Bamir Topi: Të ndryshohet Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor

 

Si e shikoni atmosferën politike në Shqipëri, sa i takon qëndrimeve themeltare, asaj të djathtë e të majtë?

Pas një jete aktive shumëvjeçare në politikë dhe jetën e institucioneve shqiptare, më shumë se çdo herë tjetër analiza më çon në përfundimin se e djathta apo e majta nuk është gjë tjetër veçse një konvencion. Së pari, janë shkatërruar nga themeli bazat ideologjike dhe programore të partive politike tradicionale, duke i shndërruar në formacione politike që i kanë kontribuar rritjes së kaosit dhe personalizimit të kauzës politike në emër të kryetarit. Së dyti, rekrutimi i njerëzve në kampet respektive bëhet në kushtet e ofertës, që në shumë raste nuk është politike, por si shkëmbim i favoreve, ku më i dukshëm është raporti arrivist politik – biznes, duke e bërë këtë raport të mbyllur dhe kompromentues në sytë e shoqërisë. Së treti, cilësia e debatit dhe alternativave politike ka shteruar, duke e kthyer politikën parlamentare në problemin madhor që ka vendi. Përbërja, profili moral dhe kualiteti politik e profesional janë përkeqësuar në mënyrë dramatike. Vazhdon rituali tradicional i akuzave vulgare dhe pak ose aspak kohë nuk mbetet për të folur esencialisht për ekonominë apo reformat reale. Debati politik nuk prodhon dot produktin e dëshiruar duke na sjellë sherr konstant ku të majtë e të djathtë dallohen vetëm nga vendet ku ulen në parlament, ku liderat e humbur qajnë pushtetin e privilegjet e humbura. Ndërsa ata që janë lart harrojnë që punën e kanë me shqiptarët dhe jo me ata që kanë përballë. E kam shprehur dhe herë të tjera që parlamenti nuk po i përmbush detyrat fisnike për të cilat është ndërtuar.

Keni bindjen, jeni të qartë, ndiheni i sigurtë për të qenë pjesë integrale e një atmosfere politike të qëndrueshme dhe koherente?

Padyshim, pa patur një bindje dhe motivim të qartë, askush nuk mund të futet në rrugën e vështirë të politikës. Kjo pyetje bëhet pa patur në konsideratë faktin që Fryma e Re Demokratike tashmë ka konsoliduar profilin e saj, si një parti që nuk ngjan me të tjerat. Nëse, ne, sot nuk përfaqësohemi në parlament, kjo “i dedikohet” sjelljes së atyre që kanë bërë një ligj elektoral për vehte dhe jo për të prodhuar institucione demokratike. Në zbatim të atij ligji, zgjedhjet dhe infrastruktura zgjedhore janë në duart e atyre që i kanë kthyer zgjedhjet në gjënë më të parëndësishme për qytetarin e thjeshtë. Zgjedhjet vidhen, deformohen, tjetërsohen. Nuk e di a ka term tjetër që mund të përdor. Ne, në politikë nuk jemi për interesat e partive të tjera, për të mos thënë që ka patur xhelozi kur FRD doli në skenë. Jemi në politikë me bindjen se do të shtohet numri i atyre që shikojnë tek ne një sjellje dhe vizion ndryshe, tek e fundit, për ata të mjerë që besojnë të shkojnë si lavjerës herë te njëra parti, e herë te tjetra pa zgjidhur problemet e tyre ne nuk ndiejmë më as keqardhje, pasi çdo njeri paguan çmimin e injorancës së tij. Në një vend perëndimor askush nuk do ta pranonte këtë sjellje dhe faktin që ligjin te partitë e bëjnë ata, që duhet të kishin dalë përfundimish nga politika. 

Pushteti është beteja e çdo destinacioni politik sipas forcave politike përfaqësuese. Cilës betejë i përkisni ju, motoja juaj?
 
Sigurisht që, nuk jemi për të bërë analistin politik. FRD është një forcë relativisht e re politike dhe tashmë ka mbështetës konstant në të gjithë Shqipërinë. Ne, sot kemi këshilltarët tanë në pjesën më të madh të këshillave bashkiakë dhe përfaqësuesit tanë në administratë. Kjo padyshim është prekje e pushtetit, por është shumë pak, nisur nga potencialet që kemi. E shpreha edhe më lart se, ne jemi të qartë dhe transparent në synimet tona. Ndërsa fjalën e fundit e kanë qytetarët. Nëse ata do të vazhdojnë të mbajnë statuskuonë, do të vazhdojnë të qahen pafundësisht. Ne mendojmë se, pushteti ka vlerë kur rregullat e lojës nuk fillojnë me atë, por me shtetin. Unë konstatoj që shteti funksionon dobët, me probleme të shumta sepse prevalojnë njerëzit e pushtetit politik. Ne, do të ndërtojmë bashkëpunimin me ato forca politike që janë më afër me ne, në respekt për shtetin dhe insitucionet.
 
Çështjet e ditës janë pa fund për qeverisjen shqiptare, por ajo që ka marrë të gjithë zërat dhe përbën thelbin dhe funksionimin e një shteti është ekonomia dhe konkretisht sistemi fiskal, taksat. Ka një qëndrim FRD në lidhje me sistemin fiskal që ka ofruar qeveria? 
 
Duhet thënë qartë se, ekonomia është dhe duhet të jetë preokupacioni jo vetëm i qeverisë, por i të gjithë potencialeve akademike për ta orientuar vendin drejt një ekonomie të qëndrueshme. Ekonomia shqiptare sot ka fizionominë e të gjitha qeverive që kanë qeverisuar Shqipërinë. Nuk besoj se ndryshojnë nga njëra­tjetra për faktin e thjeshtë se premtojnë të zgjidhin probleme në kushte emergjence dhe pa metodë e vizion në prespektivë. Sipas meje, ekonomia e viteve të fundit shkon keq. Ndoshta për disa politikanë sa kohë janë në pozicion, çdo gjë shkon mirë, por kur dalin në opozitë çdo gjë errësohet. Qeveritë shqiptare i janë larguar prioriteteve të zhvillimit ekonomik. Marrëdhëniet e tyre përgjithësisht janë klienteliste. Ju më pyesni për sitemin fiskal, taksat, sigurisht është një çështje e ndjeshme, çështje e ditës. Unë besoj se sistemi fiskal i përgjigjet ekonomisë dhe situatës sociale në një vend. Si mund të jemi të gjithë korrekt me taksën e pasurisë p.sh. kur ende problemi kryesor i pazgjidhur është çështja e pronës. Formalizimi është shumë i rëndësishëm dhe kush ka biznes duhet të paguaj, por rregulli nuk presupozon dhunë psikologjike dhe për më tepër diferenca. Rregulli fillon tek institucionet dhe aktorët kryesorë të biznesit dhe më pas shtrihet te më të vegjlit. “Të mëdhenjtë” e biznesit ose kanë pjesë të biznesit në media ose shumë prej tyre janë financues të partive që vijnë në pushtet. Kjo e kompromenton procesin dhe e bën të pabesueshëm dhe të kritikueshëm nga të pafuqishmit. Unë besoj se kështu ka qenë edhe në qeverinë e kaluar.
 
Po ashtu edhe parlamenti shqiptar në anën tjetër ka si çështje të ditës reformë elektorale, aq shumë e debatuar, sidomos pas zgjedhjeve lokale në lidhje me problematikën që paraqet Kodi Zgjedhor. Me çfarë propozimi politik i afrohet forca juaj politike këtyre çështjeve?
 
Besoj e keni konstatuar që pothuaj nuk flitet farë për nevojën e ndryshimit të ligjit elektoral. FRD kërkon ndryshimin e ligjit për ta bërë votën e qytetarëve të garantuar nga keqbërësit dhe hajdutët ordinerë që tashmë është konfirmuar që vijnë nga partitë tradicionale. Pa zgjedhjeve normale nuk ka situatë politike normale dhe një Shqipëri që e meriton të futet në Evropë. Pa drejtësi në zgjedhje nuk ka sistem të mirë të drejtësisë. Të gjithë kërkojnë reformimin e sistemit të drejtësisë nga padrejtësitë dhe korrupsioni. Por kur korrupsioni dhe padrejtësia fillon në ditën e zgjedhjeve, atëhere, çfarë kërkojmë? PD dhe PS e kanë kthyer në domenin e tyre ligjin elektoral. Kam bindjen që nëse nuk ka reflektim nga këto dy parti, do të ketë një reagim në bllok të të gjithë partive të tjera, që nuk e shohin veten si satelitë të partive që kanë luajtur me demokracinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Propozimi politik i FRD­së është ende i qartë. Reforma e ligjit elektoral duhet të jetë proces paralel me reformën në drejtësi dhe të dyja kërkojnë prekjen e Kushtetutës në një kohë.
 
Çështje e ditës është edhe dekriminalizimi, hapja e dosjeve…
 
Dekriminalizimi hyri si term së fundi dhe tashmë kemi një inflacion me tepri të këtij termi. Në fund të fundit, kush ja ka fajin atyre që kanë pushtetin e zgjedhjes së individëve. Dëshmia e penalitetit kërkohet për punë të thjeshta në administratë dhe kjo është gjëja më e thjeshtë për ta bërë. Problemi më i madh është tek ata që ndonëse nuk janë të dënuar formalisht kanë mbi supe shumë ngjarje kriminale, si pasojë e mendjeve dhe vendimmarrjeve të gabuara. Pra, del pyetja, kush është me profil moral më të ulët, ai që ka marrë verdiktin e drejtësisë, apo ata që i kanë shpëtuar drejtësisë? Sigurisht këta të fundit nuk mund të shesisn moral, kurrësesesi, madje janë ata që kanë marrë peng drejtësinë. Për dosjet kam folur shumë dhe uroj të hapen sa më shpejt. Një pyetje publike për ata që me koshiencë nuk deshën të bëjnë një ligj të plotë sa kohë ishin në pushtet: Pse nuk keni përfshirë asnjëherë në ligj ata që ishin bashkëpunëtor të agjenturave të huaja? Kush ka akoma kurajon të refehet, asnjëherë nuk është vonë.
 
Nuk mund të anashkalojmë në këtë intervistë një situatë delikate për ekonominë që lidhet me ÇEZ. Deri në cilën pikë sipas jush, mund të agravojë edhe situatën politike në vend?
 
Tashmë çështja e ÇEZ e ka agravuar situatën politike, por të vetmit që dëgjojmë janë politikat dhe shërbëtorët e tyre nga mediat e blera nga politika. Ajo që më trondit thellë është fakti që diskutohet për qindra miliona euro dhe të gjithë ndihen të qetë. Mesa duket, ky popull u mësua me vjedhjen e kursimeve në firmat piramidale dhe çdo gjë që dëgjon e absorbon si një lojë politike dhe jo si një gjëmë që i ndodh çdo familje shqiptare. Kjo është një nga arsyet pse borxhi publik i ka kaluar 70% dhe asnjë nuk reagon. Të gjithë kërkojnë hetim. Të shohim!
 
Gjyqësori vazhdon të mbetet një hallkë e fortë, por më e dobta për drejtësinë shqiptare, për të cilën ndërkombëtarët kanë kohë që lëshojnë deklarata, por…
 
Absolutisht është një plagë e majisur rëndë. Pavarësia e këtij pushteti është kuptuar keq. E para, nuk më rezulton që është i pavarur, pasi çështje të bujshme kanë përfunduar pa dënimin e autorëve dhe arkitektëve të ngjarjeve siç është Gërdeci apo 21 janari. Por akoma më dëshpërues është fenomeni i korrupsionit që më shumë se kushdo e dëshmojnë qytetarët. Unë ripërsëris mendimin se drejtësia në zgjedhje prodhon institucione të drejta dhe të pakorruptuara. Kjo vlen edhe për sistemin e drejtësië. Koalicioni juaj me PS­-në, në pjesëmarrjen si forcë e djathtë politike në pushtetin vendor, ka patur anatemime debate.
 
Mund të më thoni çfarë përmbajtje ka ky qëndrim, konsideruar edhe “politik” nëse është i tillë?
 
Kjo pyetje është bërë shpesh dhe përgjigjen e ka marrë ezauruese. FRD nuk mund të dalë jashtë kompeticioneve elektorale dhe bashkëpunon për funksionimin normal të shtetit në dobi të qytetarit. Zgjedhjet administrative e kërkojnë këtë. FRD nuk punon me dogma, por është një forcë politike moderne, e qartë, e drejtpërdrejtë. Do të bashkëpunojmë në interes të vendit dhe të subjektit tonë politik. Këtu ka idealizëm por edhe pragmatizëm politik. Tek e fundit ne kemi mbështetësit dhe strukturat politike që i marrin vendimet jashtë emocioneve të të tjerëve, që punojnë për interesin e tyre. Kjo është arsyeja që kemi një sigël që nuk ngjan me të tjerat. 

SHKARKO APP