Blushi: Me Nanon nuk komunikoj që nga viti 2007. Ja pse u shpërbë LMN
Deputeti i PS-së, Ben Blushi flet për Fatos Nanon, marrëdhëniet me Edi Ramën, kritikat e Taulant Ballës, si dhe për kandidimin e Erion Veliajt në Tiranë
Intervistoi: Blendi Fevziu
Çfarë keni thënë në tavolinën e PS kur jeni përballur me Kryeministrin?
Ato që kam thënë, i kam shkruar dhe ia kam thënë Kryeministrit në sy.
Ia ke thënë në sy Kryeministrit?
Po, patjetër.
Ka zëra seriozë në PS që thonë se ju artikuloni të tjera qëndrime në takime jopublike apo forume informale…
Është hera e parë që po e dëgjoj këtë që thua. Pyetja është sa të vërteta janë këto.
Përse tani, përse këto vërejtje?
Unë kam disa muaj që shkruaj. Praktikisht po them të njëjtat gjëra. Nuk kemi hapin e duhur për reformat…
A keni ndërtuar një program qeverisës, apo ka qenë një instrument…?
Unë kam bërë një debat më parë për programin. Në fakt, ne nuk kishim program në 2009. Pas humbjes së zgjedhjeve folëm për një program të cilit i kam besuar. Kam besuar që është e mundshme që të ketë një balancim të drejtë të taksave në Shqipëri. Pra, ajo formula e famshme ‘të rrëzojmë taksën e sheshtë dhe të përcaktojmë një taksë mbi punën dhe fitimin’.
Keni taksuar njerëzit më të shkolluar të këtij vendi dhe keni lënë biznesin?
Unë kam folur për parimin. S’mbaj përgjegjësi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, rritjes së çmimit të naftës… edhe për shkak të akcizës së lartë që i është vënë. Nëse ka sot Shqipëria një armik, kjo është varfëria…
Çfarë mase duhet të merrte qeveria kur 60 për qind e popullsisë nuk paguan energjinë?
T’iu japë kohë që t’i paguajnë. T’i mendojë si klientë? Jo. Unë para se të jem një klient, jam një qytetar. Bëhu pak më njerëzor, mblidhi faturat e energjisë në fillim nga shteti, më pas nga biznesi…
Kemi dy lloj qytetarësh, një që paguan taksat dhe një që zapton dhe i imponon shtetit dhe më pas thotë që s’kam lekë?
Nuk jam drejtori i OSHEE që të flas për këtë drejtim…
E keni thënë këtë brenda PS-së?
Partia Socialiste nuk ka forum. Ka një kryesi, një kryetar që zgjidhet njëherë në katër vjet. Ka një grup parlamentar dhe struktura të tjera. E di ti që këto nuk janë mbledhur? Më kanë thënë, ti pse s’flet? Po ku të flas? Zoti Rama nuk ka asnjë të drejtë të interpretojë statutin e partisë. Ti mendon se Rama ka të drejtë ta ndryshojë faturën e energjisë?
Jo, nuk ka.
Statuti i PS thotë se zgjedhjet për kryetar bëhen një herë në 4 vjet.
Po pse nuk flet njeri në PS për këtë?
Po nuk është pyetje për mua. Pse duhet të mbaj unë përgjegjësi për diçka që të tjerët nuk e ndajnë.
Ku dallon PS nga Rilindja?
Rilindja, filozofia, programi politik, u kthye në një parti brenda partisë e cila nuk ka rregulla. Prandaj nuk ka zgjedhje. E cila merr një vendim pa asnjë lloj kolegjialiteti.
Kë quan emërime pa vendim?
Dje po shikoja një funksionare të Ministrisë së Kulturës që mbronte Gërdecin. Pra janë bërë emërime klienteliste.
Nuk mund ta emërojë Rilindja një funksionare të tillë?
Rilindja, klientelë e Kryeministrit me rilindasit e tij po e degradojnë këtë projekt politik. Ata thonë se do ta rrisim çmimin e energjisë, në fakt kemi premtuar të kundërtën.
Kush është PS-ja dhe kush është Rilindja?
…Rilindja po fut në koalicion të gjitha partitë që ishin në koalicionin e shkuar. Gjinushi, Milo, këto parti ishin në koalicionin tonë. Ai koalicion u rrëzua me votën e shqiptarëve. Ky ishte koalicion paraelektoral. U votua, u amnistua nga njerëzit me 1 milion vota. Ky koalicion sot është koalicioni i Rilindjes. Nuk ka moral politik.
S’ka moral Rilindja apo PS-ja?
Prandaj kam shkruar fjalimin ‘Funerali i Rilindjes’.
Biseda juaj me Ramën për t’u përfshirë në qeveri?
S’kam bërë kurrë një bisedë që unë do isha apo jo në qeveri. Unë kam qenë ministër në vitet 2001-2005. Në vitin 2003, gati 20 vjet karrierë në PS, di shumë gjëra dhe kam thënë shumë pak gjëra. Kam qenë ministër në qeverinë socialiste kur i ndodhi një aksident që u formua edhe LSI. Pra nuk kishim mundësi të bënim zëvendësimin e ministrave për një periudhë kohe. I kam kërkuar kryeministrit tim në atë kohë, duhet të japësh dorëheqjen.
Fatos Nanos?
Po. Ai ka thënë në një takim që erdhi Ben Blushi dhe më kërkoi të jap dorëheqjen. Pra, të vërtetën e ndjek, jo gjithmonë e them, por e ndjek. Merr kronikat e kohës, deklarata e tetor-nëntor 2003. Nano ka thënë që Blushi ka ardhur në zyrë dhe më ka kërkuar të lë timonin e anijes.
Jeni penduar që në 2003 mbështetët Ramën kundër Nanos?
Nuk jam penduar fare. Ka qenë një akt miqësor dhe politik, megjithëse kur rikthehem në kohë kam shumë arsye ta shoh me pesimizëm. Kemi lënë rritjen ekonomike me 6 për qind… rritje ekonomike dhe rotacion politik.
Këtë e la edhe Ramiz Alia?
Nuk po i hyj kësaj pune. Nga ky grup që u ça, doli LSI dhe dolëm në zgjedhje, nga ku unë mbështeta Ramën. Me Ramën kam pasur një bisedë, që unë do të mbështes deri në ditën kur humb zgjedhjet, më pas jo. Ka humbur zgjedhjet në vitin 2009.
Rama ka insistuar që i kishte të vjedhura…
Kam besuar t’ia lëmë Berishës në histori këtë damkë. Zgjedhjet e 2009-s s’kanë qenë perfekte, por që Rama për të mbajtur karrigen e PS-së abuzoi sepse ne morëm një mandat më pak.
Për Nanon, a qëndron Fatos Nano pas kësaj iniciative dhe a keni biseduar për këtë?
Mbas meje nuk qëndron askush tjetër.
Keni biseduar me Nanon?
Kam që nga korriku 2007 që nuk kam asnjë komunikim. Dhe kjo sepse ai mori përgjegjësinë që çoi 6 deputetë të votonin për Topin (President) dhe nuk kam projekt të përbashkët. Shumë vullnet kam dhe shumë mbështetës dhe shumë të drejtë, për të korrektuar kursin e kësaj partie.
Nëse mbeteni në minoritet?
Ti mendon se e vërteta është minoritare?
Tom Doshi foli shumë pak dhe u përjashtua…
Unë jam një shkrimtar. Ti beson se ambasada e SHBA-së do të bëjë një deklaratë për përjashtimin e një shkrimtari?! Unë në atë parlament shkruaj libra akoma. Ky është një parlament që po diskreditohet çdo ditë. Po pse, sepse ka shkrimtarë? Jo. Në Parlamentin e Shqipërisë po hyjnë njerëz që po akuzohen për vrasje… S’jam bërë deputet për këto arsye…
(Sinkroni i kryeministrit Edi Rama për Ben Blushin: S’komentoj komentatorët)
Si i komentoni qëndrimet e Kryeministrit ndaj jush, ju është përgjigjur…?
Edhe unë nuk komentoj komentatorët, se komente bëri.
A ka të drejtë zoti Balla për kritikat tuaja?
Taulanti meritonte një përgjigje pak më të ashpër nga ajo që do jap… Por një njeri që del e flet me gjuhën e Saliut, nuk e pranoj.
Ky është një kërcënim?
Po, sigurisht. Në 20 vite një kompromis nuk kam bërë. Dhe të dalë ky tani dhe të më thotë që ti flet si Saliu…
Në terren shqiptar po flasim tani?
Kush e dëmton më shumë PS-në, unë që them që kështu nuk qeveriset… ti më ke thënë që legalizimet janë falas. A janë falas? Jo nuk janë. Kush i ngjan më shumë Saliut? Nuk e kuptoj si i mbron ky këto vendime personale. Nuk janë vendime kolegjiale.
Pse po e bëni tani para zgjedhjeve, doni të dëmtoni PS në zgjedhje?
Unë nuk u ngrita sot nga gjumi, pashë një ëndërr të keqe me ballistë të partisë sime dhe flas. Kam disa muaj që po flas. Unë dua me çdo kusht që të gjithë mundësisht kandidatët e PS të fitojnë në këto zgjedhje.
E doni realisht?
Nuk e kam propagandë. Kemi arsye të fitojmë akoma, sidomos për shkaqe të koalicionit dhe për shkaqe se ka një opozitë të degraduar, e cila s’ka asnjë impakt mbi mendimin politik të shqiptarëve. Do bëj ç’është e mundur kudo ku unë kam mundësi që kandidatët e PS të fitojnë në këto zgjedhje.
Ku do shkoni, kë do ndihmoni?
Kudo. Do kisha shumë qejf të shkoja të ndihmoja kandidatin tonë në Vlorë. E dini pse? Sepse më duket një njeri i ri, ndoshta s’ka eksperiencën e duhur, por më pëlqen.
Po në Tiranë?
Pa dyshim edhe në Tiranë, megjithëse do i thosha Erionit që duhet të bëjë shumë përpjekje, jo për të më bindur mua, por për të bindur gjithë socialistët e Tiranës se nuk ka qenë kundër tyre realisht në vitin 2005, kur i gjuante qeverisë sonë dhe kolegëve në parlament që u kërkoi vota me vezë e domate që ia blinte Edi Rama. Këtë këshillë do ia jepja Erionit. Por padyshim që do ta ndihmoja në fushatë sigurisht.
Do ta ndihmoje në fushatë?
Po, padyshim.
Je dakord me mënyrën sesi u përzgjodh, do ishte kandidati më i mirë?
Për të gjitha ato shkaqe kam thënë që ky ishte fundi i një procesi që nuk ishte proces dhe kjo është e vlefshme po deshe edhe në Tiranë. Sado që e thashë, dua që Erioni të fitojë, por kjo është e vlefshme edhe në Tiranë. E di pse? E di kë propozoi partia e Tiranës? Dy kandidatë: Pandeli Majkon dhe Blendi Klosin. Askush nuk e pyeti partinë e Tiranës dhe u vendos Erioni.
Ka qenë propozuar dhe Erioni?
Jo, s’ka qenë. Partia nuk e ka propozuar. Kjo nuk do të thotë që u them njerëzve që mos e votoni. Por po jap një dëshmi.
Si kandidat në vetvete, cili është opinioni juaj?
Unë besoj që Erioni ka rrëzuar shumë paragjykime që shumëkush mund të ketë pasur për të këto dy vjet. Dhe realisht ka dhënë përshtypjen e një njeriu që do të ndryshojë imazhin e ministrisë ku ka shërbyer. Thashë duhet të rrëzojë dhe këto paragjykimet e vogla që kanë socialistët për të. Por besoj se në përgjithësi është një njeri që ka për t’i fituar këto zgjedhje.
Do i fitojë për arsye se i meriton, apo për votat e PS-së?
E para, PS ka mjaftueshëm vota në Tiranë me koalicionin e ri dhe të vjetër, dhe e dyta, se ka përballë, fatkeqësisht do thosha unë, kandidatin e mirë të një partie të keqe. Pra nuk e rivalizon dot.
Po ju kritikoni qeverinë dhe këtej do shkoni të votoni kandidatin e saj. Pse?
Unë besoj se këto dy gjëra njerëzit kanë arsye të mos i lidhin. E dyta, këto janë zgjedhje lokale dhe zgjidhen administratorët e qyteteve.
Çfarë kërkoni?
Kërkoj zgjedhje brenda PS-së.
Nëse nuk bëhen zgjedhjet?
Do të vazhdoj të kërkoj këto zgjedhje… Pas zgjedhjeve të qershorit kërkoj që PS-ja të marrë në konsideratë, pra të analizojë realisht efektet që i ka dhënë qeverisja dyvjeçare çfarë ka prodhuar… Ne duhet ta rishikojmë programin…
Çfarë alternativash ke për ato që ke parashtruar?
Unë po them që kam. Unë nuk kërkoj vota me mendimet e mia… Kërkoj kongres të jashtëzakonshëm, sa efekte ka pasur programi, si është ndryshuar, si duhet ndryshuar, atëherë aty unë do të jap mendimet mia…
Do të vazhdoni të flisni?
Unë do të flas pa pushim…
Çfarë ka bërë mirë kjo qeveri?
Ka bërë një reformë, që është ajo territoriale…
Marrë me shkurtime nga emisioni “Opinion”