pasi ka dorëzuar kërkesën për dëmshpërblim në Këshillin e Ministrave, avokati i familjarëve të viktimave të 21 Janarit mbetet ende në pritje të një vendimi. Avokati Dorian Matlija i qendrës Respublica pohon se preferoi zgjidhjen me marrëveshje para procesit gjyqësor, pasi mes familjarëve dhe qeverisë nuk ka asnjë kundërshti për përcaktimin e vrasjeve si “krim shtetëror”.

“Nuk ka asnjë ekuivok që shteti është përgjegjës për vrasjet dhe duhet të paguajë dëmin,” thotë Matlija në këtë intervistë për BIRN-in. Ai flet edhe për negociatat me qeverinë apo procesin në Gjykatën e Lartë.

Zoti Matlija, familjarët e viktimave të 21 Janarit, të përfaqësuar nga ju kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti. Cila është ecuria e këtij procesi?

Deri më sot, ne jemi kontaktuar nga 3 prej 4 familjeve, duke mos pasur një përfaqësim për familjen e të ndjerit Aleks Nika. Familjarët e tij i mirëkuptojmë, kur ata kërkojnë të zbardhet e vërteta më parë dhe pastaj mund të jenë të hapur të mendojnë edhe për kompensimet e mundshme. Për të tre të tjerët, hetimi është mbyllur dhe sigurisht që kompensimi financiar për familjet është një çështje që nuk duhet lënë pas dore, pasi çdo gjë ka një afat ligjor. Deri më sot ne i jemi drejtuar gjykatës, por më pas jemi tërhequr pasi kishte një mundësi që qeveria të binte dakord të zgjidhte këtë çështje me pajtim.

Mendoni se qeveria do të jetë e gatshme të pranojë përgjegjësinë e shtetit dhe të paguajë dëmin pa një proces gjyqësor?

Sigurisht që është e mundur. Gjyqi është për ato palë që nuk bien dakord dhe kundërshtojnë faktet. Mes nesh dhe qeverisë në këtë rast, nuk besojmë se kemi ndonjë kundërshti për faktet. Qeveria aktuale është e përbërë nga përfaqësues politikë që kanë qenë gjithmonë të mendimit që ajo që ndodhi më 21 janar 2011 ishte një krim shtetëror. Gjykata e ka konfirmuar gjithashtu me dënimin e dy gardistëve. Nuk ka asnjë ekuivok që shteti është përgjegjës dhe që duhet të paguajë dëmin e shkaktuar.

Si ka qenë reagimi i qeverisë deri tani?

Fillimisht reagimi nuk ka qenë i shpejtë. Kërkesa e parë është bërë më 21 janar 2014, pra një vit më parë. Pas mosmarrjes së një përgjigjeje nga Garda e Republikës dhe Ministria e Brendshme për 3 muaj, ne iu drejtuam me një ankim Këshillit të Ministrave. Në limitet e kohës së lënë për përgjigje nga Këshilli i Ministrave, ky i fundit reagoi duke ngritur një grup pune “ad hoc”, i cili ka në përbërje përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës, Ministrisë së Financave, Avokaturës së Shtetit, ekspertë vlerësues, etj. Deri tani na është kërkuar dy herë që të plotësojmë dosjen me argumente juridikë dhe prova shkresore, dhe së fundi na është bërë e ditur se procesi i vendimmarrjes nuk do të vonojë dhe se dosja është e plotë. Jemi aktualisht në pritje të një vendimi.

Nëse vendimi nuk do të merret, apo nëse ai do të jetë jo i favorshëm, çfarë veprimesh do të ndërmerrni?

Sigurisht që do t’i drejtohemi sërish gjykatës, sepse jemi ende në kushtet kur mund të ushtrojmë të drejtën e padisë. Deri më sot, rruga gjyqësore nuk preferohet jo vetëm sepse vërtet nuk ka debat juridik për atë që ka ndodhur, por edhe sepse në gjykatë, palët do të përballen me kosto të larta të taksës gjyqësore dhe shpenzimet për ekspertët. Duhet të mbajmë mend që ata që humbën jetën e tyre dolën në protestë si përfaqësues të familjeve të varfra shqiptare dhe se mundësia e tyre për të përballuar kostot është pothuaj e pamundur. Kjo ka qenë edhe një arsye e fortë që atyre u kemi dhënë ndihmë ligjore falas nga ana jonë.

Procesi penal për 4 të vrarët në demostratën e 21 janarit të vitit, 2011 pritet të gjykohet edhe nga Gjykata e Lartë. Cila është pritshmëria juaj në këtë proces, a do të mund të rikthehen në burg, të paktën dy dy të akuzuarit e kësaj ngjarje ?

Përfundimi i procesit gjyqësor në dy shkallët e para nënkupton dhënien e vendimit të formës së prerë. Ajo që pritet nga Gjykata e Lartë është vlerësimi i rekurseve të paraqitura nga palët, për të parë nëse procedura është zbatuar në mënyrën e duhur, si dhe ligji penal është zbatuar siç duhet. Duhet të kemi parasysh se organi i akuzës kërkoi dënime të ashpra, sepse vepra penale sipas tyre ishte kryer me dashje dhe jo nga pakujdesia. Cilësimi që i bëri gjykata e Apelit ishte i tillë që dha një dënim shumë më të butë, sepse vrasja u cilësua si e bërë nga pakujdesia. Në këto raste, dënimi maksimal është 5 vjet burgim dhe dënimi i dhënë është 1 vit për njërin dhe 3 tre vjet për të pandehurin tjetër, por gjithsesi brenda masës së dënimit të parashikuar nga ligji. Nëse do të pranohej që vepra është kryer me dashje, atëherë dënimi mund të jetë shumë më i lartë se ai që u dha.

Sipas jush cilat janë rrethanat që gjykata duhej të kishte vlerësuar për të dhënë një dënim maksimal?

Rrethanat janë të shumta, por unë dëshirojë të veçoj një pasazh nga momenti i betimit të punonjësve të Gardës së Reepublikës përpara se të marrin detyrën. Sipas formulës së betimit, punonjësi i Gardës shprehet se dëshiron t’i jepet dënimi më i ashpër nëse ata shkelin ligjin. Sipas gjykatës, këta dy punonjës shkelën ligjin, dhe dënimi duhej të ishte dhënë të paktën në përputhje me formulën e betimit të tyre. Megjithatë, në rrethanat e analizuara ishte edhe fakti që ata po mbronin godinën e kryeministrisë nga një sulm i dhunshëm dhe se veprimi i tyre ishte në tejkalim të detyrës, vetëm përsa i përket viktimave, të cilët sipas gjykatës ishin paqësorë. Në fakt ky vlerësim është jo i përshtatshëm, pasi mungesa e këtij kujdesi nga punonjësit e Gardës nuk solli një plagosje pa dashje, por vrau njëri pas tjetrit 4 persona. Dënimi duhej të ishte maksimal. Unë vazhdoj të besoj që organi i akuzës kishte të drejtë që vrasja është kryer me dashje indirekte dhe se kjo e ndryshon kryekëput situatën. E gjithë kjo do të vlerësohet nga Gjykata e Lartë dhe ne të gjithë jemi në pritje të vendimit.

Një prej familjeve, ajo e të ndjerit Aleks Nika, ditët e fundit i ka shkruar një letër Raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë Z. Knut Fleckenstein, duke i kërkuar atij të ndërhyjë që shteti shqiptar të kryejë një hetim të plotë për të zbardhur vrasjen e Aleks Nikës. Sa mundësi ka që kjo ngjarje të zbardhet pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve?

Të zbardhësh një ngjarje të tillë, pasi ka kaluar kohë nuk është e lehtë. Ajo që mund të ndodhë është marrja me seriozitet maksimal i hetimeve nga autoritetet. Në hetimin për vrasjen e Aleks Nikës mungojnë disa të dhëna, të cilat me kalimin e kohës bëhen akoma më të vështira.

SHKARKO APP