“Diaspora pret më shumë nga shtetit shqiptar”

Flet atdhetari, leksikografi dhe poeti i njohur shqiptar me banim në Suedi Sadulla Zendeli-Daja

 Intervistoi: Fran Gjoka

-Si një përfaqësues në zë i leksikografisë shqiptare në diasporë, keni dhënë kontribut të shquar sidomos në hartimin e fjalorëve. Kështu, në vitin 2013, u botua vepra juaj me shumë vlera “Fjalori katërgjuhësh për fëmijë” me bashkautore Meri Toçin. Ç’përmban ky fjalor?

-Fjalori Shqip-Anglisht-Italisht-Suedisht është një fjalor i dobishëm, zbavitës dhe lehtësisht i përdorshëm nga prindërit ose mësuesit, të cilët dëshirojnë t´i drejtojnë  fëmijët  në mësimin e anglishtes, italishtes apo suedishtes. Fjalët e zgjedhura i takojnë përdorimit të zakonshëm dhe janë të lidhura me jetën e përditshme, familjen, shtëpinë, lojërat dhe shkollën. Ilustrimet e këndshme  me ngjyra, të cilat shoqërojnë çdo fjalë e bëjnë konsultimin me tekstin më të thjeshtë dhe zbavitës. Ky fjalor ka qëllimin e dyfishtë: t´u japë prindërve dhe mësuesve udhëzime të qarta si mbështetje të punës së tyre – njëra anë dhe familjeve një instrument të këndshëm loje dhe të kuptuari – nga ana tjetër. Ka 170 faqe, rreth 1000 zëra, 1000 ilustrime me ngjyra…

-Jetoni mes emigrantëve në Suedi, të cilët më tepër se kushdo tjetër kanë nevojë të mësojnë, të shkruajnë dhe të lexojnë shqip. Si është pritur nga emigrantët shqiptarë kjo vepër?

-Mërgata në diasporë e ka pritur shumë mirë, sidomos shkollat shqipe, arsimtarët shqiptarë dhe prindërit shqiptarë, po kështu edhe shoqatat e studentët shqiptarë.

-Meqenëse në shkollat shqipe të diasporës flitet dhe shkruhet shqip prej vitesh ç’ vend ka zënë ky fjalor në literaturën shkollore dhe në jetën e nxënësve shqiptarë në diasporë?

-Ky fjalor e ka zënë vendin si ndihmë e parë për nxënësit shqiptarë, po kështu edhe Fjalori Suedisht-Shqip me 28 500 fjalë dhe 65 fotografi tematike  me ngjyra.

-Veprën tuaj interesante e pasoi një vepër tjetër më madhore, një vepër e një vlerë të veçantë “Fjalori Suedisht – Shqip”, me rreth 35000 fjalë dhe 1600 faqe. Cili qe motivi që u shtyu për ta shkruar një vepër të tillë?

-Pas dy fakulteteve, të Filozofisë dhe të Bibliotekarisë, e pashë shumë të  nevojshme që të apelohet Entit për shkollim që, edhe kombi shqiptarë të ketë Fjalorin e vet Suedisht-Shqip dhe Shqip-Suedisht. Në vitin 1976-77 isha në një mbledhje me arsimtarët nga rrethi Kalmar, u vendos  që të vizitohet Enti për Shkollim i Suedisë i ashtuquajtur SKOLVERKET, ME SELI NË Stokholm. Pas mbledhjes na shpërndanë në grupe duke na i treguar Bibliotekat e shteteve në këtë godinë. Aty shkruhej: Jugosllavi, Poloni, Rusi, Gjermani, Francë, Itali, Shqipëri etj. Secili nga ne shkuam te Biblioteka e shtetit vet. Unë ju afrova Bibliotekës së shtetit tim Shqipëri edhe pse isha shtetas i Jugosllavisë nga Gostivari shqiptar. Sipas shtetësisë duhej të referoja për Bibliotekën e Jugosllavisë. U shpreha se do të diskutojë për mungesën e librave nga shteti im Shqipëri edhe pse shumë shqiptarë kishin emigruar në Suedi. Përgjigja m`u dha qartë dhe shkurt. “Na falni zoti mësues i gjuhës shqipe Ju vini nga Jugosllavia  dhe nuk jeni shtetas i Shqipërisë.  Kufiri është Jugosllavi. Ju luta që mërgata shqiptare është dyfishuar në Suedi, problemi me gjuhën serbokroate është i madh, shqiptarët në mërgim nuk flasin gjuhën serbokroate ata flasim shqip. Më tepër marrin vesh këtë gjuhë burrat e jo fëmijët e nënat e tyre, prandaj një fjalor Suedisht-Shqip dhe Shqip-Suedisht është i domosdoshëm për shqiptarët mërgimtarë në Suedi. Ky fjalor do të mundësojë që shqiptarët të integrohen në shoqërinë suedeze më shpejtë… Nga shumica e arsimtarëve më dhanë një duartrokitje. Fatmirësisht ju luta Entit për shkollim  që t´u dërgoj disa pako me literaturë në gjuhën shqipe që kisha blerë nga Shqipëria mëmë. Propozimi u miratua dhe unë sa mbërrita në shtëpi ua përgatita 3 pako me libra shqip, natyrisht pa karakter politik. Pas dy muajve kërkova të shkoj në bisedë me Drejtoreshën e Institutit të Entit për shkollim Znj. Maj Bejer, ku diskutuam për integrimin e shqiptarëve në Suedi. Ju luta që në planifikimin e Fjalorëve Lexim, të planifikohet edhe gjuha shqipe. Ishte një ditë e shenjtë: Ajo tha,  do ta bëjmë…

Kështu lindën Fjalorët e mi me ndihmën e Entit për Shkollim të Suedisë. Pasi botova dy Fjalorë me një standard si fjalorët suedezë që më ndihmoj shteti Suedez, Fjalorët 3 dhe 4, atë për fëmijë dhe këtë të fundit me 35 000 fjalë, i kam botuar me shpenzimet e mia. Me këtë dhe aktivitete të tjera, ndihem krenar, ndihem mirë edhe kjo më ka bërë të fortë, duke më respektuar mërgimtarët dhe miqtë e mi shumë të nderuar,

në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tona të ndara shqiptare.

-Keni bërë një punë voluminoze shumëvjeçare. Cila ka qenë mbështetja dhe ndihma që të kanë dhënë, shoqatat dhe individët përfaqësues të kulturës shqiptare në diasporë?

-Kam patur ndihmë nga shteti Suedez me Fjalorin Suedisht-Shqip me 17 000 fjalë dhe 65 fotografi tematike me ngjyra, dhe Fjalorin Suedisht-Shqip me 28500 fjalë dhe 65 fotografi tematike me ngjyra. Fjalorin për Fëmijë “Fjalori im i parë me ngjyra” dhe Fjalorin Shqip-Suedisht me 35 000 fjalë e kam financuar privat (vetë).

-Me sa di unë, keni shkruar veç të tjerash edhe katër fjalorë. Keni ndërmend të merreni më me leksikografinë, apo e quani mision të përfunduar?

-Jam duke përpiluar një fjalorë për fëmijë me rreth 15-18 000 fjalë, Suedisht-Shqip për fëmijë. Ky fjalorë do të jap një ndihmë të veçantë arsimtarëve të gjuhës amtare, prindërve shqiptarë dhe atyre që duan ta pasurojnë gjuhën suedeze dhe shqipe dhe atyre që janë fillestarë për gjuhën suedeze. Me shumë fjalë dhe shpjegime etj. Pas këtij Fjalori është në radhë Fjalori Shqip-Suedisht do të nis menjëherë pasi ta mbarojë Suedisht-Shqip. Me shpresë të madhe që fjalori do të jetë gati në Panairin e Librit Tiranë 2016.

-A mund të na përshkruash momentin kur “Fjalori suedisht – shqip” mbërriti në qytetin Eland? Shkrimtari Viron Kona, në librin e tij kushtuar “Ju dua më shumë se veten!”, e ka përshkruar mjaft të veçantë dhe emocionues këtë moment.

-Fjalori Shqip-Suedisht me 35 000 fjalë, që e botoi Shtëpia Botuese Toena Tiranë, 2013 u transportua nga Selaniku i Greqisë ndërmjet një agjencie transporti të Polonisë. Në telefon më lajmëruan nga kufiri Polak-Suedez. Fillova të bisedoj anglisht. E pyeta nga vjen? Tha nga Polonia, kam Fjalorin tuaj të ngarkuar 4, 5 tonelata. E pyeta është më lehtë të komunikoj polonisht me ju, po me gjithë zemër. Ju Drejtova  “Xhin dobri Pan, jastem albançik razmavjam trohe  po polsku. U gëzua dhe më tha bërzo dobzhe mu vish po polsku. (Mirë dita zotëri! Unë jam shqiptar dhe bisedoj pak polonisht. Më tha xhinkuje dobzhe mu vish po Polsku. Po bukur bisedon në polonisht. Unë jam në rrugë dhe do të vij drejt tek shtëpia Juaj sipas adresën që kam. Kamion i madh me dy pjesë më erdhi tek shtëpia. Hyri te oborri praptas dhe filloi të shkarkojë librat. Kamioni duke hyrë në oborrin e shtëpisë sime zuri rrugën kryesore. Trafiku u ndal dhe priste. Pyesnin njëri tjetrin çfarë shkarkojnë tek Restorant “Shqiponja”? Një suedez, miku ynë u kishte thënë: “Shqiponja shkarkon armë të mbroj Kosovën”. Në atë çast del Djali im nga Restoranti “Shqiponja” dhe vrapon drejt kamionit a myshterinjtë pritnin ky t´i shërbente. Ky ish Ismeti, që unë e thërres Ceti. Hyri nga ana e pasme në kamion dhe e kapi një kuti me libra-6 fjalor në një kuti. E hapi pakon me forcë dhe e nxori një Fjalor dhe ua tregoj duke e puth fjalorin dhe tha me zë të lartë: “Ky është Fjalori i babit tim!”. Hyri në Restorant me dy fjalorë në duar, duke ua treguar myshterinjve që pritnin t`u shërbente. Unë isha ulur te disa pllaka guri me duar në faqe, dukesha i lodhur, i menduar që arrita ta bëjë këtë fjalor të kërkuar nga mërgata shqiptare dhe bibliotekat suedeze. 2000 libra më erdhën në Suedi. Punova 9 vjet për atë fjalor. U çlodha nga gëzimi…

-Nga regjimi jugosllav serb juve ju ishte ndaluar kthimi në vendlindje. Çfarë ndjetë kur u kthyet në Sërmnovë e Gostivar pas 30 vjetësh?

-Pas më shumë se 30 vitesh u ktheva më në fund në vendlindjen time, Sërmnovë, ku u çmalla me gurët, dheun, kopshtin, drurët, pemët, shtëpinë, njerëzit e familjet dhe të fisit e  me gjithçka. Meditova gjatë për jetën aty, për sakrificat e prindërve që  na rritën me shumë vështirësi, solla në përfytyrim shokët e fëmijërisë, miqtë e mi dhe të familjes, deri edhe qenin, Larashin, që s`më ndahej por më ndiqte pas kudo ku shkoja. Ai  na  ruante edhe shtëpinë. Kisha kujtime  edhe për kalin, Doriun, me të cilin kalëroja në fushat dhe rrugët e fshatit. Doriu, na ndihmonte kur bënim dru për dimër, për transportin e  barit, të  drithërave dhe ngarkesave. Kisha mall edhe për lopën, Buzëbardhën. Ajo na ushqente me qumësht… Ndjeja dëshirë të vrapoja këmbëzbathur në gurët dhe rrugicat e fshatit, në sheshet dhe shtigjet, ku kisha luajtur me bashkëmoshatarët e mi të vegjël,  në të dy anët e lumit Zallë që ndan Sërmnovën në dy pjesë.

Ja se si e përshkruaj në vargjet e mia: Ecja mbi gurët,/E vegjël e të mëdhenj,/Më dukeshin tul të butë-/Sikur ecja mbi barin e njomë…,/Të shesheve e arave të vendlindjes.

Vura buzët dhe piva ujin e kulluar atje ku ndodhen 7 burime, e ku mbushin ujë 7 nuse të Sërmnovës, atje ku rastiste që vajza dhe djali të mbushnin ujë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin burim. Ndodhte që te burimi nisnin legjendat, mitet, historitë e dashurisë, me fuqi dhe bukuri të magjishme. Ditën e  Shën Gjergjit, e cila është ndër festat më të bukura që zhvillohen tek ne, vajzat dhe gratë shfaqen në fshat dhe te shtatë burimet të veshura me kostume të bukura popullore, të zbukuruara me kurora në kokë dhe në bel. Njerëzit atë ditë feste shkojnë vizita urimi te njëri-tjetri, fëmijët gostiten gjithandej, i tërë fshati përfshihet në atmosferën e festës. Vajzat e reja këputin drurë me gjethe në pyll dhe në mal dhe i mbjellin ato në arat e fshatit, për të dhënë idenë e rritjes, gjelbërimit të bimëve, ripërtëritjes së jetës..

Në fshat, ndjeja  mall për kodrinat e Kunorës, ku kishim arrat, për pyllin e Zabelit, atje ku uleshim e dëgjonim tregime dhe rrëfenja nga më të rriturit dhe këndonim me çifteli. Shkova nga mulliri i fshatit… Edhe te  “Shkrepi i Gurës” shkova. Në festa atje ngrihet flamuri i madh kuq e zi me shqiponjën në mes, flamuri ynë. Flamuri ynë u ngrit edhe për 100 –Vjetorin e Pavarësisë…

Shkova edhe atje ku kishte qenë ndërtesa e shkollës së fshatit me katër klasë. Në vend të saj ishte ngritur një shkollë 8-vjeçare; Aty ishte edhe konvikti, ku vinin nxënës nga Palishti, Qafa, Tërnova, Strajani…. Solla aty në kujtesë  mësuesit e mi që i kisha dashur shumë: mësuesin Ahmet  Pera, i cili e ngriti atë shkollë, mësuesin atdhetar Sefer Selimi… Dëftesën e klasës së katërt, me të gjitha nota pesa, e kam edhe sot në shtëpi, me shkrimin e mësues Selimit…Mësuesit  shqiptarë ishin të atë profesionalisht, ishin të zotë, të ditur, ata edhe drejtonin mirë, mbi të gjitha ishin njerëz, njerëz shumë të dashur me ne fëmijët dhe me fshatin…

-Tani në fund, si qëndron problemi i xhamadanit tuaj, që mbani veshur tash 30 vjet. Ç’kujtime të bukura dhe mistere fshihen pas tij?

-Më vjen mirë që e keni vënë re. Ky xhamadan është i shtrenjtë për mua, shumë. Është xhamadani i nënës sime. Kur pas më shumë se 30 vitesh u ktheva në Sërmnovë, një ditë, në një kënd të shtëpisë më ra në sy xhamadani. E mora në duar dhe po e shihja me vëmendje, teksa ndjeja nëpër gishta butësinë e rrobës së tij. Vëllai më tregoi se atë xhamadan e kishte mbajtur nëna, “thuajse nuk e hiqte nga trupi, e mbante gjithnjë veshur”. Një xhamadan vërtetë i bukur, edhe me modelin, po edhe qepjen. Ajo që mua më tërhiqte më shumë ishte sepse  xhamadani më sillte kujtime të nënës sime, të familjes, babait, vëllezërve, motrës…

E mora me vete në Suedi atë xhamadan, e kam edhe sot, ja ky që mbaj veshur dhe që tërhoqi edhe vëmendjen tënde. Më erdhi mirë për këtë. Nuk është se ky xhamadan ka ndonjë histori të veçantë, por ai më ngacmon kujtimet… Më kujton edhe babanë tim të mirë, të urtë dhe të ditur. Mbaj mend se ai ishte një burrë i gjatë, elegant dhe me veshje moderne, njeri i ditur, zotëronte disa gjuhë të huaja, gjuhët sllave, turqisht, rumanisht, arabisht. Më merrte kudo me vete, në vizita kur shkonte në shtëpi të miqve apo bashkëfshatarëve. Kjo për mua ishte gjë e madhe. Ndërsa shokët e mi, fëmijë luanin me njëri-tjetrin, unë bashkë me babanë shkoja në vizita dhe kuvende, dëgjoja të rriturit. Ky veprim i babait më bëri më të pjekur, më hapi  horizonte, më ushqeu me më shumë dije dhe kulturë për atdheun, historinë, gjithçka. Nuk ia harrojë këtë babait tim. Ishte njeri që i dëgjohej fjala në fshat, vinin e pyesnin dhe këshilloheshin me të. Edhe  në kuvende pritej me interesim fjala e tij…Isha 16 vjeç kur ai ndërroi jetë(viti 1952). Ai rrojti 52 vjeç. Por ky xhamadan më kujton të tërë familjen… Sa herë që ndjej të ftohtë e marrë me kujdes nga sënduku dhe  e vesh. Këto vite e kam marrë me vete edhe kur kam ardhur  në Shqipëri dhe në Gostivar, por  edhe në shtete të tjerë. Ndihem ngrohtë me këtë xhamadan,  ndihem mirë. Sa herë që e vesh, në zemër seç ndjej ca të rrahura të veçanta, ndjej edhe ndonjë drithërimë të lehtë… Ky xhamadan ka qenë dëshmitarë i jetës së nënës sime, i babait, i tërë familjes, i fshatit…Pse të mos e them, ndërsa vitet ecin shpejt dhe po kap të tetëdhjetat, po ndjej dëshirën ta  vesh shpesh e më shpesh këtë xhamadan. Po të mos e vesh më duket se më mungon diçka tepër e rëndësishme. Ky më bën të ndihem ngrohtë më tepër se çdo veshje tjetër sepse…më ngrohë shpirtin, zemrën…

SHKARKO APP