Bamir Topi: Koalicion me PS, sepse nuk e di ç’po ndodh me SHQUP-in

Marrëveshja dhe koalicion i PS me FRD është një marrëveshje parimore”. Kështu e ka cilësuar marrëveshjen fundit  kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi në studion e “Tonigt Ilva Tare”. Edhe pse tashmë në koalicione me shumicën parlamentare, Bamir Topi pati edhe rezerva për këtë forcë në lidhje me kodin zgjedhor dhe me strukturimin e KQZ. Sipas tij KQZ sot është një institucion që nuk di t’i administrojë zgjedhjet. Kreu i FRD dhe ish-Presidenti Bamir Topi tha se kryeqyteti është keqpërdorur nga të dyja palët për arsye politike. Për sa i përket dy kandidatëve për Tiranën, Veliaj dhe Kosova, Topi  u shpreh “Mbështetje për Veliajn si pjesë e koalicionit dhe i uroi suksese Halim Kosovës si një person që gëzon respekt maksimal për kreun e FRD.”

Bamir Topi i qëndroi deklaratave të tij të dhënë edhe më parë, se FRD është një parti e qendrës së djathtë, dhe identiteti me PS është i ndryshëm. Ish-presidenti  Bamir Topi për të shpjeguar marrëveshjen e fundit me të majtën, pasi më parë ka qenë pjesë e së djathtës, dhe si njohës i mirë i futbollit, u shpreh se këto lëvizje vijnë pasi në politikën shqiptare luhet në fushë, pa pasur “mesfushë”. :  “Vetëm në emër të parimeve mund të ndërtohen marrëveshje të cilat kanë shpjegimin e tyre. Kemi realizuar një seri negociatash në drejtim të FRD të ardhur nga kryeministri dhe në fund gjetëm arsye parimore për të hyrë në këtë bashkëpunim. FRD është pozicionuar në qendrën e djathtë, vazhdon të jetë aty pa asnjë ekuivoku. Çështja e së majtës dhe së djathtës ka mbetur vetëm një konvecion dhe asgjë më shumë. Ku është qendra? Qendër nuk ka. Këtu po luhet me qendërmbrojtës, nga një portë në një tjetër dhe nuk ndërtohet asnjë lojë. Loja e vërtetë është kualiteti i mesit të fushës. Këtu nuk ka mesfushë. Unë kam qenë kundër sistemit që kanë ndërtuar këta që kur isha president.”

Topi nuk kurseu as akuzat për të dyja kampet. “Një herë e dëmtuan politikën me ndryshimin e kushtetutës brenda një natë. Bënë një ndryshim të kushtetutës së KQZ për manipulimin e zgjedhjeve. Për një kohë KQZ mbeti si një mekanizëm antikapat. Si ka mundësi që nga një KQZ që ishte shumë i ekuilibruar, sot e kanë bërë një komision bipartizan partiak, që nuk ka garanci. Problemi është që ende nuk ka një thirrje të koshiencës për të ndryshuar KQZ dhe kodin zgjedhor. Patën kohën e nevojshme që nga zgjedhjet e 2013 të ndërtonin një komision tjetër, por mesa duket edhe shumica vazhdon të jetë e kompleksuar. Kjo strukturë nuk di ti administrojë zgjedhjet.” Ish-presidenti Topi mbi koalicionin e fundit theksoi se “patëm një ftesë nga PS, ndërsa nga blloku tjetër nuk patëm ftesë, madje ata donin ta shihnin FRD jashtë zgjedhjeve.”

Është për mbijetesë bashkëpunimi me PS?

Jo absolutisht. Ne kemi rënë dakord, momenti më i rëndësishëm është programi jonë për shtetin dhe qytetarin. Është rënë dakord që të punohet me ekspertët tanë për ndryshimin e kushtetutës, shtetin, sistemin zgjedhor. Ne do jemi gjithmonë afër bashkëpunimit politik. E dyta që është e rëndësishme, ne jemi me identitete të ndryshme.

Sa mund ta ruani këtë identitet?

Ne jemi në këto zgjedhje jo për zgjedhje politike, por për zgjedhje administrative. Ne e kemi parë vazhdimin…dhe unë do t’i referohem Tiranës. Të dyja palët politike kanë luajtur keq me Tiranën. Unë i shkoj problemit në thelb, ç’më intereson mua që bllokohet këshilli bashkiak, çfarë i intereson qytetarit kjo. Ne do punojmë për ato pika të programit që janë të njëjta. Ne do të shkojmë në një filozofi që është për ndryshimin rrënjësor të qyteteve që nuk duhet të jenë më suporte të politikës. Ne jemi për t’i shërbyer qytetarit. Kemi shumë projekte, e njohim Tiranën shumë mirë, por kemi kritikuar për mënyrën si është qeverisur. Tirana është përdorur për politike. Është krijuar një lloj precedenti. Tirana është modeli i “Zhak Shirakut”, nga kryetar bashkie bëhet president.

 

Aleanca është e panatyrshme në kuptimin politik. Ky është një koalicion atipik për çështje shumë specifike, që nuk janë interesa partiake. Në mënyrën si është ndërtuar kodi zgjedhor, gati -gati  e kanë bërë të pamundur. Edhe sikur të përfshiheshim do na penalizonte kodi zgjedhor siç na bënë në Korçë.

Do jeni në koalicion edhe në 2017?

Jo absolutisht nuk do jemi më 2017. Ky koalicion është në specifikë të këtyre zgjedhjeve. Është një marrëveshje parimore. Neve na është kërkuar të ofrojmë kandidatët tanë, por nuk kemi pranuar. Ne do të ofrojmë vetëm për këshilltarë bashkiakë në 61 bashki.

Ka kuptim t’i thuhet zgjedhësve hajde të votojmë për PS, kur ju jeni një parti e djathtë?

Ne jemi luajalë, të gjithë simpatizantët do të mbështesin kandidatët e së majtës. Është një koalicion qytetar.

Emancipues e quajti Rama, ku është emancipimi?

 E shtrimë marrëveshjen në administrim pa ngërç.

Cila është marrëveshja reale me PS?

Kjo është nuk ka asgjë tjetër, po e zbuluat nxirreni dhe unë nuk vij më në këtë studio. Kjo vërteton një marrëveshje që nuk përbën pazar. Në varësi të votave ne do të kemi edhe pozicionin tonë në administrimin.

Ka marrëveshje paraprake apo në varësi të rezultatit?

Mbi bazën e një luajaliteti. Nuk ka asgjë të konkretizuar.

Do ta kishit parapëlqyer një aleancë me PD?

Ftesë nuk kishte

Ju si e shpjeguat?

Kur të vinë ata këtu atëherë pyetini, është çështje e tyre.

Po nëse do të kishte ardhur ftesa?

Nuk kam asnjë artikulim për këtë përderisa nuk ka pasur një ftesë, sepse mbeti hipotetike. Se çfarë ndodh tek SHQUP…nuk e di.

Një mendim për kandidatin e PS për Tiranën Erion Veliaj?

Është një zgjedhje që ka bërë PS. Nuk mund të futem në profilin  e tij. Mbi bazën e rregullave FRD do të mbështesë Veliaj, pa rezerva

Po Kosova?

Halim Kosovën e njoh, jo thjesht politikisht, por prej vitesh. Kam mjaft respekt, qytetar. Është në të drejtën e tij të konkurrojë. I uroj suksese

SHKARKO APP