Blerina Arbana, Shkolla e Baletit, ky laborator i vërtetë talentësh

(Nga Albina Gjergji)

I cilësuar edhe nga artistët si laborator modern eksperimentimi, zbulimi e kërkimi talentesh, Shkolla e Baletit është një nga institucionet arsimore më serioze në vend. Për të menaxhuar një shkollë të tillë, e veçantë në llojin e vet, nga e cila kanë dalë emrat më të mëdhenj të baletit shqiptar, sigurisht nuk është aspak e lehtë. Por nuk është as e pamundur. Me një eksperiencë 20-vjeçare mbi supe si pedagoge, e 10 të tilla si drejtoreshë, Blerina Arbana tregon se ky institucion ka arritur të ruajë vlerat e trashëguara, por edhe të korrë suksese të njëpasnjëshme në bashkëpunimet e shumta që ka me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe me shkolla të ndryshme jashtë vendit. Aktiviteti më i freskët që kjo shkollë ka marrë pjesë ishte ai i datës 23 prill në Antalia të Turqisë, ku u zhvillua Festivali Ndërkombëtar folklorik i fëmijëve nga mosha 10-13 vjeç me pjesëmarrjen e 80 shteteve të botës, pjesë e së cilës ishte edhe Shkolla e Baletit-Tiranë. Lidhur me përfaqësimin tonë në këtë aktivitet, znj. Arbana tregon se shkolla që ajo drejton u përfaqësua me vallen e Librazhdit, e cila është edhe pjesë e kulturës artistike popullore, që përfshin kërcimet tradicionale. Por ky është vetëm një aktivitet. Shumë të tjerë kanë prekur sukses kombëtar e ndërkombëtar e pikërisht për këtë, në “Koha Jonë”, Blerina Arbana rrëfen eksperiencën e saj me punën në grup, atë individuale, si dhe projektet e ardhshme që kjo shkollë do të realizojë.

Më datë 23 prill në Antalia të Turqisë u zhvillua Festivali Ndërkombëtar folklorik  i fëmijëve nga mosha 10-13 vjeç, ku morën pjesë 80 shtete, pjesë e së cilës ishte edhe Shkolla e Baletit-Tiranë, që ju drejtoni. Me ç’performanca u përfaqësuat ju znj. Arbana? 

Të gjithë shtetet performuan pjesë nga folklori i tyre. Shkolla jonë u përfaqësua me vallen e Librazhdit, e cila është pjesë e kulturës artistike popullore, që përfshin kërcimet tradicionale në raste festash e argëtimesh popullore. Bën pjesë në vallet lirike, të cilat zënë pjesën më të madhe në folklorin koreografik shqiptar, ku kërcehet kryesisht nga gratë dhe më pak nga burrat, ose të dy bashkë.

Po kostumografia si erdhi e konceptuar?

Edhe në kostumografi u paraqitëm me një ndryshim nga kostumet e tjera që përfaqësojnë krahina të ndryshme të vendit tonë, këtu nuk kemi xhubleta të trasha dhe të rënda, por fustanella të lehta dhe temina ngjyrë ari të varura në qafe, të cilat simbolizojnë monedhat (parate).

Atmosfera që Shkolla e Baletit krijoi në këtë eveniment me vallet e Librazhdit?

Jashtëzakonisht e bukur. Në muzikalitet dhe në kërcim u vu re energjia maksimale e balerinëve, e cila e bëri vallen edhe më të gëzueshme dhe më festive. Në pjesën moderato, ku morën pjesë vetëm vajzat ishte një fragment interesant, pasi ky fragment vë në dukje të thellë ndryshimet e muzikës dhe kërcimit, pasi në këtë pjesë lëvizjet janë më të shtruara, më lozonjare. Vallja e Librazhdit ka lënë gjurmët e saj dhe vazhdon të kërcehet nga Ansambli i Shtetit, si një nga vallet trashëgimi që përfaqëson folklorin shqiptar.

Sa kohë ju është dashur të përgatiteni për këtë ngjarje artistike ndërkombëtare dhe si u vlerësuan nxënësit tuaj? 

Për realizimin e kësaj koreografie kam punuar gjatë me nxënësit e klasës së gjashtë dhe të shtatë. Në këtë festival folklorik gjatë intervistave, koreografët më të mire botërorë e renditen performancën e nxënësve të shkollës sonë, si një ndër pesë performancat më të mira, ku nxënësit u vlerësuan si një ansambel artistik.

Ndërkohë këto ditë keni qenë në kontakt me regjisorin e koreografin e njohur të Rai Uno, maestron MvulaSungani. Po mendoni ndonjë bashkëpunim, duke qenë se kanë vizituar edhe ambientet e Shkollës së Baletit?

Po është e vërtetë. Këto ditë maestroja ishte vizitor në ambientet e Shkollës së Baletit dhe diskutuam për një projekt mbi lëvrimin e një zhanri të ri të stadit, Physical Dance edhe në shkollën tonë. Kemi lidhur kontratë për të krijuar edhe për t’i dhënë mundësi nxënësve maturantë për kontrata pune.

Në datat 13 dhe 16 maj në TKOB shkolla juaj do të zhvillojë dy mbrëmje Gala, ku më datë 16 të ftuar specialë do të jenë edhe Trupa Physical Dance. Na flisni pak më gjatë për këtë event dhe përfshirjen tuaj në këtë Gala?

Ky event tashmë është bërë traditë për shkollën tonë. Jeta të rezervon një labirint universal dhe çdokush ka një mundësi zgjedhjeje për të zbërthyer enigmat e tij, por një labirint delikat është edhe shpirti njerëzor që kërkon një laborator të veçantë eksperimentimi, kërkimi, zbulimi, që mund të jetë vetëm shkolla, sepse jeta është shkollë dhe shkolla është performanca më e mirë e jetës. Ndryshimi i vetëm është se nga dëshira e madhe për të promovuar talentet e dala nga kjo shkollë dhe për të pasqyruar punën e përditshme në disiplinën artistike, nga 1 mbrëmje Gala ne zhvillojmë 3 Gala. 1 mbrëmje Gala zhvillohet në muajin janar, ku marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollës, ndërsa 2 mbrëmje Gala rezervohen për fundvitin shkollor, ku në një mbrëmje performojnë nxënësit maturantë, ndërsa në mbrëmjen e dytë janë përsëri të gjithë nxënësit e shkollës, të cilëve i jepet mundësia të ballafaqohen me skenën dhe emocionet që të fal ajo. Në Mbrëmjen Gala të këtij fundviti shkolla jonë pas një bashkëpunimi të suksesshëm me Centro Regionale della Danza del Lazio, e drejtuar nga koreografi Mvula Sungani, do ketë kënaqësinë të shohë të demostruar në skenë teknikën inovatore të baletit Physical Dance. Balerinët e kësaj trupe pas një master-class të realizuar me nxënësit e shkollës sonë, do jenë të ftuarit specialë të mbrëmjes Gala.

Duke lënë pak mënjanë aktivitetet e shumta që organizoni dhe merrni pjesë, mund të na e thoni sa e vështirë është të drejtosh e menaxhosh një Shkollë Baleti, nga e cila kanë dalë emrat më të njohur të baletit?

Si drejtore e shkollës me një praktike pune të ushtruar prej 20 vitesh si pedagoge baleti, sigurisht që kam shumë për të folur. Mund të përqendrohem në pikat e dobëta, por edhe ato të fortat që shkolla jonë i përçon sot në sistemin arsimor kombëtar të vendit. Ne kemi pasur gjithnjë specifikën tonë profesionale, të formimit të thelluar në artin e baletit, ku nga dita në ditë, nxënësi fiton pjekurinë e skenës, përmes praktikës insistuese në përgjigje të nivelit të spektakleve. Ne e pajisim nxënësin me diplomën e maturitetit, e cila presupozon formimin në global të karakterit të tij, pa lënë mënjanë edukimin human dhe një gjë e tillë arrihet me një punë sistematike, disiplinë artistike dhe përgjegjësi profesionale të stafit të shkollës. Gjatë këtyre viteve në drejtim, unë tentoj të jem kërkuese konseguente në radhë të parë ndaj vetes, që shkolla jonë të funksionojë e të jetë moderne për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës. Programi didaktik i shkollës sonë u nënshtrohet dy disiplinave, asaj të Kulturës së Përgjithshme dhe asaj Profesionale, kështu që formimi i nxënësve mbështetet edhe mbi një bagazh të disiplinave koreografike dhe muzikore, duke i dhënë kështu hapësirë më të gjerë baletit klasik dhe ushtrimit të tij në vende të ndryshme. Shkolla jonë ofron mundësinë e një klime të një vatre të ngrohtë familjare, sepse fillon në klasë të katërt dhe mbaron në klasën e dymbëdhjetë, ku nxënësi edukohet moralisht dhe fiton cilësi të mrekullueshme humane, por edhe harmonizon profesionalisht thelbin e qënies njerëzore me shpirtin e artistit, që është oazi më i bukur dhe më i pastër që ushqen palmën e bukur të baletit, e cila të befason me freskinë, gjelbërimin dhe bukurinë e saj, që ka mbirë ashtu papritur në shkretëtirë atje, ku s’ta pret mendja dhe krijon dekorin më të bukur natyror, skenën, në të cilën kërkon të zbulosh artistin brenda qënies njerëzore dhe të zgjedhësh laboratorin e duhur. Këtë mundësi ta ofron vetëm shkolla jonë që, mendoj se ka përparësitë e veta.

Cilat janë vështirësitë konkrete që hasni dhe çfarë mund të bëhet më shumë për këtë shkollë, e cila duhet thënë që është ndër të paktat që nuk komentohet aspak për fenomene negative?

Po ke shumë të drejtë. Shkolla jonë është bërë një laborator modern eksperimentimi, zbulimi e kërkimi talentesh, sepse ne fillojmë përzgjedhjen e elementit qysh në klasën e katërt dhe domosdo pas një pune shumëvjeçare do të ndjesh sadisfaksionin, do të përjetosh emocione të tilla që t’i jep vetëm kjo shkollë. Të jesh artist nuk është aspak e lehtë. Të punosh me një artist është akoma dhe më e vështirë, sepse me të duhet të operosh me parametra dhe përmasa të tilla, që ai të jetë unik dhe specifik në profesionin dhe talentin e tij. Të flasësh për kushtet, ku ky artist (nxënës-balerin) punon dhe latohet nga mësuesit e mrekullueshëm, sigurisht që nuk është e lehtë, pasi infrastruktura në shkollën tonë linte për të dëshiruar. Më së fundi pas shumë vitesh në shkollën tonë do të bëhet rikonstruksioni i saj dhe kjo falë vëmendjes dhe kujdesit të veçantë të Kryeministrit Z. Edi Rama.

Mbështetja insititucionale dhe bashkëpunimet më të frytshme që keni pasur, qoftë me Ministrinë e Kulturës, ashtu edhe me atë të TKOB?

Shkolla jonë, si e vetmja shkollë në Republikë, mbulon të gjitha aktivitetet brenda dhe jashtë vendit. Gjithmonë shkolla bashkëpunon në mënyrë të ndërsjelltë me TKOB dhe nxënësit tanë janë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që ky institucion kërkon.

Prej sa vitesh jeni drejtoreshë e SHkollës së Baletit dhe puna në grup me profesorët e Baletit si shkon?

Kam qenë nxënëse e kësaj shkolle nga mosha 10-vjecare dhe jam shkëputur prej saj vetëm 4 vite që kam kryer Akademinë e Arteve. Kam 20 vjet që punoj si pedagoge dhe gati 10 vjet si drejtuese e saj. E rëndësishme është krijimi i një klime të ngrohtë në shkollë, pasi këtu bashkëjetojnë në mënyrë korrekte dy kultura, dy stafe të përkushtuar, që ua bëjnë më të lehtë punën njëri-tjetrit. Kam krijuar një klimë të mirë bashkëpunimi e mirëkuptimi mes tyre dhe komunitetit prindëror. Në stafin pedagogjik jam përpjekur të përçojë detyrat imediate që parashtron gjithë procesi mësimor, në mënyrë që ai të jetë rezulativ dhe i suksesshëm.

Projektet, kalendari i aktiviteve që keni deri në fund të shkollës?

Mbrëmjet Gala në TKOB, Festivalin Ndërkombëtar Folklorik që zhvillohet në Spanjë, Centro Regionale Della Danza Del Lazio – Itali, Festivalin Ndërkombëtar Folklorik që zhvillohet në Turqi, Festivalin Ndërkombëtar Folklorik  që zhvillohet në Francë.

Maturantët, procesi i provimeve si do të jetë sivjet?

Si çdo vit shkollor edhe këtë vit nxënësit maturantët do t’i nënshtrohen provimeve specifike në kulturën artistike dhe më pas do të zhvillojnë provimet në lëndët e detyruara të Maturës Shtetërore. E veçanta për maturantët e shkollës sonë është se mbrëmja Gala është specifike në llojin e një teme diplome, ku ata përfshihen maksimalisht dhe profesionalisht për të dhënë më të mirën e tyre, në lidhje më përgjegjësitë dhe pritshmëritë që ata kanë, në botën dhe sfidën e konkurencës, në rrugën e artit.

Duke qenë se Shkolla e baletit ndër vite ka prodhuar talentë, si e shikoni mundësinë e angazhimeve të nxënësve në botën e artit pas përfundimit të studimeve?

Si një shkollë me cikël të mbyllur, ku nxënësi quhet profesionist, kemi treguar ndër vite se talentet e dala nga shkolla jonë atashohen në teatrot më prestigjiozë botërorë, në TKOB, në të gjitha televizionet private dhe shtetërore në vendin tonë. Shkolla jonë vazhdimisht krijon lidhje me shkolla homologe, duke krijuar ura komunikimi dhe shkëmbime eksperience, ku nxënësit tanë kanë mundësi të shfaqin punën profesionale të zhvilluar ndër vite nga mësuesit tanë dhe talentin e tyre. Si rezultat i këtyre përpjekjeve dhe bashkëpunimeve të frytshme, në përfundim të shkollës, nxënësit e kanë pothuajse të gatshme dhe të shtruar rrugën e karierrës së tyre, si brenda dhe jashtë saj. Për këtë vit shkollor bashkëpunimi më i suksesshëm, i cili do i hapi rrugë talenteve të shkollës sonë është, Centro Regionale della Danza del Lazio, i cili ka bërë  një marrëveshje me shkollën tonë për të realizuar, seminare, ëorkshope dhe spektakle skenike, si jashtë dhe brenda vendit, duke i dhënë mundësi nxënësve të realizojnë ëndrrat e tyre si kërcimtarë profesionistë.

 

SHKARKO APP