Balliu: Ai që qëlloi me armë hotelin në Pogradec eksponent i PS-së
Në një intervistë për RTV Ora, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu komentoi edhe të shtëna me armë drejt një hoteli në Tushemisht.
Balliu tha se personi që shtiu me armë drejt hotelit është një eksponent i PS-së dhe është kapur në kohën e zgjedhjeve me 100 mijë euro për të blerë vota.
Balliu: Rasti i fundit në Pogradec është një akt i krimit të organizuar. Jo vetëm u sulmua një person, që duhet hetuar, por aty u rrezikuan jetët e qytetarëve me 100 plumba. Krimi i organizuar ka arritur deri në atë arrogancë sa nuk pyet se kush vdes. Këtë e ka bërë Ilirian Berberi që e ka ndërruar emrin. Ai është i njohur në Pogradec dhe është eksponent kryesor i PS-së qysh në kohën e Artan Shkëmbi. Ky është kapur në kohën e zgjedhjeve me 100 mijë euro në makinë për të blerë vota dhe u arrestua, por e nxorën nga burgu për 2 ditë. Ai akuzohet për gjobëvënie dhe plagosje. Sa herë ka fushata ne e shohim përballë, ai ka kërcënuar edhe eksponentë të opozitës. Si ka mundësi që rri jashtë burgut? Kjo sepse ky i ka bërë deputetët e PS-së në Pogradec qysh nga viti 2005. Ky e drejton de facto bashkinë e Pogradecit.
Për Balliun, nuk ka pasur ndonjëherë skandale si ajo e dosjet 339 para se Rama të shkelte në kryeministri dhe nuk ka pasur ndonjëherë banditë që takohen me kryeministrin.
Balliu: Kurrë nuk ka pasur dokumente tronditëse për çdo skandal. Nuk ka pasur ndonjëherë para se Rama të shkelte në kryeministri dosje 339, nuk ka pasur ndonjëherë banditë që takohen me kryeministrin. Ramës shumë deklaratat nuk i merren për bazë, se i ka efekt nga ato që ai pi dhe ndonjëherë si efekt i frikës, sepse e sheh që ndëshkimi i tij është i pashmangshëm. Nuk e mbron dot atë pushteti i vjedhur nga pushteti i vërtetë i sovranit. Kësaj partia do t’i ngelet që të përballet me drejtësinë. Edhe Rama do të përballet me drejtësinë sepse po bashkëpunon me njerëzit e krimit dhe po e kthen vendin si Kolumbi të Evropës që diskutohet t’i kthehen vizat e për të mos e pranuar në tavolinë për negociatat.
Balliu shtoi se rrotacioni është i pashmangshëm se Rama ka mbushur xhepat e tij dhe të njerëzve të tij, ndërsa qytetarët nuk kanë pasur rritje rrogash.
Balliu: Rrotacioni është i pashmangshëm se Rama ka mbushur xhepat e tij dhe të njerëzve të tij, ndërsa qytetarët nuk kanë pasur rritje rrogash, por vetëm rritje taksash. Ne do të kemi një mbështetje plebishitare për të rrëzuar Ramën. Do të jetë detyra e kryeministrit Basha për ta nxjerrë vendin nga tuneli i krimit dhe korrupsionit. Rama mendon se këto gjëra do të harrohen për këto krime, por koha nuk harron. Ne jemi sot më gati se kurrë për të qeverisur vendin sepse kemi një plan konkret ekonomik dhe do të kthejmë në normalitet vendin.