Bamir Topi: PD zhyti në krizë të djathtën

Flet për “Koha Jonë” ish-Presidenti i vendit dhe kreu i Frymës së Re Demokratike

Ish-Presidenti i vendit dhe një prej figurave drejtuese të Partisë Demokratike për shumë vite sheh jo pak të meta në mënyrën sesi po sillet kjo forcë politike sot në opozitë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Topi shprehet se PD është një parti konfuze, sidomos përsa i përket qëndrimit të saj për zgjedhjet vendore. Sipas tij, PD-ja e zhyti në krizë të djathtën. “PD vërtet paraqitet konfuze dhe me mjaft paqartësi në vizionin politik dhe programor për zhvillimin e politikave urbane, për më shumë me dështime të dukshme në menaxhimin e bashkive ku është në drejtim”, – shprehet ai. Ndërsa duke folur për deklaratat e PD-së për moshyrje në zgjedhje, Topi shprehet se diçka e tillë do të kishte kosto të madhe për vetë këtë parti. Si njohës i mirë i balancave brenda vetë strukturave të PD-së, shton se “pavarësisht problemeve dhe frikës për një disfatë elektorale, ajo parti nuk ka rrugë tjetër përveçse të hyjë në ring”. “Do të jetë mjaft e vështirë për të dhe sidomos për lidershipin, që nuk shikohet me simpati edhe nga brenda forumeve politike të PD-së”, shton ish-kreu i shtetit. Nga ana tjetër, duke folur për punën e kabinetit “Rama”, kreu i FRD-së vlerëson disa nisma për zbatimin e ligjit dhe kontrollin e territorit. Por nuk i kursen as edhe kritikat për disa reforma të munguara, ku konkretisht shëndetësia është njëra prej fushave, ku Topi shprehet se “situata është kaotike”. Në fund, kreu i FRD-së ka dhe një këshillë për qeverisjen e majtë. Sipas tij, “me militantizëm në qeverisje, suksesi do të jetë shumë në dyshim”…

Z. Topi, 2015-a është një vit elektoral. Cili do të jetë pozicioni i FRD-së në këto zgjedhje?

Fryma e Re Demokratike është parti politike, por edhe subjekt elektoral, i cili edhe pas dëmtimeve nga veprimet joligjore të pësuara gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, posedon një numër zyrtar votash që shpreh bindjen se në të vërtetë janë shumë më tepër. Në këtë kontekst, ne do të jemi pjesë e garës për zgjedhjet lokale të këtij viti dhe me premisa për të qenë edhe përcaktues në garën e koalicioneve, veçanërisht në qendrat e mëdha urbane. Kjo nënkupton, që ndryshe nga zgjedhjet politike, FRD-ja mendon të shfrytëzojë mundësinë e një koalicioni, i cili do të gjykohet në vijimësi dhe në përputhje me interesat tona politike. Sidoqoftë, ne po përgatitemi të përcaktojmë individët që do të na përfaqësojnë në garën elektorale në të gjitha bashkitë, sipas ndarjes së re territoriale.

 

Nëse liderët e dy koalicioneve do t’ju propozonin një bashkim me koalicionet e tyre, kë koalicion do të pranonit?

Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje mekanike. Çdo koalicion, për më tepër në zgjedhjet administrative realizohet në funksion të interesit programor, por dhe pragmatizmit. Të administrosh fatet e një qyteti, sot nuk mund të jetë sfidë e një koalicioni të ngushtë. Sfidat janë komplekse dhe fatet e vendimmarrjeve të këshillave bashkiakë varen nga vullnete më të gjera politike. Për këtë arsye, beteja do jetë përtej datës 21 qershor.

 

Ndërsa reforma territoriale është miratuar dhe mbeten pak muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve, Partia Demokratike nuk ka një qëndrim të qartë për pjesëmarrjen në to. Duke qenë se e njihni mirë mënyrën e veprimit në këtë parti, bojkoti është një skemë, apo ka realisht rrezik që PD-ja të mos hyjë në zgjedhje?

Dëshiroj të jem i drejtpërdrejtë dhe me një bindje, që besoj nuk e kam vetëm unë. PD-ja vërtet paraqitet konfuze dhe me mjaft paqartësi në vizionin politik dhe programor për zhvillimin e politikave urbane, për më shumë, me dështime të dukshme në menaxhimin e bashkive ku është në drejtim.

Pavarësisht problemeve dhe frikës për një disfatë elektorale, ajo parti nuk ka rrugë tjetër përveçse të hyjë në ring. Do të jetë mjaft e vështirë për të dhe sidomos për lidershipin, që nuk shikohet me simpati edhe nga brenda forumeve politike të PD-së. Në këto kushte, që paralajmërojnë stuhi, kërkojnë të gjejnë alibinë e humbjes së paralajmëruar. Sidoqoftë, le të shohim si do të rrjedhin situatat parazgjedhore. Megjithëse sipas meje, nuk jemi shumë herët.

 

Vizita e delegacionit shqiptar në homazhet për masakrën në redaksinë e ‘Charlie Hebdo’ u shoqërua me vlerësime dhe kritika në adresë të z. Rama, por dhe të përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Z. Topi, ju si  ish-President i Shqipërisë, si e vlerësoni performancën e delegacionit shqiptar në Paris pak ditë më parë?

Ngjarja tragjike e Parisit sensibilizoi tërë mjedisin demokratik të botës së emancipuar, veçanërisht mjedisin politik e shoqëror evropian. Në këto rrethana, edhe Shqipërisë si një vend i vendosur në aleancën botërore kundër terrorizmit, i takonte të përfaqësohej me vlerat e veta më sinjifikative, harmoninë e besimeve fetare.

Ju doni të thoni a i përdori politika për ekzibicion? Unë mendoj, që në këtë rast, politika e Kryeministrit ishte vektor i nevojshëm për të nxjerrë në pah harmoninë fetare, përndryshe gjërat mund të kishin kaluar pa u vënë re. Deri këtu, jemi në rregull. Nëse politika do ta shfrytëzojë për qëllime arriviste mjedisin klerikal në Shqipëri, do ta dëmtonte, sikurse gjithçka që politika ka ditur të bëjë duke i ngatërruar gjërat. Uroj që klima historike e harmonisë fetare të vazhdojë pa u cënuar nga emocionet e interesave politikë.

 

Si ish-drejtues i vendit keni pasur dhe informacionin e duhur lidhur me sigurinë kombëtare. A është e rrezikuar Shqipëria nga terrorizmi?

Shqipëria ka një pozicion gjeo-strategjik shumë specifik, gati-gati konsiderohet si udhëkryq lindje-perëndim apo veri-jug. Si vend anëtar i NATO-s mundësia për të qenë të informuar është maksimale, por edhe roli i saj nuk mund të minimizohet. Shqipëria e ka gjithashtu prezent rrezikun që shfaq terrorizmi. Duhet kuptuar që në luftën kundër terrorizmit nuk ka shumë rëndësi nëse je vend i madh apo i vogël. Çdo gjë duhet të funksionojë si një sistem kompatibël.

 

Kemi kapacitete për t’u përballur me sfidën e terrorizmit?

Bashkëpunimi i shërbimeve inteligjente e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të admirueshëm nga partnerët dhe për këtë duhet të ndjehemi mirë.

Besoj se betejën kundër terrorizmit ne nuk po e kryejmë të vetëm dhe nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunimin me aleatët. Padyshim që kërkohet më shumë mbështetje financiare për rritjen e kapaciteteve, pasi teknologjia ecën me ritme të larta.

 

Si e vlerësoni punën e mazhorancës deri tani? A po qeveris siç duhet e majta?

Së pari, duhet të shpreh pozicionin politik dhe personal, për raportin me qeverinë e vendit tim. Ndonëse nuk është zgjedhja ime politike, do të isha shumë i interesuar, që punët e qeverisë të shkonin sa më mirë, në interes të vendit tim dhe të shoqërisë shqiptare. Besoj ky duhet të jetë interesi i njerëzve normalë, që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri. Në këndvështrimin politik dhe vizionin e qeverisjes, sigurisht ka shumë për të vlerësuar dhe për të qenë kritikë. Nuk e them për herë të parë se problemet e trashëguara nga qeveria paraardhëse kanë qenë të rënda dhe të panumërta, por mbi të gjitha, filozofia e të qeverisurit mbi informalitetin ka qenë sunduese tek ish- kryeministri. Vlerësoj predispozicionin e qeverisë aktuale për të sjellë formalitetin në funksionet e shtetit. Sidoqoftë, ka shumë pengesa, që vijnë nga mungesa e bashkëpunimit me pushtete të tjera, që kanë ngarkesa politike dhe bëjnë që gjërat të ecin ngadalë. Ngadalë po ecin reformat në drejtësi, arsim dhe shëndetësi. Probleme të forta ka në infrastrukturën diplomatike, ku në mjaft raste ka apendikse militante që përfaqësojnë keq shtetin shqiptar. Shikoj një situatë shumë kaotike në sektorin e shëndetësisë. Duket sikur mjekët profesionistë po denigrohen duke mos i pyetur, për më tepër, duke mos vlerësuar meritat në karrierë. Shumë pasiguri ka në kualitetin e diagnozës, shërbimin spitalor dhe ambulator dhe sidomos në garancitë e cilësisë së medikamenteve.

Përsa i përket arsimit, u duk sikur filloi të lëvizë një situatë pozitive me klasifikimin e universiteteve private, por edhe këtu gjendja duket statike dhe konfuze për të vlerësuar të ardhmen e këtij sektori jetik për formimin e brezit të ri.

Më duhet të flas gjatë në zbërthimin e kësaj pyetjeje, por po e përmbyll me një sugjerim publik për qeverinë dhe mazhorancën aktuale. Shumë sfida janë të rëndësishme, por më jetike është orientimi dhe përgatitja e zgjedhjeve në mënyrë sa më demokratike (ku qeveria ka rolin kryesor), që më së fundi të kemi institucione të besueshme të standardit evropian. Sipas meje, qeverisja është vizion politik e qytetar dhe ushtrimi i vlerave të demokracisë. Me militantizëm në qeverisje, suksesi do të jetë shumë në dyshim.

 

Keni qenë numri dy i PD-së dhe President i vendit. Nga pikëpamja e hierarikisë shtetërore duket se keni arritur gjithçka. Çfarë ju shtyn të merreni ende me politikë?

Është mëse e vërtetë, që gjatë karrierës politike kam pasur fatin të arrij në pozicionin më të lartë si Kryetar Shteti, pa përmendur pozicione të tjera të rëndësishme. Sipas meje, politika nuk është vetëm karrierë, por mbi të gjitha është mision dhe pasion, por pse jo, një profesion. Më vjen jo mirë, që ligji aktual zgjedhor u jep mundësinë mjaft mjeranëve, që nuk kanë lidhje me politikën, që të futen në Parlament, duke e ulur shumë nivelin e tij. Politika nuk është dhuratë për dikë, por duhet të konsiderohet një nga profesionet dhe misionet më të vështira e fisnike që shoqëria ka nevojë.

Intervistoi: Viola Thoma

SHKARKO APP