Çollaku: Demarkacioni është kushti i fundit

Ministri i Integrimeve Europiane të Kosovës, Bekim Çollaku, në një intervistë për Gazetën Express, ka theksuar se kriteri i luftimit të korrupsionit për liberalizimin e vizave është plotësuar nga Kosova. Ai tani thotë se demarkacioni është kushti i fundit dhe se këtë e dinë të gjithë deputetët nga bisedat me deputetët e PE-së dhe përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini.

 ***

Ju deklaruat që nëse nuk miratohet Demarkacioni në Kuvend, do të shtyhet liberalizimi i vizave për Kosovën. Mbledhja e Komisionit të Brendshëm të PE’së mbahet më 5 Shtator në mos gaboj? Por, a është e sigurt tashmë që nëse miratohet demarkacioni do të kemi liberalizim të vizave?

Bekim Çollaku: Po, takimi i radhës i Komisionit për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Europian që do të votoj mbi propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën është i caktuar për datën 5 shtator. Unë jam i sigurt që votimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës do të rezultojë që ky propozim të miratohet nga ky komision parlamentar. Por siç e dini kjo nuk është përfundimi i gjithë procesit vendimmarrës në BE, ai duhet pastaj të miratohet edhe në një seancë plenare të Parlamentit Evropian dhe nga Këshilli i BE-së. Unë flas me siguri të plotë për gjerat dhe vendimet që janë në kuadër të përgjegjësisë sime si ministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes është përgjegjësi e institucioneve të BE-së. Por një gjë është e sigurt, në rast se ne do të përmbushim obligimin e mbetur, atëherë edhe BE-ja do ta ketë të pamundur të gjej arsyetime për zvarritjen e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave. Në skenarin pozitiv, patjetër që vendimi për liberalizimin e vizave do të merret deri në fund të këtij viti. Në të kundërtën, do të kishte efekt shkatërrues për kredibilitetin e BE-së në Kosovë mos përmbushja e obligimit dhe zotimit për liberalizimin e vizave.

Përveç opozitës edhe një grup deputetesh nga pozita kanë qenë kundër këtij formati të marrëveshjes. A kanë tentuar këta deputetë që të flasin me strukturat e Bashkimit Europian e t’ua shpjegojnë versionin e tyre, nëpërmjet ministrisë që ju drejtoni?

Kjo marrëveshje është një ndër çështjet më të diskutuara nga të gjitha palët e përfshira. Është bërë më shumë se një vit që kur ka filluar ky debat, dhe të gjitha sqarime e nevojshme janë paraqitur si nga Komisioni Shtetëror, deri te ekspertët ndërkombëtarë që kanë verifikuar punën e Komisionit. Kjo çështje përndryshe është duke u diskutuar në Kuvend sipas ligjit dhe rregullores, dhe Ministria që unë drejtoj nuk ka kompetenca në këtë drejtim. Deputetët e Kuvendin të Kosovës kanë pasur rastin të diskutojnë në forume të ndryshme me deputetet e Parlamentit Evropian dhe zyrtarët më të lartë të BE-së, duke përfshirë znj. Federica Mogherini dhe Komisionerin Han. Kërkesa e institucioneve të BE-së dhe e shteteve anëtare të BE-së është shumë e qartë dhe e pandryshueshme, kërkohet zbatimit i kriterit të fundit të mbetur për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë që të vazhdoj procesi i vendimmarrjes brenda BE-së.

Lëvizja Vetëvendosje thirri protestë më datën 1 shtator kundër miratimit të demarkacionit. Si e komentoni këtë hap të Vetëvendosjes?

Protesta është instrument demokratik dhe legjitim. Askush nga ne nuk mund ta kontestoj apo të provoj ta mohoj këtë të drejtë thelbësore. Por sigurisht, ato kanë efekt dhe përshëndeten nga të gjithë vetëm kur janë të qeta dhe nuk shkaktojnë dhunë. Qytetarët e Kosovës dinë të çmojnë të vërtetën për procesin të ofruar nga institucionet e vendit, dhe gjithashtu janë të vetëdijshëm edhe për konfirmimin që i është bërë nga ekspertët ndërkombëtar të thirrur nga Presidentja, si dhe konfirmimi nga Departamentit Amerikan i Shtetit. Gjithashtu ata e dinë fare mirë që pengesat ndaj përfundimit të këtij procesit do të ndëshkohen nga Bashkimi Evropian duke e lënë vendin dhe qytetarët të izoluar nga BE-ja, duke mos e miratuar propozimin e Komisionit Evropian për Liberalizimin e Vizave. Tani nuk është koha të ngritën dilema tjera por është koha e vendimit në interes të qytetarëve dhe shtetit tonë. Territori i Kosovës është i garantuar dhe ai do të mbetet i pandryshuar. Prandaj, e vërteta për këtë çështje do të vërtetohet shume shpejt nga Kuvendi i Kosovës dhe ky vendim do ti hap rrugë procesit të integrimit në strukturat Euro-Atlantike dhe natyrisht, liberalizimit të vizave.

Nënkryetarja e PE’së dhe raportuesja për Kosovën Ulrike Lunaçek në një intervistë në dy muaj më parë ka deklaruar se përveç kushtit të demarkacionit duhet ofruar edhe dëshmi konkrete për dënimin e krimit të organizuar edhe korrupsionit. A i keni ofruar këto dëshmi?

Mendoj që Demarkacioni është një çështje shumë e prerë dhe ajo duhet përfunduar, ndërsa institucionet e pavarura të rendit dhe ligjit, siç është Prokuroria dhe Këshilli Gjyqësor duhet të vazhdojmë të punojnë në vazhdimësi dhe të kenë rezultate në fushën e tyre, përgjatë të gjithë procesit të integrimit europian. Është e qartë për të gjithë që një punë e madhe është duke u bërë në këtë drejtim dhe kjo dëshmohet në raste të shumta që edhe janë komunikuar vazhdimisht. Gjyqësori është krejtësisht i pavarur në punën e tij dhe askush nuk ka të drejtë dhe të bëj presione në punën e tyre. Kjo nuk e përjashton as BE-në. Prandaj, është e qartë për të gjithë se ky kriter bazuar në kërkesën e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave ka kohë që është plotësuar. Ndërsa të gjithë e pranojmë se duhet punuar shumë më tepër në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por kjo luftë, nuk mund të kushtëzohet me afate strikte kohore apo vetëm me një proces të natyrës teknike. Në të gjitha shtetet demokratike të botës duke përfshirë Kosovën, krimi dhe korrupsioni luftohet në mënyrë permanente”.

Çfarë dëshmi keni ofruar, pra cilat raste? A kanë mjaftuar këto dëshmi që të përmbushet kushti për liberalizim, pra a ju ka kthyer përgjigje Komisioni Europian që dëshmitë janë të mjaftueshme për liberalizim?

Unë po ritheksoj se ky kriter nuk ka një njësi të caktuar të matjes së rezultateve. Kjo nuk është kërkuar asnjëherë dhe nuk mund të kërkohet. Të gjitha çështjet teknike, ligjore, të ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe të vënies në dipozicion të mbështetjes financiare dhe logjistike nga institucionet përgjegjëse në këtë fushë, janë plotësuar tërësisht në përputhje me kërkesat e udhërrëfyesit. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë një komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante të BE-së ku ne diskutojmë dhe shkëmbejmë mbi mbarëvajtjen e zbatimit të vazhdueshëm të të gjitha kritereve të udhërrëfyesit. Këtu kërkohet një vëmendje për të dëshmuar përparime të vazhdueshme. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, sepse ne si përfaqësues të qeverisë nuk mund të flasim në emër të institucioneve të pavarura, por një gjë është e sigurt, se si qeveri i kemi ofruar të gjitha mjetet në dispozicion që të ketë progres në këtë drejtim”.- Express

SHKARKO APP