Deputetja Silva Caka: Në Kuvend ka deputetët kriminelë, të paedukatë dhe arrogantë

Deputetja e LSI: Institucionet që duhet të japin dhe vendosin drejtësinë, korruptohen dhe vendosin në favor të dhunuesit

Intervistoi: Redjon Shtylla

Jeta parlamentare është e vështirë jo vetëm për gratë shprehet deputetja e LSI-së, Silva Caka. Në një intervistë dhënë për gazetën "Koha Jonë", Caka flet për pozitën e femrës në parlament. Vecc kriminalizimit, i cili tashmë është një term i njohur, Caka pranon se në Kuvend ka deputetë të paedukatë dhe arrogantë. Deputetja e LSI, komenton dhe procesin e dekriminalizimit, raportin e OSBE dhe aleancën, PS-LSI.

Për një deputete femër sa e vështirë është "foleja" e egër e Kuvendit?

“Foleja” e egër e Kuvendit është e vështirë jo vetëm për gratë. Kam përshtypjen që politika në përgjithësi dhe ajo ligjbërëse në veçanti, është e vështirë për të gjithë ata që i futen kësaj rruge, pa dallim gjinie. Unë mendoj që ambicia për pushtet dhe supremaci lind me njeriun dhe evidentohet që në vitet e para të fëmijërisë, duke bërë që gradualisht tek ai të zhvillohen instinkte mbrojtëse dhe sulmuese njëherazi. Rrjedhimisht, duke u gjendur në pozitën e pushtetarit ose jo, varion edhe prevalimi i njërit prej instinkteve, duke e shndërruar procesin dhe terrenin e politikëbërjes në “arenë” përballjesh, sulmesh, kritikash, intrigash, etj. Megjithatë, edhe në mes të këtyre furtunave, ekziston një “kohe paqeje”, e cila arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe konsensusit ndërpartiak. Sa më shumë kohë të tilla të kalojnë në Parlamentin tonë, aq më i lehtë bëhet aksesi dhe mbijetesa për gratë dhe burrat që marrin mandatin e deputetit.

Znj. Caka ju jeni anëtare në Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, aktualisht cilat janë reformat kryesor që por kryen ky komision?

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është një nga 8 komisionet e përhershme të Kuvendit, veprimtaria e të cilit është pothuajse e përditshme. Ky komision, në fushat e veta të përgjegjësisë ka kodet dhe organizimin e pushtetit gjyqësor, administratën publike, administratën e pushtetit gjyqësor, shërbimet e pavarura në sistemin e drejtësisë, organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, si dhe të drejtat e njeriut. Pavarësisht kësaj, nën cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, nën optikën e anëtarëve të tij, kalon çdo projektligj, i cili duhet kontrolluar nëse është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin tonë, si dhe me Rregulloren e Brendshme të Kuvendit. Pasi ka përfunduar ky proces, projektligji i dërgohet komisioneve përgjegjëse respektive, me vërejtje të shprehura në një raport të veçantë.

Aktualisht në kalendarin 3 javor të punimeve të Komisionit, ka disa projektligje dhe marrëveshje shumë të rëndësishme, siç janë marrëveshja e lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe KFË Frankfurt AM MAIN, për shumën 24.000.000 euro, e cila do t’i japë jetë projektit “Ujësjellësi Rural III’’,  projektligji për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të lidhur mes Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare Multi Buoy Mooring, për ndërtimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. Si kulmet e veprimtarisë së Komisionit për këtë 3 javor, do të përcaktoja rishikimin tërësor ose të pjesshëm të Kodit të Punës, Kodit Rrugor si dhe Kodit Zgjedhor. Gjithashtu, një tjetër projektligj që do të shqyrtohet këtë periudhë, do të jetë ai për gazin natyror, ku unë do të jem edhe në cilësinë e relatores së projektligjit.

 Jeni pjesë e Aleancës së Grave Deputete, më saktë jemi 31 gra, pse ky numër dhe pse e keni krijuar këtë aleancë? Vitet e fundit flitet shumë për mbështetje të gruas, por në realitet është e pambrojtur, krimi nuk është shuar. Pse duhet kjo aleancë?

Aleanca e Grave Deputete është një aleancë përtej-partiake, e krijuar në tetor të vitit 2013, në të cilën janë anëtare pothuajse të gjitha gratë deputete të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo Aleancë ka 3 objektivë kryesorë, së pari forcimin ekonomik të gruas shqiptare, së dyti rritjen e pjesëmarrjes së saj në politikbërje dhe vendimmarrje publike, qendrore dhe lokale dhe së fundi, por jo për nga rëndësia që mbart, luftën ndaj fenomenit të dhunës në familje, kryesisht dhunës ndaj grave.

Vitet e fundit, vërtet është folur shumë për mbështetjen e gruas dhe vajzës shqiptare, por meqenëse realiteti ndryshon shumë nga ai që duam të arrijmë, mendoj se duhet të vazhdojmë të flasim sa më shumë dhe të ndërmarrin sa më shumë hapa drejt një realiteti më të mirë social, ekonomik, arsimor dhe familjar për gruan shqiptare.

Aleanca e Grave Deputete i vendosi këto 3 objektivë, sepse realisht mendojmë se realiteti i hidhur që mbizotëron në vende si i yni, ndryshon duke e bërë gruan shqiptare sa më prezentë në jetën publike, sa më të barabartë në vendimmarrje. Kjo rrjedhimisht do të sjellë edhe forcimin ekonomik të gruas, pavarësinë ekonomike për të plotësuar gjithë ekzigjencat dhe kërkesat e saj dhe të fëmijëve, pa qenë e nevojshme të bjerë pre e një kalvari dhune psikologjike apo fizike të partnerit/bashkëshortit apo edhe të atyre që e rrethojnë, me frikën dhe presionin se po të largohet nga ky cikël, do të humbasë gjithçka.

Pra unë kam bindjen se arsimimi i vazhduar, aktivizimi në jetën publike dhe politike në komunitetin ku jetojnë, sjellin forcimin dhe pavarësinë ekonomike të gruas dhe rrjedhimisht, të gjitha së bashku, formojnë një terren shumë të favorshëm për gratë dhe i bën ato më të ndërgjegjshme për marrëdhëniet problematike, duke sjellë kështu uljen gati në zero të rasteve të dhunës.

Si një nga punët më të mira të Aleancës së Grave Deputete, do të doja të rikujtoja lobimin dhe këmbënguljen për të rritur përfaqësimin e numrit të grave në radhët e këshillave bashkiakë në 50%, ku isha edhe vetë nja nga iniciatorët e projektligjit. Fatmirësisht, ky projektligj, u bë realitet bashkë me një sanksion për mosplotësimin e këtij kriteri, frytet e të cilit do t’i shohim dhe shijojmë shumë shpejt.

A kanë besim gratë shqiptare tek institucionet, apo heshtin dhe nuk denoncojnë?

Fatkeqësisht, deri para pak kohësh, gratë shqiptare kanë heshtur dhe nuk kanë denoncuar. Arsyet kanë qenë nga më të ndryshmet, si frika e paragjykimit, morali i familjes, frika e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës, dëshira për të mos prishur familjen si dhe një tjetër arsye po kaq e rëndësishme ka qenë edhe mosbesimi ndaj organeve policore apo organeve të drejtësisë.

Është shumë e trishtë tek mendon që shoqëria jonë paragjykon të dhunuarin dhe jo dhunuesin. Akoma më e trishtë bëhet kur institucionet që janë përgjegjëse për ruajtjen e jetës së qytetarëve, bëhen palë me dhunuesin dhe japin “këshilla” pajtimi apo ushtrojnë presion për “pamundësi mbrojtjeje”. Pastaj, nga e trishtë, bëhet e frikshme kur institucionet që duhet të japin dhe vendosin drejtësinë korruptohen dhe vendosin në favor të dhunuesit. Këto janë arsye,  me të cilat, me të drejtë janë justifikuar gratë, të cilat nuk kanë denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe/apo fëmijëve.

Mirëpo, rishikimi i Kodit Penal, konkretisht ashpërsimi i dënimeve për dhunuesit, rritja e shkallës së përgjegjshmërisë tek gratë për gjithë qenësinë dhe integritetin fizik, social dhe moral të tyre, reagimi i menjëhershëm i institucioneve ndaj këtij fenomeni, ka rritur shkallën e besimit se dhunuesit do të marrin dënimin e merituar dhe ka çuar në rritjen e numrit të rasteve të denoncuara.

Muajin e kaluar, Drejtoria Rajonale e Policisë së Tiranës, raportonte se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, kishte caktuar 10 urdhra mbrojtjeje për një javë. Edhe pse shifra ishte e frikshme, të paktën është tregues i rritjes së shkallës së reagimit dhe denoncimit. Reagimi dhe denoncimi janë elementët kryesorë të nisjes së luftës kundër fenomenit të dhunës në familje.

 

Aleanca ku ju jeni pjesë lufton sjelljet ekstreme, por ekstremet ju i takoni çdo të enjte në seancat plenare, a duhet ta filloni nga politikanët që kanë një komunikim agresiv dhe japin një shembull jo për ta ndjekur?

Unë mendoj që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, si institucioni më i lartë ligjvënës në vend, duhet të ketë në përmbajtje të tij njerëz me integritet të lartë profesional dhe personal. Mirëpo legjislatura e fundit, ka treguar të kundërtën, njerëz joprofesionalë, të paedukatë, arrogantë, madje edhe kriminelë. Për këtë arsye, është i nevojshëm pastrimi i Parlamentit nga këto figura, në mënyrë që të rikthehet besimi tek qytetarët që na kanë besuar dhe na kanë zgjedhur.

Ky proces, pra pastrimi i Parlamentit, është një përgjegjësi e dyfishtë mes partive politike që nuk duhet të vendosin personazhe të tillë në listat e tyre zgjedhore, por edhe zgjedhësve, të cilët nuk duhet t’i votojnë dhe t’u japin besim atyre. Megjithatë, peshorja anon nga përgjegjësia e partive politike, më tepër se sa nga qytetarët, për arsye edhe të sistemit elektoral që kemi, me lista të mbyllura.

Si e shikoni koalicionin qeverisës, e kam fjalën për bashkëpunimin Rama-Meta?

Bashkëpunimi Rama-Meta deri më tani ka qenë ai që duhet të ekzistojë mes dy liderëve që drejtojnë dy partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës, çka nënkupton bashkëpunim korrekt dhe konstruktiv.  Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste erdhën në pushtet mbi bazën e disa premtimeve elektorale, të cilat përmbanin vullnetin për kryerjen e shumë reformave të rëndësishme për vendin tonë. Për aq kohë sa asnjë nga këto dy parti nuk devijon nga rruga e reformave të mëdha e të mira për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nuk ka arsye pse bashkëpunimi të çalojë apo të cenohet.

Një raport i OSBE-së ka nxjerrë në dritë dhe akuzon kolegë tuaj deputetë për përfshirje në krime, kur një parlament është në pikëpyetje, sa siguri mund të ndiejë një qytetar, sa siguri duhet të ndjejë që të zgjedhurit e tyre janë të duhurit?

Përsa i përket raportit të shumëpërfolur të OSBE-së, personalisht, mjaftohem me apologjinë e bërë tashmë prej Ambasadorit të këtij organizmi ndërkombëtar dhe me faktin që është një raport i hartuar mbi thashetheme dhe jo fakte të vërteta. Formimi im prej juristeje, nuk më lejon të gaboj dhe të gjykoj mbi stisje, pa patur fakte të provuara, apo aq më pak të ushqej oreksin politik të disa individëve që kanë shumë kohë të gatuajnë, tjerrin, ngjyrosin dhe thurin thashetheme për çfarëdo dhe këdo.

Nëse flasim në parim për sigurinë e qytetarëve mbi besimin e plotë ndaj të zgjedhurve të tyre, mendoj se përgjigjja më e mirë për këtë do të ishte procesi i dekriminalizimit. Jam më në fund e qetë që Parlamenti Shqiptar ka filluar procesin e dekriminalizimit brenda tij, një vullnet politik i pozitës dhe opozitës, i cili u materializua deri diku me komisionin ad hoc te ngritur për këtë çështje. Megjithatë, ky vullnet, për sa i përket zbatimit konkret të tij, pra largimit të deputetëve të dënuar me vendime të formës së prerë nga gjykatat shqiptare apo të huaja, duket se po zbatohet vetëm nga maxhoranca, ndërkohë që opozita po përpiqet t’i rezistojë një procesi tashmë të pashmangshëm. Në këtë kontekst, siguria mbi të zgjedhurit thyhet, jo vetëm për qytetarët që  kanë votuar për kandidatët e forcave opozitare, por për të gjithë qytetarët, të cilët meritojnë një parlament, të paktën të ligjshëm.

SHKARKO APP