Dr. Jorgji Kote: Pakti franko-gjerman i Ahenit dhe Pajtimi në Ballkan
Dje më 22 Janar, Presidenti francez Macron dhe Kancelarja Merkel nënshkruan në qytetin e lashtë të Ahenit( Aachen) Paktin e ri të miqësisë dhe bashkëpunimit dypalësh. Ky Pakt është rinovimi i zgjeruar me shumë komponentë të tjerë jetikë të Traktatit të famshëm të Elizesë, nënshkruar plot 56 vite më parë nga gjigandët e politikës evropîane, De Gol dhe Adenauer. Pakti i ri prek të gjitha qelizat dhe fushat jetike në të dy vendet duke përfshirë kulturën, arsimin, shëndetësinë, klimën,sigurinë, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarak e deri te përfaqësimi me një zë të vetëm në OKB, BE, etj.
Për këtë ngjarje, “Argumentum” i mori një intervistë analistit të njohur të çështjeve diplomatike dhe politikës së jashtme, Dr. Jorgji KOTE. Qysh përpara tre dekadash ai ka mbuluar dosjet ekonomike me këto dy vende, ndërsa në vitin 1997 – 2006 ka qenë Nr. 2 i Ambasadës sonë në Berlin dhe në Misionin pranë BE-së Bruksel ; është autor i shumë shkrimeve dhe i librit « Berlini pa mure »
Argumentum : Zoti Kote, a mund të na thoni shkurt se ku qëndron rëndësia e këtij Pakti?
Nënshkrimi i këtij Pakti është një ngjarje madhore pozitive në peisazhin e sotëm gri politik të Evropës, në prag të Brexit mes dilemave vërtet hamletiane dhe zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian. Sepse bëhet fjalë për dy vendet më të mëdha evropiane, bashkëthemeluese të BE-së, NATO dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, kampionë dhe modele të demokracise dhe solidaritetit. Janë boshti dhe motorri i funksionimit të BE-së, te të cilët tashmë janë drejtuar sytë dhe shpresat e opinionit publik evropian dhe më gjerë. Kur flakët dhe ethet e populizmit, ekstremizmit dhe euro-ekspeticizmit po tentojnë të përfshijnë gjithë Evropën me vlerat e saj themelore, liberalizmin, multilaterizmin dhe shtetin e të drejtës.
Argumentum : Gjatë 20 viteve të fundit, modeli i pajtimit franko-gjerman ka qenë temë e preferuar dhe për politikanët në Ballkan, ndoshta nga që tingëllon bukur si muzikë për liderët e tjerë, sidomos ata gjermanë e francezë. Po në realitet si qëndron puna ?
Le të jemi të sinqertë e të pranojmë se transplantimi i këtij modeli në Ballkanin Perendimor është shumë larg realiteteve në rajonin tonë, aq sa duket vërtet i pamundur.
Shkaku i vërtetë nuk është siç thuhet në disa raste se Serbia me Kosovën dhe Shqipërinë e në përgjithësi Ballkani Perendimor ka një histori shumë më të egër me vrasje, konflikte dhe luftra vëllavrasëse. Në fakt, Franca me Gjermaninë e kanë dhe më tragjik fatin e tyre si armiqtë më të mëdhenj të njeri tjetrit në katër shekujt e fundit. Ato kanë zhvilluar plot 27 luftra rajonale dhe botërore ndërmjet tyre me qindra herë më shumë viktima dhe masakra e kështu me radhë. Mjafton të përmendim Verdunin me 750.000 të vrarë nga të dy këto vende në Luftën e Parë Botërore !!
Ky pajtim nuk ka të bëjë as me madhësinë gjeografike dhe të popullsisë së Francës dhe Gjermanisë. Dëshmia më e qartë është Benelux me tre vendet e tij me të njëjtën
popullsi dhe madhësi gjeografike si Ballkani Perendimor, por megjithatë është preludi dhe « sinonim » i modelit franko-gjerman.
Argumentum : Atëhere cilat janë shkaqet dhe arsyet e « mospërkthimit » të këtij model dhe në rajonin tonë ?
Po i përmend fare shkurt:
Ndryshimi themelor qëndron te vlerat e përbashkëta evropiane franko-gjermane si toleranca, konsensusi, kompromisi, shikimi përpara dhe ngritja mbi muret e kohës me ura lidhëse dhe bashkëpunmi. Pikërisht kjo mungon në Ballkan, ku e kaluara kthehet në Mur më vehte e shoqëruar me barriera të tjera, të cilat pengojnë të shohësh të tashmen dhe të ndërtosh të ardhmen.
Falë këtyre cilësive, Franca dhe Gjermania krijuan brenda fare pak viteve truallin dhe mjedisin e duhur për pajtim, bashkëpunim dhe miqësi ndërmjet tyre ne format nga më të ndryshmet dhe nga poshtë – lart e njo vetëm nga politikanët. Kështu, Strasburgu, fronti i madh i ballafaqimit ndërmjet tyre u kthye brenda një viti në « Urën » e parë të madhe të pajtimit dhe miqësisë ndërmjet tyre dhe në plan evropian. Jo rastësisht Këshilli i Evropës vendosi selinë e tij në Strasburg.
E kundërta po ngjet me Serbinë dhe Kosovën ku dhe Ura e Mitrovicës është kthyer në një mur të vërtetë si ai i Berlinit që u shemb 30 vite më parë! Mungesa e këtij mjedisi, të paktën të pranueshëm, sepse miqësor tingëllon vërtet « luks » shihet në gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ultra nacionaliste që pason këto takime në refrenin politik serb se « kurrë nuk do ta njohim Kosovën», lobimin për tërheqjen e njohjeve, mosnënshkrimin e ndonjë marrëveshje sado e thjeshtë, etj.
Si mund të flitet për një mjedis dhe klimë të tillë kur ndërsa në Bruksel zhvillohet dialogu politik Prishtinë – Beograd, Serbia zhvillon gjithandej « përleshje » diplomatike dhe verbale kundër antarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare? Apo kur më 14 Qershor të këtij viti qeveria serbe inauguroi me « pompë » memorialin kushtuar milicëve dhe ushtarakëve serbë të vrarë në genocidin e pashembullt ndaj shqiptarëve në pranverë 1999? !
Argumetum: Po sfondi i ndryshëm historik a ka ndikim në këtë drejtim?
Padyshim, madje të ndjeshëm. Sepse modeli franko-gjerman i pajtimit u bë kur po shuheshin flakët e Luftës së II Botërore dhe bashkë me to dhe gjurmët e nacionalizmit ektrem dhe populizmit të viteve 30, kur po hidheshin themelet e rendit të ri botëror shumëpalësh, i mbështetur jo mbi « ligjin e forcës, por forcën e ligjit »; ndërsa aktualisht, pajtimi në Ballkan nëpërmjet integrimit të tij në BE po tentohet të arrihet kur po përshkallëzohet më shumë se kurrë populizmi, ekstremizmi, Brexit kudo në Evropë dhe në botë, i nxitur tashmë dhe nga Rusia!
Dihet se Franca dhe Gjermania i përkasin dy qytetërimeve të mëdha perendimore, të demokracisë dhe pluralizmit politik me sisteme të konsoliduara qeverisjeje, pavarësisht nga shkatërrimet e luftës. Franca është vendi i revolucionit dhe të drejtëve e lirive themelore të njeriut ; kurse Gjermania, brenda më pak se 10 vjet pas Luftës së II Botërore realizoi mrekullinë e ekonomisë sociale të tregut me një imazh tërësisht të ndryshuar e pozitiv.
Argumentum: Si e shpjegoni këto dukuri dhe dallime cilësore ?
Ndërmjet të tjerash me faktin që vendet e Ballkanit Perendimor kanë trashëguar prapambetje të madhe politike dhe ekonomike pasi kanë dalë nga pushtimi ottoman, feudal dhe ai komunist.
Për rrjedhojë, niveli i zhvillimit ekonomik dhe social franko-gjerman nuk ka fare të krahasuar tani dhe ndoshta dhe pas 50 vjetëve me Ballkanin Perendimor. Mirëpo krahas të tjerash, këto dallime kanë ndikim negativ sidomos lidhur me mbështetjen financiare të pajtimit ballkaanik, që ai të mos mbetet në terrenin e projekteve dhe premtimeve pa bazë. Pajtimi dhe miqësia franko-gjermane ka kohë që është bërë e prekshme për këdo, pa dallim moshe, nga nxënësit e shkollave fillore deri te pensionistët dhe veteranët. Falë kësaj fuqie ekonomike dhe mundësive financiare, vështirë të ketë fshat, qytet e komunitet në Francë dhe Gjermani që nuk është përfitues dhe kontribues i këtij pajtimi dhe miqësie në të gjitha fushat e shkëmbimeve njerëzore, akademike, sportive, artistike, etj. Më konkretisht, shteti dhe komuniteti publik/privat ka vënë në dispozicion të shtetasve të të dy vendeve mjedise, studio, fusha spportive, biblioteka, programe e kurse falas ose me tarifa fare modeste. Gjatë periudhës 5 vjeçare kur shërbeva në Ambasadën tonë në Berlin, jam ftuar në shumë nga këto aktivitete dhe mjedise u e kam ndjerëë atmosferën e veçantë miqësore franko-gjerme.
Krejt ndryshe ndodh në Ballkan, ku veç korrupsionit që « ha » shumë prej ndihmave, mungesat e dukshme financiare jan bërë pengesë serioze për nxitjen dhe konkretizimin e pajtimit dhee miqësisë. Veç të tjerash, ka vërtet dy nisma shumë të mira serbo-shqiptare, si krijimi i Fondit të Investimeve dhe Zyra Rajonale e Rinisë, sipas modelit franko-gjerman. Megjithë përpjekjet jo të pakta të palës sonë, vetëm 5 për qind e projekteve kanë gjetur financim !!
Argumentum: Çfarë pasojash të tjera kanë patur këta faktorë në Ballkan?
Këto dhe të tjera mangësi e mungesa kanë bërë që dhe ritmet e krijimit dhe promovimit të këtij modeli në Ballkan të jenë shumë më të ngadalshme. Imagjinoni që Gjermania Federale me Francën nënshkruan Traktatin strategjik të Elizesë më 1963, pra vetëm 14 vjet pas krijimit të shtetit gjerman; por deri atëhere ishin nënshkruar dhe zbatuar me qindra projekte dhe programe konkrete në të gjitha fushat, përfshirë mësimin e gjuhës frënge dhe gjermane nga miliona të rinj e të reja. Kurse në Ballkan gati 20 vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë dhe gjetkë janë miratar vërtet disa marrëveshje, por shumica nuk janë zbatuar ende, madje as nuk ka filluar ky proces. Dhe më keq akoma, Shqipëria me Serbine gjatë kësaj periudhe nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje të vetme! Kurse Prishtina me Beogradin kanë plot 8 vjet që dialogojnë në Bruksel, me ndërjetësimin e BE-së po rende pa marrëveshje, madje me rrezik kthimin prapa ! Kurse aktivtetet konkrete në fushat e lartpërmendura numërohen vërtet me gishta.
Së fundi, na thoni diçka lidhur me dallimet në nivelin dhe formatin e lidershipit franko-gjerman dhe atij Ballkanik?
Pyetje me shumë vend sepse vërtet që këto dallime të mëdha kanë të bëjnë dhe me rolin e jashtëzakonshëm vizionar dhe guximtar të liderëve legjendarë franoko – gjermanë- Adenanuer, Kohl, Brandt, De Gol, Miterand, etj që në Ballkan nuk i gjen as në « miniaturë » Por dhe në nivele bashkiale, lokale, artistike, sportive, etj. Dhe lideri serb i moderuar gjermanofon Zoran Xhinxhiç u ekzekutua 16 vjet më parë, kurse « Gandi » i Ballkanit, Presidenti Rrugova, megjithë rolin e tij të jashtëzakonshëm u anatemua sa ishte gjallë nga shumë anë dhe u nda nga jeta shumë i ri për një politikan kalibri si ai