Deputetja e PS: Nuk pati fare dhunë nga policia në protesta
Aktualiteti politik ishte diskutimi në emisionin “60 Minuta” nga gazetari Arbër Hitaj në RTV SCAN. Të ftuar në studio ishin: deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe analisti Ben Andoni. Në lidhje me protestën zonja Gjebrea tha se policia ka vepruar sipas rregullave dhe se nuk ka patur asnjë arrestim të minorenëve, po vetëm janë marrë të dhënat e tyre. Gjebra theksoi se PS ka synim që në zgjedhjet e 25 prillit të marrë 74 mandate. Për dy emërimet e reja në kabinetit qeveritar ajo tha se janë zgjedhje të duhura dhe pret të shikojë rezultate. Analisti Andoni tha se PS është shumë e qetë në përgatitjet e 25 prillit dhe sipas Andonit kjo tregon që PS nuk i konsideron fare kundërshtarët e saj.
Elona Gjebrea:
A ka ushtruar policia më tepër dhunë se ç’duhej?
Policia ka detyrë funksionale të zbatojë ligjin. Në momentin që nuk zbaton një urdhër që e ka të përcaktuar ajo mund të shaktojë diçka tjetër dhe të del situata jashtë kontrollit. Mendoj se policia ka vepruar sipas rregullave. Në fakt unë u interesova dhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për pjesën e minorenëve. Më thanë që nuk ka asnjë rast, janë marrë vetëm gjeneralitetet sipas rregullit dhe detyrës funksionale që ata kanë në lidhje me minorenët. Pra, nuk ka patur asnjë arrestim. Janë marrë vetëm gjeneralitetet ku janë kanë parë që janë minorenë dhe janë liruar. Mund të jetë bërë ndoshta ndonjë intervistë sipas rregullave në prani të një avokati. Kështu që nuk ka patur qëndrime pranë ambjenteve të komisariateve të minorenëve ashtu sikurse trumbetua dhe u përdor edhe nga disa përfaqësues politikë. Këtë e kam të vërtetuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, ekam me shkrim. U interesova në mënyrë të veçantë sepse për mua do të përbënte shqetësim nëse do të tejkalonin detyrën përsa i përket minorenëve.
Si i shikoni ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar?
Të them të vërtetën jam gëzuar për këto dy pozicione dhe këto dy kolegë të cilët për arsye të punës I njoh pak më shumë, se jo me të gjithë deputetët kemi njohje të njëjta. Z.Çuçi ka qenë kryetar I delegacionit parlamentar të OSBE ku edhe unë jam anëtare, kemi udhëtuar disa herë. Pra, kam pasur mundësinë ta njoh pak më shumë. Milvën e kam mike, përveçse kolege dhe njihemi. Kemi qenë zëvëndës ministre në të njejtën kohë, pastaj Milva kaloi në detyrën si ministre. Të dy janë persona të pjekur politikisht, janë teknikë shumë të mirë, thellohen në probleme, janë deputetë dhe ministra që dëgjojnë, janë shumë të qetë, janë në gjendje të përballen dhe të japing argumente, janë të aftë të mos krijojnë konlfikte. Kanë shumë cilësi dhe mendoj se do ta bëjnë detyrën më së miri. Çuci ashtu siç e tha dhe kryeministri, ka një avantazh tek pjesa e punës në Ministri të Brendshme, e cila gjithmonë lidhet me policinë por harrojmë që Ministria e Brendshme ka një portofol shumë të gjërë. Pushteti vendor ka një rol të rëndësishëm aq më tepër që nuk kemi dhe një ministër shteti për pushtetin vendor siç ishte z.Çuçi më përpara. Mendoj që është një gjetje e duhur ashtu si edhe Milva në pozicionin e minstres që ka një diplomë në Ekonomi Agrare dhe ka një formim që do ta ndihmojë në orientimet përsa i përket politikave që ka Minstria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Pres të shikoj rezultate dhe i kam shprehur edhe komplimentat e mia për këto dy pozicione.
Sa mandate synon të marrë PS?
Synimi ynë është 74 mandate. Dua të ndalem pak tek arsyet pse ne duhet ta kemi këtë mandat të tretë. Mendoj se në 7 vite qeverisje kemi bërë shumë gjëra por kemi akoma të tjera për të bërë. Janë shumë reforma të cilat janë nisur por nuk janë përfunduar. E kemi treguar me vepra që janë reforma që kanë patur një vizion. Jo të gjitha kanë përfunduar me sukses por shumë janë të sukseshme. Dhe mbi të gjitha jemi në përfundim të një platforme e cila ka nevojë për një mbështetje nga qytetarët për të patur një mandate të tretë që PS të tregojë që është e aftë ta qeverisë vendin me reforma të përfunduara, por edhe me një vizion për problematika të cilat nuk kanë arritur të adresohen gjatë këtyre shtatë viteve.
Ben Andoni:
Si e shikon PS në përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit?
Është shumë e qetë dhe kjo tregon që, të paktën në vëzhgimin tim, nuk i konsideron fare kundërshtarët e vet. Kam frikë të një afrimi me PD, për një bashkëqeverisje. Shikoj që perceptimi i publikut në këtë moment ka ndryshuar jashtëzakonisht. Por gjithsesi, nuk është se opozita ka prevaluar mbi alterantivat që ka dhënë PS, e cila është më e laburuar. PD shikohet që është akoma konfuze. Vota kundër PS është votë kundër Edi Ramës. Ajo që më shqetëson është se nuk kemi treg idesh. Nuk më pëlqen kjo tek Rama dhe Basha nuk e bën dot për shkak të kupolës që ka Berisha. Rama është shumë cinik me njerëzit që përcjellin ide, me njerëzit me formim të mirë. Kjo ka bërë që edhe njerëzit tek PS të jenë shumë të kujdesshëm në postet e tyre. Po të mos japin ide, qoftë ide ideologjike, kulturore dhe ide për të ardhmen e partisë, PS-së në pak vite i duhet të mendojë për strukturën e vet, strategrafinë e vet sepse ka mbaruar fasha e vjetër që votonte çfarëdo që ndodhte për PS-në. Kjo është e ardhmja. Do jetë një parti e mirëfilltë social-demokrate. Kjo tregon gjithmonë përparësinë e një partie nga partitë e tjera. PS-ja duke qenë nën një drejtim jo shumë të hapur të Rama, duke qenë se nuk e llogarit pothuajse fare opozitën, kam frikë që kjo mund të kthehet në një lloj boomerang-u. Por, nuk besoj se ka për ta dëmtuar shumë në zgjedhje përveç kuotës që unë besoj që PS shkon tek 70 mandate.