Besim Ndregjoni: Rama dhe PS-ja, na urrejnë

Besim Ndregjoni, përfaqësues i ish-të përndjekurve, thotë se Rama dhe Partia Socialiste e urrejnë këtë shtresë. Sipas tij, këtë gjë e tregon edhe ndërtimi i bunkerit. 

Përse i jeni ngjitur “bunkerit”, derisa është sqaruar motivi i ndërtimit?

Ne nuk i jemi ngjitur bunkierit, por fatkeqësisht bunkieri na është ngjitur ne nga një kryeministër i papërgjegjshëm i cili nuk është i ngopur me 1 milion bunkierë që i ka lënë trashëgimi Enver Hoxha këtij populli, por do të ndërtojë një bunkier në mes të ministrive pa asnjë lloj lidhjeje artistike, vetëm si një përbuzje e atij njeriu ndaj shtresës të të përndjekurve. Argumenti i tij nuk është bindës, jo se e them unë por e thotë e gjithë shoqëria, pasi t’i rikthehesh një simboli të tillë në një shoqëri post-traumatike të një diktatore çnjerëzore, është njësoj sikur ka vepruar kryeministri dikur në revistën e sigurimit “Në shërbim të popullit” të cilat sot i quan artistike, “armiku i popullit në njërën anë e vigjilenca në anën tjetër”. Pse duhen marrë forma artistike nga simboli i komunizmit?! Kemi vepra të shumta arti që mund të marrim shembull. Ministria e Brendshme ka qenë një godinë ku janë torturuar me qindra e mijëra shqiptarë që kanë humbur dhe jetën. Kjo godinë duhet të ishte një vend për të mos harruar dhe do të kishte brenda si udhëheqësit kriminelë ashtu edhe viktimat. Rinia do shkonte me kënaqësi ta vizitonte dhe do të bindej se simbolika është ndërthurur shumë mirë duke pasqyruar realitetin.

Me kë e keni inatin më shumë: më të majtët apo të djathtët? E bëj këtë pyetje, ngase e majta gjithsesi nuk se u ka premtuar gjë; ndërsa e djathta shumë u ka premtuar, votën ua ka marrë, e nuk jua zgjidhi kurrë dëmshpërblimin…

Ne njëherë nuk kemi inate se po të kishim rezervuar inate do merrnim hak ndaj kriminelëve që shëtisin të lirë. E dyta duhet të kemi një gjë ta qartë lidhur me pyetjen që më drejtoni. Këtu nuk është çështje inati por ka zbatime ligjesh. Ne nuk jemi shtresë në nevojë se përshembull kemi paaftësi. Ne jemi një shtresë fisnikësh, një shtresë e moralshme, e pasur por që na është konfiskuar, kundërshtare ndaj diktaturës dhe nisur nga kjo ne çdo qeverie i kemi kërkuar zbatimin e Kushtetutës ne nuk kërkojmë lëmoshë. Ne nuk jemi lëmoshqarë që presim nga e majta apo e djathta ne respektojmë çdo qeveri që vjen në pushtet dhe ajo të zbatojë të drejtat dhe liritë themelore të të përndjekurve. Nëse nuk i zbaton, atëherë do jetë në luftë me ne siç është qeveria e Edi Ramës që shkel me të dyja këmbët kushtetutën dhe të drejtat e të përndjekurve duke i mashtruar dhe gënjyer.

Ju jeni shumë të ndjeshëm ndaj gjithçkaje që bie era komunizëm. Përse kurrë nuk keni treguar ndjeshmëri, as sot e as dje, ndaj faktit se Sali Berisha, njeriu që u vu në krye të PD-së, e që më pas udhëhoqi për shumë vite këtë vend, ka qënë jo pak por çerek shëkullimi komunist? Dukeni sikur keni vepruar e po veproni me sy standarte?

Sa për dijeni, të përndjekurit politikë kurrë nuk i janë nënshtruar as Sali Berishës as Fatos Nanos e as Edi Ramës. Unë po ju sjell në vëmendje vetëm një fakt: Në vitin 1994 kur Berisha kishte vetëm dy vjet në pushtet ne bëmë grevën e parë politike, grevën e urisë dhe detyruam atë qeveri të jepte letrat e dëmshpërblimit për punën e papaguar pasi vetëm në Shqipëri ka ndodhur që I burgosuri punonte në burg. Kur ka ardhur Berisha në 2005 në nuk kemi qëndruar indiferentë por e kemi detyruar me kërkesat tona aq sa nga shtresa jonë edhe i kanë vënë flakën vetes. Pra ne i besojmë si komunistizimit të Berishës ashtu edhe të Ramës duke qenë se e gjithë politika është produkt i diktaturës pasi nuk patëm një klasë intelektuale jasht sistemit. Tek ne nuk u bë revolucion demokratik por revolucion tavolinash. Të jemi koshientë se me gjithë gabimet, e djathta nuk ka treguar kurrë urrejtje ndaj nesh, ndërsa e majta ka treguar urrejtje. Ju kujtohet në parlamentin e parë pluralist kur Arbnori kërkoi një minutë heshtje për të gjithë të vrarët, socialistët nuk u çuan në këmbë fare. Në 2004-ën, kjo PS bëri një ligj duke ua trajtuar ditën e punës së të përndjekurit vetëm 30 qindarka. Po kjo e majtë, në 2006 doli nga parlamenti sepse nuk pranoi të miratojë rezolutën e Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. Po kjo e majtë, mban me çdo kusht simbolet e diktaturës në Shqipëri si 29 nëntorin. Tek e fundit Sali Berisha ishte komunist por nuk e pranoi 29 nëntorin si çlirim të Shqipërisë sepse kjo datë ishte pushtim i Shqipërisë nga komunizmi. Kjo e majtë e ka mbajtur dhe sot i keni parë të dalin me portretet e Enver Hoxhës. Vetëm këta e quajnë rënien në komunizëm çlirim, vetëm partia e Edi Ramës mund ta bëjë këtë gjë.- ‘te sheshi’.

SHKARKO APP