Dhurata Lazo: Mes suksesit ndërkombëtar dhe qëllimeve fisnike

Nga Albina Gjergji

 

"Romancë", kështu titullohet koncerti recital i pianistes së njohur brenda dhe jashtë vendit, Dhurata Lazo, i cili do të mbahet në Kanë të Francës, pikërisht në teatrin “Espance Miramar” më datë 26 prill, ora 18:00. Ky koncert, në të cilin artistja Lazo do të prezantojë interpretime pianistike të kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja dhe Tonin Harapi dhe muzikë nga Frederik Chopin, organizohet me një qëllim fisnik, atë të bamirësisë, të ardhurat e të cilit do të shkojnë në ndihmë të familjeve në vështirësi ekonomike në Shqipëri. Dhurata Lazo është një nga artistet më të talentuara shqiptare, që aktivitetin e saj e zhvillon prej vitesh jashtë vendit. E lindur në Gjirokastër, Lazo ka studiuar piano që në moshën 6-vjeçare. Pasi mbaroi Akademinë e Arteve në Shqipëri talenti i saj u përsos si profesioniste në shkollat më të mira të Europës, duke u bërë një nga interpretueset soliste më virtuoze të Shopenit me një repertor të gjerë që përfshin kompozitorë shqiptarë e të huaj, nga Harapi e Zadeja e deri te majat e muzikës botërore si; Bah, Bethoven, Hajden, Shopen, List, Grig, Ravel, Debysi, Brams, Rahmaninov, Shuman, Shubert, Skriabin, etj.. Prej 20 vjetësh ajo jeton me familjen në Europë. Një pjesë të madhe të viteve e ka kaluar në Itali, ndërsa aktualisht është vendosur në Gjermani. Por, si ka arritur të prekë majat e suksesit ndërkombëtar ajo, si e shikon tregun artistik sot në Shqipëri, nevoja e një kritike arti, ku ndryshon publiku i huaj nga ai shqiptar, rikthimi i herëpashershëm në vendlindje, raporti me miqtë dhe profesionin, artistja Dhurata Lazo na i rrëfen në intervistën e dhënë për gazetën “Koha Jonë”.

 

Modeste në profesionalizmin tuaj si pianiste, Dhurata Lazo ju jeni një emër mjaft i njohur në kategorinë e artistëve brenda dhe jashtë vendit. Duke u kthyer pas në kohë-retro, mund të na thoni si e kujtoni veten në fillimet tuaja në piano?

Ju falenderoj për vlerësimin. Në fakt, kur mendoj të kaluaren time, domethënë vitet e shkollës besoj janë ato më të veçanta për mua, pikërisht në ato vite ku ëndërroja plot emocione të bukura që një ditë të bëhesha pianiste, duke patur shumë kujdes nga profesorët e mi. Nostalgji ndjej!

Debutimin e parë e mbani mend, ku dhe çfarë detaji nuk harroni kurrë nga ajo performancë?

Debutimi im i parë ka qenë në moshën 7-vjeçare në qytetitn tim të lindjes. Luajta një Minuet në sol maxhor nga Bach. Mbaj mend emocionet e mëdha që kisha, mamanë time që më bleu rroba të reja dhe një detaj shumë fantastik; drejtori i shkollës së muzikës kishte thirrur një fotograf e ndërsa unë luaja, në një moment ai lëvizi karrigen ku ishte ulur dhe unë duke luajtur buzëqesha e gëzuar. E kam edhe sot këtë foto dhe zhytem në vitet e fëmijërisë kur e shoh, në hapat e parë të mi.

E lindur në Gjirokastër, ju keni filluar të luani në piano që në moshën 6-vjeçare. Forca e genit, apo dëshirë fëminore e ushqyer vetvetiu, si ka ardhur tek ju ky pasion i madh?

Po jam e lindur në Gjirokastër. Për hir të së vërtetës asnjë nga familjarët e mi nuk është marrë me muzikë. Babai im më futi në një konkurs që zhvillonte shkolla e muzikës në moshën 6-vjeçare, fitova dhe më pëlqente shumë.

Pasi mbaruat Akademinë e Arteve në Shqipëri pasioni juaj u përsos si profesioniste përtej kufijve, në Europë, veçanërisht si interpretuese soliste e Shopenit. Si e kujtoni kapërcimin tuaj nga Shqipëria në Europë, sfidat, sakrificat, suksesin?

Kam patur fat përpara se të mbaroja Akademinë, sepse profesoreshat e mia si, Nikoleta Nako e Anita Tartari jo vetëm që më mësonin, por qëllimi ishte të luaja në skenë dhe kam bërë shumë koncerte që në vitet e shkollës. Kështu largimi im në vitin 1990 kishte edhe përgatitjen më vete. Të emigrosh është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Mes vështirësive ka dhe ato diamantet e veta ku merr dhe sodisfaksione. Kur i vendos vetes një qëllim dhe pasioni i fortë, ndjenja jo të kontrolluara (qesh) me punë arrihet edhe në momente të vështira. Kam patur fatin të marr pjesë në Festivale Internacionale pianistike dhe studiova me profesorin tim polak, Marian Mika që kanë qenë mbështetje për mua dhe për karrierën time.

Me një repertor të gjerë në interpretimet tuaja, që përfshin kompozitorët shqiptarë e të huaj, nga Harapi e Zadeja e deri tek Bah, Bethoven, Hajden, Shopen, Rahmaninov, Shuman, Shubert, Skriabin, etj. talenti juaj ka arritur të jehojë në sallat më me emër në botë. Si ju bën të ndjeheni ky fakt. Na përmendni disa prej koncerteve që keni mbajtur jashtë?

Kam interpretuar e vërtetë, por mendoj se akoma kam shumë për të mësuar. Vetë jeta është e tillë. Profesioni im është sa i bukur, aq edhe i vështirë. Është shumë i rëndësishëm vullneti dhe e përmenda më lart, pasionin e fortë që kam për instrumentin e pianos. Jeta është shumë e bukur kur kohën tënde ia dedikon Artit. Arratisem nga çdo problem i jetës sime në fund të fundit dhe përkëdhel e sodis shpirtin tim. Kam bërë shumë koncerte dhe për faktin që jam larguar në 1990 nga atdheu, domethënë 25 vjet më parë. Jam diplomuar në Konservatorin “Giuseppe Verdi” në Milano. Disa nga koncertet ku kam luajtur janë ai në Padova, Romë, Venezia, Udine, Trieste, Monfalcone, etj. në Itali, pastaj në Gjermani, Luxemburg, Zvicer, Francë.

Si do ta përshkruanit emocionin që merrni nga publiku pas suksesit të radhës?

Personalisht e vlerësoj shumë mendimin e publikut, sepse aty përcillen ato çfarë ke interpretuar, pra ndjenjat dhe arti. Publiku është kritiku më i mirë dhe në koncertet tona instrumentale zakonisht dhe publiku është më i përzgjedhur. Emocionet mbas koncertit kanë vlerën e vet, janë të forta dhe shtytje për të ecur përpara.

A ka diferencë mes publikut shqiptar dhe atij të huaj? Konkretisht?

Publiku shqiptar është më i vështiri, sepse e di që do kem miqtë, profesorët e mi muzikantë dhe kam gjithmonë një emocion shumë të fortë, madje dridhem. Nuk është e lehtë të kthehesh në vendin tënd bashkë me një koncert që mbart edhe peshën e nostalgjisë, kujtimeve të rinisë, parfumin dhe erën e rrugëve bashkë me mimozat, emocionet e dikurshme, takimet me miq e të aferm që nuk je parë për shumë kohë… Të gjitha së bashku krijojne mornicat dhe dridhjet, por gjithsesi janë më të bukurat e madhështore për shpirtin.

Prej vitesh aktivitetin tuaj e zhvilloni jashtë vendit. Kjo ka qenë një zgjedhje, apo zgjidhje?

Po, jetoj jashtë atdheut prej 25 vitesh dhe besoj është zgjedhje dhe zgjidhje. Edhe pse jam kthyer disa here në atdhe për koncerte, apo për promovimin e “Cd Abanian Memories”.

Lidhja me miqtë në Shqipëri është po aq e fortë sa dikur dhe takoheni sa herë vizitoni Shqipërinë?

Lidhja me miqtë e mi në Shqipëri është shumë e fortë, madje më merr shumë malli. Jam e rrethuar me miq specialë dhe i dua shumë, i ndjek nëpër koncertet e tyre falë rrjeteve sociale dhe bashkëpunoj me to. Kam miken time kompozitore dhe pedagoge në Akademi , Eriona Rushiti, e cila më ka dhuruar dashuri nëpërmjet artit, me kompozimin e saj për CD dhe me ndihmën kolosale në gjetjen e partiturave, kam mikesha të adoleshencës që kur i takoj më mbushet shpirti dhe sytë me lot. Jam me fat.

E martuar, me fëmijë. Na flisni pak për jetën tuaj?

Po, jam e martuar. Kam dy djem të rritur dhe bashkëshortin, me të cilin jam njohur në Akademi në vitet e shkollës. Bushin e njohin të gjithë.

Parë nga jashtë, si e shikoni tregun artistik sot në Shqipëri Dhurata? Kaotik, me prurje, normal?

Informacioni im është vetëm nga rrjetet sociale dhe më gëzon fakti që me vështirësitë që kalon vendi im, artistët nuk kanë pushuar kurrë. Ndjehem krenare për ato, sepse kanë zemër luani, domethënë kurajo të madhe, plus pasionin të luajnë në skenat e Shqipërisë. Më vjen mirë kur lexoj për gjithë aktivitetet e Teatrit të Operas dhe Baletit, apo edhe të Orkestrës Simfonike të RTSH-së. I çmoj për sakrificat e tyre!

Kritika, mendoni se ka ardhur koha që edhe tek ne të ketë një kritikë të mirëfilltë arti, përfshirë edhe disiplinën që ju lëvroni?

“Kritika është mitra e artit”, ka thënë Charles Baudelaire. Ju keni njerëz shumë të përgatitur andej për të bërë kritikë e analizë të një koncerti, etj., por në fakt lexoj vetëm tituj të fortë për koncerte nëpër gazeta, thjesht informacione, ose edhe po të shkruajë dikush lexon vetëm lavdërime deri në qiell. Kritika shërben shumë, por të jetë e shëndetshme dhe për evoulim e progres. Në kohën time mezi lavdëroheshim mbas një koncerti, profesorët kërkonin shumë dhe ju them faleminderit për këtë. Ka shërbyer në rrugëtimin tim.

Parë në optikën tuaj, cila është nevoja emergjente që arti ynë, në të gjitha sferat e tij kërkon?

Mendoj kushtet. Mungojnë insturmentët e mirë, fëmija i vogël derisa shkon në Akademi i mësohet veshi në piano jo të mirë, gjë që shkakton probleme profesionale. Mendoj një bibliotekë me libra të ndryshëm mbi shkollat e pianos e artistët e mëdhenj, etj.. Njoh vetëm zanatin tim sigurisht me aq pak herë sa kam qenë aty. Arti është boshti i kulturës, do mbështetje dhe kujdes.

Me datë 26 prill do të mbani një koncert recital me veprat e Zadejës dhe Harapit në qytetin e Kanës, në teatrin “Espance Mirama”. Si erdhi ky projekt tek ju dhe pse “Romancë”?

Po, më datë 26 do jem në Cannes për një recital pianistik. Shoqata shqiptare e franceze “Les Amis” më propozoi një koncert bamirësie për njerëzit në kushte shumë të vështira ekonomike në Shqipëri. Pranova menjëherë dhe jam e lumtur për këtë eveniment. Në program do të interpretoj perlat e Tonin Harapit dhe Çesk Zadejës, ciklin e fundit që ma kanë dedikuar mua në 1989, si dhe Chopin. “Romance” u quajt, sepse e konceptova si një romancë dashurie për këto njerëz ku shpresoj të mblidhen sa më shumë fonde e shpresoj të realizohen sa më shumë koncerte të tilla që t’u vijmë në ndihmë. Nga ai vend u bëmë artistë, kemi edhe detyrime shpirtërore. Jam e shumë e lumtur dhe ndjehem e privilegjuar për këtë qëllim, në koncertin e të cilit do të na nderojë me pjesëmarrje edhe Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Monako, Giuseppe Durazzo.

SHKARKO APP