Biberaj: Ndërkombëtarët po e thonë troç, të shkelësh Kushtetutën është fundi i gjithçkaje

Bisedoi: Herion Mesi

Që kur është themeluar Bashkimi Europian nuk ka ngjarë që të ketë pasur një debat të tillë kaq të drejtpërdrejtë, duke numëruar kaq shumë të zeza për një vend që aspiron për anëtarësim në BE, sikurse nuk ka ngjarë për asnjë rast dhe për asnjë vend që në fazën e hapjes së negociatave të ketë plot 15 kushte për të plotësuar, me qëllim hapjen e negociatave.

Është ky vlerësimi që vjen nga ish-Zëvendës Presidenti i Asmablesë Parlamentare të Keshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, i cili në një intervistë për “Koha Jonë”, shprehet se tashmë gjërat janë mëse të qarta jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel, Strasburg, Berlin, Paris, Romë, e më gjerë në mbarë Europën Politike.

“Fatkeqësisht, punët e demokracisë në Shqipëri, të shtetit të së drejtës, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut po shkojnë çdo ditë keq e më keq, dhe në asnjë lloj rasti Parlamenti Europian nuk mund të çertifikojë ato që po ndodhin në Shqipëri, aq më keq kur kemi të bëjmë me një qeverisje që jo vetëm nuk plotëson asnjë kusht për hapjen e negociatave, por i rrit ato nga 9 që ishin në vjeshtë në 15 deri tani, por për më keq edhe i mohon ato kushte, sikur mos të ekzistonin fare.

Edhe “Komisioni i Venecias’ ka folur fare hapur, natyrisht që gjuha e tyre është gjuhë teknike, juridike, por ato që kanë thënë dhe shkruar rrëzojnë fare qartë dhe pa asnjë ekuivok gjithçka që ka bërë qeverisja lidhur me sistemin e drejtësisë dhe kapjen e tij, përfshirë edhe nismat e reja ligjore, pasi të shkelësh Kushtetutën është fundi i gjithçkaje, pas asaj vjen klika, regjimi autokratik, diktatura, anarkia, mbretëria, sulltanati, gjithçka mund të vijë. Ndërkombëtarët të gjithë po flasin hapur dhe troç, tani topi mbetet në fushën tonë, të qytetarëve shqiptarë.

Në çdo vend, sado pak demokratik, pas debatit dhe rezolutës së PE-së dhe raportit të Komisionit të Venecias, kryeministri dhe qeveria do të jepnin 100 herë dorëheqjen si përgjegjësit kryesorë dhe të vetëm dhe shkaktarët kryesorë të këtij mega-dështimi në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe në sfidat kombëtare për demokraci të vërtetë dhe shtet të së drejtës”, shprehet ndër të tjera ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj.

Intervista e plotë

Zoti Biberaj, me një gjuhë të paprecedentë duke hequr dhe petkun e diplomacisë, eurodeputetët e Parlamentit Europian thuajse nuk kursyen dje asgjë në deklaratat e tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare lidhur me krimin zgjedhor, krimin e organizuar, korrupsionin, kthimin e Shqipërisë në “vasalitet” të Turqisë, e deri tek çështja e Teatrit Kombëtar. Ju si i lexuat mesazhet e djeshme të Brukselit?

Unë i dëgjova fjalimet e kolegëve euro-deputetë, natyrisht jo pa brengosje, pasi bëhet fjalë për vendin tonë dhe realisht i lexova mesazhet e tyre ashtu siç ato ishin, shumë të drejtpërdrejta, pa asnjë petk diplomatik, dhe shumë të sinqerta. Fatkeqësisht, punët e demokracisë në Shqipëri, të shtetit të së drejtës, të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut po shkojnë çdo ditë keq e më keq, dhe në asnjë lloj rasti Parlamenti Europian nuk mund të çertifikojë ato që po ndodhin në Shqipëri, aq më keq kur kemi të bëjmë me një qeverisje që jo vetëm nuk plotëson asnjë kusht për hapjen e negociatave, por i rrit ato nga 9 që ishin në vjeshtë në 15 deri tani, por për më keq edhe i mohon ato kushte, sikur mos të ekzistonin fare. Që kur është themeluar BE nuk ka ngjarë që të ketë pasur një debat të tillë kaq të drejtpërdrejtë, duke numëruar kaq shumë të zeza për një vend që aspiron për anëtarësim në BE, sikurse nuk ka ngjarë për asnjë rast dhe për asnjë vend që në fazën e hapjes së negociatave të ketë plot 15 kushte për të plotësuar, me qëllim hapjen e negociatave. Gjërat tashmë janë mëse të qarta jo vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel, Strasburg, Berlin, Paris, Romë, e më gjerë në mbarë Europën Politike.

Në fakt, disi më i kursyer në terminologji, por në përmbajtje të njëjtë u shpreh pak ditë më parë edhe Komisioni i Venecias, i cili në raportin e tij rrëzoi qeverinë dhe mazhorancën lidhur me kushtetutshmërinë e akteve dhe nismave të saj për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe shkarkimin e Presidentit. A kemi të bëjmë me një dalje hapur të ndërkombëtarëve kundër lidershipit të Ramës, i cili shpeshherë është etiketuar dhe si diktator?

Edhe “Komisioni i Venecias’ ka folur fare hapur, natyrisht që gjuha e tyre është gjuhë teknike, juridike, por ato që kanë thënë dhe shkruar rrëzojnë fare qartë dhe pa asnjë ekuivok gjithçka që ka bërë qeverisja lidhur me sistemin e drejtësisë dhe kapjen e tij, përfshirë edhe nismat e reja ligjore, pasi të shkelësh Kushtetutën është fundi i gjithçkaje, pas asaj vjen klika, regjimi autokratik, diktatura, anarkia, mbretëria, sulltanati, gjithçka mund të vijë. Ndërkombëtarët të gjithë po flasin hapur dhe troç, tani topi mbetet në fushën tonë, të qytetarëve shqiptarë. Në çdo vend, sado pak demokratik, pas debatit dhe rezolutës së PE-së dhe raportit të Komisionit të Venecias, kryeministri dhe qeveria do të jepnin 100 herë dorëheqjen si përgjegjësit kryesorë dhe të vetëm dhe shkaktarët kryesorë të këtij mega-dështimi në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe në sfidat kombëtare për demokraci të vërtetë dhe shtet të së drejtës.

Ndërkohë, nga ana tjetër po dje kryeministri Edi Rama nuk shfaqi asnjë reflektim, duke paralajmëruar miratimin në Kuvend të paketës për reformën zgjedhore, me apo konsensusin e opozitës së bashkuar (jashtëparlamentare) çka në thelb duket dhe si një sfidë ndaj partnerëve ndërkombëtarë që u investuan në marrëveshjen politike të 5 qershorit. Pse ky nervozizëm nga ana e kreut të Qeverisë?

Kështu përfundojnë gjithmonë mandatet e dyta të qeverisjeve zullumqare në Shqipëri, në degradim total, në humbje të qetësisë dhe të vetë-kontrollit, në shkëputje komplet nga realiteti, në papërgjegjshmëri totale, në arrogancë dhe prepotencë ekstreme. Natyrisht që nga ana tjetër ky është një provokim dhe karshillëk i hapur edhe ndaj përfaqësuesve të SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, përfshirë edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo, i cili përshëndeti marrëveshjen dhe kërkoi që të miratohet në Parlament. Nëse qeverisja i bën këto lojëra tip “Tomy and Jerry” këtu me qytetarë shqiptarë, me aleatët tanë strategjikë nuk guxon, nuk ka asnjë shans që të bëjë lojëra të tilla, gjithsesi ja të presim edhe fund-muajin e ultimatumit dhe të shohim se sa do t’i bëjë këto lojëra me të huajt.

Në këto kushte, çfarë i mbetet opozitës për të bërë për të përmbysur Edi Ramën dhe mazhorancën qeverisëse?

Nëse qeverisja e miraton reformën zgjedhore në mënyrë të njëanëshme, atëherë opozitës së bashkuar, popullit të bashkuar opozitar nuk i mbetet asgjë tjetër veçse protesta dhe manifestime pa ndërprerje, si mjet i demokracisë dhe shprehje e vullnetit mbarë-popullor dhe për të arritur objektivin madhor që është përmbysja e kësaj qeverisje të urryer anti-popullore, krijimi i një qeverie kujdestare për zgjedhjet vendore dhe ato qendrore, si dhe realizimi i rrotacionit politik nëpërmjet një fitoreje të thellë të opozitës.

SHKARKO APP