Blerim Çela: Ju rrëfej “14 shtatorin”
Z.Çela ju keni qenë dëshmitar i periudhës më të vështirë në historinë e PD-së, asaj të viteve ’97-’98. Realisht çfarë ndodhi më 14 shtator të 1998-ës? Kush i parapriu kësaj revolte dhe a u synua vërtet marrja e pushtetit me dhunë nga demokratët, siç u pretendua nga PS-ja, e cila e quajti grusht shteti?
Në 14 shtator 1998 ndodhi një rebelim i dhunshëm nga militantët e PD-së, të cilët pushtuan kryeministrin, institucionet qendrore (përjashto Presidencën), si dhe Radio Televizionin Shqiptar. Partia Socialiste e quajti grusht shteti. Në fakt, ai nuk ishte një grusht shteti për marrjen e pushtetit, por një revoltë e militantëve të zemëruar të PD-së, që shpërthyen në dhunë nga vrasja e liderit të tyre të dashur, Azem Hajdari. Ky ka qenë shkaku kryesor, por që u mbars me mllef si rezultat i rebelimit të kuq, që filloi në mars të 1997-ës me pretekstin e humbjes së parave në firmat piramidale, duke bërë përgjegjëse për vjedhjen e tyre PD-në, gjë që rezultoi edhe nga hetimi i KLSH-së dhe ai i mëvonshëm financiar ndërkombëtar se nuk ishte e vërtetë. Përgjegjësia e qeverisjes së PD-së qëndronte në faktin sepse lejoi krijimin dhe zhvillimin e këtyre firmave mashtruese, përgjegjësi të cilën ajo e ka pranuar publikisht. Në të vërtetë, shkaku kryesor i rebelimit ishte marrja e pushtetit me dhunë, ndërsa humbja e parave ishte preteksti. Zgjedhjet e imponuara të 29 qershorit 1997, që çuan në fitoren e pamerituar të PS-së me forcën e armëve, pas shpërthimit të depove, duke mos lejuar PD-në të bënte fushatë në jug të Shqipërisë, e acaruan së tepërmi elektoratin e djathtë, sidomos me masakrimin e punonjësve të SHIK-ut në Vlorë dhe të militantëve të PD-së në Sarandë, Përmet, Tepelenë, Gramsh, Berat, Elbasan etj.. Terri informativ pas zgjedhjeve, arrestimet e burgosjet e militantëve të PD-së pa asnjë shkak, siç ishte dhe burgosja e gjashtë ishfunksionarëve të lartë shtetërorë të PD-së natën e 22 gushtit 1998, u bënë shkak për protesta të përditshme dhe daljen e grupit parlamentar të saj nga parlamenti. Vrasja e heroit të demokracisë shqiptare, Azem Hajdari, në 12 shtator 1998 e mbushi kupën e durimit.
Nisur nga revolta e demokratëve, realisht a e ktheu PD-ja në qëllim të saj marrjen e pushtetit përmes dhunës?
Në dijeninë time jo. PD-ja nuk donte të merrte pushtetin me dhunë se kjo ishte në kundërshtim me idetë e programin e saj demokratik. Militantët e PD-së deshën t’i tregonin PS-së forcën e tyre kundërshtuese ndaj represionit të kuq, duke u prerë rrugën arrestimeve e vrasjeve të militantëve të djathtë të denoncuara ndërkombëtarisht edhe nga PD-ja Kjo revoltë donte të detyronte PS-në në pushtet, të ndiqte rregullat e demokracisë, si e drejta për punësim e për të jetuar e deri tek liritë e të shprehurit të mendimit në TV e në shtyp, si dhe në ndarjen e pushtetit në institucionet e pavarura, siç veprohet kudo në botën demokratike. Gjithashtu, sistemi i drejtësisë u pushtua totalisht nga PS dhe KLSH iu dha një partie të vogël të djathtë me kryetar të caktuar nga Fatos Nano, që realisht i shërbente Partisë Socialiste. Nëse PD-ja donte të merrte pushtetin, do të kish marrë edhe Presidencën, gjë që jo vetëm nuk e bëri, por z.Berisha iu drejtua publikisht militantëve të PD-së të dorëzonin armët e të tërhiqeshin nga RTSH-ja e nga institucionet shtetërore. Çdo qeveri e qeverisje që tejkalon të drejtat e saj ligjore e demokratike duke nëpërkëmbur liritë e të drejtën për të punuar e jetuar është e destinuar të pësojë goditje jo vetëm nga militantët e një partie, por në radhë të parë nga populli, kur shkon në limitet e mbijetesës.
Si e kujtoni vrasjen e Azem Hajdarit më 12 shtator 1998 dhe si u përjetua kjo ngjarje e rëndë në Partinë Demokratike?
Unë në atë kohë kam qenë i arrestuar me procesin e montuar nga prokuroria e Arben Rakipit “Për krime kundër njerëzimit” së bashku së bashku me Safet Zhulalin, ministër i Mbrojtjes; Halit Shamatën, ministër i Brendshëm; Bujar Ramën, zv/kryetar i SHIK-ut; Sokol Mulosmanin, drejtor i komisariatit të Vlorës dhe Kreshnik Lushën, oficer madhor në Ministrinë e Mbrojtjes. Ne e fituam gjyqin kundër prokurorisë duke marre pafajësinë, vënien e dinjitetit tonë në vend si dhe dëmshpërblimin material. Vrasjen e Azemit e mësova në burg, ku e qava me dhimbje të madhe jo vetëm si lider të PD-së, por edhe si mik të ngushtë. Prandaj për këtë pyetje nuk mund të them asgjë më shumë.
Ku gaboi PD-ja përballë situatave të tilla? Cila ishte situata e brendshme në parti?
PD-ja gaboi fillimisht me fikjen e mocionistëve në gusht të vitit 1992 Arben Imami, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia, Perikli Teta dhe në prapaskenë Azem Hajdari, Genc Ruli, Merita Zaloshnja dhe sigurisht edhe Neritan Ceka, i cili në atë periudhë ishte jashtë PD-së. Më pas ai krijoi Partinë Aleanca Demokratike me këta persona, përjashto Azemin, Gencin dhe Meritën. Ne i përjashtuam nga grupi parlamentar me të padrejtë, vetëm se ata kërkonin më shumë demokraci të brendshme, por gabuan kur goditën të përndjekurit politikë Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Tomorr Dosti, Leka Toto etj. Shkaqet e kësaj lufte ndaj të persekutuarve politikë i kam shpjeguar në librin tim “Deformimi i Partisë Demokratike”, botim i vitit 2011. Berisha dhe ne të tjerët pas tij, i quajtëm sigurimsa që bënin lojën e PS-së, por fakti që ata u rikthyen në PD me detyra të larta partiake e shtetërore, tregon se për ato momente lufta bëhej për të dominuar PD-në, pra luftë për pushtet në mes këtyre themeluesve të PD-së dhe Berishës. Ne të tjerët mbanim anën e Berishës se nuk donim që ai të prekej nga askush, sepse mendonim që ai do të ishte shpëtimtari i Shqipërisë dhe i demokracisë, kur neve në fakt po mbysnim që në fillim lirinë e mendimit e të të shprehurit ndryshe, si një nga kushtet kryesore të demokracisë. Pas përjashtimit të tyre, PD-ja dhe grupi i saj parlamentar u dobësuan. Më pas u larguan Teodor Keko, më pas Abdi Baleta e Petrit Kalakulla, duke çuar në uljen e numrit të domosdoshëm të deputetëve për miratimin e Kushtetutës në parlament. Humbja e referendumit për Kushtetutën në 4 nëntor 1994 e dobësoi shumë grupin tonë parlamentar, që çoi në një gabim tjetër, atë të përjashtimit të z.Eduard Selami nga detyra e kryetarit të PD-së në vitin 1995, sepse ai pas referendumit kërkoi miratimin e Kushtetutës në parlament, kur numri i nevojshëm të votave që të miratoje Kushtetutën në parlament do të thoshte të merrje edhe votat e PS-së. Kjo gjë nuk mund të ndodhte, prandaj Berisha thoshte se ne nuk do ta miratojmë Kushtetutën e Gramoz Ruçit. Ne mbrojtëm opsionin e Berishës dhe goditëm z.Selami, i cili u largua fare nga Shqipëria. E vërteta ishte se Berisha imponoi referendumin për të ruajtur kompetencat e tij si President i Republikës, por edhe për të larguar Janullatosin nga kreu i Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare. Pas këtyre ngjarjeve negative për PD-në, u formuan dhe u zhvilluan 땂rmat piramidale, që bënë të humbnin paratë e tyre një pjesë e madhe e depozituesve, të cilët fajësuan PD-në si vjedhëse të tyre, një gjë tërësisht e pavërtetë, por që u shfrytëzua politikisht nga PS-ja. Më pas u hapën depot e armëve me forcë, të cilat u shfrytëzuan nga PS-ja për të rrëzuar PD-në nga pushteti në 29 qershor 1997. Pas këtyre ngjarjeve, gjendja e PD-së u përkeqësua shumë. U larguan një grup prej 14 deputetësh të PD-së me në krye z. Dashamir Shehi, Maks Konomi, Alfred Serreqi, Gëzim Luli, Tomorr Dosti, Menduh Derguti etj., të cilët kritikuan politikat e Berishës në fuqizimin e pushtetit të tij personal, të humbjes së demokracisë së brendshme në parti dhe sidomos për prishjen e PD-së me SHBA-të. Më pas u larguan me anë të një promemorje edhe 51 intelektualë të PD-së, duke fajësuar Berishën për gabimet që çuan në marrjen e pushtetit nga komunistët. Pas tyre pati largime të tjera dhe reduktime të ndjeshme të seksioneve të PD-së.
Si u zgjodh Z.Berisha kryetar i PD-së? Cilët ishin kundërshtarët e tij dhe përse u përça PD-ja pas këtij momenti politik të së djathtës?
Pas humbjes së PD-së më 20 qershor 1997, kryetari i saj, z.Tritan Shehu dha dorëheqjen dhe kryesia e PD-së mandatoi z. Berisha si drejtues të PD-së me sekretar të përgjithshëm z.Genc Pollo. Për të marrë legjitimitetin dhe organizuar PD-në u mblodh kongresi i IV i saj në 20-21 tetor 1997. Në fjalën e tij z.Berisha analizoi shkaqet e humbjes dhe faktin se me rikthimin e komunistëve në pushtet, puna e PD-së do të vështirësohej shumë (siç edhe u vështirësua). Ai vlerësoi demokratët e jugut, të cilët me vetëpërmbajtjen, tolerancën e qëndresën e tyre deri në martirizim kishin shmangur luftën civile në vend. Ai tha se monokracia ishte regjimi i luftës së klasave dhe zgjedhjet e 20 qershorit të 1997-ës nuk ishin zgjidhje, duke kërkuar zgjedhje të reja për të zgjidhur krizën. Në rezolutën e saj Kuvendi (kongresi), pranonte gabimet e PD-së në qeverisje, por pa vënë gishtin në plagë, pra ishte një autokritikë false, që u përsërit edhe pas humbjes në qershor të 2013-ës. Z.Berisha u zgjodh kryetar i PD-së përballë z.Pjetër Arbnori. Por, z.Arbnori denoncoi publikisht në mediat e kohës veprimin antistatuor të Berishës, i cili përfaqësuesin e z.Arbnori në numërimin e votave e largoi me shërbim në Shkodër në ditën e votimeve. Në kongresin e VI të PD-së më 1999, përballë Berishës kandidoi z. Genc Pollo, por që u tërhoq se nuk besoi se zgjedhjet do të ishin korrekte, kur pa se klima në sallë ishte kundër tij. Në atë periudhë z.Pollo e përkrahte zoti Leonard Demi e Ferdinand Xhaferri, i cili u largua në një mbledhje të Këshillit Kombëtar së bashku me z. Ylli Vejsiu, pas replikave të ashpra me z.Berisha. Më pas z.Ferdinand Xhaferri, Nard Noka e Leonard Demi iu bashkua partisë së re që krijoi z.Genc Pollo, i cili në zgjedhjet e vitit 2001 mori 6 deputetë. Dua të shtoj se kritika të shumta e të vazhdueshme ndaj Berishës ka pasur në kryesi, këshill kombëtar e kongrese duke filluar me z.Preç Zogaj në Kuvendin e parë në 1991, mocionistët në 1992, më pas Tomorr Malasi e Uran Butka, Pjetër Arbnori, Omer Stringa, Ylli Vejsiu, Dashamir Shehu, Alfred Serreqi e shumë deputetë e anëtarë të kryesisë e këshillit kombëtar, që më pas nuk u zgjodhën në organet drejtuese të PD-së nëpërmjet votimeve të manipuluara, ose një pjesë u larguan vetë. Kritikat kanë qenë kryesisht për rolin autoritar e vetëvendosës të Berishës në organet e zgjedhura, mosrespektim të statutit të PD-së, njëanshmëri në zgjedhjet e kandidaturave, mosrespektim të forumeve që nuk mblidheshin sipas statutit dhe sidomos për mungesë të demokracisë së brendshme në parti.
Çfarë solli në PD rikthimi i Eduard Selamit, apo rikthimi i të tjerë politikanëve si z.Pollo, z.Ruli, z.Imami etj.?
Rikthimi i Selamit në PD nuk solli asgjë të pritshme për të, sepse edhe pse u pranua, nuk e pati mbështetjen e z.Berisha, që të arrinte postin e sekretarit të përgjithshëm, të cilin sipas meje, e meritonte me eksperiencën dhe kontributet që nga fillimi i PD-së. Por, në PD nuk mund të bësh karrierë sado që të punosh po nuk pate mbështetjen e Berishës. Rikthimin e shumë udhëheqësve të PD-së në radhët e saj e kam parë si hap pozitiv, por nuk përjashtoj pazarllëqet për poste partiake e shtetërore, që do të thotë se afrimi i tyre me PDnë, më shumë ka qenë materialist se sa idealist.
Si e shikoni sot PD-në e drejtuar nga z.Basha?
Zoti Basha është një udhëheqës i aftë që ka dëshmuar suksese kur ka drejtuar si koordinator i PD-së në qarkun e Elbasanit. Për zgjedhjen e tij kam qenë gjithmonë kontestues, jo si person, por për mënyrën e përzgjedhjes së tij nga Berisha. Kryetar i një partie të madhe nuk përzgjidhesh, por bëhesh vetë nëpërmjet një konkurrence të fortë që nga baza e deri në kryesi. Zgjedhjet që organizoi Berisha ishin një farsë dhe jo të vërteta. Ky është sot shkaku që kryetari de facto është Berisha e jo Basha, i cili nuk ka asnjë kompetencë kryesore për të drejtuar PD-në sipas modelit të tij. Veç sa më sipër PD-ja nuk bëri një analizë të saktë, të pastër e të sinqertë për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve në 23 qershor 2013, që u pasua nga një humbje edhe më e thellë në zgjedhjet lokale të 2015-ës. PD-ja sot është rrudhur, ka humbur besimi i anëtarësisë se ajo vjen në pushtet me këtë mënyrë drejtimi, ku garda e vjetër me në krye Berishën dhe disa persona të privilegjuar të tij bëjnë ligjin në atë parti. Nuk jam për luftën e brezave në PD, ajo e dëmton atë, sepse eksperienca e veteranëve është e domosdoshme, por ata që janë shkaktarë të keqqeverisjes, korrupsionit, dështimit në qarqet që drejtonin, nuk mund të jenë më në udhëheqje të PD-së. – “GSH”.