Çollaku: Shqipëria i mirëpret turistët rusë, do zgjasnin kohën e sezonit turistik
Flet për “Koha Jonë”, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), z.Ardit Çollaku
***
Nga Eglantina Nasi
Shqipëria e mirëpret faktin që të bëhet pjesë e rajonit tonë i cili pret turistët rusë, pasi kjo do të sillte edhe një kohëzgjatje të sezonit turistik shqiptar. Një pohim i tillë bëhet nga vetë kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT), z.Ardit Çollaku, gjatë një interviste të posaçme për “Koha Jonë”, teksa flet mbi vizitën e fundit që ai kreu në Rusi, në kuadrin e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit MITT 2016 që u realizua atje. Duke shtuar edhe faktin se takimet që ai zhvilloi me autoritetet e larta ruse të turizmit ishin shumë interesante. “Patëm rastin të ndajmë ide për projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, si dhe ramë dakort që së shpejti një delegacion i tyre, së bashku me gazetarë dhe operatorë turistikë të vizitojnë së shpejti vendin tonë”, sqaron Çollaku lidhur me një çështje të tillë. Pa lënë mënjanë as faktin se Shqipëria ndodhet në një pozicion strategjik për rajonin dhe si e tillë, por edhe falë politikave të duhura që po ndiqen së fundmi ndaj turizmit, ajo ka filluar ta tregojë veten sesa e aftë është të presë turistë të huaj. Duke përfshirë këtu edhe ata rusë, për të cilët pala shqiptare tashmë po duket mëse e interesuar …
***
Z.Çollaku. Sapo jeni kthyer nga pjesëmarrja juaj në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit MITT 2016, që u zhvillua para pak ditësh në Moskë. A mund të na thoni përshtypjet tuaja personale nga ky event mjaft i rëndësishëm?
Panairi i Moskës është një ndër panairet ndërkombëtare më të rëndësishëm për sektorin e turizmit dhe ajo që të bënte më shumë përshtypje ishte prezenca shumë e madhe e vendeve të rajonit që na rrethojnë si Greqia, Italia apo Mali i Zi, të cilët u prezantuan me stenda shumë të medha pavarësisht kostove, pasi ky panair cilësohet si një ndër më të shtrenjtit në botë.
Cili ishte vendi që Shqipëria zuri realisht mes të pranishmëve të tjerë në këtë panair? Cilat elemente e bënin atë kompetitive kundrejt tyre? Dhe a mendoni se ky event e kuotoi edhe më shumë atë në aspektin turistik?
Në këtë panair, Shqipëria u prezantua me disa operatorë turistikë, siç është agjencia ‘Kalama Travel’ e z. Hysen Rojba të cilet në vazhdimesi e kanë inkurajuar tërheqjen e turistëve nga tregu rus. Kjo gjë tregoi nevojën e domosdoshme të pjesëmarrjes së përvitshme në këtë panair nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Mbi të gjitha, stenda e operatorëve shqiptarë ishte në qendër të vëmendjes dhe interesit jo vetëm nga vizitorët e shumtë, por edhe nga operatorë të ndryshëm turistikë.
Në Moskë, por edhe në Tatarsan, ju zhvilluat takime mjaft të rëndësishme me përfaqësues të sektorit të turizmit vendas. Çfarë konkluduat në bisedat me ta? A mund të flitet për terma, por edhe projekte konkrete bashkëpunimi në të ardhmen mes palëve? Cilat janë ato?
Takimet në Moskë, por edhe në Tartastan ishin shumë interesante për vetë faktin se pata rastin të takohesha drejtpërsëdrejti me homologët e mi në këto vende, si dhe t’u bëja një prezantim të plotë të potencialit turistik shqiptar. Patëm rastin të ndajmë ide për projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, si dhe ramë dakort që së shpejti një delegacion i tyre, së bashku me gazetarë dhe operatorë turistikë të vizitojnë së shpejti vendin tonë.
Flitet së fundmi për një interes të shtuar të palës shqiptare për të tërhequr drejt vetes turistët rusë. Pse pikërisht tani? Përveç faktit të përkeqësimit të raporteve me Turqinë. A ekziston në fakt edhe një vullnet i ri nga Tirana zyrtare për t’i shtuar raportet ekzistuese me këtë vend?
Rrethanat e fundit në Egjipt dhe konflikti i Rusisë me Turqinë e kanë favorizuar shumë rajonin për shtimin e numrit të turistëve dhe vende si Greqia, Italia, Kroacia dhe Mali i Zi po përfitojne nga ky aspekt, pasi drejt tyre po përqendrohet një fluks disa milionësh turistë rusë që janë shpërngulur prej tregjeve të Turqisë apo Egjiptit. Nga ana jonë, Shqipëria e mirëpret të bëhet pjesë e këtij rajoni që pret turistët rusë, gjë e cila do të sillte edhe një kohëzgjatje të sezonit turistik shqiptar.
A është e mundur të realizohet në praktikë ardhja e turistëve rusë në Shqipëri? A e premton këtë gjë infrastruktura jonë ekzistuese turistike? Çfarë masash duhen marrë në fakt sipas jush për këtë?
Puna e muajve të fundit e qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra në disa fusha, tregojnë më së miri seriozitetin e kësaj qeverie, pasi është hera e parë që turizmi konsiderohet si një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërtimi i resorteve të reja turistike dhe shtimi i numrit të shtretërve në strukturat pritëse sipas standarteve të klasifikimit të hoteleve është një nevojë e menjëhershme që duhet të merret në konsideratë nga të gjithë faktorët e brendshëm. Ka ardhur momenti i duhur që jo vetëm shteti, por edhe sektori privat të investojë në këtë fushë kaq të rëndësishme për ekonominë e vendit dhe falë ligjit të ri për Turizmin, si dhe ligjit për Investimet Strategjike, investitorëve t’u krijohen kushtet e duhura për realizimin sa më shpejt të tyre.
Një vend me një treg ende të pakonsoliduar turistik, me një ligj turizmi që është ribërë disa herë, pse jo, edhe me një imazh që në vende të ndryshme ende rezulton i diskutueshëm, sa shanse ka sipas jush të jetë një destinacion potencial turistik? A mjaftojnë vetëm ato qindra ditë me diell, deti, malet dhe liqenet që natyra na i ka falur përzemërsisht?
Siç e thashë më lart, më në fund kemi një ligj të ri për Turizmin, i cili e rregullon sektorin dhe do të vendosë standardet në këtë sektor. Imazhi për turizmin shqiptar tashmë ka ndryshuar dhe këtë e tregon më së miri vetë fakti i interesit të vazhdueshëm që kanë gazetarët e huaj për të prezantuar bukuritë turistike të vendit tonë, por edhe fakti tjetër i ftesave të shumta që na vijnë nga vende të ndryshme të botës, të cilët duan të informohen mbi turizmin shqiptar për ta kthyer atë në një destinacion për vendet e tyre.
Në vijim të kësaj, për të qenë realistë, Shqipëria gjendet e pozicionuar gjeografikisht mes vendeve që gëzojnë një traditë dhe kulturë të perfeksionuar turizmi, të tilla si Mali i Zi, Kroacia, Greqia, pse jo dhe Maqedonia. Si do mund të arrihet që të jemi kompetitivë ndaj tyre, për thithur turistë të klasit të lartë, siç janë ata rusë?
Shqipëria ndodhet në një pozicion strategjik për rajonin, çka e bën vendin tonë të jetë një pikë hyrëse dhe e rëndësishme edhe për shtetet që na rrethojnë. Kjo edhe për faktin se nisur nga ky pozicion, kemi patur kërkesa për organizimin e disa toureve me operatorë dhe gazetarë nga Greqia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Gjermania, Kroacia, Italia etj, si dhe do të organizohet vizita e operatorëve dhe gazetarëve rusë. Ky fakt tregon që vendi ynë ka filluar ta tregojë veten sesa i aftë është të presë turistë të huaj, gjë e cila sjell edhe shtimin e interesit për të promovuar Shqipërinë si destinacion turistik, nga vetë operatorët e këtyre vendeve.
Dhe për ta përmbyllur këtu këtë intervistë, Agjencia Kombëtare e Turizmit, si promovuese e politikave të turizmit dhe Shqipërisë si destinacion i denjë, çfarë masash konkrete ka marrë në vigjilje të këtij sezoni të ri turistik për ta promovuar sa më mirë atë në arenën ndërkombëtare?
AKT-ja për vitin 2016 ka dyfishuar pjesëmarrjen e saj në panairet ndërkombëtare për turizmin në mënyrë që të kemi një rritje të prezantimit të Shqipërisë turistike në sa më shumë vende të ndryshme të botës. Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Turizmit po ndërmerr një fushatë sensibilizuese me të gjitha institucionet e linjës dhe pushtetin vendor për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit. Së shpejti do të ndërtohen edhe disa info-pointe në qytetet kryesore turistike, si edhe do të zgjerohet numri i gjuhëve të huaja në të cilat do të publikohen materialet promocionale. Së bashku me ministrinë, gjithashtu është edhe ndjekja dhe zbatimi i planit të masave për sezonin turistik 2016. Një tjetër pikë e rëndësishme është organizimi i toureve me gazetarët e huaj, të cilët do të jenë edhe reklama më e mirë e drejtpërdrejtë që mund të ketë vendi ynë në mediat e huaja.