Besim Ndregjoni: Kriminelët e komunizmit janë rehabilituar
Flet për “Koha Jonë” Presidenti i Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë
Besim Ndregjoni: Kriminelët e komunizmit janë rehabilituar
Intervistoi: Sidorela Lepri
Plot 25 vjet pas rënies së komunizmit, Besim Ndregjoni, Presidenti i Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë thotë se ish të përndjekurit politik vazhdojnë të jenë të pakënaqur ndaj qeverisjeve në kohën e demokracisë. Ndregjoni flet lidhur me problematikat më të mprehta të kësaj kategorie.
“Nëqoftëse në komunizëm ishte përqendruar me kushtetutë që lufta e klasave do të vazhdonte ndaj armiqve të popullit, tani pasardhësit e komunizmit që fatkeqësisht ndodhen në pushtet, kanë organizuar dhe ndërtuar një sistem të ashtuquajtur demokratik, ku përdorin një luftë klasash.”, thotë ai.
Më tej, Ndregjoni flet lidhur me çështjen e dëmshpërblimit, protestave për bunkerin para Ministrisë së Brendshme, ligjin e hapjes së dosjeve dhe reformën në drejtësi.
Në mbyllje, ai ka edhe një mesazh për politikbërësit, ambasadorët e huaj në Tiranë si edhe vetë shqiptarët.
Kanë kaluar 25 vite nga rënia e komunizmit. A janë dëmshpërblyer ish të përndjekurit politik?
Katrahura politike që ngriti kokë pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe ndërrimit të sistemit në Shqipëri ishte një plagë e rëndë. Fatkeqësia qëndron që e gjithë vëmendja politike është përqendruar vetëm tek çështja e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. Duhet të kemi parasysh që një sistem demokratik që mundohemi të ndërtojmë, të drejtat dhe liritë e njeriut janë të barabarta për çdo qytetar dhe në bazë të kushtetutës demokratike që ka vendi ynë, është e përcaktuar me ligj që dëmshpërblimi nuk është një lëmoshë që e japin qeveritë apo një favor që të ashtuquajturat qeveri post-komuniste i bëjnë shtresës së të përndjekurve politikë. Ai është një detyrim kushtetues, me të të cilën të burgosurit dhe të përndjekurit politik bazuar në këtë ligj kanë të drejtë. Nisur nga e gjithë kjo gamë që paraqita, dua të them se politikbërësit dhe klasa politike shqiptare, për të iu fshehur shoqërisë dhe krimeve të komunizmit, përqendrohen vetëm tek çështja e dëmshpërblimit, sikur këtë dëmshpërblim këta qeveritarë e pushtetarë, po e kryejnë ndaj nesh dhe po rehabilitojnë të burgosurit dhe të përndjekurit politik në jetën shoqërore.
Cilat janë problemet me të cilat hasen aktualisht ish të përndjekurit dhe të burgosurit politik?
Problemi madhor që kanë të përndjekurit politik sot me politikbërjen është se ata po përballen me një luftë klasash të re. Nëqoftëse në komunizëm ishte përqendruar me kushtetutë që lufta e klasave do të vazhdonte ndaj armiqve të popullit, tani pasardhësit e komunizmit që fatkeqësisht ndodhen në pushtet, kanë organizuar dhe ndërtuar një sistem të ashtuquajtur demokratik, ku përdorin një luftë klasash. Kjo luftë klasash fillon që në momentin që të përndjekurit politik të mos jenë pjesë e ndërtimit të politikave në çdo fushë dhe të mos jenë pjesë e shoqërisë shqiptare në ndërtimin e këtij sistemi, pavarësisht se këta janë heronjtë e heshtur apo martirët e kësaj demokracie, për të cilën luftuan gjithë këta të burgosur dhe të përndjekur politik, të cilët dhanë jetën duke vuajtur në burgje dhe në kampet e përqendrimit.
A mund të themi se kjo shtresë është rehabilituar në të njëjtën mënyrë si në ish-vendet e lindjes komuniste?
Shqipëria është i vetmi vend në Europë, e cila ka kaluar diktaturën më të egër dhe ç’njerëzore të komunizmit dhe që diktatura komuniste në Shqipëri nuk ka asnjë lloj lidhje me regjimet komuniste në vendet e Europës Juglindore. Pra nëse në Europë, regjimi diktatorial stalinist u dënua në vitin 1956, në Shqipëri nuk është dënuar dhe me pluralizmin politik ky regjim vazhdon akoma. Jua thashë edhe më parë, që jo vetëm që ne jemi shumë larg vendeve të Europës Juglindore, por e gjithë lufta politike, e gjithë skema e diktarurës komuniste në Shqipëri po zbatohet në “formatin demokratik”, që synon që të përndjekurit politik të jenë jashtë këtij sistemi dhe të ngelen lëmoshnjarë të politikanëve trashëgimtarë të diktaturës komuniste.
Në gjykimin tuaj, çfarë mendoni se e ka penguar në këto 25 vite trajtimin më dinjitoz të ish të përndjekurve politik?
E para në Shqipëri nuk u dënua Partia Komuniste, siç është dënuar në të gjithë Europën Juglindore. Dhe e dini cila ishte Partia Komuniste? Ishte Partia e Punës së Shqipërisë, pra Partia Socialiste sot. Kjo parti që kreu krime ç’njerëzore, vrau mijëra qytetarë, bëri një represion të paparë kundrejt kundërshtarëve të komunizmit. Sot ajo parti vetëm ndërroi emrin dhe ndodhet në pushtet, madje është mazhorancë në politikbërjen shqiptare. E dyta, nuk u dënua me ligj Enver hoxha.
Enver Hoxha, edhe sot në tablon sinoptike që ka politikbërja shqiptare është heroi i popullit.
Sipas jush, çfarë duhej të ishte bërë në këtë drejtim?
Duhej dënuar veprimtaria kriminale e Enver Hoxhës dhe partisë së tij, siç e kanë dënuar të gjitha vendet e lindjes. Kjo veprimtari kriminale nuk është dënuar. Përkundrazi, i është imponuar shoqërisë shqiptare. Jo vetëm që të mos dënohet aktiviteti kriminal i Enver Hoxhës dhe partisë së tij komuniste, sot Partia Socialiste, por është imponuar që edhe datat simbol të diktaturës të kremtohen si data për çlirimin e vendit, siç është data 29 Nëntor.
Pra, 29 Nëntori nuk është datë e çlirimit të Shqipërisë, por është datë e vendosjes së diktaturës së Enver Hoxhës. Nisur nga këto, në Shqipëri nuk u bë një komision hetimor për të parë bilancin e krimit komunist. Ne sot kemi një bilnac shtetëror, jo bilanc që e japim ne antikomunistët, pra të përndjekurit politik. Ka një bilanc nga arkiva e shtetit shqiptar, në të cilën thotë se janë egzekutuar për motive politike të dënuar me burgosje, të dëbuar nga qyteti, të egzekutuar klerikë, myslimanë dhe të gjitha besimeve të tjera. Pra, gjithë ky bilanc krimi në shqipëri nuk u krijua nga politika apo nga një komision rreth këtij bilanci, ku të shiheshin pasojat tragjike që i ndodhën shoqërisë shqiptare. Nga këto pasoja tragjike, të dilnim me një plan konkret kombëtar për rehabilitimin e familjeve të pushkatuarve dhe të burgosurve të tjerë.
Mendoni se është shumë vonë për krijimin e këtij plani?
Nuk është vonë asnjëherë të bësh punë të mira për kombin tënd. Por nuk mund ta bëjnë. Në atë minutë që duhet të bëhet ky bilanc, ky rehabilitim, kjo klasë politike del tërësisht jashtë loje. Në Shqipëri nuk ka pluralizëm politik. Në Shqipëri pluralizmi politik është përqendruar mbi forcat që nuk dënojnë krimet e komunizmit. Këtu thuhet pozitë-opozitë dhe kur vjen puna as pozita dhe as opozita që kanë patur pushtet gjatë 25 viteve nuk e kanë dënuar Enver Hoxhën. Këta bërtasin çdo ditë për zbatimin e Kushtetutës, por në kushtetutë është e përcaktuar qartë e zeza mbi të bardhën, që prona është e shenjtë dhe e pacënueshme. Por, këta bëjnë një mijë ligje kundrejt këtij neni kushtetues, siç është ligji i legalizimeve 7501, e të gjitha me radhë.
Meqënëse përmendët ligjet. Është miratuar ligji për hapjen e dosjeve. A hedh dritë ky ligj mbi krimet e komunizmit?
Është sa tragjike, aq edhe qesharake që përdoret ligji i dosjeve pas 25 vitesh, pasi janë rehabilituar të gjithë kriminelët e diktaturës. Të gjithë kriminelët që kanë marrë pjesë në krimet e komunizmit, janë rehabilituar në politikbërjen shqiptare. Politikbërja shqiptare gjatë këtyre 25 viteve është politkbërja shqiptare më e neveritshme e një sistemi demokratik. Ata që ishin dje në pushtetin politik të diktaturës, sot janë në pushtetin politik të demokracisë dhe nisur nga kjo unë shtroj përpara këtyre pyetjen: “Çfarë do bëhet me ligjin e hapjes së dosjeve?”
Këto kanë bërë një ligj formal dhe është interesante të shohësh sesi pasuesit e denjë të komunizmit që janë sot në politikë, bëjnë ligje formale duke marrë edhe bekimin e ambasadorëve të huaj në Tiranë, duke thënë se ne po bëjmë ligje. Ligji i hapjes së dosjeve do të thotë të shohësh çfarë pasojash ka sjellë kjo dosje. Pra, hapja e dosjeve nuk bëhet thjesht formale që të hapim një dosje dhe të shohim kush është ky. Dosja hapet dhe shihet se çfarë krimesh janë bërë në këtë dosje dhe tani këto krime a duhen dënuar. Apo mos duhet t’i themi kriminelit, bravo që ke bërë këto krime? Ky kriminel ka bërë krime dhe tani le të vazhdojë jetën e tij i qetë dhe të mos penalizohet. Në cilin vend të botës krimi nuk penalizohet? Vetëm tek klasa politike shqiptare dhe tek mazhoranca që është në këtë vend. Do hapim dosjet dhe dosjet në Shqipëri me këtë ligj që ka, e dini çfarë hapje kanë? Këto e hapin dosjen, e shikojnë dhe po të duan të mbajnë prapë në punë. Nuk prish punë që ti ke qenë bashkëpunëtor i sigurimit apo që ke marrë pjesë në krimet ndaj meje apo familjes sime. Ky është një formalizëm politik, qesharak dhe degjenerues ndaj vuajtjeve të pjesës tjetër antikomuniste. Për mendimin tim, nuk ka asnjë ligj të dosjeve që të mos ketë penalizime për krimet që kanë ndodhur në atë dosje. Me këto ligje, ne i hapim dosjet vetëm të themi që ne e hapën dosjen dhe të dalim para Europës, se kështu e ka kjo klasë politike. Ka një vendim të Asamblesë së Këshillit të Europës që e ka implementuar edhe parlamenti shqiptar në 2006, me idenë që do të dënohen krimet e Enver Hoxhës, Partia Komuniste dhe do të rehabilitohen familjet e të përndjekurve.
A është plotësuar ndonjëra prej këtyre kërkesave?
Absolutisht që jo. Ne sot jemi i vetmi vend që ka vujtur në Europë krimet më ç’njerëzore dhe sot nuk kemi një muze për krimet e komunizmit. Sot nuk kemi një lapidar apo memorial. Edhe gjithë vëmendja e klasës politike në Shqipëri është sesi të ndërtojnë një bunker, simbol të Enver Hoxhës dhe jo të ndërtojnë litarin që ka varur poetin e shquar Avzi Nelën, në kohën kur Europa shembte Murin e Berlinit.
Pak ditë më parë është protestuar kundër bunkerit artistik tek Ministria e Brendshme. A nuk është e tepruar të protestohet kundrejt një vepre artistike?
Nëqoftëse veprat e diktaturës janë vepra artistike, jam plotësisht dakort që protesta jonë ka qenë plotësisht kundër asaj. Kryeqyteti ynë ka vetëm një pjesë europiane, ka ministritë dhe bulevardin. Të tjerat janë një pjesë nga ndërtimet e parafabrikatit të Enver Hoxhës dhe pjesa tjetër janë ndërtimet e pallateve shumëkatëshe të korrupsionit politik shqiptar gjatë këtyre 25 viteve.
Të gjitha ato kulla të larta që shohim janë bërë më korrupsion dhe me vjedhje, që i kanë bërë të korruptuarit e politikës. Kjo pjesë e Tiranës që i vjen era Europë, këtë do ta prishi kryeminitri Edi Rama dhe do që të ndërtojë një bunker. Turpërsisht e quan këtë vepër artistike. Nëse e quan vepër artistike, atëherë e ka një bunker përpara Komitetit Qendror. Le të ndërtojë pranë Ministrisë së Brendshme një memorial bazuar në arkitekurën që kanë ministritë në Tiranë, në të cilën të deklamohet krimi komunist dhe jo një bunker. Ky bunkerin e bën sepse nuk do që të harrojë veprën kriminale të Enver Hoxhës. Nuk e bën për vepër artistike. Të ndërtosh diçka në një pjesë që është e ndaluar ndërtimi, në radhë të parë duhet të marrësh mendimin e popullit. A është marrë mendimi i qytetarëve të Tiranës për të ndërtuar? Këto le të ndërtojnë litarin e Avzi Nelës tek Ministria e Brenddshme, një memorial të madh dhe të shkruhet: “Kur Europa shembte Murin e Berlinit dhe ndërtonte sisteme demokratike, Shqipëria komuniste varte poetin Avzi Nela në mes të qytetit të Kukësit”.
Pra, këtu harresa është metoda dhe vendimi politik i kësaj mazhorance, që krimet e komunizmit të mos i njohë shoqëria shqiptare. Krimet e komunizmit le të harrohen se kemi 25 vite tani dhe pak dhe do të harrohen.
Cili nga kryeminstrat që kanë qeverisur këto 25 vite ka bërë më shumë në drejtim të ish të përndjekurve politik?
Asnjë kryeministër dhe qeveri. Asnjë kryeministër nuk ka bërë për të përndjekurit politik. Në radhë të parë shtroj pyetjen: Cili kryeministër ka futur në politikbërje të përndjekurit politik? Asnjë, duke përjashtuar kohën e vitit ‘92 që ishte e detyruar PD-ja e saj kohe të fuste Pjetër Arbnorin, sepse nuk e pranonte Europa politikën. Që nga ajo ditë, ka ardhur duke u zbehur fakti që të përndjekurit politik nuk janë pjesë e politikbërjes. Kush është ai që nga kjo shtresë ka qenë ministër gjatë këtyre 25 viteve? Kush është ai i përndjekur që ka qenë deputet gjatë këtyre 25 viteve? Absolutisht, vetëm nëqoftëse është bërë lëmoshqar i një force politike. Në Shqipëri është katrahura më e madhe që i ndodh një kombi. Klasa antikomuniste ndodhet jashtë sistemit politik dhe klasa komuniste bën një luftë politike mes vetes, duke u quajtur pozitë dhe opozitë. Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të njihet me këto krime.
A ka bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit që sot janë në administratë apo në poste të ndryshme?
E gjithë administrata dhe e gjithë politika janë bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit. Ne sot kemi në parlament hetues dhe prokurorë të diktaturës që i kanë ndërtuar këto dosje të sotme. Ne kemi sot në 2015 në parlament operativa të sigurimit të shtetit dhe sot janë deputet. Ne sot kemi hetues dhe prokurorë të diktaturës që janë në organet gjygjësore.
Cili është apeli juaj si komunitet për çështjen në fjalë?
Apeli jonë është që politika shqiptare të njoh dhe të mos hesht ndaj krimeve të komunizmit. Çdo heshtje ndaj këtyre krimeve është një bumerang për shoqërinë shqiptare, e cila ndahet në pjesën që ka vuajtur dhe në pjesën që është privilegjuar nga komunizmi, e cila fatkekeqësisht po priviligjohet edhe nga politika aktuale. Kush nga të përndjekurit politik është sot në drejtimin e shtetit shqiptar? Sot kemi vetëm tre gjygjtarë që kanë qenë të përndjekur politik. Dhe janë gjygjtarët më shembullorë që ka sistemi i drejtësisë. Si mund të pranojmë ne që hetues, prokuror, gjygjtarë të diktatuurës komuniste sot paraqiten para shoqërisë shqiptare si komision ekspertësh? E dini çfarë ka bërë ai komisioni i ekspertëve që është për reformën në drejtësi?
Çfarë më konkretisht?
Të gjithë kanë dënuar dhe kanë pushkatuar njerëz. Le të dali njëri nga ato dh e ta mohojë deklaratën time. Janë të gjithë pjesë e krimit komunist dhe sot pa pikën e turpit quhen komision ekspertësh. Aty ndodhet kryetari i komisionit të ekspertëve, autori i kushtetutës së diktaturës komuniste të vitit 1976 Luan Omari dhe sot thonë ai që ka bërë libra. Çfarë librash? Sesi duhet mbrojtur socializmi i Enver Hoxhës apo si duhet mbrojtur stalinizmi? Të gjithë këta ekspertë kanë qenë pjesëtarë në gjygjet politike. E di çfarë do të thotë ta quash veten eskpert dhe të kesh marrë pjesë në një krim politik ndaj qytetarit ? Pra, kjo është reforma në drejtësi që do të bëjë kjo mazhorancë dhe që trumbetojnë me të madhe që ka shkuar në Komisionin e Venecias. Kështu bëhet një katrahurë politike që në pushtetin gjygjësor të mos ketë anti-komunist apo ish të përndjekur politik, por të jenë vetëm ata që trashëgojnë pushtetin politik dhe juridik të diktaturës komuniste. Unë them me të drejtë që nëse kjo reform në drejtësi do të aprovohet, Shqipëria shkon në luftë civile. Këtë e deklaroj publikisht. Shqipëria shkon në luftë civile, për arsye se kriminelët e diktaturës sot nuk kanë asnjë të drejtë morale, ligjore dhe shoqërore që të bëjnë një reformë në drejtësi, ku ata kanë qenë pjesëtarë në krimet e diktaturës. Habitem me mediat shqiptare që heshtin ndaj kriminelëve që e quajnë veten ekspert të drejtësisë shqiptare apo që marrin pjesë në të gjithë politikbërjen shqiptare.
Për ta përmbyllur, keni një mesazh për qeverinë apo grupet që hartojnë ligjet?
Unë kam një mesazh. Shqipërisë nuk i mungojnë shqiptarë të vërtetë antikomunistë që kanë bërë gjithçka për Shqipërinë. I bëj këtë mesazh politikës shqiptare: Mos kujtoni se me anë të pushtetit politik ju mund të na riktheni metodat e diktaturës së Enver Hoxhës, i cili në vitin 1945-1950 grumbulloi të gjithë pushtetet, që të mund të mbante këtë popull nën sundim. Sot, ne që luftuam për Europën dhe Amerikën jemi të gatshëm të sakrifikojmë edhe jetën tonë dhe të mos të lejojmë rikthimin e diktatutës, të simboleve dhe mos ta çojmë këtë popull në vëlla-vrasje, siç ndodhi në shtetin komunist.
Mesazhi i të përndjekurve politikë është: Shqiptarë, kujdes! Diktatura po troket. Këmbanat bien për të gjithë ne. Kush nuk i dëgjon këto këmbana, nuk ka të drejtë të thotë nuk e kuptuam. Kuptimi është i drejtëpërdrejtë. Kjo klasë politike duhet të largohet nga skema, sepse po bën luftë gjatë 25 viteve për të rikthyer diktarutën dhe jo për të rikthyer sistemin demokratik. Kam edhe një mesazh për trupin diplomatik në Shqipëri. Nëse ju pëlqejnë shumë metodat e komunizmit, ndërtojini në vendin tuaj. Shqipëria ka vuajtur mjaftueshëm 50 vite nga krimet e komunizmit. Tani ka ardhur koha ti hemi ndal këtij veprimi ç’njerëzor që po e mundon shumë shoqërinë e traumatizuar shqiptare.