Bashkim Zeneli: Në Europë, pa Gjermaninë s’bëhet asgjë
Sapo keni nxjerrë në botim një libër që mban autorësinë tuaj “Për Gjermaninë, histori diplomatike dhe kujtime”. Pse tani dhe pse një libër për Gjermaninë?
Gjatë viteve të mia në Gjermani njoha nga afër historinë e këtij vendi, kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj shumë për politikën dhe diplomacinë gjermane. Unë nuk jam historian dhe nuk kam marrë përsipër në libër të bëj këtë, historianin. Unë jam ndalur në një aspekt të përcaktuar qartë për vetë rolin e politikës dhe sidomos të diplomacisë, që nga viti 1945 deri në 1990, për të realizuar ëndrrën dhe aspiratën e madhe të popullit gjerman për t’u ribashkuar në një shtet të vetëm. Dhe këto përpjekje për afër 5 dekada, janë të vazhdueshme e të qarta, serioze e të përgjegjshme për të ecur hap pas hapi, drejt ribashkimit. Në mënyrë të veçantë, në vitet ‘60, me OST –Politikën e famshme të formuluar nga kancelari legjendar Vili Brandt, kjo politikë u ndoq më tej në kushtet konkrete historike, nga kancelarët e shquar pasardhës, deri tek kancelari i bashkimit, Helmut Kohl. Këtë histori diplomatike me dokumentacion e fakte të gjithanshme, jam përpjekur ta pasqyroj në libër. Mendoj se është një periudhë 45-vjeçare, e papërshkruar në botimet tona. Pjesa e kujtimeve është tjetër gjë.
Ju në libër e ndani historinë diplomatike të Gjermanisë në tri pjesë, bashkimit të Gjermanive i kushtoni një pjesë të librit dhe më pas kapërceni në vitet e shërbimit tuaj si ambasador, pra vitet 1997-2002. Pse ky organizim i librit? A keni thënë gjithçka, apo do të kemi një tjetër libër?
Pjesa e parë e librit përmban periudhën që nga pas Lufta e Dytë Botërore, apo më mirë që nga konferenca e Potzdamit, ku Gjermania u nda me 4 zona dhe Berlini me 4 sektorë nga fuqitë fituese. Pjesa e dytë përmban periudhën nga rënia e murit të Berlinit më 9 Nëntor 1989, deri më 3 tetor 1990, pra 11 muaj drejt ribashkimit të Gjermanisë. Këtu shkëlqen guximi,vendosmëria dhe përgjegjshmëria e udhëheqësve politikë gjermanë. Kjo periudhë flet për një politikë vizionare dhe një diplomaci jashtëzakonisht aktive, me protagonistë të pazëvendësueshëm si kancelari Kohl dhe ministri i Jashtëm, Gensher. Gjermania nuk mund të ribashkohej vetëm nga dëshira dhe aspirata e popullit gjerman, por u desh një punë kolosale edhe me aleatët perëndimorë, e sidomos me Bashkimin Sovjetik. Çdo gjë u arrit hap pas hapi, me mirëkuptim, me kompromise. Për t’ju përgjigjur fundit të pyetjes suaj, për periudhën 1945-1990 mendoj që kam thënë gjithçka, gjithmonë në aspektin e historisë diplomatike për ribashkimin. Unë do të përfundoj shpejt edhe një libër tjetër, që do të flasë për pas 1990-ës, për proceset që ndodhën në ish-RDGJ.
A ishte bashkimi i dy Gjermanive një ngjarje e pjekur nga kushtet historike, apo ishte këmbëngulja dhe diplomacia gjermane që e bënë të mundur këtë? Çfarë zbuloni ju në librin tuaj mbi këtë?
Sigurisht, ribashkimi i Gjermanisë u bë në kushte të caktuara historike. Në vitin 1989 nisën proceset e ndryshimeve në Lindjen komuniste, diku më shpejt e diku më ngadalë. Kursi i reformave të udhëheqësit sovjetik, Gorbaçov, ka një rëndësi të madhe në këtë proces. Kjo vlerësohet edhe nga presidenti amerikan Bush, ai francez Miteran, kryeministrja Theçer e kancelari Kohl, në faqet e këtij libri kjo del shumë qartë. Politika perëndimore nga njëra anë, për të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe politika e diplomacia gjermane nga ana tjetër bënë të mundur ribashkimin e Gjermanisë në një kohë shumë të shkurtër sa dhe vetë udhëheqja gjermane nuk e mendonte, ata mendonin 5-6 vjet, në fakt u arrit për 329 ditë, këto fakte dalin qartë në libër.
Ka nga ata që e shohin bashkimin e mundshëm të dy republikave shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, si të ngjashme me bashkimin e Gjermanive, a ka vend për krahasime në këtë pikë dhe nëse po, si mund të arrihej diplomatikisht kjo?
Ky krahasim bëhet shpesh. Unë nuk mendoj se është njëjta gjë. Kancelari Kohl, në vitin 1989 deklaronte se ribashkimi Gjerman dhe bashkimi i Europës janë dy anë të njëjtës medalje. Unë mendoj se bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës në Europën e Bashkuar do të jetë një kontribut i shtuar për vetë Europën. Neve në Shqipëri dhe në Kosovë na duhet sa më shumë Europë dhe kjo kërkon përgjegjshmëri të madhe nga politika dhe qeverisjet në të dyja vendet. Fatkeqësisht në të dyja vendet Shqipëri e Kosovë dominon konflikti politik, dhe improvizimet hallakatëse.
Momenti kur keni qenë ju ambasador ishte një moment i rëndësishëm për shqiptarët, lufta e Kosovës, kur Gjermania mori vendim të përfshihej në një konflikt ushtarak për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, çfarë kujtimesh keni nga kontaktet me autoritetet gjermane në atë kohë? A kishte hezitim atje? Si shihej nga Berlini situata në Kosovë?
Pa dyshim që kam folur shumë, përfshirja e Gjermanisë në sulmet ajrore, në kuadër të NATO-s, ishte një vendim historik,ishte i pari mbas Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Në libër unë kam folur më shumë hollësi për të gjitha problemet,vështirësitë, por edhe kundërshtitë e një pjese të politikës parlamentare gjermane.
Në libër del qartë se keni qenë shumë i pranishëm në mediat gjermane gjatë luftës së Kosovës…
Po, është e vërtetë. Ka pasur një interesim të madh të shtypit dhe televizioneve gjermane për ngjarjet në Kosovë. Në momente të veçanta kam dalë edhe në 2-3 kanale televizive brenda ditës, sepse situata në atë kohë ishte tepër e vështirë. Unë u jam mirënjohës për këtë interesim të vazhdueshëm e më shumë nerv që kanë pasur mediat gjermane për sensibilizimin e opinionit për çka ndodhte në Kosovë.
A mund ta lexojmë këtë libër si Epope për Gjermaninë, ringritjen gjermane?
Me këtë libër mesazhet janë të qarta, të natyrshme. Ne duhet të mësojmë nga Gjermania, me vepra e jo me fjalë: të mësojmë për gjithçka, në radhë të parë të mësojë politika, por edhe diplomacia. Sot, në Europë, pa Gjermaninë nuk bëhet asgjë, me Gjermaninë bëhet gjithçka.