Deputetja e PD, Irma Kopliku: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë larg

Është bërë pjesë e PD-së gjatë vitit që lamë pas. Me një karrierë të gjatë në mësuesi dhe në pedagogji, Deputetja Irma Kopliku premton se do të sjellë një copëz ndryshimi në sallën e Kuvendit. Në këtë intervistë dhënë për “Koha Jonë”, znj. Kopliku ka bërë një analizë mbi ecurinë në arenën politike gjatë 2015-s, duke trajtuar çështjen e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi. Më tej ajo ka shtuar se: “Debatet dhe retorika më tepër kanë karakter mediatik, sesa përmbajtjesore. Këto lloj debatesh, apo retorika që i ngjajnë me tepër një telenovele të shëmtuar sesa një Kuvendi”. Kopliku flet dhe mbi buxhetin që ka caktuar qeveria për mjedisin dhe mbi debatin politik për mbrojtjes e hapësirave të gjelbra. A do të bëhet PD-ja, pjesë e ndonjë koalicioni dhe a pret ajo një përplasje midis koalicionit qeverisës, përgjigja e deputetes është se: “PD nuk pret përplasje midis koalicionit, sepse asnjë nga komponentët nuk përbën mundësi bashkëpunimi për ne si parti. As PS, as LSI. Besoj se një koalicion i PD me një nga këto dy forca politike do vrisnin përgjithmonë shpresën e shqiptarëve”.

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Znj.Kopliku, keni pak kohë që jeni pjesë e Kuvendit, deri më tani si do ta vlerësoni atmosferën, sfidat dhe arritjet gjatë vitit 2015, por dhe një rezyme për punën tuaj?

Do të doja ta filloja nga arritjet, meqë ato janë më të paktat këtë vit që lamë pas, ashtu si dhe në këto më shumë se dy vite qeverisjeje. Kemi përmbyllur me konsensus të plotë, një proces mjaft problematik për Parlamentin, institucionet dhe imazhin e Shqipërisë në përgjithësi, atë të dekriminalizimit. Termi unik ky, por nevojë emergjente për një sallë, të cilën një koleg i yni e krahason me të drejtë, me dhomën e paraburgimit. Ky ligj përveçse do promovojë një tjetër model të politikbërjes, do të vendosë një standard më të lartë të përfaqësimit publik të qytetarëve, sepse përfaqësimin aktual populli shqiptar nuk e meriton kurrsesi. Sfida kryesore nga ana tjetër është reforma në drejtësi. Natyrisht, kjo është sfida më e madhe, e cila në vetvete mbart dy sfida të tjera, gjithëpërfshirje dhe transparencë. Kjo reformë duhet të zbatohet dhe të shkaktojë ndryshime thelbësore në jetën e qytetarëve. Është një prej elementeve më të rëndësishëm të demokracisë, nëse do të kemi një pushtet gjyqësor që jep drejtësi, atëherë edhe besimi i qytetarëve tek institucionet e shtetit do të ndryshojë pozitivisht. Sa për atmosferën, Parlamenti është i kapur peng nga kultura 25- vjeçare e “të kuvenduarit”. Debatet dhe retorika më tepër kanë karakter mediatik, sesa përmbajtjesore. Këto lloj debatesh, apo retorika që i ngjajnë më tepër një telenovele të shëmtuar sesa një Kuvendi, nuk i shërbejnë askujt, përveç gazetave për të mbushur fletët. Kjo lloj atmosfere besoj se është edhe një nga arsyet që ne po vonojmë në integrimin drejt Europës, sepse përmbajtja e diskutimeve lë për të dëshiruar. Arsyeja dhe logjika duket se është dorëzuar në atë sallë dhe i ka hapur vendin shpifjeve dhe bisedave mediokre. Është për të ardhur keq kur  sheh që pjesa më e madhe e vërejtjeve apo dhe e mendimeve që kërkohen për projektligjet që paraqiten, jo vetëm që nuk merren parasysh, por as  nuk diskutohen fare, por verbërisht vendos forca e kartonit.

Shpesh jeni gjykuar se keni qëndruar inferiore dhe pasive në seancat plenare?

Besoj që për këtë i referoheni një shkrimi anonim në një nga gazetat e përditshme, sepse një gjykim të tillë nuk e kam dëgjuar as nga kolegët, miqtë apo nga banorët që unë përfaqësoj. Personalisht, kam një detyrë që e konsideroj të shenjtë, sepse përfaqësoj qytetin tim dhe këtë mundohem ta bëj sa me profesionalizëm dhe korrektesë. Parlamenti ka një rregullore dhe unë personalisht kam një formim të caktuar. Nuk mund të flas jashtë kohës që më takon, as jashtë kompetencave që unë kam. Gjithashtu, deputetët nuk janë punësuar vetëm për të folur në Kuvend, por është një punë që shtrihet edhe në ditët e tjera të javës, jo vetëm në seancën plenare të ditës së enjte. Besoj se po bëj më të mirën e mundshme. E di, që të zësh një hapësirë më të madhe mediatike duhet të jesh një politikan agresiv, nuk të duhen argumentet politike, por larmia e sharjeve ndaj kundërshtarëve të tu politikë. Për sa i përket seancave plenare, jo vetëm që nuk kam qenë pasive, por kam folur  dhe kam bërë vërejtjet e mia ndaj disa projektligjeve. Në fund të fundit, do të kishte qenë e udhës që para se të shkruhej diçka e tillë, të bëhej verifikimi në arkivin e Parlamentit, gjë që mund ta bëjë kushdo dhe on-line. Realiteti është krejt tjetër, prandaj nuk qëndron ky gjykim, qoftë i gazetarit anonim apo kujtdo qoftë.

Në profesion jeni një arsimtare dhe njëkohësisht pedagoge në Universitetin e Shkodrës. Si do ta kanalizoni reformën e arsimit, kur edhe në muajt e fundit të vitit 2015, studentët ishin pjesë e protestave?

Unë mendoj se situata që po krijon në universitete ligji mbi arsimin e lartë ka filluar të duket që tani. Studentët po e shohin se si po rriten tarifat e shkollimit dhe sesi universiteti nuk do të jetë më mundësi për të gjithë ata që duan të ndjekin arsimin e lartë. Po aq kritike është dhe situata e punësimit të studentëve të diplomuar. Mund të ngjajë se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me universitetet dhe reformën, por duhet ta kemi të qartë se kur nuk merret parasysh, apo nuk mendohet për produktin e këtyre universiteteve, pra se çfarë do të bëhet me studentët e diplomuar, atëherë e gjithë kjo nuk ka asnjë vlerë. Në këtë pikë detyrimisht duhet një reformë në arsim, por reforma që Qeveria ka zgjedhur të bëjë, është përjashtuese dhe klienteliste. Reforma të tilla nuk i shërbejnë shoqërisë dhe në këto kushte nuk kam aspak besim në rezultatet e kësaj reforme. Këtë po e demonstrojnë qartë protestat e herë pas hershme të studentëve dhe profesorëve të universiteteve. Për këtë duhet të ketë një votim konsensual dhe në përputhje me mendimet e profesorëve dhe studentëve, jo t’i  shkojë përshtat interesave personale të qeveritarëve. Kjo do ishte zgjidhja.

Si pjesë e Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin si e shihni gjendjen e pyjeve dhe buxhetin që ka vendosur Qeveria për këtë sektor? A duhet më shumë vëmendje apo debat politik për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra?

Personalisht mendoj se kemi të bëjmë me një prej sektorëve më problematikë dhe më të paqartë sesi do të menaxhohen pyjet më 2016-n. Në pamje të parë duket sikur situata e pyjeve dhe e mjedisit do të ketë përmirësime, sepse buxheti i Ministrisë së Mjedisit është parashikuar të rritet me 50% në këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Por në fakt menaxhimi i pyjeve tani i kalon në administrim bashkive dhe Ministria e Mjedisit për këtë sektor do të ketë vetëm rol këshillues dhe mbikëqyrës. Mungojnë ende dispozitat ligjore për vetë organizimin e pushtetit lokal. Sipas informacioneve që kam në shumë bashki mungon inventarizimi i këtyre sipërfaqeve të gjelbra. Prandaj në vend që të rriste fondet për investimet e brendshme të kësaj ministrie, funksionet dhe kompetencat e së cilës i kalojnë me shumicë pushtetit vendor, do të ishte më e drejtë që të hartohej një strategji për administrimin e zonave pyjore dhe të ndihmohej drejtpërdrejtë bashkia si pronari i ri dhe i vetëm i pyjeve. Do ta quaja nonsensin e radhës së kësaj qeverie, e cila përveç fasadave nuk di të bëjë dhe as nuk do të bëjë gjë tjetër.

Si pjesë e opozitës, kur do të nisni protestat e radhës dhe këtë herë ku do të jenë të fokusuara, çfarë do të kërkoni?

Protestat e ardhshme do jenë gjatë këtij muaji. Për detajet presim mbledhjen e thirrur nga lideri i Partisë Demokratike. Mund të them me siguri që muaji janar do të jetë edhe nisja e një aksioni të madh kundër korrupsionit që është instaluar nga qeveria dhe Kryeministri Rama. Kërkesa jonë mbetet e njëjta, qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme.

A është e përgatitur PD-ja për qeverisjen e vendit? Duket sikur PD pret vetëm që të ketë një përplasje midis koalicionit PS-LSI, për të ardhur në qeveri?

Patjetër që po. Kapacitetet e Partisë Demokratike si dhe përvoja tregon që është gati. Gjatë qeverisjes, Partia Demokratike ka bërë hapa të mëdha përpara drejt integrimit. Duke përfunduar projekte të rëndësishme për vendin, duke filluar nga anëtarësimi në NATO e deri te liberalizimi i vizave. Pa folur për zhvillimin e shpejtë që Shqipëria ka pësuar gjatë qeverisjes të kësaj qeverie. Duhet pranuar që qeverisja kishte probleme gjatë katërvjeçarit të dytë, kur (më saktë) ishte në bashkëqeverisje. Prandaj PD nuk pret përplasje midis koalicionit, sepse asnjë nga komponentët nuk përbën mundësi bashkëpunimi për ne si parti. As PS, as LSI. Besoj se një koalicion i PD-së me një nga këto dy forca politike do vrisnin përgjithmonë shpresën e shqiptarëve. Nuk është pushteti qëllim në vete për PD-në dhe ajo as nuk do të vijë në pushtet si e keqja më e vogël, por si përfaqësuesja e shpresës për të ardhmen europiane. Partia Demokratike duhet të forcojë radhët e saj për të qenë e gatshme që të marrë në dorë fatet e vendit,  pasi zgjedhjet e parakohshme nuk do jenë të largëta.

Çfarë prisni të ndryshojë gjatë 2016-s, këtu e kemi fjalën për politikën, për situatat e krijuara, reformat dhe krizën e thellë të bashkëpunimit midis maxhorancës dhe opozitës?

Ajo që pres të ndryshojë gjatë 2016 është vetëm një, Qeveria.

SHKARKO APP