Bernard Fitoussi: Barbarët s’mund ta vrasin Francën
Flet ambasadori francez në Tiranë pas ngjarjeve të 7 dhe 11 janarit në Francë, Bernard Fitoussi.
Nga Skënder Minxhozi, JAVA
Çfarë masash duhet të marrë Evropa dhe SH.B.A. pas ngjarjeve të 7 janarit, në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit?
Masa e parë është përgjigja nëpërmjet forcës. Duhet përshëndetur reagimi i menjëhershëm dhe efikas i forcave franceze të sigurisë. Vrasësit u identifikuan dhe u neutralizuan. Por policia pagoi një haraç të madh: ne kemi humbur tre policë, njëri prej të cilëve grua, si dhe kemi pasur shumë të plagosur. Që prej atij momenti, forca të shumta policie dhe ushtarake patrullojnë në vende strategjike, që mund të jenë në shënjestër të akteve të tilla për të garantuar sigurinë e bashkëqytetarëve tanë.
10 000 ushtarakë, më shumë se 5.000 policë patrullojnë përpara objekteve të kultit. Plani Vigipirate, është në nivelin e tij maksimal. Siguria jonë është në nivel shumë të lartë.
Masa e dytë, është përgjigja nëpërmjet unitetit kombëtar rreth vlerave tona të lirisë. Barbarët kanë dashur të vrasin shtypin dhe gazetarët duke vrarë gazetarët e Charlie -t. Duke vrarë katër qytetarë, vetëm sepse ata ishin hebrenj, barbarët kanë dashur të cenojnë respektin absolut të lirisë fetare. Edhe në këtë rast, barbarët kanë dështuar. Populli francez, i bashkuar me të gjithë popujt që aspirojnë për liri, barazi dhe vëllazërim, është ngritur si kurrë më parë në historinë e tij.
Masa e tretë është solidariteti midis të gjithë shteteve të vendosur për të luftuar pareshtur terrorizmin. Pra masa janë marrë, të tjera do të merren. Ato kanë të bëjnë kryesisht me atë që quhet bashkëpunim operacional, për shembull në fushën e shkëmbimit të informacionit. Por nuk duhet të harrojmë praninë e trupave franceze në Irak dhe në Afrikë, pra në frontin e parë të luftës në terren kundër barbarëve.
Si u perceptua mesazhi i klerit shqiptar në marshimin e paqes më 11 janar?
Delegacioni që kishte marrë me vete Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Ministri i ngarkuar me Kultet, bëri një përshtypje shumë të mirë në Paris: katër përfaqësuesit e komuniteteve fetare që parakaluan si vëllezër janë duartrokitur pa pushim. Shqipëria përcolli në Paris një mesazh të mrekullueshëm të bashkekzistencës fetare, ashtu siç veproi populli shqiptar edhe para disa muajsh duke i bërë Atit të Shenjtë një pritje në unitet të plotë kombëtar. Kjo bashkekzistencë është një vlerë e çmuar e cila duhet mbajtur dhe ruajtur në vazhdimësi.
Sa e ka ndryshuar Francën 7 janari? A do të sjellë akti terrorist i asaj dite forcimin e krahut ksenofob në politikën e brendshme franceze dhe jetën e saj sociale?
Duke parakaluar aq të shumtë në numër, pranë njëri-tjetrit, francezët dhe qytetarë të tjerë, kanë dënuar në mënyrë të qartë racizmin ; antisemitizmin, islamofobinë, intolerancën, totalitarizmin dhe ksenofobinë. Forcat vitale të shoqërisë franceze kanë konsoliduar kohezionin e tyre, i kanë thënë jo obskurantizmit. Franca nuk është një komb i kërcënuar nga diversiteti që mbart, përkundrazi, ky diversitet përbën pasurinë e saj. Në mënyrë të pakontestueshme, marshimi republikan i të dielës së kaluar në Paris, në Francë dhe në shumë qytete të tjera të botës, është një mesazh shprese për të gjithë.
Së fundi, mesazhi i marshimit republikan është gjithashtu një kërkesë e cila i drejtohet brezave të tanishëm dhe të ardhshëm. Ne do t’i përgjigjemi kësaj kërkese nëpërmjet forcimit të jetës në komunitet : përmes shkollës, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, dhe sidomos, nëpërmjet mbrojtjes së patjetërsueshme të vlerave universale që ne ndajmë me shumë kombe të tjera, mes të cilave edhe me Shqipërinë.