“Bojkoti i zgjedhjeve lokale, vetasgjësim për Partinë Demokratike”

Deputeti i PD-së, Igli Cara shprehet për një sërë çështjesh që lidhen me qëndrimet e fundit të formacionit të tij politik. Futja në parlament, qëndrimet ndaj Reformës Territoriale, pozicionin e Berishës, por edhe atë që përfaqësonte i ndjeri Olldashi…

 

Nga Ben Andoni, JAVA

 

Ka qenë e nevojshme një ndërhyrje e jashtme shumë vendimtare për të mundësuar futjen e PD-së në parlament. A mendoni se mund të gjendeshin forcat brenda PD-së që ta evitonte këtë ndërhyrje? Si e vlerësoni personalisht bojkotin e Opozitës?

“Bojkoti është një instrument ekstrem i politikës në demokraci, por nuk është dhe nuk mund të jetë instrument në demokracitë funksionale e të zhvilluara. Pas 24 vitesh të përdorësh përsëri bojkotin është  ‘pak’ shumë për shqiptarët dhe ndërkombëtarët dhe me thënë të drejtën këtu s’ka ndonjë arsye as për t’u ndjerë mirë dhe aq më pak  për të qenë të kënaqur që lamë bosh karriket në Kuvend.

Duhet thënë që sa herë është përdor bojkoti i Kuvendit në vitet e fundit mundet të jetë marrë ndonjë përfitim afatshkurtër, siç ka qenë dhe rasti i bojkotit të socialistëve  në 2009, greva e urisë në 2010, por Shqipëria e shqiptarët kanë humbur brenda dhe jashtë, një nga kostot më të mëdha ka qenë raporti ynë me Europën, e cila mesa duket ka të drejtë të jetë skeptike për shkallën e zhvillimit të demokracisë në vend dhe në vend që të na bëjë pjesë të saj,  vjen e  na ‘pajton’ mes nesh.

Bojkoti i imponuar nga dhuna në Kuvend, në korrik ishte plotësisht i drejtë, por kam pas e kam rezerva si deputet  për kohën e gjatë që mori,  jo vetëm për arsyet e mësipërme, por dhe shumë të tjera, gjithësesi kam pranuar vendimin politik të partisë, ndonëse kam besuar që midis nesh kishte njerëz që mund e duhet të negocionin.

Megjithëse me kosto të lartë politike, duhet pranuar që  vendosja  në rezolutë e dhënies së konsensusit të opozitës për ligjet me 3/5 e votave dhe  dekriminalizimi  i Kuvendit  janë  rezultate për t’u konsideruar të këtij bojkoti.

Por, për të qenë të sinqertë me lexuesin tuaj, por dhe mes nesh, dekriminalizimi i politikës është një çështje e shtruar një vit më parë nga Sokol Olldashi në Kuvend, pas abuzimit me votën në Korçë, por në atë moment askush nuk foli dhe askush nuk ndërmorri një nismë, për arsye që dihen dhe kuptohen, asnjëra palë politike nuk reagoi, për pasojë koha dha kostot e veta dhe këto i paguam të gjithë”.

 

Reforma Territoriale konsiderohet si një nga reformat vendimtare të Pozitës së sotme. Por edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tek Opozita, duke filluar që nga kreu i saj BASHA ka një kundërvënie, madje duke kërcënuar dhe mbarëvatjen e zgjedhjeve vendore. A mendoni personalisht se është e tepruar kjo situatë në ditët tona, pasi për reformën u punua dhe u diskutua në muaj të tërë?  

“Reforma Territoriale, por dhe shumë reforma të tjera të ndërmarrë nga qeveria Rama, kanë pas shumë nevojë të diskutoheshin e debatoheshin midis pozitës e opozitës. Mungesa jonë në Kuvend u krijoi një lehtësi, që me shumicën e votave që kanë, t’i zgjidhnin siç “donin” punët e tyre. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mendimin tim,  mosdakordësinë e palëve  mund ta zgjidhi vetëm  një  marrëveshje politike mes tyre.

Përsa i përket  zgjedhjeve vendore, ato duhet dhe  besoj do bëhen, përndryshe kjo do të ishte vetëasgjësim politik e më tej nuk po preferoj ta zgjas”.

 

Publiku percepton një dualizëm të qartë mes kreut aktual Basha dhe ish-kryeministrit Berisha. A mendoni se kjo gjendje e mban të kufizuar Partinë Demokratike në veprime?

“Z. Berisha është një personalitet i fortë dhe një figurë shumë autoritare  politike jo vetëm në historinë 24 vjeçare të PD-së, por në të gjithë jetën politike të vendit dhe Z.Basha, apo kushdo tjetër do të referohej në përvojën dhe energjinë e tij në politikë…

Historia, shqiptarëve dhe drejtuesve politikë të tyre duhet t’u kishte dhënë ca mësime, modeli “Rama” i të bërit politikë e pushtet është një model shumë i keq për demokracinë e politikën, çdo imitim a përsëritje e tij do ishte fatale për fatet e vendit, shkëputje nga filozofitë politike që i bëjnë të djathta e të majta partitë. Klientelizmi i hapur brenda partive, haraçet dhe jo kontributet politike e ideologjike  bëjnë, siç ka shumë gjasa, të kemi  rezultat jo te mira,  mungesë shprese e besimi tek njerëzit”.

 

Ka shumë ankesa në zona të ndryshme të vendit sa i përket impaktit që qeverisja e re ka në jetën e përditshme të banorëve. Si e konsideroni jetën e banorëve tuaj në këtë qeverisje?

“Qeverisja e re përveç show, shkatërrimit  dhe fasadave nuk duket të dijë gjë tjetër të bëjë. Në më shumë se një vit, qeveria Rama ka ndërmarrë disa aksione “shkatërruese”, por asnjë aksion të vërtetë politik zhvillues e afatmesëm, përveç palmave në autostradë (që më duken dhe pak qesharake).

Shkatërrim, borxh e burg është togfjalëshi që Rama ka përdor më shumë në qeverisjen e vet, e nisi me lojrat e fatit e tritolin në ndërtime me leje e pa leje, e vazhdoi me bllokimin e lejeve të ndërtimit, me  operacionet shkatërruese e selektive të INUK-ut, e vazhdoi me burgun për mospaguesit e energjisë, super-genjështrën për legalizime falas, pushime masive nga administrata e emërime të inkriminuarish, burgosje për korrupsion të drejtuesve të vet dhe për të qenë i sinqertë “bëmat” nuk i mbarojnë. Në një vit e gjysmë, njerëzit janë bërë më të varfër, taksat dhe çmimet janë rritur,  biznesi është i kërcënuar dhe i trembur për të ardhmen e vet,  shumë prej tyre që lidhen me lejet e ndërtimit  duket  të   jenë   të   bllokuara dhe gënjeshtrat  për  punësim  në  zyrat  e  zbukuruara  të Erionit, nuk po sjellin asnjë fije shprese mes të rinjve  dhe fatkeqësisht  pas kaq vitesh,  gjithnjë e më shumë njerëzit  po mendojnë ikjen nga Shqipëria”.

 

Humbja e Olldashit ka shkaktuar gati një ndarje në formacionin tuaj. Çfarë mendoni se do të bënte prania e tij në PD për imazhin dhe performancën e saj…

“Sokol Olldashi, me kurajo e koshiencë ruajti besimin se PD-ja duhet të përfaqësojë fort shtresat sociale që në këto 25 vjet e kane votuar e mbështetur dhe ai mbeti zëri dhe përfaqësuesi më i mirë i të persektuarve të regjimit komunist e pronarëve të vjetër. Si askush tjetër në politikën shqiptare Olldashi ngriti zërin një vit më parë në Kuvend duke pranuar me trishtim të vërtetën e blerjes së votës që pas vitit 2000   u  instalua në politikën shqiptare,  duket se pati të drejtë, intuita dhe përvoja nuk e tradhtoi. Sokol Olldashi, do kishte shumë për të thënë në këto kohë të vështira, duket që  mes demokratëve, mungon kurajo e zëri i fortë i tij, por mbi të gjitha mungon inspirimi i një njeriu të lirë e zemre që bashkon”.

SHKARKO APP