Blerina Gjylameti: Zgjedhjet lokale, gratë çelësi i suksesit për të majtën
Intervista/Flet për “Koha Jonë” deputetja e PS-së lidhur me zgjedhjet e fundit lokale dhe aktualitetin e fundit politik në vend
Kuvendi i Shqipërisë kthehet gjithnjë e më tepër në një teatër, aq sa ironikisht pretendohet se kjo është arsyeja që çdo ditë e më tepër po humbet rëndësinë që ka pasur estrada e Tiranës.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, në një intervistë për “Koha Jonë” thotë se “aktualisht parlamenti është kthyer në një teatër të marrë peng nga trillimet dhe akuzat e ish-kryeministrit.” Gjylameti, në mandatin e saj të parë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë shprehet e bindur se qeveria Rama pas besimit që iu dha më 23 qershor ka ndërmarrë reformat e duhura, por përveç realizimit të tyre, po përballet me një opozitë destruktive, që sipas saj, vetëm di të protestojë por nuk dihet se për çfarë arsyeje apo qëllimi, përveçse dëshirës të rikthehet në pushtet. Në prag të zgjedhjeve lokale, Gjylameti shprehet e kënaqur më përfaqësimin e grave nga e majta dhe shpreh besim të plotë tek fitorja.
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Takimi i zhvilluar mes kryeministrit Rama, njëherësh edhe kreu i Partisë Socialiste me kryetarin e kuvendit Ilir Meta i cili drejton LSI-në, ka çuar në një marrëveshje për sa i përket përfaqësimit në zgjedhjet lokale ku PS do të marrë 45 bashki dhe LSI vetëm 15 prej tyre. Si do ta komentonit këtë marrëveshje?
Aleanca e Shqipërisë Europiane nuk është krijuar për të ndarë pushtetet dhe bashkitë por për ti dhënë jetë një qeverisje të bazuar mbi vlerat dhe mirëqeverisjen në të gjitha aspektet e saj dhe gjithashtu për të marë përgjegjësitë e duhura.Takimi i djeshëm vjen në vazhdën e takimeve të zhvilluara gjatë këtyre ditëve me synimin e vetëm për të përzgjedhur kandidatët më cilësorë dhe më përfaqësues të Aleancës për Shqipërinë Europiane për zgjedhjet lokale.
A ka patur preferenca të tjera përpos këtyre për qytetet e mëdha, apo edhe vetë qarqet elektorale, qoftë nga PS apo LSI?
Nuk diskutohet për preferencë e aq më pak për ndarje qytetesh, në zgjedhje ne do të shkojmë me kandidatë të përbashkët.
Kryeminstri ka lënë të hapur mundësinë që për Bashkinë e Tiranës koalicioni qeveritar të propozojë si kandidate një grua. Ka nisur të spekulohet për emra të mundshëm.
A janë diskutuar emra konkretë?
Besoj që shanset janë të barabarta dhe mundësia që një grua të jetë kandidate ekziston po aq sa të jetë një burrë. Më shumë se sa të diskutojmë nëse është burrë apo grua, unë besoj se duhet të fokusohemi tek vizioni që duhet të ketë kandidati i mundshëm për ti kthyer Tiranën qytetarëve dhe në këtë aspekt besoj se ka shumë për të bërë. Ka vite që Tirana është lënë në mëshirë të fatit dhe po kthehet në një qytet të pa banueshëm. Sot Tirana është më e pisët se kurrë më parë, me rrugë te zhytura në terr dhe nën kërcënimin e gropave dhe pusetave të hapura, pa gjelbërim, me kopshte në kushte skandaloze, me një shërbim publik jo të denjë për një kryeqytet Europian.
Në radhë të parë mendoj se Tirana ka nevojë sot më shumë se kurrë për Administrator të përgjegjshëm dhe shume qytetarë të ndërgjegjshëm .
Për herë të parë në këto zgjedhje a është përcaktuar ndonjë strategji konkrete që do të ndjekë koalicioni i majtë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit?
Përfaqësimi me 50 % në këshillat bashkiakë e grave dhe vajzave, përfshirja në lista e shumë të rinjve dhe të rejave si dhe përzgjedhja e kandidatëve të pa kontekstueshëm për bashkitë do të jetë strategjia dhe suksesi i Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Pezullimi i deputetit Tom Doshi nga Grupi Parlamentar Socialist ka ngjallur komente e reagime të ndryshme. Ju si do ta konsideronit e curinë e zhvillimeve politike pas përjashtimit të tij?
Ne si përfaqësues politik kemi një kontratë morale që nënshkruajmë dhe sa herë që me veprimet tona dëmtojnë imazhin e PS duhet të përballemi me pasojat dhe njëherazi edhe me vendime.
Pas gati dy vjet qeverisjeje, a i cilësoni normale marrëdhëniet midis koalicionit të majtë?
Absolutisht po. Mendoj se bashkëpunimi është ai i duhuri.
Opozita e drejtuar nga kreu i saj, Lulzim Basha ka sulmuar thuajse çdo reformë të ndërmarrë nga kryeministri Rama. Mendoni se kësisoj po bën detyrën e saj, apo duhet të ketë më tepër bashkëpunim?
Në gjithë këto muaj nuk kam dëgjuar qoftë edhe një propozim të vetën të opozitës në komisione që të vinte në ndihmë të qytetareve. Diskutimet e tyre tashmë janë vetëm sulme personale dhe jo analiza mbi punën e qeverisë, apo diskutime mbi ligjet në miratim. Bashkëpunimi me opozitën mungon tërësisht, sulmi mbi çdo reform tregon që kjo është një opozitë destruktive dhe me synimin e vetëm për të penguar realizimin e reformave , suksesi i të cilave do të sillte progres në rrugën drejt integrimit në BE.
Pak ditë më pare opozita organizoi një protestë, ndërkohë që ka bërë me dije se protesta të tjera do të ketë edhe në vazhdim. A ju duhen të drejta kauzat për të cilat opozita proteston?
E drejta për të protestuar nuk mund dhe nuk duhet ti mohohet askujt, personalisht besoj te protestat por nuk besoj aspak te opozita aktuale, lidershipi i saj dhe kauzat që zgjedhin për të protestuar.
Kauzat? Vetëm ata mund ti kuptojnë. Kanë filluar të protestojnë pa na e dorëzuar mirë pushtetin. Me sa duket e dinë si na e dorëzuan dhe në çfarë gjendje e lanë Shqipërinë.
Si një prej grave më të reja të parlamentit shqiptar, a besoni se është debati që zhvillohet aty, në nivelin që publiku pret?
Mendoj se jo, në të kundërt do të isha e zhgënjyer. Njerëzit presin nga ne të dëgjojnë për reforma dhe ligje në funksion të një jete më të mirë. Aktualisht është kthyer në një teatër të marrë peng nga trillimet dhe akuzat e ish kryeministrit.
A ka pasur kohët e fundit ndonjë diskutim apo mendim brenda së majtës, se ka ardhur nevoja për ndryshime në kabinetin qeverisës para zgjedhjeve lokale dheju personalisht a shihni se ndonjë ministër nuk është në performancën e duhur të qeverisjes?
Mendoj se është konstruktive që brenda së majtës dhe koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane kërkesa dhe pritshmëria në lidhje me performancën e qeverisë është e lartë. Mendoj se ministrat e qeverisë Rama kush më shumë e kush më pak kanë performuar mirë por duhet të kemi në konsideratë që kanë kaluar vetëm 500 ditë qeverisje dhe shumë reforma janë ende në rrugë e sipër dhe për të parë rezultatet do të duhet kohë.
Së fundmi, si deputete e Partisë Socialiste do të ishit e gatshme të merrnit postin e ministres nëse do të afrohej një i tillë në të ardhmen, duke qenë kryeministri Rama iu besoi pas 23 qershorit kryesisht atyre që nuk e kishin pasur një të tillë më parë?
Gjithmonë ka një herë të parë. Aktualisht ndihem mirë në punën që po bëj dhe kontributin që po japim së bashku me kolegët në komisionet parlamentare dhe në bashkëpunimin që kam me ministrat. Nëse do të vijë momenti jam e bindur se do ta vlerësoj seriozisht dhe do të mar vendimin e duhur.