Boçi: Reforma në Drejtësi kalon me 10 kushtet e PD-së
Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: “Armiku i qeverisë është mësuesi i keqtrajtuar si mall tregu”
Intervistoi: Redjon Shtylla
Tryeza politike mbetet e vetmja mënyrë për një dakordësi konsensuale në lidhje me reformën në drejtësi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi është shprehur se: “Për plan “B” ose “C”, unë di që Rama flet vetëm, sepse për reformën realisht ka vetëm një rrugë, të mbështetur plotësisht nga ne”. Sipas z.Boçi, kjo është mënyra që ka prezantuar Komisioni i Venecias dhe politika ndërkombëtare. “Tryezë politike për të diskutuar mbi baza të sinqerta 10 çështjet që ka ngritur opozita”,- shton deputeti. Krahas bojkotit në seancat plenare, opozita i ka marrëdhëniet e ngrira dhe në komisionet parlamentare, ashtu siç dhe z.Boçi ka pranuar se pa u plotësuar kushtet e PD-së nuk do të ketë pjesëmarrje.
“Dekriminalizimi”, Kryeparlamentari Meta ngre strukturën e vetëdeklarimit. A mund ta konsiderojmë këtë pikë një sukses të opozitës dhe në seancën e radhës a do të kërkoni si grup sërish për çështjen e tre deputetëve; Leskaj, Kokëdhima dhe Suli?
“Makineria” e dekriminalizimit, me iniciativën, investimin, e ngulmimin tonë si dhe me bekimin që ka marrë nga institucionet e përfaqësuesit ndërkombëtarë si dhe nga opinioni i brendshëm, duket se është vënë në lëvizje. Padyshim arkivohet si sukses madje i spikatur i PD-së. Por nuk ka vend për eufori dhe entuziazëm fals. Mos të harrojmë se janë dashur disa seanca dhe vendime ekstreme të përsëritura të opozitës që të arrinim në këtë pikë të dëshiruar, por që është ende në fillimet e saj. “Shkopat nën rrota” nuk janë reshtur ende. Ato priten të jenë aktive në vazhdim, për të shmangur efektet drastike të tij në radhët e një maxhorancë që inkriminimin e ka vetëshpallur “medalje trimërie”. Impostimi ligjërimor dhe veprimet demonstrative të Ramës, i cili sillet vërdallë publikisht si “rosh”, i rrethuar me “roshat” e vet, dëshmojnë se vullneti i maxhorancës për të zbatuar këtë ligj, është zero. Refuzimi i tij për të amenduar këtë ligj, në pikën që ndalon personat e zgjedhur që kryejnë vepra të rënda penale ndaj jetës së tjetrit, të marrin pjesë në seancat plenare, është një “karshillëk” ligjor dhe hapur “marrje nën sqetull e krimit”. Rama duket se nuk mund të bëjë dot pa votën e krimit. E dashuron marrëzisht si sjellësin e tij në pushtet, por njëkohësisht dhe ja ka nevojën jashtëzakonisht. Krimi është dega ku është ulur Rama dhe pushteti i tij. Dhe ai nuk mund ta presë atë. Sikurse ne nuk mund të rrimë në pritje që të jetë ai prerësi i kësaj. E ngjashme është dhe situata me deputetët që kanë kryer akte “kusarie” ndaj pasurisë publike, duke përfituar fonde për vete ose familjarët, në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, për shkak të qenurit në pozita pushteti. Mandati i Kokëdhimës tashmë ka shkuar në kushtetuese. Për Sulin është votuar kundër nga maxhoranca megjithëse parlamenti, sipas dhe vendimit për rastin Kokëdhima, nuk ka tagër të pengojë dot vajtjen në gjykatën Kushtetuese të çështjes, kur ajo kërkohet nga një numër i caktuar deputetësh. Qëllimi ishte zvarritja e procesit, që mandati të arrijë kufijtë e zbatimit të tij kohor. Në të njëjtën formë po veprohet dhe me Znj. Leskaj. Kërkohet të fitohet kohë për të shmangur humbjen e mandatit ose minimalisht shpëtimin nga prishja e kontratës së fituar për koncesionin e hekurudhave shqiptare. Zvarritet pa shpjegim kërkesa jonë për të votuar vlefshmërinë e mandatit të saj me truke nga më të ndryshmet, kur shkelja është e hapur dhe e pranuar botërisht. Kërkesa jonë nuk ndryshon si për këto raste, ashtu dhe për rastet e komisioneve hetimore dhe rastin e amendimit të ligjit të dekriminalizimit.
z.Basha nga SHBA është shprehur se do të kemi një tryezë politike për reformën në Drejtësi. Ditën e djeshme u mblodh komisioni i posaçëm. Si do ti gjykoni qëndrimet dhe cili do të jetë roli i PD-së, çfarë plani do të ndjek më tej?
Për plan “B” ose “C”, unë di që Rama flet vetëm, sepse për reformën realisht ka vetëm një rrugë, të mbështetur plotësisht nga ne. Kjo është shprehur qartazi nga Komisioni i Venecias ashtu dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë partnerë ndërkombëtarë, të interesuar drejtpërdrejtë për çështjen. Reforma përcaktojnë ata, kalon nga konsensusi politik. Në konkluzionet e tij, Komisioni i Venecias ka faktuar edhe njëherë tentativën e Edi Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë duke rrëzuar për herë të dytë draftin qeveritar për reformën në drejtësi dhe duke dëshmuar se drafti shkel rëndë Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe duke i qëndruar parimeve të shprehura në Opinionin e Ndërmjetëm të 21 Dhjetorit 2015, të cilat shprehin shqetësimin për kapjen politike të sistemit të drejtësisë nga maxhoranca aktuale. Ky Komision i ka gjetur të drejta shqetësimet e ngritura nga opozita dhe e ka vlerësuar atë për kontributin konstruktiv të dhënë në proces. Ka vlerësuar taksativisht se çështjet që trajtojnë amendamentet kushtetuese, janë çështje politike që kërkojnë zgjidhje politike, që arrihet nëpërmjet një dialogu konstruktiv politik midis grupimeve politike kryesore në vend. Ne e kemi bërë të qartë se mbështesim pa rezerva reformën në drejtësi dhe kemi kërkuar realizimin e një procesi të përbashkët dhe konsensual, si rruga e vetme që çon në miratimin pa vonesa të reformës. Z. Basha është i qartë dhe i prerë në përcaktimin e metodologjisë që duhet të ndiqet për procesin e rishikimit të projekt amendimeve kushtetuese: Tryezë politike për të diskutuar mbi baza të sinqerta 10 çështjet që ka ngritur opozita në shtator 2015, janar dhe shkurt 2016 dhe të përsëritura para disa ditëve, që të çon në dakordësi konsensuale. Më pas ngritje e grupit të ekspertëve me paritet politik të partive kryesore dhe ekspertë të OPDAT e EURALIUS. Ky grup harton draftin final të ndryshimeve Kushtetuese, bazuar mbi çështjet politike të dakortësuara, mbështetur në parimet dhe kriteret e Komisionit të Venecias, me përcaktimin e bërë edhe në paragrafin 8 të draft-raportit final aktual dhe ia kalon Komisionit të Posaçëm. Kjo është mënyra dhe rruga nëpërmjet së cilës realizohet kjo reformë e rëndësishme. Plane apo rrugë të tjera nuk ka.
Tashmë prej disa javësh opozita i ka bërë bojkot pjesëmarrjes në komisionet parlamentare. Pa gjykuar vendimet e PD-së, por në këto komisione puna vazhdon dhe miratohen projektligje edhe pa votat e opozitës. Siç ishte dhe te Komisioni i Medias që u miratua ligji për të drejtat e autorit, ku opozita ka shprehur rezervat e saj. A duhet të heqin dorë nga bojkoti deputetët e PD-së dhe të marrin pjesë në komisione?
Çështjet e ngritura nga ne dhe që kanë kushtëzuar bojkotin, konsiderohen dhe janë mjaft jetike për jetën politike e parlamentare dhe jo vetëm kaq. Vetë kronologjia e tregoi dhe po e tregon se pa këtë vendim ekstrem sot nuk do të kishim as vënie në lëvizje të Ligjit të dekriminalizimit dhe as gjykim të mandateve të shpërdoruara për përfitime personale nga përfaqësuesit e së majtës. Se pa këtë insistencë bojkotuese, fatet ligjore në Shqipëri do vazhdohen të votohen e vendosen nga njerëz me rekorde kriminale dhe se kontrolli parlamentar me anë të komisioneve hetimore, ndaj ekzekutivit, do jetë i mangët dhe formal. Unë nuk them që jemi “të lumtur” për këtë vendim bojkotues, por mund të pohoj plotësisht se kemi qenë të shtrënguar për ta shtyrë në ekstreme aksionin tonë politik, për shkak të mungesës totale të vullnetit politik minimal të maxhorancës, e cila nuk ka kurajë as të përmbushë disa detyrime themelore ligjore, siç janë ato që ne kemi parashtruar. Ndërkohë, këtë mungesë tonën maxhoranca është përpjekur ta shfrytëzojë në mënyrë sa më “efektive”, duke kaluar në komisione me shpejtësi, “partizançe”, pa debat, “siç ja do kokrra e qejfit”, ligje delikate, të rëndësishme që kanë hasur kundërshtinë tonë dhe të grupeve të interesit. Nuk është vetëm Ligji mbi të drejtat e autorit, i kontestuar fort, i cili u miratua pa ndërfutur vërejtjet e duhura, por dhe amendimet skandaloze e të turpshme, të ligjit për mediat, vetëm e vetëm, për të zgjedhur në krye të RTSH-së personin, të cilit i ka vënë gishtin Rama, sikurse dhe një varg ligjesh të tjera “të forta”. Heqja dorë nga bojkoti, nuk është çështje emocionesh, të cilën e zgjedh apo jo sipas humorit, por është çështje parimore politike. Ai mbaron kur normaliteti i kërkuar nga ne rivendoset. Kjo kur përballë ke maxhorancë të përgjegjshme, reflektuese e bashkëpunuese dhe jo “hajna” që rrëmbejnë interesa me “qitapë” të vulosura nga ata vetë, në zyrat e komisionet e parlamentit. Aty ku populli i ka zgjedhur për të shprehur interesat e tij dhe jo për të zgjidhur ata interesat e veta.
35% e kandidatëve për deputetë nga Forumi Rinor. A do të ketë përplasje idesh apo një hendek të madh midis deputetëve themelues të PD-së me të rinjtë? Duke pasur parasysh këtu që qeverisja e opozitës nga z.Basha, ka pakënaqësi nga ky grup i deputetëve?
Iniciativë për t’u përshëndetur. Partia Demokratike është dhe mbetet parti e të rinjve dhe të rejave dhe e vizioneve të reja e idealeve e vlerave solide. Janë të rinjtë ata që bëjnë diferencën dhe i japin formë vitalitetit dhe forcës së një formacioni politik. Ndërsa vlerat dhe idealet mbarten dhe transmetohen nëpërmjet brezave të mëparshëm, kontributi i të cilëve është i pazëvendësueshëm. Brenda PD-së ka hapësirë për këdo njeri, të ri apo të re, burrë apo grua, të ardhur rishtazi apo “të rrahur me vaj e uthull” në betejat politike, që ka vullnet e dëshirë për të investuar kontributin e tij, në drejtimin e vendit. Këtu nuk ka vend për përplasje idesh, apo “zverdhje” opinionesh e qëndrimesh, apo ravijëzim grupimesh “të rinj” e “të vjetër”. Kontributi politik nuk është hipotekë meritash, por punë e përditshme e palodhur në shërbim të kauzës. Brenda PD-së është koha për të bashkuar dhe ngjizur në një, çdo ofrim bashkëpunimi nga çdo i ri si dhe çdo bulëz investimi politik të bërë ndër vite nga çdo person e personalitet. Debati brenda grupit parlamentar dhe diferencat e opinioneve për veprime e vendime të ndryshme janë pjesë e demokracisë së brendshme të partisë, pa të cilën fryma opozitariste atrofizohet dhe mumifikohet. Zëri opozitar që të jetë i fuqishëm duhet të jetë polifonik. Grupi e shpreh dhe e ruan si vlerë këtë polifoni, e cila asnjëherë nuk ka devijuar nga vendimi politik i vetë grupit dhe kryetarit të partisë.
Pavarësisht që në deklarata, rrjete sociale dhe intervista, roli juaj si opozitar është skeptik ndaj qeverisjes “Rama”. Por duke e parë realitetin si qytetar që nuk përkrah ndonjë parti të caktuar, a ka ndonjë akt që duhet vlerësuar kjo qeveri në këto tre vite punë?
Opozita është ana kritikuese e medaljes së sistemit demokratik. Roli i saj nuk është “të duartrokasë” atë që bën që qeveria apo “t’i fërkojë kokën” qeverisë. Një opozitë serioze gjithmonë kërkon shumë e më shumë nga pozita, për të shprehur pa ekuivok, interesin e publikut dhe qytetarit, për të evidentuar dhe bërë publike problemet, ngërçet, shmangien nga premtimet e deformimet ligjore, abuzimet, arbitraritetin, korrupsionin dhe gjithmonë të ofrojë një alternativë zgjidhje. Kjo e përkryen dhe e përmirëson procesin dhe nuk lidhet me qëllimin arrivist “për marrjen e pushtetit”. Gjithmonë teorikisht, kur në anën tjetër ke një maxhorancë të kthjellët dhe të përgjegjshme. Jo si kjo e jona. Përballë së cilës nuk ke se cilin akt të vlerësosh më shumë: aktin e futjes së kriminelëve në parlament e administratë apo rrjepjen e përditshme që i bëhet qytetarit. Hajdutërinë koncesionare apo grabitjen tenderuese. Shëndetësinë dopio shtrenjtë apo verifikim chekup-ist, që kjo i bëri “dembelizmit” të rinisë së cilës i ofrohen vende “pune” imagjinare pa hesap. Dakordësinë tonë për ligje e ndryshime ligjore të veçanta, të cilat i kemi konsideruar efektivë dhe të duhura e kemi shprehur dhe do ta shprehim me votën tonë pro në parlament, por kurrsesi nuk mund të dakortësohemi me gjoja “reforma” që i çojnë “thikën në palcë” njerëzve të thjeshtë.
Së fundi po flitet për një ligj për median online, për përmirësimin e tregtisë elektronike. Si i keni parë qëndrimet dhe çfarë roli do të ketë PD-ja në këtë nismë të qeverisë?
Ndryshimet ligjore në fjalë që prekin tregtinë elektronike janë ende në fazë diskutimi fillestar. Nuk jam i bindur nëse është vendi i duhur brenda të cilit duhet të inkuadrohen këto ndryshime, pavarësisht argumenteve të parashtruara dhe referencave të direktivave europiane që bëjnë hartuesit e ligjit. Tani për tani në terma të përgjithshme, i ngjason ligjit të shpifjes që kërkoi të miratonte Rama para dy muajsh. Ka shumë probleme që kanë të bëjnë me lajme gjoja të paligjshme, apo opinione të paligjshme të shpallura në këto media si dhe me masat e parashikuara që janë drastike. Tendencat për censurë këtu janë të hapura pasi ato mbeten një dritare shumë kritikuese e qeverisë, pavarësisht iniciativës gjoja rregulluese të funksionimit të tyre. Aq me tepër në kushtet kur konformizmi sotëm i mediave të tjera është i prekshëm, këto shihen me “syrin e njerkës” nga pushteti. Ky i fundit nuk mund t’i joshë të gjitha dhe synon kësisoj t’i godasë dhe t’i eliminojë nën “maska” ligjore. Ne do shprehim qëndrimin tonë në momentin oportun të diskutimit të tij në komisionet përkatëse, si vazhdim dhe i këtyre opinioneve të parashtruara këtu.
Protestat e shoqërisë civile, kryesisht në veri të vendit po i shohim çdo ditë. Ankesat e tyre janë se janë në kushte të vështira ekonomike dhe të harruara nga kjo qeveri, por protesta të banorëve janë shtrirë në të gjithë Shqipërinë. A ka PD-ja një platformë konkrete dhe të mos mjaftohet vetëm me mbështetje morale?
PD e ka shpalosur tashmë platformën e saj për shtrirjen e protestave në çdo cep të vendit dhe është duke e realizuar një gjë të tillë. Ne jemi në mbështetje të shoqërisë civile dhe paralelisht jemi duke organizuar protestat tona. Fryma e protestës është ngritur dhe kundërshtia për këtë kurs e klasë qeverisëse është absolute. Synimi ynë është zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike.
Ministria e Arsimit së fundi ka bërë publike rezultatet e Raportit Kombëtar mbi nivelin e mësuesve. Si i keni parë rezultatet përtej propagandës qeveritare, por dhe përtej qëndrimit opozitar. Si një profesionist në këtë fushë, në bazë të raportit sa të kualifikuar u janë dukur mësuesit në vend, ku 35% e tyre rezultuan me nivel të ulët të zhvillimit profesional?
Rezultat i trukuar do të thoja. Për tjetër gjë u nis ky testim dhe për tjetër gjë u bitis. Të paktën u shmang disi një abuzivizëm, i cili mbetet eminent dhe që lidhet me klasifikime e goditje politike të mësuesve. Deklarimi fiktiv i një gjendje të tillë është një nga mënyrat për të dekurajuar armatën e mësuesve dhe për t’i shndërruar ata në të bindurit e pushtetit. Përgjatë këtyre tre viteve armiku më i madh i kësaj ministrie ka qenë dhe mbetet “mësuesi”. Është linçuar, keqtrajtuar, depersonalizuar dhe së fundmi i shohin dhe si mall tregu. Duan të kanalizojnë sa më shumë të ardhura nga xhepat drejt klientelave personale e politike, duke i mbjellë mësuesve “alarmin” e kualifikimit të domosdoshëm. Këtë të drejtë trajnuese do t’ja njohin dhe do t’ja atashojnë në formë dhe “koncesionare”, vetëm disa institucioneve që kanë lidhje të drejtpërdrejta brenda ministrisë dhe partisë. Këtu na paska “fjetur dhe lepuri” i këtij testimi, për të cilin Rama dhe ministria harxhuan frymë për tre vite rresht.