Besnik Dervishi: Si mund të ankoheni nëse abuzohet me të dhënat personale
INTERVISTË
Flet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Intervistoi: Redjon Shtylla
Të dhënat tona personale janë të rëndësishme dhe kemi raste që nuk duam ti ndajmë me të tjerët, por shpesh herë të dhënat na vidhen dhe keqpërdoren. Për këtë arsye ekziston dhe Zyra e Autoritetit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në një intervistë dhënë për Gazetën "Koha Jonë", tregon sesi funksionon ky institucion, sa i mbron dhe sa i informuar është publiku Shqiptar për ekzistencën e këtij komisioni. Gjithashtu ai flet dhe për problemet kryesore për të cilat ankohen qytetarët.
Të dhënat personale janë terma që në opinion nuk kuptohen lehtë. A janë të ndërgjegjësuar sa duhet qytetarët shqiptarë mbi të drejtat që kanë për të dhënat personale dhe mbi penalitetet në rastet e abuzimit?
Në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 35, sanksionohet e drejta e privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale. Në zbatim të kësaj të drejte kushtetuese, Kuvendi miratoi ligjin përkatës, Nr. 8517, datë 22.07.1999. Pas nënshkrimit dhe përfundimit në 2006 të procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit Shqipëri-BE, lindi nevoja e një legjislacioni të ri për këtë fushë dhe si rezultat i këtij procesi u miratua Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i hartuar në përputhje me direktivën e Komisionit Evropian 95/46, por edhe me Rregulloren e tij 95/2001. Ky ligj parashikoi edhe ngritjen e një strukture të posaçme për këtë qëllim – Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që do të mbikëqyrte të gjitha subjektet publike apo private të cilat grumbullojnë, përpunojnë dhe ruajnë të dhëna personale në territorin e Republikës së Shqipërisë – ose sipas terminologjisë së ligjit konsiderohen kontrollues.
Në nëntor të vitit të kaluar hyri në fuqi edhe Ligji i ri Nr.119/2014 “Për të drejtën për informim”, një tjetër e drejtë kushtetuese e sanksionuar kjo në nenin 23 të saj. Ky ligj, ka një sërë risish në raport me ligjin e mëparshëm Nr.8503, datë30.6.1999, duke sjellë një standard akoma edhe më të lartë në respektimin e kësaj të drejte nga Autoritetet Publike në raport me qytetarin. Për këtë arsye, aktualisht institucioni emërtohet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Që prej 2008, sigurisht, që ndërgjegjësimi i qytetarëve ka ardhur në rritje. Rrjedhimisht, edhe numri i ankesave është shtuar ndjeshëm, por ne si Zyrë e Komisionerit jemi të vetëdijshëm se niveli i ndërgjegjësimit të qytetarëve është ende jo ai i duhuri. Kështu që, institucioni e ka një nga prioritetet e punës së tij ndërgjegjësimin, duke shfrytëzuar çdo mundësi, përfshi edhe komunikimin me publikun nëpërmjet medies.
Sa shqiptarë, ankohen në ditë për sa ju përket shkeljes që ju bëhen ndaj të dhënave të tyre personale, çfarë procedurash ndiqen më pas? Për çfarë ankohemi më shumë ne, ku na shkelen të dhënat?
Ky nuk është një problem sasior, në kuptimin e ngushtë të fjalës. Për Zyrën e Komisionerit është më i rëndësishëm fakti që qytetarët kanë gjithnjë një partner te ky institucion, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Mund të them, se spektri i ankesave është shumë i gjerë, duke përfshirë të gjitha fushat e zhvillimit të vendit. Proceduralisht, Zyra e Komisionerit me depozitimin e një ankese fillon procesin e shqyrtimit, hetimit administrative edhe në vend, fton palët në seancë dëgjimore dhe më pas del me akt vendimmarrës të Komisionerit. Gjithsesi, secila prej palëve që është e pakënaqur ka të drejtën të ankohet në gjykatë. Ligji i jep të drejtë Komisionerit të shprehet me tre instrumente: rekomandim, urdhër dhe vendim.
Disa të dhëna statistikore.
Në fushën e të Drejtës për Informim për periudhën nëntor 2014 (hyrja në fuqi e ligjit Nr. 119/2014) – deri aktualisht janë trajtuar 220 ankesa nga qytetarë dhe organizata të ndryshme ndaj Autoriteteve Publike, për të cilat Zyra e Komisionerit ka dalë me 45 Vendime. Një numër prej 70 inspektimesh janë kryer nga Zyra e Komisionerit nëpër Autoritete të ndryshme Publike. Ndërsa një pjesë e mirë e tyre janë zgjidhur me ndërmjetësim.
Në fushën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale gjatë vitit 2014, institucioni ka kryer 157 kontrolle dhe inspektime si në kontrollues publikë ashtu edhe privatë, për të cilat, Zyra e Komisionerit ka dalë me 70 Rekomandime, 11 Urdhër dhe 11 Vendime me 19 sanksione administrative – gjobë.
Ndërsa, për vitin 2015 janë kryer 80 kontrolle dhe inspektime në terren. Zyra e Komisionerit për këtë periudhë ka dalë me 32 Rekomandime, 2 Urdhër dhe 36 Vendime me sanksione administrative – gjobë. Çdo person i interesuar mund të konsultohet lehtësisht me faqen në internet: www.idp.al, ku gjen informacion të detajuar për fushat e veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit.
Rrjetet sociale janë burime të menjëhershme që përdorin mediet tona, por sa "faj" kanë ato kur ne vetë ekspozojmë gjithçka me dëshirë? Sa të mbrojtura janë rrjetet e tyre sociale, pasi që media mund ti keqpërdorë ato?
Rrjetet e ndryshme sociale, më kryesoret dhe më të mëdhatë prej të cilëve: Facebook, Tëitter dhe Instagram, janë shumë të ndjeshëm për çështjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të tyre. Për këtë, ata kanë të parashikuar politika të qarta dhe instrumente konkretë në mbrojtje të të dhënave të qytetarëve. Por, në radhë të parë, ky është një problem i vetë mentalitetit të çdo personi, pra sa shumë ne kërkojmë të ekspozojmë jetën tonë private, duke përdorur këto mënyra komunikimi. Të mos harrojmë, se ky është një debat nga më aktivët sot në botë. Në faqen e internetit të Zyrës së Komisionerit ka këshilla praktike, sidomos për të rinjtë, që të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e rrjeteve sociale.
Kompanitë telefonike dhe fushatat promocionale të tyre janë disa nga rastet kur kemi abuzim me të dhënat personale. Si veprohet në këto raste?
Ligji Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, e përcakton qartë procedurën që ndjek Zyra e Komisionerit për çdo shkelje, përfshi këtu edhe për fushën që ju citoni. Mjafton t’ju përmend, se gjatë periudhë prill-korrik 2015 Zyra e Komisionerit kreu një sërë kontrollesh në kontrollues të sektorit Call Center, ku si objekt i veprimtarisë tyre përfshihet edhe promocionin (marketingun) telefonik. Zyra e Komisionerit ka nënshkruar një marrëveshje me Autoritetin homolog të Republikës së Italisë për realizimin e inspektimeve të përbashkëta në këtë sektor, duke marrë në konsideratë faktin se një masë e madhe e këtyre subjekteve operojnë kryesisht si filiale të kompanive italiane. Kjo marrëveshje garanton sigurinë e përdorimit të këtyre të dhënave.
Në parim, Zyra e Komisionerit ndërhyn kur ka një ankesë konkrete, por edhe ex-officio – kryesisht, pra me iniciativën e saj, për t’i paraprirë shkeljeve të mundshme në të ardhmen.
Legjislacioni shqiptar për të dhënat personale a ka nevojë për përmirësim? Nëse po konkretisht çfarë duhet ndryshuar?
Legjislacioni aktual shqiptar vlerësohet si në përputhje të plotë me Acquis Communautaire – legjislacionin e BE. Duke qenë se zhvillimi i teknologjive të reja është mjaft dinamik sot, edhe në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale kërkohet po i njëjti dinamizëm. Për këtë, Zyra e Komisionerit është aktualisht duke identifikuar mundësinë e përmirësimeve të caktuara të Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Një prej ankesave më të shpeshta që haset në media është publikimi nga Policia e Shtetit i emrave të personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale. A kemi të bëjmë në këtë rast me shkelje nga ana e institucioneve?
Në progres-raportin e fundit të BE për Shqipërinë është theksuar si mjaft pozitiv bashkëpunimi mes Zyrës së Komisionerit dhe ministrisë së Punëve të Brendshme, rrjedhimisht edhe me Policinë e Shtetit. Edhe kjo fushë është pjesë e punës së përditshme të Zyrës së Komisionerit në mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 9887, por deri tani nuk është depozituar asnjë ankesë konkrete për këtë çështje. Duhet theksuar, se mbrojtja e privatësisë nuk është vetëm politikë e Zyrës së Komisionerit, por edhe e institucioneve të tilla si Policia e Shtetit, apo edhe e organeve të masmedias.
Sa media shqiptare mbikëqyret nga KDIMDP dhe sa dënohet ato? Kush abuzon me të dhënat personale individuale; gazetat, mediet online apo televizionet?
Në Republikën e Shqipërisë institucioni që licencon dhe mbikëqyr mediet audiovizive (radiot dhe televizionet) është Autoritetit i Medieve Audiovizive. Ndërkohë që organet e shtypit të shkruar (gazetat) nuk kanë nevojë për një gjë të tillë (licencim), pasi kështu e përcakton Ligji Nr. 7756, datë 11.10.1993, i ndryshuar. Për të koordinuar punën me AMA, Zyra e Komisionerit do të nënshkruajë javën e ardhshme një marrëveshje bashkëpunimi. Gjithsesi, në aktivitetin e tyre të përditshëm, organet e medies janë të detyruara të respektojë legjislacionin në fuqi, specifikisht respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Në çdo rast, një qytetar që mendon se i është cenuar kjo e drejtë kushtetuese mund të ankohet pranë Zyrës së Komisionerit, po aq sa edhe pranë organeve të drejtësisë – prokurorisë dhe gjykatave. Ka patur disa raste në këtë fushë, deri edhe me sanksione administrative – gjobë.
Së fundi pritet të nis dhe procesi i hapjes së dosjeve të ish-diktaturës. A ka rrezik që nga ky proces të dalin të dhëna që dëmtojnë dhe persona që nuk janë të përfshirë indirekt, por për arsye të ndryshme emrat e tyre ndodhen në të dhënat e ish-sigurimit të shtetit?
Ky ligj është vlerësuar nga Zyra e Komisionerit si i hartuar konform dispozitave të Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. Zbatimi i tij me korrektësi, i nënshtrohet mbikëqyrjes nga ana e Zyrës së Komisionerit. Edhe në këtë rast, çdo individ që pretendon se gjatë zbatimit të këtij ligji i janë shkelur të drejtat, ka mundësinë e ankimimit pranë Zyrës së Komisionerit.