Devis Xherahu: Femra është oksigjen në jetën e një mashkulli
Intervistoi: Albina Gjergji
Është padyshim një nga këngëtarët më aktivë dhe të kërkuar në tregun muzikor shqiptar. Pas prezantimeve të shumë këngëve në Festivale të ndryshme, çmimeve dhe përfaqësimeve në koncerte brenda dhe jashtë vendit duket se ka ardhur koha për një tjetër hit. Po flasim për këngëtarin Devis Xherahu, i cili këto ditë po i “jep dorën e fundit” projektin më të ri, që mban titullin “Kush ta mblodhi”. Me tekst të mikes së tij, Rozana Radi dhe muzikë të mjeshtrit Adrian Hila, Xherahu premton se në këtë këngë do sjellë ritëm dhe atmosferë pranverore. Si lindi ideja e bashkëpunimit me artistët e sipër përmendur, cila është pritshmëria e Devisit për këtë këngë dhe çfarë e bën të veçantë nga këngët e tjera të tij, ai na i zbulon më poshtë.
Sapo keni mbaruar xhirimet e klipit të këngës së radhës. Mund të na thoni ku u realizua klipi dhe disa nga detajet që e bëjnë të veçantë?
Klipi është realizuar në një nga ambientet e Max Production dhe kam mbetur shumë i kënaqur. Në këtë videoklip ka mjaft detaje, që e bëjnë mjaft të veçantë, por ia vlen të përmend dy protagonistet bionde të këtij projekti të radhës, personazhin kryesor, e cila quhet Ana dhe violinisten Ajola, dy vajza me mjaft sharm e të talentuara. Përfitoj nga rasti t’i falenderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen e tyre në klip.
Si titullohet kënga, që pritet të lançohet së shpejti dhe diçka mbi mesazhin që ajo përcjell, pra fabula e saj?
Kënga më e re e imja titullohet, "Kush ta mblodhi" dhe mund të them se ka qenë ideja e mikes sime, që është edhe autore e tekstit, Rozana Radit, e cila sapo dëgjoi muzikën e mikut tim, Adrian Hila (të cilin e falenderoj përzemërsisht për realizimin e kësaj kënge),tha, “po ky është teksti” dhe mua më intrigoi jashtë mase fabula e kësaj kënge, që jo vetëm ne meshkujt ua mbledhim vajzave, por edhe ato neve. Në ditët e sotme duam, apo s’duam ne, vajzat e kanë fituar pavarësinë e tyre dhe vendosin vetë pa pritur miratimin tonë.
Këtë herë vini me një bashkëpunim, apo solo?
Vetëm jam këtë herë, krejtësisht solo.
Duket sikur jeni shumë i lidhur me baladat Devis. Edhe këtë radhë vini me baladë, apo këngë ritmike?
Këtë herë kisha nevojë për ritëm, sepse sapo ka trokitur pranvera e vera nuk vonon, kështu që gjendja ime psikologjike kërkonte ritëm dhe adrenalinë, prandaj vendosa full ritëm club-folk. Shpresoj t’ju pëlqejë, pasi sinqerisht është bërë një punë shumë serioze edhe në këtë projekt.
Në disa fotografi të publikuara online pamë që protagonist në klip nuk ishit vetëm ju, por edhe një femër…
Po është e vërtetë. Kam një protagoniste, ajo është vetëm 17 vjec, shumë e freskët, shumë fotozhenike dhe shumë sharmante dhe pas disa zgjedhjesh të disa vajzave të ndryshme unë së bashku me regjisorin e klipit, Bledin vendosëm njëherësh që Ana të ishte protagonistja e këtij klipi dhe kam mbetur shumë i kënaqur nga bashkëpunimi për realizimin.
Çfarë është femra për ju Devis?
Unë e kam thënë edhe herë tjetër që, femra është oksigjeni në jetën e një mashkulli, e zbukuron atë dhe i jep kuptim jetës së tij, prandaj unë në performancat e mia e kam si slogan, duke përdorur fjalën "ajo është"…
“T'i besosh një sekret femrës është njësoj si të fshehësh të hollat nën xham”, thotë një shprehje e Publie Sir. Sa pajtoheni me këtë shprehje ju?
Kjo thënie besoj është një thënie personale dhe aspak e përgjithshme, sepse kjo është vetëm çështje karakteri për mendimin tim.
Ju personalisht i besoni gjithçka të dashurës suaj? Domethënë ia rrëfeni të gjitha sekretet?
Në rastin konkret besoj mjaftueshëm tek Ertemiona, sepse fisnikëria dhe karakteri i saj e kanë fituar këtë besim.
Prej disa vitesh po jetoni një lidhje të fortë dashurie. Çfarë mendoni se e bën të suksesshëm raportin tuaj?
Lidhjet e suksesshme besoj janë si puna e ngjyrave që, ose shkojnë me njëra-tjetrën, ose ndodh e kundërta. Në rastin tonë, rastësia ka bërë që ngjyrat të na shkojnë dhe madje shumë mirë.
Besoni në dashurinë e përjetshme?
Përderisa kam parë dashuri të përjetshme nuk kam arsye të besoj të kundërtën.
Po në atë me shikim të parë?
E besoj atë me shikim të parë, sepse kështu më ndodhi me Ertemionën. Që në momentin e parë që u pamë lidhja u bë kimike.
Duke qenë se jeta juaj është mjaft aktive nëpër klube e natës, ju ka ndodhur t’ju ngacmojnë femrat, apo t’ju lëshojnë sinjale flirti?
Siç e thashë edhe më lart, tek fabula e këngës sime në fjalë, sot femra është mjaft e lirshme dhe e pavarur dhe normal që të flirtojë me dikë, sidomos me një person publik te klubi, ku ai performon është normale dhe brenda logjikës.
Si reagoni në të tilla raste, ose kur shikoni këmbëngulje tek simpatia e femrave për ju?
Reagimi gjithmonë është me një gjuhë që nuk duhet ta lëndosh, apo ta vrasësh me veprimin tënd. Gjithmonë me takt, duke i dhënë mesazhin që ju jeni fansja ime, ose ndoshta dhe mikja ime, por deri këtu.
Është xheloze Ertemiona?
Ajo është artiste dhe jo më kot jemi bashkë, sepse edhe Ertemiona sfilon në pasarela të ndryshme dhe e di çdo të thotë të gjendesh mes fansave, por ku ka xhelozi ka dhe ndjenjë brenda dhe këtë e kemi të nevojshme të dyja palët.
Axhenda e një artisti si ju Devis, sa e ngarkuar është?
Është mjaft e ngarkuar, sidomos këto 3 vitet e fundit, por si një menaxher i mirë kujdesem që të kem një ekuilibër pozitiv në çdo aspekt të jetës sime.
Pritshmëria për këngën?
Pritshmëria është një fakt dhe tema e kësaj kënge pjesë e jetës, kështu që mendoj se do të bëhet shumë shpejt e pëlqyer, sidomos nga publiku femër.
Projektet e radhës? Keni diçka tjetër në mendje, apo për momentin mjaftoheni?
Ai i radhës është që t’ju pres të gjitheve më datë 27 tek “Cavaliero” club për promovimin e videoklipit të ri dhe të argëtohemi sëbashku, pastaj duke parë e duke bërë. Gjithçka me kohën dhe për kohën.