Dash Shehi: Ja kush janë fajtorët e humbjes në PD
Z.Shehi, prej ditësh ka nisur një debat në Partinë Demokratike, ku disa nga krerët e PD-së në rrethe po sulmojnë ish ministrat për mos mosangazhim në zgjedhjet lokale. Në mbledhjet e fundit të grupit të PD-së, Ruli ka kërkuar nga Basha që t’i tërheqë veshin krerëve. Si e keni lexuar ju këtë debat?
Debati është një lloj pasurie, pasi duhet thënë se nuk është se krijohen përditë debate të brendshme mes personazheve të partive politike. Nëse e marrim në këtë prizëm, duhet vlerësuar. Pastaj nëse ndalemi tek ata që e kanë bërë këtë debat, duhet thënë se personazhet nuk krijohen për një ditë në politikën shqiptare. Për më tepër humbja në zgjedhjet lokale nuk është se ka ardhur prej këtyre personazheve. Unë them se pezmatimi i këtyre debateve të fundit e ka zanafillën që pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013ës, humbje e cila duhet kapërcyer. Por nuk është ky problemi, pasi halli më i madh që ka Partia Demokratike është që të krijojë një platformë fituese për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, ku të krijojë një ekip i cili e çon PDnë drejt fitores. Por duhet thënë se kjo nuk bëhet pa angazhimin e të gjithëve sepse duhen ide dhe njerëz, të cilët duhet të jenë të besueshëm, gjë që deri më sot kreu demokrat nuk ia ka arritur.
Nuk ju duket se po bëhet “shumë zhurmë për asgjë?
Shumë mirë që po bëhet zhurmë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mbushet piramida, për të cilën PDja ka shumë nevojë, sidomos nëse do të mbushej me njerëz që kanë vlera, që kanë eksperiencë. Por dhe me njerëz që kanë vota, sepse demokracia është votë. Ndërsa nëse do të ndalemi te njerëzit që nga anonimati duan të bëhen çeto, u them që rruga është e gjatë.
Zërat mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike që po kërkojnë zgjedhje të parakohshme janë shtuar. Ndërkohë që ju thoni që më parë Bashës i duhet një program qeverisës, duke ofruar njerëz me ide dhe eksperiencë. Nga ana tjetër duhet të thyejnë diferencën e madhe me vota. Duke parë situatën brenda PD-së dhe diferencën e madhe të votave në zgjedhjet e fundit sa e mundur është përmbysja?
Unë mendoj që përmbysja është gjithnjë e mundshme. Nuk e quaj të pamundur. Po ashtu politika nuk bëhet vetëm mbi frazën që ne e quajmë përmbytje. Liria vjen dhe me fjalët e avancuara. Nëse pas dy vitesh do vihet një ekuilibër mes të djathtës dhe të majtës edhe këtë unë e quaj përmbysje, një zhvillim dhe emancipim i gjithë jetës së politikës shqiptare, sepse edhe kështu pa opozitë kjo punë nuk shkon, pasi deri më sot kjo maxhorancë i ka pasur duart e lira për të prodhuar çdo lloj ligji.
Basha përmes një udhëzimi që i ka dërguar krerëve të degëve i kërkon atyre që të gjejnë fajtorët që sollën humbjen në zgjedhjet lokale. Si e gjykoni kërkesën e zoti Basha për të bërë “koka turku”?
Nuk ka pse të kërkojmë fajtorët, pasi koha e ka treguar kush janë ata që i sollën të djathtës humbjen. Ndërsa Basha e ka për detyrë që të fillojë të ngjisë kodrën që ka përpara e cila duhet thënë se nuk është e vogël. I duhet të bëjë programin. Atë të bëjë. Nëse kërkon që të gjejë fajtorët në bazë unë them që nuk ka për të gjetur asgjë. Në Shqipëri fajorët janë gjithnjë sipër. Kjo ideja për të kërkuar fajtorët në bazë më kujton kohën e regjimit, kur për dështimet në sektorë të ndryshëm mblidhej kolektivi dhe i binin në qafë ndonjërit. Ajo që duhet bërë në bazë është riorganizimi i partisë duke krijuar struktura të reja dhe për të nxjerrë në krye figura të reja të cilët kanë nevojë për t’u reklamuar.
Si ju duket PD-ja sot nën drejtimin e zoti Basha?
Partia Demokratike tashmë është bërë më e hapur dhe normalisht që do të ketë debate dhe konflikte të vazhdueshme mes të vjetërve dhe të rinjve ku do të dalin në sipërfaqe politikanët që anojnë në të majtë dhe në djathtë. Deri dje këto debate nuk dilnin në sipërfaqe sepse janë mbuluar nën autoritetin e Berishës. Sot më nuk është ai autoritet dhe është krejt e natyrshme që të kemi sherre mes politikanëve dhe ato të dalin jashtë dyerve të partisë, sherre që për hir të vërtetës nuk janë ta pranishme vetëm te PD-ja, por janë kudo, vetëm se partitë e tjera i fshehin.
Nga ajo që kemi parë këto ditë në PD më shumë se sa përplasje pikëpamjesh a nuk ju duket zoti Shehi si përplasje brezash?