Deputetja e PD, Hajdarmataj: Qeveria jeton në Facebook, njerëzit po vdesin për bukë
Intervistoi: Redjon Shtylla
Mimoza Hajdarmataj, është e para deputete femër në parlamentin e Shqipërisë që vjen nga zona e Tropojës. Në intervistën për e dhënë për "Koha Jonë", deputetja analizon problemet që kanë banorët e rrethit të Kukësit, duke filluar që nga ndërprerja e energjisë elektrike për afro 600 familjeve, si dhe kushtet e rënda nëpër spitale. Për sa i përket situatës aktuale mbi rëndësinë e gruas në jetën politike dhe punësimi i saj në këtë sektor, deputetja shprehet se: "Janë mbi 3 mijë gra të pushuara nga puna në administratën publike dhe institucione nga kjo qeveri dhe mazhorancë, ndërkohë që mijëra gra madje shume kryefamiljare kanë dalë të papuna nga shtatë mijë biznese të vogla që janë mbyllur pothuajse këtë vit nga dhuna e tatimeve"
Keni ngritur shqetësimin se prej dy-muajsh furnizimi me energji elektrike është ndërprerë për 600 familjeve në zona të thella në Tropojë, si është gjendja aktuale në këto familje?
Aktualisht situata është shumë e vështirë. Ato familje sikurse dhe me mijëra të tjera në Shqipëri po jetojnë terrorin e errësirës. Sigurisht, jo për faj të tyre, pasi mjerimi ekonomik që ka pllakosur çdo vatër familjare ia bën të pamundur pagesat për likuidimin e faturave dhe të kamat vonesave. OSSHE me një arrogance anti-humane zbaton një akt marrëveshje krejtësisht arbitrare për likuidim të borxhit me 12 këste mujore. Si deputete po përpiqem me të gjitha forcat që Ministria e Energjetikës, të ndërhyjë pranë OSHE që të krijohet mundësia e kthimit në fuqi të marrëveshjes se mëparshme. Kjo marrëveshje kishte parashkruar mënyrën e likuidimit me një skemë lehtësuese për kategori te shtresave në nevoje, tw cilat tw vetmet tw ardhura kanë ndihmën sociale prej 34 mijë leke të vjetra në muaj. Imagjinoni se si munden këto familje të paguajnë këste të cilat përveç faturimit mujor, afrofe, shkojnë deri në 200 mije lekë të vjetra në muaj? Ndërkohë që kemi këtë realitet mesjetar në shumicën e territorit të veriut, por jo pak problem ka dhe në zona të tjera, ndërprerje shumë-orësh, ndriçimi me qiri, fëmijë që nuk mësojnë dhe shikojnë dot televizor, errësirë dëshpërim e pikëllim, uri dhe skamje, ndërkohe qe realiteti i pushtetit janë qindra milionat e eurove që krerët e shtetit akuzohen se kane përfituar nga marrëveshje antiligjore, klienteliste me CEZ. Kjo qeveri me lekët e stërmundimshme të shqiptarëve i fal borxhe CEZ dhe ua merr shpirtin të varfërve dhe hallexhinjve. Ku kanë përfunduar këto para, po ato miliona euro të mbledhura në më pak se një vit nga marrja me hir dhe pa hir e faturave të pashlyera me kamat vonesa. Pse nuk po investohet në rrjetin energjetik apo në spitale shkolla sikurse trumbetojnë spotet qeveritare?
Znj. Mimoza si do ti gjykoni investimet e bëra nga qeveria, në rrethin e Kukësit?
Zero investime në infrastrukture, zero investime ne shkolla, zero investime në ujësjellës, turizëm malor, kanalizime të ujërave të zeza apo kulluese, sisteme vaditëse, asnjë plan rregullues, asnjë politike nxitëse për bujqësinë apo blegtorinë, asnjë strategji për turizmin, asgjë për gratë, asgjë për rininë, për kulturën etj. Mbijetesa dhe jo jetesa është refreni i ditës. Bukën e përditshme falna o Zot është lutja që nënat dhe gratë e vajzat bëjnë për familjet e tyre, ndërkohë që qeveria mashtron në televizion dhe në Facebook për një realitet imagjinar. Fshatra të tëra po boshatisen, rinia po braktis shtëpitë dhe qytetin drejt azilit, si zgjidhje të vetme për punësim dhe shpresë.
Znj. Mimoza si është gjendja aktuale në spitalet e rrethit Kukës, a po funksionon "shëndetësia falas" dhe çfarë problemesh kanë qytetarët?
Shëndetësia në Kukës, por në të gjithë Shqipërinë është sistemi që ka nevojë për një elektroshok që të kthehet në jetë. Kjo qeveri nuk punon për reformë të sistemit, por për grabitje duke e rrënuar atë. Ju po e ndiqni vetë çdo ditë në televizion e media sociale, ku vetë mjekë e infermiere ulërasin për krizën në spitale e qendra shëndetësore. Pra sot halli më i madh është përballja me spitalet, ku shpëtimi i jetës mbetet një mrekulli në duart e Zotit. Ka mungesë totale të ilaçeve më kryesorë, aparaturave, kushteve për një kurim normal të jetës njerëzore. Një tjetër akt mizor i kësaj qeverie është heqja e KEMP, invaliditetit, për të sëmurët të cilët tashmë janë në mëshirë të fatit dhe në Bajram Curi ky është një fenomen i shpeshtë. Duke vlerësuar maksimalisht devotshmërinë e grave dhe burrave të stafit mjekësor në spitalin e Kukësit dhe Tropojës si dhe të qendrave shëndetësore atje. Një tjetër fenomen që e agravon situatën janë dhe çmimet e papërballueshme të ilaçeve, pasi rimbursimi është thjesht manipulim dhe mashtrim mediatik. Abuzim fondet, klientelizëm, mungese shërbimi- kjo është sot për sot panorama e shërbimit shëndetësor kudo, që rrit kështu dita-ditës pasigurinë për jetën dhe shëndetin.
Masat e marra nga qeveria për ekonominë, ju si do ta analizonit si pjesë e opozitës por edhe si një deputete me përvojë?
A ju kujtohen premtimet e fushatës elektorale në vitin 2013, për taksa te ulura për 90% të shqiptarëve, për zero taksa për biznesin e vogël, për taksë të ulur për faturën e energjisë për familjarët, për 300 mijë vende të reja pune? Ka rreth një muaj që biznesi i vogël dhe i mesëm po kalon ditët e veta me të këqija. Ne emër të luftës kundër informalitetit, por edhe për të mbushur gropën e madhe të buxhetit, i janë turrur me të vegjëlve dhe po e shkatërrojnë duke mbyllur qindra të tillë të cilët po hapin plagë akoma më të madhe për sa i përket përkeqësimit të ekonomive familjare edhe atë te shtimit të papunësisë në këtë vend tw sfilitur nga përralla e Rilindjes. Në të gjitha modelet perëndimore të zhvillimeve ekonomike, biznesi shikohet si partner dhe jo si armik. Strategjia që duhet të ndjekë shteti është nxitje, stimulim dhe ndërgjegjësim por asesi lufte dhe aksione apo mësymje me inspektore të cilët në të shumtën e rasteve ose janë të korruptuar dhe përgjegjës për lejimin e informalitetit ose janë të paaftë për interpretimin e ligjeve apo te shkeljeve ligjore nga ana e biznesit. Lëre pastaj kur vjen puna te arbitrariteti në vendosjen e gjobave apo sekuestrove. Qeveria e paaftë të luftojë kontrabandën në dogana, nafte, cigare apo tregtinë me shumicë, e cila pasuron xhepat e blerësve të votave, u lëshua ndaj biznesit të vogël i cili u detyrua të mbylle dyert dhe të flake në rrugë edhe ata pak të punësuar. Ajo që po shikojmë këto kohë, në emër të luftës kundër informalitetit është një politikë anti treg. Është anti reformë është antisociale, është anti punësim. Gjithçka çfarë u premtua dy vite më parë jo vetëm rezultoi mashtrim por po ndodh dhe hakmarrja e pushtetit gjoja në emër të bërjes së shtetit dhe zbatimit të ligjit. Parlamenti është në fazën e vet më të errët pasi ka humbur funksionin me ligje klienteliste, që miratohen pa asnjë diskutim apo trajtim profesional nga shumica e kartonëve të blerë. Ne si PD ofrojmë një strategji masash dhe reformash për të nxjerrë ekonominë, tregun, biznesin nga kriza. Kemi një plan konkret dhe të realizueshëm për liberalizim taksash dhe procedurash tatimore e doganore për ti dhënë oksigjen ekonomisë, rritje pagash e pensionesh hapje vende pune , pra të kthejmë shpresën se ky vend bëhet dhe në këtë vend rinia mund të jetojë e të punojë
Çfarë mendon Znj. Mimoza për ligjin e dekriminalizmit, ka me të vërtetë deputetë që në parlament kanë probleme me ligjin?
Çështja e dekriminalizimit, është një çështje prioritare që Partia Demokratike e ka shpallur si emergjencë kombëtare, kauzë të cilën po e mbështesin dhe partnerët ndërkombëtarë. Bëhet fjalë për besimin e shqiptarëve por dhe të ndërkombëtarëve tek shteti i së drejtës , tek ligji, Kushtetuta, institucionet. Ka dy vite që ky shtet është thërrmuar. Si mund ta ngrejë me një parlament dhe institucion të inkriminuar, me një drejtësi të kapur politikisht dhe nga interesa të caktuara kriminale? Personalisht gjykoj që asnjë program apo agjendë politike tjetër nuk mund të jetë më prioritare sot sesa largimi nga politika, parlamenti, administrata dhe çdo qelizë vendimmarrëse, të atyre që kanë probleme me ligjin. Ne nuk mund të rrisim fëmijët tanë në një republikë krimokratike. Si mund të pretendohet te ketë zhvillim ekonomik, integrim evropian, besueshmëri nga aleatët e NATO-os, politika sociale, strategji afatgjata, konsensuse politike, kur persona me rekorde kriminale vishen me pushtet dhe kanë në dorë fatet e vendit. Ka një mekanizëm për të fituar këtë betejë dhe ky është ligji për dekriminalizimin që duhet të miratohet dhe të zbatohet sa më parë pa anshmëri politike.
Si një Koordinatore Lokale për Rrjetin Kombëtar të Grave “Barazi në Vendimmarrje” si e shikoni pozitën e gruas Shqiptare në vendimmarrje dhe një grua politikane?
Rrjeti Barazi në Vendimmarrje me mbështetjen e USAID nëpërmjet Assist Impact ka publikuar manualin e parë mbi raportimin e ndjeshëm gjinor për gazetarët në Shqipëri te cilën ju inkurajoj ta studioni dhe publikoni sa me shumë pasi aty ngrihen çështje shume te rëndësishme për heshtjet gjinore. Çështja e fuqizimit të grave në vendimmarrje dhe në politike është e lidhur pazgjidhshmërisht me fuqizimin e demokracisë në Shqipëri sepse vendimmarrja e grave është çështje e të drejtave të tyre dhe gjendja e të drejtave të njeriut në vend është në kohën e saj më të zymtë. Është e domosdoshme që integrimi i grave në vendimmarrje dhe fuqizimi i saj në politikë të hartohet me plan veprime konkrete dhe jo me retorika demagogjie nga pushteti, sikurse shpërndan mesazhe kryeministri nëpër forume ndërkombëtare. Nga ana tjetër vetë politika jonë e ashpër ka nevojë të riformatojë mentalitetin e saj për bashkëpunim dhe ngritje mundësish të barabarta mes dy gjinive për promovim në politikë dhe në të tri pushtetet legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor. Fuqizimi i statusit të gruas në politike është përtej statistikave zyrtare të grave nëpunëse , deputete apo ministër. Fuqizimi lidhet pikë së pari me zbatimin e të drejtave dhe hartimin e ligjeve dhe politikave pro çështjes së gruas. Njëherësh jam gjithmonë e bindur se edukimi në kuptimin e arsimimit dhe krijimi i mundësive sa më të shumta të vendeve të punës për gratë dhe vajzat do të ngrejë shoqërinë tonë në standarde e një shteti të vërtetë demokratik dhe evropian. Realiteti i sotëm ka kryefjalë dhunë dhe mllef ndaj grave. Më thoni sa gra janë vetëflijuar për shkak të skamjes, faturave të papërballueshme, ilaçeve që duhet të blejnë për fëmijët ose bashkëshortët e sëmurë? Janë mbi 3 mijë gra të pushuara nga puna në administratën publike dhe institucione nga kjo qeveri dhe mazhorancë, ndërkohë që mijëra gra madje shume kryefamiljare kanë dalë të papuna nga shtatë mijë biznese të vogla që janë mbyllur pothuajse këtë vit nga dhuna e tatimeve. Pra ku është shteti, pse nuk dëgjohet dhe nuk reagon ky kryeministër që mbështet gratë?? Ndërkohë unë shpreh keqardhjen dhe revoltën e thellë për pozitat shumë neglizhuese, madje shpërfillëse, të kolegeve të mia të mazhorancës por dhe ministreve që nuk ngrenë fare zërin për hallet dhe çështjet e mbijetesës së grave dhe nënave shqiptare.