Driada Dervishi: Teatri, i bukur dhe i trishtë si vetë jeta
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Përmes së qeshurës dhe humorit thuhet se përcillen gjithmonë mesazhe të goditura dhe kuptimplota. E tillë ishte edhe komedia “Martesa, e cila është vënë në skenë pak ditë më parë në Teatrin Kombëtar në kryeqytet. Komedia “Martesa”, e bazuar në veprën e dramaturgut të mirënjohur rus, Anton Çehov mund të thuhet që ishte padiskutim suksesi i radhës i regjisores, Driada Dervishi dhe stafit të saj, personazhet e së cilës marrin pjesë në një martesë ndryshe nga të tjerat. “Doja të provoja diçka të re, një përzierje të pjesëve me një akt të Çehovit, si Ariu, Propozimi, Martesa, Kënga e Mjellmës, etj.. Pra një ndërthurje mes personazheve të këtyre pjesëve e për këtë më duhej një shesh veprimi i përbashkët: Një dasëm, ku të gjithë këto personazhe janë të ftuar e ku secili ashtu si në jetë, herë është në qendër të vëmendjes e herë struket në një qoshe për të shijuar një gotë verë, por ama janë gjithë kohës aty, të pranishëm në skenë”, kështu shprehet lidhur me “Martesën”, Dervishi. Një një intervistë për gazetën, “Koha Jonë”, regjisorja rrëfen të gjitha detajet e komedisë, duke nisur që nga fakti se përse zgjodhi këtë vepër, për të kaluar tek përzgjedhja e aktorëve, mesazhi i veprës dhe komponentët e tjerë, të cilët e bëjnë “Martesën” kaq të dashur dhe të mirëpritur nga publiku.
Para pak ditësh u vu në skenën e Teatrit Kombëtar komedia, “Martesa”, bazuar në veprën e dramaturgut të madh rus Anton Çehov, por personazhet veprojnë në një martesë sipas një koncepti të kuruar nga ju si regjisore. Si lindi ideja për këtë shfaqje që duket si një e tërë, por në fakt janë përfshirë 5 pjesë me një akt nga ky autor?
Ju e dini që teatri nuk zgjat, përveçse në kujtesën dhe zemrat e njerëzve. Kjo është diçka sa e bukur aq edhe e trishtë. Ashtu si jeta tek e fundit, prandaj ne shpesh dëgjojmë që teatri është jeta. E gjithë kjo bukuri e trishtim ndjehet për mua në të gjithë krijimtarinë e A. Çehovit. Dëshira për të punuar një Çehov u konkretizua menjëherë pas shfaqjes sime të fundit “Vanja dhe Sonja dhe Masha” e dramaturgut Ch.Durang, e cila mbështetet ekskluzivisht në dramat çehoviane. Të rilexuarit e të gjithë dramaturgjisë së Çehovit më solli pikërisht trishtimin e jetës, dhimbjen e kohës që ikën e nga ana tjetër bukurinë e saj; larminë, gëzimin, humorin, të përditshmen e mbushur plot personazhe e ngjyra që vetëm Çehovi di t’i përshkruajë. Teatri është një vend i mrekullueshëm për të bërë magji dhe sa më shumë punoj në teatër, aq më shumë e besoj këtë. Kështu doja të provoja diçka të re, një përzierje të pjesëve me një akt të Çehovit, si Ariu, Propozimi, Martesa, Kënga e Mjellmës, Tragjik pa dashje. Pra një ndërthurje mes personazheve të këtyre pjesëve e për këtë më duhej një shesh veprimi i përbashkët; një dasmë, ku të gjithë këto personazhe janë të ftuar e ku secili ashtu si në jetë, herë është në qendër të vëmendjes e herë struket në një qoshe për të shijuar një gotë verë, por ama janë gjithë kohës aty, të pranishëm në skenë. Dasma nuk mund të marrë kuptim pa kërcimin, pa këngën. Për mua teatri është forma më e përkryer e artit pikërisht, sepse mund të vendosësh e të ndërthurësh shumë arte bashkë, si kërcimin, këngën, apo pikturën dhe tek kjo martesë e madhe ishin të gjitha. Ajo që duhej të nënvizoj është, se nëse nuk do kisha në krah një grup aktorësh që besuan dhe ishin të ethshëm të merrnin pjesë në këtë martesë, si dhe koreografin Elton Cefa, i cili punoi për realizimin e etydeve koreografike, atëherë magjia nuk do të funksiononte.
Ju jeni regjisore e teatrit “Alekandër Moisiu” prej më shumë se një dekade dhe keni punuar si me aktorë të rinj, ashtu edhe me aktorë të njohur. Si erdhi ndarja e roleve dhe ky bashkëpunim për “Martesën”?
Të krijuarit e çfarëdolloj shfaqjeje nis me krijimin e një familjeje; një familje ku ashtu siç ka dashuri, ka edhe urretje. Aq ka dëshirë për të punuar bashkë, aq ka dhe debate. Është kjo marrëdhënie dashuri/urretje që i ndjek gjithnjë ato që bëjnë teatër. Por është një marrëdhënie, pa të cilën nuk bëjmë dot. Ne jetojmë për provat në tavolinë, për mizanskenat, për duartrokitjet, për vlerësimet, për festat pas premierave, për debatet pafund për një batutë që hiqet. Ne jetojmë për mënyrën sesi familjarizohemi me njëri-tjetrin, për batutat që përsëriten pambarimisht, për këngët që këndohen papushim, apo për lëvizjet koreografike që kujtohen, derisa të arrijnë sinkronin e duhur. Është një rrugë e gjatë, por që në një mënyrë ia dilet gjithnjë që në fund të gjithë bëhen bashkë. Duke qenë regjisore e brendshme e këtij teatri, ndarja e roleve mes anëtarëve të kësaj familjeje ishte shumë e thjeshtë, madje duhet thënë që në një farë mënyre frymëzimi për pjesët që vendos nis, duke i njohur shumë mirë të veçantat e gjithsecilit. Unë dua t’i falenderoj të gjithë anëtarët për besimin që tregojnë ndaj meje, për mbështetjen e ndoshta edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme shpesh, duke lexuar dëshirën për të bërë teatër të mirë, e pasionin për këtë teatër më motivojnë për të punuar pjesë të bukura.
Komedia është cilësuar tepër e suksesshme dhe biletat u shitën në një kohë rekord. Çfarë e bëri kaq të veçantë këtë komedi, sipas jush?
Nuk arrij dot ta fsheh entuziazmin që shfaqja u prit me kaq shumë dashuri nga publiku teatërdashës kryeqytetas. Mund të them vetëm se mënyra më e mirë që një shfaqje të ecë është se, përtej mjeteve informuese (këtu gjej rastin të falenderoj zyrën e marketingut në Teatrin Kombëtar) është një “strukturë” – nëse mund ta quaj kështu – që përhap fjalën, që kjo shfaqje duhet parë, kjo shfaqje nuk duhet humbur. Kalimi i fjalës gojë më gojë, mendoj është një strukturë që funksionon më së miri. Martesa është një shfaqje ku ka shumë ritëm, ka atmosferë, karaktere të mirëpunuar, detaje të veçanta, dëshirë për të bërë teatër të mirë e mbi të gjitha një Çehov që e bën publikun pjesëmarrës në këtë dasmë. Janë të gjitha këto që e bëjnë kurioz publikun për ta ndjekur. Nga ana tjetër më duhet ta them me krenari se, vërtetë trupa e teatrit të Durrësit, premierë pas premierë është duke punuar shumë për ta sjellë në nivelet e dikurshme Teatrin, “Aleksandër Moisiu” e kjo ka bërë që numri i ndjekësvë të saj, të vijë në rritje. Është vërtetë shumë motivuese për të gjithë ne kur dëgjojmë fjalët, “Ah, është teatri i Durrësit me një Çehov sonte, nuk duhet ta humbasim”!
Keni vënë në skenë plot vepra të njohura botërore. Si e bëni përzgjedhjen e tyre?
Të bërit teatër është një profesion, në të cilin nuk mbaron kurrë së mësuari. Kur nis punën me një vepër të re, në mënyrë të paevitueshme ti bie në dashuri me të, me ngjarjen, me personazhet e gjithçka që ndodh aty bëhet pjesë e jetës tënde. Ti mendon për to kur zgjohesh dhe ëndërron për to kur fle, por kjo nuk zgjat për shumë kohë. Shfaqja jepet, mbaron dhe ti ndjehesh keq, bosh, por jo për shumë kohë. Jo për shumë kohë, pasi ti e di që diku… aty, duke kërkuar do të gjesh një pjesë të re, një bukuri tjetër është diku aty, një histori e re, me të cilën do të dashurohesh sërish. Kërkimi për një vepër të re, që të ngacmojë është i vazhdueshëm, një kërkim që nis me leximin e shumë veprave e shumë dramaturgëve. Jam përpjekur të fokusohem në karrierën time artistike, te autorëve të mëdhenj, dramaturge, të cilët kanë bërë historinë e teatrit botëror.
Çfarë do të thotë për ju të qënurit regjisore e një teatri me histori, sikurse është ai i Durrësit?
Të qënurit regjisore e nje teatri nga më të rëndësishmit në vend është një përgjegjësi e madhe, të cilën jam përpjekur ta përmbush, duke sjellë në repertorin e teatrit, “Aleksandër Moisiu” autorë të mëdhenj, autorë që për shkak të periudhës komuniste, për fatin e keq nuk lejoheshin të viheshin në skenë. Këtu përmend si, “Babain” nga Strindberg, apo “Tango” – Mrozek, “Nuk Paguajmë” – Dario Fo, “Ana Kristi” – Eugene O Neill, “Rëndësia e të qënurit i ndershëm” – Oscar Wilde, etj.. Këto pjesë kanë qenë premiera jo vetëm në Durrës, por edhe në Shqipëri.
Na përmendni disa pjesë të tjera që keni vënë në skenë?
Janë shumë, por po përmend disa prej tyre. “Martesa”, e cila ishte edhe shfaqja e fundit (qesh). “Ëndrra e një nate vere”, “Stjuardesat”, “Ana Kristi”, “Boll! Kështu nuk shtyhet më!”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Të jesh nënë”, “Vajza pa prikë”, “Babai”, etj..
Po ato që do të dëshironit t’i vinit në të ardhmen në skenë?
Nëse dëshirat kthehen në mendime, mendimet bëhen fjalë e nëse fjalët bëhen vepra, atëherë mund t’ju siguroj që do të shihni edhe shumë shfaqje të tjera, në mos më të mira, po kaq të mira sa “Martesa” (qesh)!
Së fundmi, projektet që janë në planet tuaja të afërta?
Duke qenë se teatri është i publikut dhe për publikun, atëherë çdo plan i ri do të bëhet, duke ju vënë së pari ju, gazetarëve në dijeni, si Hermesë modernë të publikut që jeni (qesh)!