Demir Gjergji: Nuk ka vetmi më të bukur se ajo e krijimit

Intervista/Flet për Koha Jonë lidhur me romanin e sapobotuar “Biri i Botës”, autori Demir Gjergji

Demir Gjergji: Nuk ka vetmi më të bukur se ajo e krijimit

Pasi ka botuar plot 15 vepra të suksesshme në poezi dhe prozë, kësaj radhe autori Demir Gjergji zgjedh të vij ndryshe për lexuesin e tij, me një roman të titulluar “Biri i Botës”. Një roman në të cilin trajtohet një temë delikate, sikurse është ajo e fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore. Nëditën e promovimit tëromanit nësallën e Muzeut Historik Kombëtar nuk mungonin njërëz tëletrave, koleg gazetarë, miq dhe dashamirës sëcilët shprehen vlerësimet e tyre për këtëvepër.
Krijimtaria e këtij autori është vlerësuar me një sërë çmimesh si: “Çmimi i Dytë Kombëtar për Poemë”në vitin 1986, “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin  2001, “Skampini”etj.
Nënjëintervistëpa tabu për gazetën “Koha Jonë”, autori nuk nguron tërrëfejëjetën e tij, vetminë, vështirësitë, frymëzimin për tëshkruar dhe mbi tëgjitha për “Birin e Botës”…

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Para pak ditësh ju treguat botimin e romanit tuaj… Mund të na thoni si u ndjetë mes gjithë atyre miqve të pranishëm?

Mes miqsh ndihesh mirë edhe po të ndodhesh pa asnjë motiv apo arsye vetjake e jo më në një ngjarje të tillë, siç është botimi i një libri. Për të vazhduar më tej, ishte fjala për botimin e romanit tim të parë, të cilin në një farë mënyrë e kam shkruar në pergamenën e ndërgjegjes faqe pas faqeje gjatë gjithë jetës sime. Një roman për të cilin më ka nxitur shumëkush që më njeh ta shkruaj domosdo. Një roman të cilit pas botimit të 14 librave të tjerë, kryesisht me poezi, kisha tmerr t’i afrohesha për t’ia hedhur në letër qoftë edhe fjalinë e parë. Por kjo ndodhi! Ndodhi, një mbrëmje, pasi isha kthyer nga vendlindja dhe ende më gjëmonin në veshë erërat e saj, më rrinin në sy peizazhet e saj; korijet, kodrat, bokërrimat. Sidomos bokërrimat. Dhe papritur fillova të godas tastet e kompjuterit me ndjesinë se isha ulur në piano dhe po filloja të kompozoja një uverturë. Kisha shkruar faqen e parë në ëord gati pa vetëdije, pa i hedhur sytë fare në monitor. Kur e lexova pash se fliste vërtet për një shpat lumi bokërrimë me gropa të thella zogjsh me ngjyra… Më tej? E tani, brenda 384 faqeve të romanit “Biri i Botës”, i cili më tregoi edhe një herë se sa miq paskam. Gjatë tregimit të romanit në atë sallë moderne të Muzeut Historik Kombëtar, m’u duk se po përjetoja një jetë të tretë, si apostujt, ndërkohë që përjetimin e parë e kisha kaluar në sinkron fizik me moshën dhe kohën, dhe përjetimin e dytë gjatë shkrimit të romanit. Me këto që po them, besoj e kuptoni se romani lidhet ngushtë me jetën time.


“Biri i Botës”. Përse ky titull?

Të gjithë jemi bij e bija të kësaj bote, por Fatlumi është me gjithë peshën semantike të fjalës Bir dhe  Qytetar i saj. Ai nuk di i kujt është: i babait juridik, i dashnorit të nënës apo i njerkut që e ka rritur. Nuk di ku ka lindur: në vendin e vajzërisë së nënës, në vendin aty ku i ka rënë koka apo aty ku është bërë i vetëdijshëm për t’i dalë zot vetes. Madje nuk e di se kur ka lindur: në datën që mban mend e ëma, atë që i thonë çertifikata e lindjes apo datën që ia kanë shënuar në librezën ushtarake. Nga kjo origjinë mister Fatlumi vazhdon të çajë nëpër enigmat dhe misteret e jetës si nëpër një pyll të errët, ku pas çdo druri e gëmushe i shfaqen rreziqe, të cilat në vend që ta trembin, ia shtojnë kureshtjen dhe guximin për të ecur më tej në kërkim të hapësirave me dritë. Fati i ka qëlluar të lindë në një shoqëri të vënë në rresht nga një politikë e ashpër diktature, por Fatlumi, më shumë vuan një tjetër diktaturë: atë të njerkut dhe njëherësh atë të përçmimit shoqëror. Gjithandej e thërrasin “kopil”. Që të mos e zgjasim, Fatlumi është njeriu që rend fatit, si lumi, i cili nuk e di se ku i ka burimet dhe rrjedh drejt detit herë i dhunuar keqas nga shtrati i ngushtë, herë i fryrë e i rrëmbyer nga zemërimet e qiellit, herë i kthjellët e i qetë në ëndrrën e vet. Nga vjen? Ku shkon? Me dy fjalë: nga kopili i keqtrajtuar i katundit, te biri i barabartë i botës.

Në roman trajtohet një temë delikate, sikurse është fati i fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore. Përpos kësaj cilat janë temat e tjera që shtjellohen gjatë romanit?

Po, siç e rrëfeva, Fatlumi është krijesë e një tradhtie apo më mirë të themi i një dashurie të zjarrtë e të fshehtë. Ai e kalon fëmijërinë në një mjedis pothuajse të shkatërruar familjar. Pra ai vjen nga një “asgjë“, nga një familje rrënojë. Por, dihet, se njeriu është i prirur të bëjë shpesh të kundërtën e asaj që përjeton. Rrethana të tilla edukojnë në shpirtin e djalit, përveç harmonisë së ngjyrave (ai ëndërron të bëhet piktor dhe bëhet i tillë), edhe bindjen se familja është ADN-ja e shoqërisë së organizuar në shtete apo bashkësi të tjera, se dëmtimi i kësaj ADN-je, pra, i familjes, është fundi i kombeve, madje edhe i shteteve. Kështu ai këmbëngul të gjejë një njeri të denjë për të krijuar një kurorë, për të lindur fëmijë, të cilët sido që të ndodhë, s’do ta kenë kurrë fatin e tij, pra të humbjes së atësisë. Vetëm kështu ai e ndjen veten BIR i BOTËS, pasi ka dalë nga humbella e izolimit dhe e diktaturës.

“Biri i Botës” është një rikthim në rrugët e hershme të jetës suaj?

Pyetja besoj ju erdhi nga ato që thashë më lart. Po përpiqem të them diçka më shumë rreth lidhjeve autor-personazh-lexues. Së pari ju siguroj, se ndonëse romani është një trillim artistik në një arkitekturë, nga ana tjetër, asnjë personazh i tij nuk është i trilluar. Madje shumë ngjarje të tij janë midis fantazisë dhe asaj ç’ka ndodhur në të vërtetë. Për këtë arsye e kam shkruar me vonesë këtë libër. Kam pritur që çdo përjetim të kthehet në kujtim të largët, në mënyrë që mendja t’i sitë ngjarjet si rërën për të lënë vetëm floririn, pra lëndën artistike. Afërmendsh, që vepra duhet lexuar si trillim dhe ky lexim duhet bërë për dy arsye kryesore: e para për të gjetur veten aty dhe e dyta, për të marrë një informacion mbi historinë dhe të shkuarën ashtu siç e shërben një penë shkrimtari.

Çdo lexues merr prej një vepre letrare një mesazh që perceptohet individualisht në bazë të leximit. Çfarë mesazhesh keni dashur të përcillni ju vetë si shkrimtar?

Po, mesazhi është ai që sapo thashë më lart: gjithsekush prej nesh, të lindur në këtë botë krejt rastësisht nga dashuria dhe epshi seksual, këtë rastësi duhet ta kthejë në domosdoshmëri për t’u bërë Bir dhe Qytetar i kësaj bote pa relikte mendësish provinciale e sidomos pa inate kufijsh e duke u mburrur se kush e ngre më shumë flamurin e nacionalizmit butaforik.

Mund ta quajmë romanin “Biri i Botës” një roman autobiografik dhe sa e vështirë është të rrëfesh veten?

Jo. Për mua, ky roman nuk është autobiografik. Nuk kam dashur të shkruaj kurrë një biografi të jetës sime. Tek e fundit kujt i duhet ajo?! Kurse për pjesën e dytë të pyetjes, mund të them se unë e kam shumë të lehtë të rrëfej veten, ashtu si kam qenë e jam. Nuk më vjen as trup prej “turpeve dhe prapësive”  që mund të kem bërë, sepse jam i i bindur që kurrë në jetë nuk i kam rënë dikujt në qafë me dashje, as nuk kam frikë nga e shkuara ime, sepse kam përshtypjen (më falni për mungesën e modestisë), askujt nuk i kam asnjë lloj borxhi dhe mendoj se më shumë kam dhënë dashuri, të paktën përmes krijimtarisë sime dhe nëpërmjet punës së gazetarit, se sa kam marrë.

Nga poezia në prozë, megjithëse nuk është hera e parë. Në cilin prej këtyre zhanreve e ndjeni veten më komod?

Poezia është lumi që të rrëmben e të lë në hapësirat detare, ndërsa proza është deti që nuk të nxjerr në bregun tjerët, po nuk notove e vozite mundimshëm  me krahët e tu. Proza të lodh, të krijon një gjendje krejt tjetër gjatë shkrimit, ndërsa poezia të merr në krahët e Pegasit dhe ti ndjehesh i papeshë dhe me shpirt plot dallgë. Por çastet, pas krijimit të tyre të krijojnë të njëjtën gjendje: atë të lindjes. Gjatë shkrimit të romanit në fjalë jam përpjekur fort ta shmang poezinë, ose t’i fshihem asaj. Por nuk ia kam arritur. Ajo me ka gjetur më është afruar si kotele, duke m’u përkulur dhe duke më hyrë fshehtas brenda prozës. S’e di në i ka bërë mirë apo romanit.

Ç’është vetmia për ju?

Në botë nuk ka vetmi absolute. Sado veç të tjerëve, sado i fshehur, i fjetur apo edhe i vdekur kurrë nuk mund të jesh krejt vetëm në këtë botë. Asgjë nuk është, asgjë nuk ka peshë nëse nuk është në raport dhe sidomos në marrëdhënie me një gjë tjetër. Më thoni, ju lutem, kush mund ta peshojë Tokën, planetin tonë? Që të bëhet kjo duhet një peshore që të vendoset diku. Pra, ashtu si çdo gjë tjetër nuk ka vlerë në vetvete edhe planetët më gjigantë nuk kanë peshë në vetvete. Kështu është edhe vetmia. Edhe në hapësirën më të thellë kozmike po të gjendesh fillikat, nuk je në vetmi, se ke vezullimin e yjeve përreth, ke mendimet dhe kujtimet, ke frymën qe jep e merr, ke veten. Të vijmë te vetmia e shkrimtarit. Një nga të mëdhenjtë e poezisë, Fernando Pesoa, thotë: “Të qenurit poet nuk është një ambicie e imja. Është mënyra ime për të qëndruar vetëm”. Besoj nuk ka vetmi më të bukur se ajo e krijimit. Dhe unë përpiqem t’i imitoj këta të “vetmuar”. Por ka edhe vetmi të tmerrshme. Njërën prej tyre e kam provuar pas botimit të romanit. Ditët e para të daljes në qarkullim. Më ka ndodhur si dikur pas botimit të poezisë së parë: ecja rrugëve dhe prisja të më ndalonin e të më shihnin si perëndi, sikur sapo kisha krijuar botën. Merre me mend si ndjehesha kur njerëzit vazhdonin në të tyre, pa i rënën ndërmend për “Birin e Botës”. Desh Zoti, kjo “vetmi” zgjati pak. Vëmendja ndaj romanit erdhi dhe u kulmua  tek veprimtaria që përmendëm.

Çfarë vendi zë ky roman në tërësinë e krijimtarisë suaj artistike?

Për mua, krijimi i fundit është më i miri dhe më i rëndësishmi dhe më pëlqen të rri me të, si prindërit me fëmijën e tyre të sapolindur. Hë për hë është Biri i Botës, or pas mëngjesit vjen mbrëmja dhe pas mbrëmjes mëngjesi.

 

SHKARKO APP