Diellza Kolgeci: Fola dhe shpëtova shpirtin tim…
(Intervistoi: Albina Gjergji)
Pas disa eksperiencave televizive, të cilat ruhen si kujtime të vyera në memorien e ish Miss Kosovës, Diellza Kolgeci premton shumë shpejt rikthimin e saj në ekran me një projekt mjaft interesant; një program i stilit “talk show”, i titulluar “Unë jam ajo”. Ky program, ndërkohë që po “gatuhet” e po i jepet forma e duhur, sipas Kolgecit kërkon edhe mbështetje e pikërisht për këtë po punohet fort për të siguruar edhe sponsorat. E fokusuar më së shumti në profesionin e juristes, përveç projekteve televizive që bluajnë në mendjen e saj, Diellza na tregon që kjo periudhë është mjaft e ngjeshur për të, duke filluar me trajnimet me gjykatës e avokatë e duke vijuar më tej me angazhimet që i përkasin po botës së artit. Në intervistën e saj, dhënë për suplementin “Koha Tjetër” të gazetës “Koha Jonë”, Kolgeci ndalet e na rrëfen shumëçka nga vetja, si përsa i përket jetës profesionale, ashtu edhe për jetën private, ku ndër të tjera zbulon që ka një shok zemre, i cili e beson dhe mirëkupton në çdo iniciativë që ndërmerr.
Me se po merreni aktualisht Diellza?
Aktualisht jam më shumë e përqendruar në profesionin tim primar, atë të juristes. Jam pjesë e disa trajnimeve me gjykatës e avokatë, si dhe me punë të tjera me disa avokatë. Mund të them se është punë që kërkon mjaft angazhim, por unë po kënaqem duke i ndjekur ato.
CV juaj profesionale është mjaft e pasur, por donim të dinim pas disa eksperiencave televizive, kur do ju shohim përsëri në ekran?
Ka kohë që kam përgatitur një projekt televiziv të stilit “talk show”, që e kam emërtuar, "Unë jam ajo", një projekt shumë interesant ky, por që ka shumë punë për t’u bërë dhe duhet po ashtu një buxhet jo i vogël, megjithatë shpresoj që shpejt do të jetë gati.
Mendje e bukur në fizik të bukur. Për t’u rikthyer pas në kohë, sipas jush çfarë e lidh e një ish Miss me botën e spektakleve sot?
Unë kam qenë e lidhur me televizionin që në fëmijërinë time, më saktë që nga mosha 5-vjeçare kam filluar si balerinë, pastaj këngëtare e vogël, ku kam marrë pjesë në shumë emisione fëmijësh, po ashtu kam qenë pjesë e festivalit më të njohur, “Akordet e Kosovës”, po ashtu nëpër programe të ndryshme për fëmijë. Pra televizoni ishte pjesë e imja para se të hyja në botën e spektakleve të bukurisë e që kjo më ka ndihmuar që të jem më e sigurt në atë që bëja asokohe.
Si e kujtoni pjesëmarrjen tuaj në “Miss Kosova 1996”, ku edhe u shpallët Mbretëreshë e Bukurisë?
E kujtoj me shumë mall dhe kënaqësi. Ishte kohë e rëndë për Kosovën dhe nga të gjitha vendet e Kosovës erdhën me makina e autobusë që të shihnin live zgjedhjen e “Miss Kosova”, organizuar për herë të parë në mënyrë zyrtare nga revista “Kosovarja” dhe e përkrahur nga presidenca e atëhershme e Kosovës. Në sallë ishin mbi 9000 spektatorë e një numër kaq i madh e bënte emocionin shumë më të fortë. Merrnin pjesë mbi 40 konkurrente, vajza shumë të bukura nga e gjithë Kosova. Organizim perfekt i asaj kohe, ku që në sfilimin tim të parë publiku filloi të brohoriste emrin tim, një emocion shumë i bukur dhe nga ai moment unë e dija se jam e preferuara e publikut dhe që nuk e kisha më të rëndësishëm faktin, nëse do ta fitoj, apo jo titullin, sepse publiku më dha emocionin më të bukur që nuk do të kishte të zëvendësuar me asgjë asokohe. Por edhe më të bukur ketë ndjenjë e bëri juria, e cila me shpalli “Miss Kosova”.
Mes shumë konkurrenteve nga e gjithë bota ju jeni shpallur edhe fituese e "Miss Body of Europe”. Nga kjo eksperiencë çfarë detaji kujtoni si më të veçantin dhe sa domethënie kishte për ju ky çmim?
Ka qenë një eksperiencë e bukur edhe pse në atë kohë (viti 2002) nuk isha më aq e interesuar për të tilla spektakle, por pasi m’u dha rasti që për herë të parë të përfaqësoj Kosovën si shtet në një spektakël bukurie me përmasa aq të mëdha, në Kosovë mezi e prisnin pjesëmarrjen time dhe natën e spektaklit në shumë vende të qytetit vendosen ekrane të mëdha, që të ndiqnin performancën time. Ishte interesante dhe ndjenjë e bukur kur fitova titullin e “Miss body of Europe”, sepse konkurenca ishte e madhe, pra edhe këtë eksperiencë e ruaj si kujtim të veçantë.
Para disa kohësh patët premtuar një libër autobiografik, i cili duket se ka qenë një dëshirë e hershme e juaja. Çfarë u bë me të?
Libri është një lloj autobiografie, pjesë e jetës sime, por po pret kohën e duhur për të lindur. Është aty, duke u pasuruar me sfida të tjera të jetës.
Në Kinematografi gjithashtu ju numëroni disa role, por më i dashuri dhe i shumë komentuari mbetet “Dashuria e Bjeshkëve të nemuna”. Na flisni pak për këtë rol dhe të tjerët më pak të komentuar, ç’vend zënë tek ty dhe e veçanta e tyre parë në aspektin regjisorial?
“Dashuria Bjeshkëve të Nemuna” është një ndër përvojat më të bukura që kam pasur, sepse në një moshë shumë të re pata fatin të luaj rolin kryesor përkrah të madhit Faruk Begolli, një aktor fantastik dhe njeri shumë i mirë. Kujtime këto që më lumturojnë e për këtë gjë falenderoj regjisorin e madh, Ekrem Kryeziut, i cili më besoi këtë rol edhe pse ishin shumë aktorë të interesuar për personazhin tim. Filmi “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” mund të them që është një ndër filmat më të shikuar dhe më të dashur.
Ndërkohë që ushtroni profesionin e juristes, gjatë karrierës suaj artistike keni provuar edhe në aktrim, prezantim, modeling, designer, kërcim. Me cilin prej këtyre profileve i ke marrëdhëniet më të mira?
Profesioni in primar është Drejtësia, profesion ky që e kam dashur gjithmonë. Është një punë që e bëj me qejf dhe më shkon shumë, ndërsa bota e artit është diçka që më relakson e më shumë e shoh si sport të shpirtit tim, sesa si profesion. Fundja është mirë përderisa ke rininë të eksplorosh dhe nëse ke fat t’i prekësh dëshirat e tua, t’i jetësosh ato, sepse përvoja vetëm sa të pasuron më shumë dhe kur vjen një moshë tjetër e di saktë për çka je dhe çka të fle në zemër e në mendje. Dua të them që të rinjtë është mirë të kenë guximin të eksperimentojnë, që nesër të mos ju mbetet peng për diçka.
Bukurinë tek femra shqiptare, e shikoni më shumë si avantazh, apo disavantazh në mentalitetin tonë?
Mendoj që kudo në botë femra është ajo e cila i orienton të tjerët se si do që ta shikojnë; vetëm si diçka të bukur, apo ta respektojnë edhe për atë çka është Brenda. Bukuria sigurisht luan rol të rëndësishëm në jetën tonë, sidomos tani në kohët moderne, por që bukuria nuk duhet të jetë dominante në personalitet. Gjithçka varet tek ajo se çfarë ti do nga jeta e nëse je kërkuese ndaj vetes, atëherë dyert e jetes duhesh t’i hapësh me karakterin, personalitetin që ke, sepse ato dyer janë më të rënda; nuk kërkojnë pamjen tënde, por kërkojnë mendjen, guximin, vullnetin dhe forcën. Pra, nëse një grua dëshiron të respektohet, të ketë autoritet ajo duhet të punojë dhe të mos presë nga bukuria që t’ia ofrojë të gjitha. Ndoshta bukuria të sjell një çante të bukur Chanel, Valentino, Louis Vuitton, por asesi nuk të sjell respektin dhe fuqinë. Ato t’i sjell mendja jote.
Ndjeheni femër e kompletuar Diellza?
Deri më tani ndjehem e kompletuar, sepse kam një familje, shoqëri të shëndoshë. Ndjehem mirë me veten, por që e kompletuar në kuptimin e plotë të fjalës do të jem atëherë kur të shoh afër vetes një Diellzë të vogël, domethënë kur të krijoj familjen time. Besoj se deri më tani kam jetuar dhe sfiduar shumëçka dhe se edhe pak do të planifikoj këtë sfidën më të madhe e më të bukur, sfidën e cila kur fillon nuk mbaron kurrë.
Raporti i Diellzës me të pavërtetën? Si reagon kur lexon diçka të pavërtetë për veten tënde në gazetë?
Unë kam pasur fatin të rritem në një familje që ka qenë çdoherë në qendër të vëmendjes dhe jam rritur në një farë mënyre me gazetarë, sepse ata ishin shpesh prezent në familjen time. Është normale të komentohesh nga të tjerët dhe të ketë thashetheme edhe pse i injoroj thashethemet, por edhe pse jam mësuar me thashethemet kuptohet se një e pavertetë çdokujt do i bëhej pengesë, sidomos kur ato vijnë nga njerëz që e quajnë veten gazetarë (e që në fakt nuk janë, por e keqpërdorin këtë profesion aq të respektueshem) e pavërteta më pengon shumë. Edhe kur bëhet për dikë tjetër, lëre pastaj për mua, por që në mënyren time e përgënjeshtroj. Edhe shpifësi disi duhet detyruar të përgënjeshtrojë e të kërkoj falje për ndonjë shpifje, por kjo s’më ka ndodhur shpesh. Megjithatë, gjithsesi duhet që ligji t’i dënojë njerëzit që shpifin dhe jam e sigurtë që shumë shpejt ky ligj do të funksionojë edhe tek ne.
Po me të vërtetën, cili është raporti yt?
Me të vërtetën raporti çdoherë është i mirë edhe pse e vërteta nganjëherë mund edhe të mos na pëlqejë, por kjo është e bukura e jetës se duhet t’i luftojmë gjërat që nuk na pëlqejnë, apo më mirë të them të punojmë në drejtim të asaj që çfarë nuk na pëlqen ta ndryshojmë, ose ta kuptojmë ashtu siç është. Personalisht njihem si vajzë e drejtpërdrejtë dhe i them gjërat siç janë. Më pëlqen thënia "Dixi e salvava mia amen", “fola dhe shpëtova shpirtin tim”, por që ka momente kur të vërtetën, apo atë çka ke për ta thënë, ose duhesh ta mbash për një kohë, ose duhesh ta thuash në kohën e duhur për të mos lënduar dikë.
Thashethemi më i keq që ke dëgjuar për veten?
Në fakt të gjitha të pavërtetat janë të këqija, por një e pavërtetë që më ka bërë të qesh dhe në të njëjtën kohë më ka habitur është që unëë paskam fituar tenderin për autostradën e Kosovës dhe ky thashethem ka marrë përmasa aq të mëdha, saqë skenari vazhdoi që nga ky tender kam blerë disa pallate në Dubai. Një gënjeshter e madhe dhe aq palidhje, e cila njëkohësisht më ka acaruar, por edhe më është dukur qesharake.
Gjeja që çmon më së shumti tek njeriu?
Mirënjohja. Unë mund të them se gjëja që çmoj më së shumti te një person është mirënjohja dhe meqë më bërë këtë pyetje shumë të thjeshtë në pamje të parë, por shumë domethënëse me lejo të shprehem sesa mirënjohëse i jam së pari Zotit që më ka dhënë jetën e shëndetin, pastaj familjes sime, që e kam pasur çdoherë pranë dhe kanë pasur durim me mua në kërkesat e dëshirat e mia. I jam mirënjohëse shoqërisë sime që, gjithmonë në gjithçka kam bërë kanë qenë afër meje dhe më kanë ofruar mbështetjen e tyre. Dua t’i falenderoj nga zemra që janë njerëzit më të mirë. Ata më bëjnë të ndjehem e fortë.
Arsyet që të sjellin në Tiranë dhe sa e lidhur jeni me këtë qytet?
Tiranën e dua shumë. Kam shumë shoqëri dhe vij për ndonjë punë, apo thjesht për të drekuar, pirë kafe me miqtë, etj.. Tani jemi shumë afër dhe nuk përtoj të vij në Tiranë kur jam e lirë.
Duke modifikuar shprehjen popullore, “më thuaj me kë rri të të them kush je” në “më thuaj për çfarë i shpenzon paratë që të të them kush je”, mund të na thoni, ju për çfarë i shpenzoni më së shumti paratë?
Kur isha adoleshente shpenzoja shumë për garderobë, këpucë, çanta, etj., ndërsa tani nuk është se nuk shpenzoj për këto gjëra, por jam më e matur. Tani më pëlqen të blej gjëra për shtëpi, gjëra praktike, të cilat më duhen për të më lehtësuar punën, kursej para për udhëtime, sepse më pëlqen të udhëtoj shumë, por shpenzoj në libra e sidomos dhurata, që më së shumti ia bëj dikujt.
Frekuentuese e jetës artistike në Kosovë?
Edhe pse janë të rralla më pelqen të shkoj në Teatër për ndonjë shfajqe. Ndjek baletin kur kam mundësi, ndërsa kur shkoj jashtë vendit çdoherë shkoj në Teatër, sidomos në NY, pasi atje shkoj shpesh.
Aktori juaj i preferuar shqiptar që për shijet e tua bën diferencën?
Për mua dhe shumë të tjerë ishte Faruk Begolli, një aktor i veçantë, ndërsa sot nuk di kë të veçoj, pasi ka shumë të rinj të talentuar.
Shkrimtari dhe libri i fundit që keni lexuar?
Drenusha Zajmi, “Engjëjt vdesin ndryshe” dhe Murakami “Kafka on the Shore”
Çfarë e bën të lumtur një femër sipas jush?
Mendoj që të lumtur të bën njohja me vetveten, sepse kur njeh veten di çfarë kërkon nga vetja. Shumë njerëz e kërkojnë lumturinë jashtë vetes, e kërkojnë në famë, në pasuri, në karrierë, por ato janë vetëm moment dhe nuk janë lumturia. Për mua lumturi është kur do veten e veten e do vetëm atëherë kur je në gjendje ta kuptosh, ta njohësh, sepse nuk është e lehtë të dish se çfarë të duash nga jeta. Pra lumturia është vetvetja. Lumturia jeton tek ti, tek askush tjetër.
Dhe çfarë e trishton më shumë?
Mendoj se do të duhet të trishtohemi vetëm nëse humbim një person të dashur, apo nëse sëmuremi, sepse s’ia vlen të trishtohemi për gjëra të tjera.
Qani, përloteni shpesh Diellza?
Nuk jam nga ata njerëz që përlotem lehtë, sepse mundohem të përmbahem dhe nuk qaj. Kam qarë kur kam humbur personin më të dashur në jetë, shokun më të mirë e ai ishte babai im. Ka momente që qaj kur më kujtohen ngjarje, kujtimet e bukura që kam pasur me babain, por qaj përbrenda, jo me lot. Lotët është vështirë të m’i shohë dikush.
Jeta private, pyetje që nuk ju pëlqen përgjithësisht personave publikë; single, apo “in a relationship”?
E vërtetë që jeta private është private dhe se nuk ështe për publikun, por që është normale se kur je fytyre publike të tjerët interesohen për jetën tënde private. Unë kam një shok zemre, i cili më kupton dhe ka mirëkuptim e besim në gjithçka unë bëj, prandaj edhe e quaj shok i zemrës sime.
Ç’detaj, ç’ves e bën të vogël si njeri një mashkull në sytë e tu?
Meshkujt që s’kanë vetëbesim dhe me anën materiale mundohen të joshin një femër. Ata që nuk dinë të respektojnë dhe që s’kanë edukatë e kulturë janë meshkuj, apo njerëz që nuk i shoh.
Ajo çfarë vlerësoni më së shumti tek një mashkull?
Mendjen, vetëbesimin, edukatën, kulturën, janë gjëra që i vlerësoj më së shumti.