Bamir Topi: Ekonomia dhe marrëdhëniet me Nishanin, nota negative për Ramën
Intervista/Flet për “Koha Jonë”, ish-Presidenti i vendit dhe kreu i Frymës së Re Demokratike
Bamir Topi: Ekonomia dhe marrëdhëniet me Nishanin, nota negative për Ramën
Ish-Presidenti i vendit, njëkohësisht një prej figurave drejtuese të Partisë Demokratike për shumë vite dhe aktualisht kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi flet lidhur me zgjedhjet lokale, koalicionin e majtë, duke shtuar se këto zgjedhje janë administrative për të qeverisur qytetet tona, që kanë nevojë për aleanca të gjera qytetare.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Topi flet edhe lidhur me korrupsionin në administratë duke e quajtur këtë një proces që implikon shumë njerëz dhe intitucione duke filluar me denoncimin në nivel administrativ, për të cilin ai mendon që është bërë diçka ndonëse jo aq sa duhet. Ndër të tjera ai flet edhe për kriminalizimin e parlamentit si edhe eksodin e fundit të shqiptarëve drejt perëndimit.
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Zoti Topi, partia juaj “Fryma e Re Demokratike” është futur në aleancë me koalicionin e majtë për zgjedhjet lokale, por do të jetë kundërshtare në qeverisje. Kjo risi në politikën shqiptare, si është pritur nga elektorati juaj?
Nëse do të shikojmë për një çast si funksionon politika evropiane do të shikojmë diferenca të dukshme me politikën në Shqipëri, ku nuk do të arrini të kuptoni ku janë partitë politike që i përkasin qendrës së spektrit politik. Kjo vjen pasi në mënyrë “të dhunshme” është imponuar që nëse do të marrësh pjesë në zgjedhje, je “i detyruar” të futesh në koalicion, pasi ndryshe rrezikon të përjashtohesh nga KQZ-ja pa arsye bindëse, të mos arrish të mbrosh votat aty ku numërohen etj. etj. Por, kjo mbetet pjesë formale e pjesëmarrjes në kualicion. Me e rëndësishmja lidhet me një bashkëpunim për çështje që lidhen me thelbin e programit tonë, që kanë të bëjnë me nevojën për ndryshim në Kushteturë, sikurse është sistemi zgjedhor, e çështje të tjera të rëndësishme. Së dyti, këto zgjedhje janë administrative për të qeverisur qytetet tona, që kanë nevojë për aleanca të gjera qytetare.
Fushata elektorale e zgjedhjeve lokale sapo ka nisur dhe Partia juaj zyrtarisht do të jetë në mbështetje të kandidatit të majtë, Erjon Veliaj. Cilat janë arsyet që mendoni se kryeqyteti duhet të mbështesë këtë kandidaturë kundrejt asaj të Halim Kosovës?
Marrëveshjet për koalicion lidhen me principe të rëndësishme dhe ka ndodhur, që kjo marrëveshje është nënshkruar përpara caktimet të kandidatëve për kryetar bashkie. Nga kjo pikëpamje, ne nuk i futemi analizës së kandidaturave por mbështetjes apriori, përndryshe nuk do të kishte kuptim marrëveshja.
Sipas meje, qytetet tona kanë dështuar të administrohen në mënyra normale gjatë viteve të tranzicionit dhe individët kryetar bashkie janë kushtëzuar nga rrethana politike për të bërë punën e tyre, prandaj përgjithësisht kanë dështuar, duke i bërë qytetet tona të shëmtuara dhe pa funksion. Qytete pa zhvillim të planifikuar, pa rrugë të mjaftueshme dhe shumë larg vizionit të viteve ’30-të të shekullit të kaluar, kjo vetëm në Shqipëri ka ndodhur. Nga kjo pikëpamje, kandidati është i rëndësishëm, por projekti politik është akoma më i rëndësishëm. Kjo është arsyeja që FRD konkurron për këshillat bashkiakë dhe nuk ka asnjë kandidat për kryetar bashkie. Sigurisht, që ne do të mbështesim kandidaturën e Erjon Veliajt, sepse mbi të gjitha është brenda marrëveshjes, por dhe premton vizion dhe energjinë e duhur që i duhet një detyre të lodhshme, sikurse është drejtimi i kryeqytetit. Sa i takon z. Kosova, e kam shprehur, gëzon respekt si profil njerëzor dhe profesional.
Partia Demokratike, tek e cila edhe ju nisët karrierën tuaj politike, drejtohet nga Lulzim Basha pas rikthimit në opozitë. Duke qenë se e njihni mirë këtë forcë politike, a mendoni se Basha po e drejton atë me një stil ndryshe nga Berisha dhe a ka shanse ai të vijë në pushtet më shpejt se paraardhësi i tij?
Më vjen keq që kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem në një mënyrë disi të veçantë, unë nuk jam analist politik, ndonëse bëj analiza politike në funksion të detyrës që kam për të drejtuar Frymën e Re Demokratike drejt suksesit. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të humbas kohë të shquaj diferencat në drejtim të lidershipit të PD-së. Kjo është një çështje që i takon asaj partie, tek e cila unë kam kohë që nuk jam. Kemi boll gjëra që duhet të analizojmë në funksion dhe interes të suksesit të subjektit tonë politik.
Me çfarë notash do të përshkruanit qeverisjen e vendit nga e majta në këto dy vjet?
Në vazhdimësi, ne i kemi bërë publike qëndrimet tona. Nuk është thjesht pozicioni jonë si parti e qendrës së djathtë, por dhe kompleksiteti i gjërave që kemi në Shqipëri duke filluar me politikën, nivelin e Parlamentit dhe situatës në institucionet e shtetit. Sigurisht, kemi qëndrimet tona kritike, por ndryshe nga opozita tjetër, kemi patur kurajën publike dhe politike të vlerësojmë ato punë të mira të qeverisë, që lidhen me rikthimin e besimit te shteti. Nuk mund të japim nota pozitive për ekonominë që vazhdon të eci dobët, si një inerci e qeverisë së kaluar dhe kemi vlerësim negativ për marrëdhëniet reciproke me Presidentin, duke bërë që institucionet e shtetit të jenë jashtë normales e sigurisht për fajin e të dy palëve.
Sa i përket nivelit të korrupsionit në administratë, a po bëhen përpjekje të mjaftueshme për të luftuar atë dhe ku mendoni se ky proçes po has pengesa?
Mendoj se çështja e korrupsionit është themelore për rikthimin e një situate të shëndoshë me institucione e shoqëri. Ky është një proces që implikon shumë njerëz dhe intitucione duke filluar me denoncimin në nivel administrativ, për të cilin mendoj që është bërë diçka ndonëse jo aq sa duhet. Pastaj është çështje e institucioneve të drejtësisë, që të gjithë e kemi parë sesi funksionojnë. Një gjë nuk duhet të harrojmë! Si të jetë institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri, ashtu do të jetë edhe cilësia e drejtësisë. Nëse në Shqipëri zgjedhjet vidhen, mos prisni drejtësi të kulluar. Prandaj çdo gjë fillon me demokracinë e brendshme në partitë politike dhe me zgjedhje demokratike në vend.
A ka sot Shqipëria një sistem të pavarur drejtësie apo sadopak të pranueshëm, për të qenë anëtare e BE-së në një kohë sa më të shpejtë?
Sapo e thashë që sistemi i drejtësisë ka nevojë të përsoset, sepse ende ka probleme të mëdha, që lidhen me defekte në bazamentin ligjor mbi të cilat funksionojnë, të cilat janë komplikuar edhe me vendime të Gjykatës Kushtetuese, që jo rrallë nuk merren si pikë referimi nga palët që ndikojnë në sistem. Nga kjo pikëpamje, ende jemi larg modelit të BE-së.
KLD-ja ende nuk ka një nënkryetar dhe Gjykata e Lartë ende nuk ka marrë në shqyrtim me mijëra dosje. Si mund të shpjegohet kjo dukuri, në rolin e ish-Kryetarit të Lartë të Drejtësisë?
Gjendja në institucionin e KLD-së apo Gjykatën e Lartë është jo normale dhe padyshim është produkt i kapriçove të partive politike, që duan të dominojnë drejtësinë. Ajo që unë shikoj, institucionet e depolitizuara janë futur me kokë në politikë duke krijuar probleme të mëdha me shtetin e së drejtës. Boshllëqet në këto institucione tregojnë një vartësi të papranueshme politike të drejtuesve të tyre. Kjo histori duhet të marrë fund sa më shpejt, pasi përveç të tjerave po bëhemi qesharakë para partnerëve ndërkombëtarë.
A është e përfaqësuar denjësisht Shqipëria në botë, nga diplomacia e saj?
Shoqëria sigurisht ka shërbimin e vet diplomatik me probleme specifike, gjithmonë për faj të politikës dhe jo të diplomatëve. A nuk ishte raporti midis maxhorancës dhe presidentit shkaku i krizës për institucionin e ambasadorëve? Kur problemi është serioz me procesin e emërimit dhe mjaft vende janë të paplotësuara, çfarë shansi ka shërbimi diplomatik të jetë cilësor?
A shihni ndonjë përgjegjës për “kriminalizimin” e Parlamentit, përderisa po diskutohet sot dekriminalizimi i legjislacionit në vendin tonë?
Përgjegjësi për gjendjen kritike të parlamentarëve të sotëm kanë partitë politike dhe sidomos ata që projektuan ndryshimet e sistemit zgjedhor me ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2008, domethënë, drejtuesit e dy partive “të mëdha”, që bënë rrënimin drastik të demokracive të brendshme në partitë politike dhe kthimin e kryetarëve të partive në faraonë politikë. Kjo është arsyeja pse ky parlament është produkt i tyre, një përgjegjësi që nuk kanë kurajë ta pranojnë, duke mos dhënë garanci që kjo nuk do të përsëritet.
Ç’mendoni se duhet bërë në këtë drejtim?
Demokratizimi kërkon motivim të klasës politike për të ndryshuar sistemin dhe demokratizimin e brendshëm të partive politike.
Së fundmi, si do ta komentonit eksodin e fundit të shqiptarëve drejt perëndimit. A largohen ata ngaqë janë të zhgënjyer nga kjo politikë dhe pse shumë nga të rinjtë pas 24 vjet demokraci nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri?
Mendoj se është kthyer në psikozë kolektive për shkak të politikës, por natyrisht për shkaqe ekonomike, për të cilën janë përgjegjës të gjithë politikanët e tranzicionit. Nuk besoj se ky vend ka lulëzuar ndonjëherë në ekonomi. E harruat iluzionin e mirëqenies ekonomike në kohën e firmave piramidale? Së pari, ata që kanë prodhuar këtë gjendje ekonomike, të mos trazojnë më tej këtë situatë, duke vazhduar hipokrizinë politike.