Cipras: BE është si një triko leshi, dalja e Greqisë s’do ta ndalte shthurrjen
Në një intervistë për Spiegel, kryeministri grek Alesis Cipras diskuton mbi reformat e planifikuara, efektin polarizues që qeveria e tij ka patur në BE, dhe mbi mundësinë e një “Graccident”, një daljeje aksidentale të Greqisë nga eurozona
Spiegel: Zoti kryeministër, në Bruksel ju keni deklaruar se keni hequr dorë nga kërkesa, për reduktimin e borxhit. Por këtu në Athinë ju vazhdoni të flisni sërish për të. Si ta kuptojmë këtë?
Në samitin e fundit unë kam folur me gjuhën e së vërtetës. Unë deklarova: Para programit të ndihmës, Greqia kishte një borxh kombëtar, që ishte 129 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Tanimë, borxhi ka mbërritur në 176 përqind. Pa marrë parasysh sesi e shikoni ju këtë çështje, është e pamundur që ne ta shlyejmë gjithë atë borxh. Por ekzistojnë mënyra të ndryshme, për ta zgjidhur këtë problem: përmes reduktimit të borxhit, ristrukturimit të tij, apo shlyerjes përmes shitjes së bonove qeveritare, të cilat në çdo rast, duhet të lidhen me rritjen ekonomike. Edhe pse në fakt, gjëja më e rëndësishme është zgjidhja e problemit të vërtetë: heqja e praktikave të rrepta të kursimit, çka shkaktoi edhe shtimin e mëtejshëm të borxhit.
Spiegel: Çfarë ka ndryshuar në të vërtetë nga samiti i fundit, pasi ju ende duhet të dorëzoni për miratim planet tuaja të reformave tek 3 “institucionet” …
Reformat nuk do të miratohen nga institucionet. Ata kanë një rol në këtë process, për të krijuar një kornizë, që vlen për të gjithë në Evropë. Por më parë, situata ishte e tillë, që trojka duhet të dërgonte një e-mail për t’i thënë qeverisë greke, se çfarë duhej të bënte. Reformat tona të planifikuara, janë të nevojshme, dhe ne kemi vendosur vetë mbi to, pa u imponuar nga askush. Ne duam më shumë se cilido tjetër të ndalojmë evazionin fiskal në shkallë të gjerë dhe mashtrimin me taksat. Deri më tani, kanë qenë ata me të ardhura të ulëta që kanë paguar detyrimet ndaj shtetit dhe jo të pasurit. Duam gjithashtu që ta bëjmë shtetin më efikas.
Spiegel: Por sërish ne jemi të paqartë. A kërkon Greqia një paketë të tretë ndihme në qershor, kur ju të mbeteni pa para?
Unë nuk do ta quaja atë një paketë shpëtimi.
Spiegel: Po çfarë?
Do të thoja, që Greqia ka nevojë të financohet. Vitet e fundit, ne kemi konsoliduar masivisht buxhetin tonë dhe tani kemi teprica parësore, në vend të defiçiteve. Por ne ende s’mund të marrim para hua tek tregjet e kapitalit. Për ta bërë këtë, duhet të rifitojmë besimin e tyre, të bëhemi konkurrues e të kthehemi në një ekonomi në rritje. Derisa të vijë ajo kohë, ne duhet të financojmë veten në një mënyrë tjetër.
Spiegel: Që do të thotë, ju duhen para nga evropianët…
Shikoni, kjo nuk është për një bamirësi për Greqinë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët dhe solidaritetin evropian. Nëse Greqia nuk mund të paguajë borxhin e saj, kjo gjithashtu ka një efekt mbi partnerët tanë. Për pasojë, është i nevojshëm një rrjet sigurie për Greqinë. Gjithashtu, duhet të kthehemi tek tregjet e kapitalit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Por kjo s’mund të kombinohet me një program që deri tani ka shkaktuar një fatkeqësi të rëndë sociale. Kemi nevojë për një program që sjell rritjen ekonomike.
Spiegel: Kjo është e kundërta e asaj që qeveria gjermane do donte të dëgjonte…
Disa besojnë se investimet mund të rriten, duke ulur më tej kostot e punës. Por ne i kemi ulur tashmë ato me 40 përqind, dhe kjo lëvizje për fat të keq, nuk ka rezultuar në çeljen e ndonjë investimi të ri. Paratë që kanë hyrë në Greqi nëpërmjet kredive, kishin për qëllim shpëtimin e bankave. Por ato nuk e zgjidhën problemin tonë të likuiditetit. Ne s’duam të huazojmë para përherë; duam të dalim sa më parë nga ky rreth vicioz. Pra ne, mund të angazhohemi vetëm për masat që jemi në gjendje të zbatojmë.
Spiegel: Nëse ju kuptuam drejt, ju kërkoni më shumë kredi, por pa iu nënshtruar më kontrolleve nga institucionet ndërkombëtare?
Në një shoqëri të shkatërruar dhe në një vend me një krizë të rëndë humanitare, ju s’mund të reduktoni më tej pagat. Megjithatë, ne mund të ecim përpara me reformat strukturore. Duam që më në fund të ndërtojmë institucione të afta për të mbledhur në mënyrë efikase taksat. Duam të modernizojmë sistemin gjyqësor, për të mos pritur më mbi 1 vit për një vendim. Në të ardhmen, duhet të mundësohet që një sipërmarrje e re të hapet, pa patur shumë burokraci. Ndërkaq do të bëjmë një rregjistrim të detajuar të pronës, diçka që në fakt është premtuar që prej vitit 1930.
Spiegel: Dhe përse mendoni se do të jeni i suksesshëm aty ku paraardhësit tuaj kanë dështuar ?
Sepse ne nuk jemi pjesë e sistemit të vjetër, sikurse paraardhësit tanë. Në veçanti, ne do të kufizojmë aktivitetet e pakufizuara të oligarkëve. Ata kontrollojnë mediat dhe kanë marrë kredi të mëdha nga bankat, në kontrast me kompanitë normale. Do të monitorojmë punën e furnizuesve shtetërorë, të cilët kanë themeluar kartelet e madha. Asnjë person i arsyeshëm s’mund të kundërshtojë një plan të tillë, dhe ne jemi të vendosur ta vëmë atë në zbatim.
Spiegel: Po në lidhje me privatizimet?
Në fakt ne nuk kemi ndonjë qasje të ndryshme. Duhet t’i bëjmë pasuritë shtetërore të përdorshme, por nuk do të shesim çdo gjë. Në të kundërt, të ardhurat do të zhdukeshin direkt në vrimën e zezë të borxhit. Në vend të kësaj, ne duam të përdorim të ardhurat nga kompanitë shtetërore, për të mbështetur mirëqenien sociale.
Spiegel: Të hënën, qeveria juaj do të paraqesë në Bruksel propozimet e para të reformave, të cilat pastaj do të duhet të miratohet nga ministrat e financave të eurozonës. Cili është plani juaj?
Ne do të propozojmë 6 reforma, që janë gati për zbatim. Së pari, luftimin e krizës humanitare. Do të krijojmë një kartë elektronike për çdo qytetar, e cila mund të përdoret për qasje në shërbimet publike, për të cilat në të shkuarën duhet të bëhej aplikimi në të paktën 7 autoritete. Njerëzit në nevojë mund ta përdorin atë për të paguar produktet ushqimore dhe energjinë elektrike. Së dyti, reforma e nevojshme e administratës publike, për ta bërë shtetin më efikas. Së treti, miratimi i një plani për një normë pagese për borxhet tatimore. Reforma e katërt ka të bëjë me administratën tatimore, dhe e pesta me krijimin e një këshilli të taksave, të pavarur politikisht. Hapi i gjashtë, është krijimi i një grupi pune, që do të auditojë mbledhjen e taksave, për të luftuar evazionin fiskal kryesisht tek shtresa e mesme.
Spiegel: Pika e parë duket se kërkon shumë shpenzime. Si keni ndërmend ta financoni atë?
Ne kemi paraqitur tashmë një projektligj në parlament. Ai përputhet me premtimin tonë, për të vendosur drejtësinë sociale. Kriza humanitare është dëmi anësor i programit të shpëtimit. Sipas UNICEF-it, sot 35 përqind e grekëve jetojnë nën nivelin e varfërisë, dhe 600 mijë fëmijë, nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Ne kemi marrë tashmë fonde nga BE për luftën kundër krizës humanitare, dhe unë do të flas me presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker në ditët e ardhshme, për të mësuar nëse mund të marrim fonde shtesë.
Spiegel: Në pjesën tjetër të Evropës, njerëzit janë të shqetësuar mbi planin tuaj për t’i lejuar grekët, që të paguajnë taksat deri në 100 këste mujore. A jeni i shqetësuar se mos një plan i tillë do të reduktonte në mënyrë drastike të ardhurat tatimore në buxhetin e shtetit?
Përkundrazi, kjo do të krijojë të ardhura të menjëhershme për shtetin. Aktualisht, borxhi tatimor i vendit, po rritet me një miliardë euro çdo muaj. Ne duam ta ndryshojmë këtë realitet. Por sigurisht, nga kjo masë nuk do të përfitojnë njerëzit që janë të aftë për të paguar, por që duan të mashtrojnë.
Spiegel: Besoni me të vërtetë se do të detyrojë të pasurit të paguajnë?
Me siguri ju e dini se ka dy Greqi. Njëra, është ajo e 4 milionë njerëzve, që jetojnë nën nivelin e varfërisë. Ju mund të shihni Greqinë tjetër, nëse dilni në një mbrëmje verore në një klub nate, përgjatë bregdetit ose nëse shkoni në Mikenë. Aty gjendet Greqia që i shmanget taksave dhe mashtron. Ne e dimë mirë, se shumë nga ato bare dhe restorante nuk lëshojnë asnjë faturë. Do të jemi shumë të rreptë kundër kësaj Greqie.
Spiegel: Dhe çfarë ju bën të jeni aq i sigurt se do të keni sukses?
Po ngremë një grup pune për kontrollet, dhe stafi i tij do të ndryshohet çdo dy muaj, në mënyrë që të mos korruptohet. Kemi një minister, i cili është përgjegjës për luftën kundër evazionit tatimor, që dikur ka qenë prokuror. Një organizatë e pavarur do të ngrihet për të mos u ndikuar nga sistemi politik.
Spiegel: Shumë ekspertë tani i frikësohen një “Graccident” – daljeje aksidentale të Greqisë nga eurozona. Nëse Banka Qëndrore Evropiane nuk i pranon bonot tuaja të thesarit, për të paguar këstet e borxhit duke filluar nga ai më i afërti prej 4 miliardë eurosh, kjo është pikërisht ajo që mund të ndodhë…
Unë as nuk mund ta imagjinoj një gjë të tillë. Njerëzit nuk do të rrezikonin shpërbërjen e BE, për një kosto prej thuajse 1.6 miliardë eurosh. Për këtë në Greqi ka një fjalë të urtë: Një burrë i lagur, nuk e ka frikë shiun. Evropa po përballet me një dilemë: të pranojë ose jo kërkesat e evropiano-jugorëve, të cilët kanë vuajtur shumë nën masat e ashpra të kursimit. Kjo duhet të korrigjohet, dhe në rast se nuk ndodh, Greqisë do t’i merret gradualisht fryma. Dhe ky skenar paraqet një rrezik jo vetëm financiar, por edhe politik.
Spiegel: Për kë?
Lëvizjet qytetare për një ndryshim të kursit në jug, do të mund të shndërrohen në një rrymë të fuqishme anti-evropiane. Duke ndëshkuar Syriza-n në Greqi, ju nuk do të ngadalësoni dinamikën e Podemosit në Spanjë. Përkundrazi, do na detyroni edhe ne të bëhemi anti-evropianë. Duke vepruar kështu, ju do të forconi më tej pozitat e Bepe Grilos në Itali, Mari Lë Penit në Francë, në një kohë qe edhe kundërshtarët e Bashkimit Evropian si Najxhell Fareixh në Britaninë e Madhe, do të jenë shumë të kënaqur.
Spiegel: A është largimi nga eurozona kërcënimi më efektiv, për shmangien e masave të mëtejshme të kursimit ?
Unë e përjashtoj mundësinë e një Grexit, pasi unë dua Evropën. Por besoj se eurozona është si një triko leshi: kur tërheq një fije, atëherë shthurrja nuk mund të ndalet.
Nga Manfred Ertel, Katrin Kuntz dhe Mathieu von Rohr/ Marrë me shkurtime nga Der Spiegel (SPIEGEL Interview with Greek Prime Minister Tsipras: ‘We Don’t Want to Go on Borrowing Forever’)