Bujar Nishani: Eksodi i shqiptarëve,pasojë e papunësisë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani sheh si arsye kryesore të largimit të shqiptarëve situatën ekonomike në vend. Bujar Nishani i është përgjigjur pyetjeve edhe për një sërë çështjesh të tjera, si Gjyqësori, vendimi për rastin “Frroku”, vendimi i Kushtetuteses për dy anëtarët e KLD-së, plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë etj. Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i shtetit deklaron se është kryesisht papunësia, shkaku që po detyron shqiptarët të lënë vendin e tyre:
Le ta nisim këtë intervistë me një nga zhvillimet jo dhe aq pozitive të kohëve të fundit, që është konsideruar tashmë si eksod i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ju keni bërë një artikulim në një nga vizitat tuaja që keni pasur në një nga zonat më të prekura, ku i keni kërkuar qeverisë të dalë nga zyrat dhe të flasë me njerëzit. Në çfarë konteksti ka qenë kjo zoti President dhe a është ky një eksod ekonomik i shqiptarëve?
Informacionet më të mira merren pranë njerëzve, atje ku është jeta e përditshme e qytetarëve dhe te njerëzit që janë të motivuar apo të prekur nga ky fenomen. Ndaj e kam ndërmarrë nismën e lëvizjes dhe kontaktit me njerëzit. Nga të gjitha këto kontakte dhe realiteti, shihet që arsyeja thelbësore dhe kryesore e largimit të njerëzve është për shkak të problemeve reale dhe të pamundësisë së ndërtimit të një ekonomie dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë aty ku jetojnë. Kryesisht i mundon papunësia.
A nuk keni dyshimin se do të paragjykoheni në këtë përgjigje tuajën, sepse është një përgjigje që pothuajse e ka mbajtur opozita, se është përkeqësimi i situatës ekonomike, ai që po i çon shqiptarët drejt kërkimit të azilit në vendet e Bashkimit Europian?
Nëse do të kisha frikë të artikuloja atë që mendoj, që është realiteti dhe e vërteta, nuk do t’i shërbeja as vendit dhe nuk do t’u shërbeja as qytetarëve, as institucionit për të cilin jam caktuar për t’i shërbyer. Unë nuk i përjashtoj edhe faktorët e tjerë, të cilët padyshim e nxisin dhe e shtojnë fenomenin e largimit. Unë dënoj njëkohësisht edhe ekzistencën e spekulatorëve dhe grupeve kriminale, të cilët e nxisin largimin e qytetarëve për përfitime financiare. Por duhet të kemi parasysh se, nëse këto grupe kriminale nuk gjejnë një ambient të përshtatshëm, ku të përfitojnë përmes veprimtarisë së tyre kriminale, do ta kenë të pamundur realizimin e veprimtarisë së tyre kriminale. Por ajo që është bazike dhe fundamentale janë padyshim problemet ekonomike dhe kjo nuk është një çështje politike. Nëse ne duam të fshihemi dhe të mos e themi ashtu siç është, ne nuk do të gjejmë zgjidhje dhe nuk do t’i orientojmë apo nxisim më pas njerëzit që e kanë përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje për të shkuar përpara. Çfarë kemi përfituar në këtë rast?
Ndalemi te një tjetër çështje e ditës, siç janë zgjedhjet e 21 Qershorit. Si e vlerësoni ju situatën, do të kemi një proces zgjedhor më të mirë sesa zgjedhjet e shkuara?
Mbetet për t’u parë dhe për t’u provuar, por do të ishte një fatalitet dhe një goditje e rëndë, edhe për vet perceptimin dhe ndjeshmëritë e jetës së përditshme të qytetarëve, nëse do të kishim një proces të deformuar dhe të goditur nga fenomene, të cilat për fatin e keq i kemi parë edhe në proceset e shkuara.
Megjithatë, duket se cënimi i parë ka ardhur. Kam parasysh një deklaratë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm një ditë më parë, se në këto zgjedhje ka kandidatë të dyshuar me një të shkuar kriminale.
Unë do ta dënoj ashpër çdo rast të përfshirjes së individëve të tillë. Politikanët tanë duhet të kuptojnë diçka, që kurrë njerëz të tillë nuk janë partnerë të nevojshëm për ta, të besueshëm për ta, por edhe të nevojshëm apo të mirë për qytetarët. Herët a vonë, ata do t’u kthehen në një bumerang, i cili do të dëmtojë jo vetëm komunitetin, por do të dëmtojnë ashpër edhe vet individët, të cilët në një moment të caktuar mendojnë që e gjejnë shpëtimin politik tek angazhimi i personazheve të tillë.
Atëherë President, ndalemi edhe te një tjetër çështje gjithashtu të shumëdiskutuar, siç është ajo e Gjyqësorit. Jo më larg se vetëm pak javë më parë, kemi parë përfundimin e një procesi gjyqësor të shumëdiskutuar edhe në media. Sa përgjegjësi keni ju si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendime që janë anatemuar edhe publikisht, edhe mediatikisht shumë?
Rasti i përmendur nga ju është një rast që kërkon jo gjykim institucional nga ana e Presidentit të Republikës, sepse nuk mund të bësh gjykimin e një vendimi gjyqësor, por askush nuk do të më pengojë, jo vetëm mua por edhe anëtarët e tjerë të KLD-së, që ne të verifikojmë dhe të kontrollojmë sesi është respektuar ligji dhe procedura. Nëse ka pasur shkelje të tilla, gjithsecili duhet të mbajë pastaj përgjegjësinë, sepse në fund të fundit ne nuk mund të pranojmë që për 2 apo 5 gjyqtarë, kushdo që të jenë apo çfarëdo që ata të përfaqësojnë, ne të kompromentojmë besimin te drejtësia, që është jo pak i kompromentuar deri më tani. Të mërkurën (nesër) kam thirrur mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për disa çështje që do të diskutohen.
Megjithatë, zoti President, ka ende një ngërç të pazgjidhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që është zgjedhja e nënkryetarit të këtij institucioni. Kur do të merret ky hap nga ju dhe, a e komplikon fakti që Gjykata Kushtetuese vetëm një ditë më parë i ka dhënë të drejtë ish-nënkryetarit Çefa të rikthehet në detyrë?
Tashmë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar bazën ligjore mbi të cilën u ngrit Komisioni Hetimor dhe u realizua shkarkimi i dy anëtarëve të KLD-së. Që do të thotë se procesi është konstatuar i paligjshëm. Ndaj, hapi i parë dhe më kryesori është – dhe unë pres – që Parlamenti shqiptar të rikthejë ligjshmërinë e shkarkimit të anëtarëve dhe e pranisë së anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Parlamenti. Do të jetë një shembull për të gjitha institucionet, përfshirë edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Të shohim respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
A mund të shndërrohet ky, në një konflikt tjetër të ardhshëm mes jush dhe mazhorancës qeverisëse?
Besoj se nuk do të ketë vend. Sa i takon çështjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, do të emërohen siç e parashikon Kushtetuta. Për sa kohë që Kushtetuta është e qartë në disa çështje të caktuara, Presidenti do ta respektojë atë në mënyrë strikte.
Si do t’i vlerësonit momentet e tanishme të marrëdhënieve me Qeverinë. Kemi parasysh që ka pasur një konflikt jo të lehtë në rastin e ambasadorit Zhiti. A janë sheshuar tashmë dhe cili është komunikimi juaj me Qeverinë dhe me kryeministrin konkretisht?
Kurrë nuk i kam parë, e them shumë sinqerisht, dhe nuk do t’i shoh raportet institucionale, si raporte personale.
A keni komunikuar prej asaj kohe me kryeministrin, zoti President?
Takime personale nuk kemi pasur, por përderisa funksionojnë institucionet, natyrisht që në kuadrin institucional komunikohet dhe funksionohet më së miri dhe nuk ka për të pasur asnjëherë ndonjë problem institucional, gjatë kohës që unë do të ushtroj këtë detyrë.
Zoti President, i keni rikthyer Qeverisë një tjetër ligj po aq të rëndësishëm, siç ishte ligji për Shërbimin e Jashtëm?
Tentativa është për ta politizuar sistemin e Shërbimit të Jashtëm, gjë që është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit. Parlamenti ka të gjithë sovranitetin e tij për ta rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, por unë do të dëshiroja që të mos e shihnin si një garë midis pjesës formale të miratimit dhe dekretit për kthim, por si një mundësi për të përmirësuar atë që është një shqetësim real.