Boçi: Mosrealizimi i reformës zgjedhore, strategji e mazhorancës

“Pushteti, korrupsioni, paraja e buruar nga krimi, droga, koncesionet do të mund të jenë efektive pa një reformë zgjedhore”

Deputeti demokrat evidenton si kryengjarjen e vitit, që nisi me kriminalizimin, kanabizimin e plotë të Shqipërisë

Nga Herion Mesi

Në një përmbledhjev të ngjarjeve politike gjatë këtij, që është në prag të mbylljes së tij, deputeti demokrat Luçiano Boçi, evidenton si kryengjarjen e vitit, realizimi i kanabizimit të plotë të Shqipërisë nga ana e kësaj qeverie. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Boçi shprehet se kriminalizimi hapi siparin e këtij viti, ndërsa hashashizimi e mbylli atë. Dhe në mesin e këtyre skajeve nuk mungojnë skandalet e vogla dhe ato të mëdha të kësaj qeverie, ku për të, e vetmja hajmali e këtij viti është votimi konsensual i ndryshimeve kushtetuese. “Në këtë vit qytetarët panë qartë pamjen dhe përbërjen e kastës që ka kapur prej fyti demokracinë dhe që i ka kapur ato prej astarit të xhepave. Pa harruar që ishte viti më i errët i lirisë së medias”- thotë Boçi. Ndërsa lidhur me debatin mes tij dhe kryeministrit Rama lidhur me rezultatet e larta të nxënësve shqiptarë në testin e PISA-s, kreu i Departamentit të Arsimit dhe Medias në PD shprehet se nxitimi i kryeministrit për ta paraqitur këtë rezultat, si sukses të “reformave” të tij, ishte sa profan e idiot nga pikëpamja profesionale, “po aq populist e djallëzor për të marrë kapital politik”- shprehet Boçi. Ndërsa lidhur me reformën zgjedhore dhe përgatitjen e PD-së në përballjen e radhës me mazhorancë, Boçi shprehet se mosrealizimi i reformës është strategji e mazhorancës, pasi pushteti, korrupsioni, paraja e buruar nga krimi, droga, koncesionet do të mund të jenë efektive pa një reformë. Nga ana tjetër, Boçi thekson se PD ka përgatitjen e plotë të platformës programore, e cila ka nisur të shpaloset nga Kryetari Basha hap pas hapi. Sikurse ka përpunuar dhe strategjinë e saj, të cilën ka nisur ta zbatojë, jo thjesht në thirrjen për hapjen dhe komunikimin me qytetarët, por dhe në format organizative të një formacioni të strukturuar, idealist e me vizione shprese për qytetarët, të cilët e kanë humbur gjatë këtyre 3 viteve të qeverisjes së vendit nga mazhoranca e majtë.

Zoti Boçi, sesioni parlamentar është drejt mbylljes, por në këto javët e fundit janë shënuar një sërë ngjarjesh politike, si: diskutimi për çeljen e negociatave me BE-në për anëtarësimin e Shqipërisë; debatet për reformën në drejtësi, në veçanti ai për ligjin e Vetingut; debatet për arsimin e lartë, apo edhe debate për buxhetin e vitit të ardhshëm! Por ky vit shënoi dhe konsensusin për ndryshimet e Kushtetutës. Në fakt, cili është vlerësimi juaj për këtë vit?

Ka qenë vit intensiv politik, i mbushur me ngjarje politike. Krahas tyre të përmendura nga ju, do theksoja si tepër të rëndësishëm demarshin e opozitës për vënien në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, i cili dokumentoi dhe provoi pa asnjë ekuivok kriminalizimin e mazhorancës ne nivel lokal dhe qendror. Përpjekjet kulmuan me dorëheqjen dhe tërheqjen nga dorëheqja të Roshit të Kavajës, pas mbrojtjes që mori nga padroni i tij Rama. Siç u ndez ashtu dhe u shua zbatimi i tij. Në mungesë të plotë të vullnetit mazhorancës për ta zbatuar atë. Megjithatë kryengjarja, është realizimi i kanabizimit të plotë të Shqipërisë. Nga Republika e korrupsionit të bananeve që na qeverisin, ne morëm dhe kopirajtin e Republikës që qeveriset nga hashashi. Kriminalizimi hapi siparin e këtij viti dhe hashashizimi e mbylli. Brenda këtyre dy skajeve kuptimplote, kulmuan dhe ngjarjet e tjera të reformës në drejtësi, të vettingut të lidhur me të, të hapjes së negociatave, të pranimit të maturantëve në Universitete, të buxhetit luksoz për baronët qeveritarë, bllokimit të negociatave, të dështimit të reformës zgjedhore. Pati dhe të tjera. Ndoshta më të vogla. Si skandale e megaskandale, koncesione arbitrare, tendera abuzivë, hajdutëri me shumicë, kaçakllik me bollëk, përmbytje masive, vrasje e vetëvrasje nga varfëria, burgosje të njerëzve të thjeshtë e zhburgosje spektakolare të “VIP-ave”, të cilat gurrën e tyre e kanë tek qeverisja. Tek stili i saj tejet harbut e arrogant, babëzia përtej çdo “futje dore në thes”, tek simbioza e saj me botën e krimit, tek narcizmi dhe komplekset e një Kryeministri që e di se vendi ku ka lidhur gomarin e tij është qendra e botës. Gjendja e tij permanente është In Delirium. E vetmja “hajmali” e këtij viti ishte votimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi me 140 vota. Kjo falë angazhimit të opozitës për ti dhënë shqiptarëve një drejtësi të drejtë dhe të pa ndikuar e të pa kontrolluar nga politika. I vura në dukje dy skajet e lartë përmendura si më pikantet, sepse në tërësinë e tyre ato kanë ndikuar dhe në stanjacionin e Vettingut apo në bllokimin e hapjes së negociatave. Është alogjike dhe e papranueshme që Vettingu, “qërimi” i drejtësisë nga krimi korruptiv, t’i lihet në dorë kryekurropsionistit, që vetë OSBE e ka cilësuar si Misteri 200 milion dollarësh. Vettingu “i madh”, nuk mund t’i atashohet si detyrë funksionale, një mini bande që e ka “shtëpinë” brenda zyrës së Ramës dhe që janë buratinë të tij. Besueshmëria që ka Rama, në opinionin e brendshëm dhe jo vetëm, për shkak se cilësohet si njeriu që e ngriti krimin në piedestalin politik, është nën zero. Ishte po ky implikim i tij me krimin, korrupsioni i llahtarshëm në të gjitha nivelet, si dhe projekti i tij politik për të blerë pushtet me kanabis ato që vendosën traun e negociatave. Ka qenë njëkohësisht dhe viti i zbulesës së një koalicioni mazhoritar që nuk e ngjizën as parimet e as idealet. Që u mbars e u bekua me qelbsinllëk dhe mbahet në këmbë për hajdutllëk. Në këtë vit qytetarët panë qartë pamjen dhe përbërjen e kastës që ka kapur prej fyti demokracinë dhe që i ka kapur ato prej astarit të xhepave. Pa harruar që ishte viti më i errët i lirisë së medias.

Ditët e fundit jeni përfshirë në një debat në distancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me rezultatet e gjimnazistëve në testin e PISA-s, ku ju ia atribuoni qeverisjes së mëparshme dhe kurrikulave të mëparshme suksesin e gjimnazistëve, ndërsa zoti Rama thekson se rezultatet janë si rezultat i kurrikulës së re. Në fakt a ka vend për një debat të tillë? A mos do ishte më mirë sikur energjitë politike të përqendroheshin në një debat konstruktiv për përmirësimin e mëtejshëm të kurrikulave apo teksteve mësimore?

Arsimi është një e mirë publike dhe është e udhës që investimi politik për të produktuar më të mirën në çdo rast, të ishte përtej përfitimeve politike të momentit. Bashkohem me opsionin tuaj të domosdoshmërisë së një debati konstruktiv dhe ne nuk kemi hezituar ta bëjmë një gjë të tillë. E keqja është se, në çdo rast, kemi hasur në një mur të shurdhër, i ngritur mbi dogma, klishe, paaftësi, nihilizëm e arrogancë. Kështu ka ndodhur me ndryshimet absurde në ligjin për sistemin parauniversitar. Po kështu me Ligjin shkatërrues të universiteteve Publike, për arsimin e Lartë e në vazhdimësi me të gjitha arbitraritetet e prodhuara me shumicë nga MAS dhe Kryeministri për mësuesin, nxënësin, strukturën, kurrikulat etj. Testi reputativ PISA, i cili ka një periodicitet 3 vjeçar, me prioritet një nga fushat shkencë, lexim, matematik (çdo 3 vite një fushë ka peshën kryesore 70% të pikëve, dy të tjerat ndajnë 30%) mat njohuritë e aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në klasë të nëntë, për të komunikuar, përdorur dijen, zgjidhur situata, për të ditur dhe pasur besim tek ajo, pse dhe si duhet të mësojnë, krahasimisht midis vendeve anëtare, ose partnere të OECD dhe të tjera. Në krahasim me 2012, ku fushë kryesore ishte matematika dhe ata u renditën të 57-tët, në 2015 u renditën të 51-tët me shkencat në qendër të rëndësisë. Më parë nuk ka pasur konkurim me këtë fushë themelore. Nxitimi i kryeministrit për ta paraqitur këtë rezultat, si sukses të “reformave” të tij, ishte sa profan e idiot nga pikëpamja profesionale, po aq populist e djallëzor për të marrë kapital politik. 15 vjeçarët në klasë të nëntë nuk u bën kaq për dy vite. Formimi i tyre ka nisur që në 2007 me kurrikul programe e tekste që nuk janë ndryshuar dhe ka vazhduar për shumë vite. Këtë e di dhe bufi – është ajo shprehja – por jo kryeministri. Ato realisht janë brezi që reflektojnë rezultatin e reformave pikërisht të PD, që u ndërmorën që më 2007 e kulmuan në 2012, me futjen e altertekstit, me hartimin e një strategjie të qartë, hartim e standarteve të nxënit, të kualifikimit të mësuesve dhe të pasurimit e përmirësimit të infrastrukturës shkollore. Testi tregoi që njohuritë e aftësitë e tyre janë solide, në rritje të vazhdueshme, falë pikërisht atyre kurrikulave dhe teksteve që sot anatemohen. Progresi ndjek trendin e rritjes të vërejtur nga 2000 në 2009 dhe nga 2009 në 2012. 2015-ta konkludoi suksesin e nisur. Ndryshimet sporadike që MAS ka bërë i përkasin klasave 1,2 dhe 6,7 pa impakt në klasën e 9-të të 2015 dhe do jenë ende po pa impakt dhe për 2018. Për më tepër pozita e mësuesit, vlerësimi i nxënësit, kualifikimi i tij, infrastruktura shkollore ka shkuar drejt degradimit total. Rama duhet të presë më shumë, për të provuar goditjen fatale që i ka dhënë arsimit.

Si anëtar i Komisionit Parlamentar të Arsimit dhe Medias, a jeni njohur me projektligjin e qeverisë që parashikon mbylljen e “portaleve anonime”? A ka lidhje kjo nismë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Propozimi në fakt është bërë në komisionin e reformës zgjedhore dhe i përket Kodit Zgjedhor. Sigurisht kërkesa nuk është as sporadike dhe as e rastit. Portalet janë kthyer në “mallkim” të kësaj qeverisje, për shkak, jo vetëm të përhapjes së tyre, por mbi të gjitha për faktin se janë bërë sot e vetmja dritare, nga ku mund të kundrosh të vërtetën e kësaj qeverisje të mbrapshtë. I kanë shpëtuar censurës në shumicë dhe janë në invadim progresiv, për shkak të përkrahjes masive të teknologjisë. Qeveria ka kohë që investohet për ti mbyllur gojën ose ekzistencën. Rasti i Hashtag, është domethënës. Nervozizmi i saj është në rritje, me afrimin e fushatës dhe iniciativa dhe gjuha e artikuluar nga Z. Balla, e dëshmon një gjë të tillë. Qëllimi mbetet manipulimi i opinionit me “shërbëtorët” aktivë mediatikë, përtej portaleve. Propozimi i ngjan direktivave të tipit regjim, nga i cili për hir të vërtetës nuk jemi aq larg për mos të thënë që regjimi i kastës tashmë është instaluar. Kërkesa për mbylljen e tyre, kur janë “anonime” tingëllon e “çuditshme”, sikurse pengesa për të bërë sondazhe gjithashtu. E them këtë se, deri më tani, nuk ka një ligj specifik që i detyron portalet të kenë një regjistrim në AKEP, apo të mos bëjnë sondazhe të opinionit për tema sensitive, meqenëse hostuesi i tyre, ose adresa, mund të jetë jashtë territorit të Republikës. Ligjet ndërkombëtare nuk e konsiderojnë ilegale një lidhje hostimi të tillë. Ky propozim, domosdo të çon tek dyshimi se, në Kuvend mund të vijë së shpejti ligji “Harito” për portalet, i inkuadruar arbitrarisht në “Ligjin për tregtinë elektronike”. Ky ligj ose më saktë ndryshim, është kundërshtuar fort nga grupet e interesit mediatik, pasi vendos një censurë të paimagjinueshme ndaj lajmit dhe ndaj komentit në portale, blogje dhe rrjete sociale, me efekte të rënda dhe antikushtetuese. Aq më tepër një ndërhyrje e tillë në Kodin Zgjedhor, nuk aplikohet në asnjë prej vendeve demokratike për portalet ose median online në tërësi. Frika e së majtës duket legjitime përballë shkatërrimit ët reputacionit të saj dhe rënies relative të besueshmërisë së mediave tradicionale të cilat në shumicë janë nën sqetullën e mazhorancës.

Duke qenë se jemi tek zgjedhjet, të paktën deri tani, duket se komisioni për reformën zgjedhore ka dështuar në misionin e tij për ndryshime thelbësore në Kodin Elektoral. Nisur dhe nga rezultatet e PD-së zgjedhjeve të pjesshme që u zhvilluan këtë vit në Dibër dhe Kolonjë, ku e djathta sërish shënoi në këto bashki humbje më të thellë se garën e 2015-ës, si e shikoni mosrealizimin e reformës zgjedhore?

Mosrealizimi i reformës është strategji e mazhorancës. Pushteti, korrupsioni, paraja e buruar nga krimi, droga, koncesionet do të mund të jenë efektive pa një reformë. Këtë ata e dinë mirë dhe “provat e zjarrit” për efektshmërinë e blerjes dhe rrëmbimit të votës i kaluan me sukses në Dibër e Kolonjë dhe më parë në Korçë. Në këtë kontekst, mazhoranca është krejtësisht e disinteresuar për të bërë një reformë të tillë, e cila do përfshinte votim e numërim elektronik e masa të tjera që do rrisnin transparencën dhe drejtësinë e votës. Madje përkundër kësaj kërkojnë favore. Favore si kjo e mbylljes së gojës së medias online.

Viti i ardhshëm do jetë një vit elektoral, a ka PD-ja dhe opozita një platformë të qartë dhe një strategji konkrete që zhgënjimin e qytetarëve nga qeveria e majtë ta përkthejë vota në favor të saj? Pasi duhet thënë se këtë vit, opozita është shfaqur e vakët në organizime protestash, edhe pse problematikat nuk kanë munguar?

PD ka përgatitjen e plotë të platformës programore, e cila ka nisur të shpaloset nga Kryetari Basha hap pas hapi. Sikurse ka përpunuar dhe strategjinë e saj, të cilën ka nisur ta zbatojë, jo thjesht në thirrjen për hapjen dhe komunikimin me qytetarët, por dhe në format organizative të një formacioni të strukturuar, idealist e me vizione shprese. Aktiviteti opozitar, ka qenë intensiv dhe me kulme suksesesh siç janë dekriminalizimi, reforma në drejtësi apo denoncimet e vazhdueshme. Në fokus të retorikës sonë politike në parlament, media apo foltore selie, ka qenë diskretitimi i kësaj qeverisje me fakte konkrete për krimin në rritje, për koncesionet, për përfshirjen e shtetit në krim, apo favore të krimit, për dështime e marrëzi në shëndetësi, arsim, ekonomi, papunësi, shqetësime të biznesit, pavëmendje ndaj fermerëve, etj.. Protesta është një ndër format efikase të luftës politike, por jo e vetmja dhe e fundit. Duhet. Në kohën e momentin e duhur do të vijë dhe ajo. Të gjitha i shërbejnë një qëllimi: kthimit të shpresës dhe realizimit të saj nëpërmjet PD.

SHKARKO APP