Dalia Grybauskaite: Ta mbështesim me të gjitha mjetet Ukrainën

Ukraina duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten, kur e sulmojnë hapur, thotë Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite në një intervistë ekskluzive me DW. Prandaj Lituania edhe e furnizon me armë Ukrainën.

Ekziston një shqetësim i madh se mund të kemi luftë të hapur midis Rusisë dhe Ukrainës. A ndodhet në prag të derës një luftë me Rusinë?

Aktualisht kemi të bëjmë me agresion rus në Ukrainë- pra në tokë evropiane. Nuk ka asnjë dyshim se Rusia është e përfshirë drejtpërdrejt në të.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Hollande përpiqen në mënyrë aktive për paqen në Ukrainë. Si i vlerësoni rezultatet për sukses të kësaj inisiative?

Duhet të zhvillohen bisedime, për të arritur të paktën një armëpushim. Angela Merkel do të bëjë më të mirën që mundet. Dhe megjithëse unë kam besim në veprimet e saj, ne e dimë se me kë ka të bëjë. Për të gjithë ne kjo është një situatë e vështirë, sepse për të gjithë ne erdhi krejtësisht papritur. Vazhdon ta kemi të vështirë ta përfytyrojmë që në Evropën e shekullit të 21-të kemi të bëjmë me një agresion të hapur.

Kancelarja Angela Merkel është kundër dërgimit të armëve Ukrainës. Ajo kërkon një zgjidhje diplomatike. Vendi juaj i dërgon armë Ukrainës. Ju vjen keq për këtë vendim të Gjermanisë?

Mendoj se nuk duhet të ketë kontradiktë midis këtyre dy anëve. Dialogu mbetet gjithmonë mjeti më i rëndësishëm diplomatik. Por kur nuk ka zgjidhje diplomatike, një vend duhet ta ketë të mundur që të mbrohet. Ne duam ta mbështesim me të gjitha mjetet Ukrainën. Edhe në kufijtë tanë, në Kaliningrad ekziston një kërcënim. Ne regjistrojmë përditë manovra trupash. Ky kërcënim është real. Ne nuk mund t'i kërkojmë një vendi që të mos mbrohet, kur e sulmojnë hapur dhe kur popullsia e tij civile preket drejtpërdrejt nga lufta.

Çfarë armësh i dërgoni Ukrainës?

Ne dërgojmë armë defensive.

Edhe të ashtuquajtura armë vdekjeprurëse? Pra më tepër se kostume antiplumb dhe gjëra të ngjashme?

Ne i vëmë Ukrainës në dispozicion të gjitha mjetet, për të mbrojtur vetveten- të gjitha mjetet që ka vetë Ukraina në dispozicion.

Ju folët për një kërcënim për vendin tuaj dhe për shtetet baltike. A ndiheni të mbrojtur sa duhet nga NATO-ja?

Ne jemi të mbrojtur nga vullneti ynë i përbashkët politik dhe nga gatishmëria e popullit tonë për t'u mbrojtur. Ne jemi vendi i parë i NATO-s që themeluam një trupë të ndërhyrjes së shpejtë, përpara se NATO-ja ta ngrinte vetë një të tillë, për të na mbështetur ne. Ne e njohim fqinjën tonë. Nuk i besojmë asaj, veçanërisht udhëheqjes në Kremlin. E dimë se duhet të jemi të gatshëm që të mbrohemi.

Në ditët në vazhdim BE do të diskutojë për sanksione të reja kundër Rusisë. A jeni pro ashpërsimit të sanksioneve kundër Moskës?

Më parë duhet të arrijmë një armëpushim. Kjo nuk do të ndodhë nesër ose javën që vjen. Nuk janë vetëm ushtarë ata që vriten, por edhe civilë. Duhet të gjejmë një zgjidhje. Askush në Evropë nuk dëshiron luftë. Por ne as nuk mund t'u lejojmë agresorëve që të veprojnë në këtë mënyrë kundër nesh. Po të mos e ndihmojmë Ukrainën, ne nuk shesim vetëm Ukrainën, por edhe veten tonë.

Shumë ukrainas druhen se Evropa do ta lërë në baltë Ukrainën dhe do ta ndihmojë vetëm me fjalë, jo me vepra. Çfarë do t'u thoshit ukrainasve, të cilët kanë frikë se Evropa mund të ndjekë një politikë paqëtimi përballë Rusisë?

Unë kam besim te puna e Angela Merkelit. Ajo nuk do të mashtronte kurrë askënd – as Ukrainën, as Gjermaninë, as Lituaninë. Të gjithë ne bashkë jemi në gjendje t'i dalim mbanë.

DW

* Dalia Grybauskaite është Presidente e Lituanisë që prej vitit 2009. Deri sa mori postin e Presidentes, ajo ishte Komisare për Planifikimin Financiar dhe buxhetin në Komisionin Evropian.

SHKARKO APP