Dritero Agolli: Si i njoha unë Ramën, Berishën dhe Bashën
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, në pjesën e dytë të intervistës së dhënë për gazetën "Shekulli”, flet për ish-kryeministrin Berisha, se si e ka njohur atë në rini dhe më pas në politikë. Ai po ashtu ka komentuar Ramën si publicist dhe si kryeministër. Thotë se e vlerëson për reformat që ka ndërmarrë dhe e mbështet atë në aksionin për të bërë shtet dhe për të vendosur ligjin. Për zërat kritikë brenda partive, Agolli shprehet se janë “pasuri” dhe nuk duhen luftuar, madje ai thotë se duhen mbështetur, sepse tregojnë se funksion demokracia dhe mendimi ndryshe. Autori i romanit “Shkëlqimi dhe Rënia e shokut Zylo” ka dhënë përshtypjet për “shkëlqimin” e politikanëve të rinj dhe për kujdesin që duhet të kenë ata në politikë. Ai këshillon Bashën, Veliajn dhe deputetët e rinj që të mos kopjojnë Berishën apo Ramën, por të demonstrojnë eksperiencën e tyre, duke i këshilluar që të lënë inatet personale. “Të rinjtë kanë ambicie, por duhet të lënë anash zënkat dhe gjuhën vulgare të politikës së vjetër”, thotë Agolli.
Z.Dritëro, si ju duket situata politike në vend?
Unë mendoj që është një fazë e re, kjo ku ka hyrë politika shqiptare. Si në Shqipërinë zyrtare, si andej nga Shqipëria tjetër, Kosova, po kalojmë në momente që mezi i kemi pritur me shekuj. Tani ka ardhur koha që politika ta çojë këtë lloj mundësie në një fazë tjetër, në një kapitull të ri. Duhet të bëhen bashkë të gjithë intelektualët për të ndihmuar forcimin e shtetit si këndej dhe andej. Politika e re duhet të ketë synim bashkimin e vendeve tona, si nga ana politike dhe në atë ekonomike dhe kulturore. Duhet të lihen anash sharjet dhe gjuha e ashpër që shohim çdo ditë në media. Kuvendi duhet të jetë arenë e prodhimit të ideve dhe mendimeve përparimtare. Nuk vjen asnjë përfitim nga përçarja.
Si ju dukën zgjedhjet vendore?
Po sigurisht këto zgjedhje kishin një origjinalitet që nuk e kishin zgjedhjet e mëparshme edhe njerëzit do t’i kujtojnë veçanërisht sidomos ata që kanë votuar për herën e parë pasi 2015-a ishte vit i reformave. Pres që klasa politike t’u shkojë deri në fund reformave të nisura. Janë jetike për vendin.
Si e keni njohur Sali Berishën?
Sali Berishën e kam njohur shumë herët. Madje, në shtëpinë e tij në Viçidol, më është bërë një pritje tepër bujare, nga pritjet më të veçanta. Jam ndjerë shumë i vlerësuar nga mënyra se si i prisnin njerëzit në atë anë. Ndërsa personalisht për mua ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por dhe të autorëve të tjerë në atë kohë pa lexuar. Sa herë që e kam takuar kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar. Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Edhe si mjek ka qenë i përkushtuar. Më është i dhimbsur që e la profesionin e mjekut sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i përket politikës ky është një kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është një politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal. Si mjek që ishte duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit.
Ndërsa lëshimi i stafetës ishte një hap i rëndësishëm për mua. Lulzim Basha është një djalë i kulturuar. Unë e kam uruar dhe kur fitoi në zgjedhjet lokale para katër vitesh, edhe pse socialistët u mërzitën për deklaratën time. Por unë si shkrimtar dhe duhet t’i motivoj të rinjtë që futen në politikë për të kontribuar ndaj vendit. Duhet të heqim dorë nga inatet dhe ndarjet politike. Është koha që të ulen tonet dhe të bashkëpunojnë të gjithë intelektualët për të mirën e vendit. Rezultatet kanë treguar se politikanët shqiptarë në këto 25 vite kanë qenë shumë grindavecë. Do të kishim ecur më shumë nëse s’do të kishin parë interesin personal. Unë i kam njohur shumë prej politikanëve dhe çuditem kur shoh që këta personalitete që me formimin e tyre kulturor janë për tu admiruar, në politikë sillen krejt ndryshe. Kush e di, politika ndoshta dikton të tjera rregulla. Ndoshta.
Po Basha?
Ai është një djalë i zgjuar, njeri që di më shumë dhe ka studiuar dhe punuar jashtë. E kam takuar dhe është një djalë i kulturuar. Për mënyrën se si po e bën kryetarin e opozitës, po më pëlqen. Ai duhet të synojë që të ndryshojë gjërat duke bashkëpunuar me qeverinë. E ka kapacitetin për ta bërë këtë. Ai ka këmbëngulje që t’u qëndrojë ideve të tij. Unë mendoj se ai deri tani nuk është për t’u kritikuar, sepse ka të tjerë që nuk kanë ide, hidhen nga një pozicion te tjetri. Ndërsa ai e ka të qartë se çfarë është duke bërë.
Qeveria të mbështesë bujqësinë
Z. Agolli, a ka ndryshuar Shqipëria sipas jush?
Vendi ka ndryshuar dhe po ndryshon çdo ditë. Jemi në kushte të tjera sot. Edhe Kosova më thonë se ka ndryshuar. Ekonomia e një shteti është prodhimi dhe një pjesë e produkteve kanë filluar të kultivohen këtu. Ky është lajm i mirë. Rrugët për të lëvizur janë bërë të mira, nuk ka baltë dhe pluhur si në vitet e para të tranzicionit. Por duhen shfrytëzuar edhe më shumë burimet natyrore që ka Shqipëria për të cilën vjershëronte Naimi. Në fund të fundit, Shqipëria para disa vitesh kishte një ekonomi që kishte prekur pikën zero. Por qeveria duhet të mbështesë bujqësinë dhe prodhimin. Kemi gjithë ato fusha që mund të mbillen me grurë. Nuk duhet të importojmë miellin dhe as domaten. Qeveria, në do vërtet të zhvillojë vendin, duhet të marrë masa për të zhvilluar prodhimin bujqësor. Turizmi është një tjetër potencial ku duhet investuar.
Rama nuk është hipokrit, bëri shumë mirë me reformat
Z.Agolli, si ju duket Rama si kryeministër?
Ramën e kam ndjekur gjatë viteve ’90 kur shkruante, por edhe më pas. Ka stilin e tij dhe më ka pëlqyer stili i tij. Librin e tij “Kurbani” nuk e kam lexuar. Më ka bërë përshtypje gjithnjë e folura e tij. Rrezaton kulturë. Ndërsa si kryeministër duhet vlerësuar për përpjekjen për t’i rregulluar gjërat. Iniciativa nuk i mungon. Pastaj çdo gjë do kohën e vet. Edhe Rama reflekton dhe transmeton botë të pasur. Është artist dhe duhet të shfrytëzojë këtë pjesë dhe në politikë. Ai ka një rol frymëzues dhe po synon që të sjellë në politikë parimet dhe vlerat të cilat i ka përvetësuar. Të gjithë palët duhet të kujdesen për klimën politike në vend. Politika është fushë e realizimit të idealizmave dhe ai si artist duhet të bëjë përpjekje ta realizojë këtë. Rama me sa duket po mundohet ta bëjë shtetin të kontrollueshëm. Në këtë formë, ai, e ka konceptuar ndërtimin e shtetit. Ai i merr seriozisht gjërat dhe jo në mënyrë hipokrite, sepse i ka të vërteta. Nuk ka deklarata për “sy e faqe”. Edhe me reformat mirë bëri. Me universitetet bëri gjënë më të mirë, pavarësisht se ç’thonë. Të gjithë janë të mendimit, si dhe unë, që studentët që studiojnë në këto universitete, nuk kanë njohuritë e një nxënësi të shkollës së mesme.
Për qeverinë e re çmendim keni?
Qeveritë kanë nevojë për t'i “shkulur veshin” dhe për t'i bërë kritika, dhe më pak lavdërime. Historia e qeverisjes së njerëzimit ka treguar se qeverisjet nuk kanë punuar sa duhet për kombin. Për aq sa ka bërë qeveria aktuale, është më e mira e këtyre viteve. Analiza e punës së një qeverie bëhet pas mbarimit të mandatit, merren dhe hidhen në peshore premtimet dhe arritjet dhe në fund shihet se nga peshon kandari. E kaluara ka treguar se qeveritë gjatë vitit të parë janë më punëtore.
Po për Erjon Veliajn si kryebashkiak i Tiranës, ç’mendim keni?
Është një djalë që ka energji. Po ta përdorë entuziazmin që ka treguar në fushatë dhe në angazhimet e tij të mëparshme dhe në krye të Tiranës, do të jetë premtues. Ai ka kërkuar gjithmonë transparencë kur ishte në lëvizje. Po të jetë transparent siç ka kërkuar kur ishte në opozitë, bashkia do të ndryshojë. Duhet të bëjë këtë përpjekjeje. Ai fillimisht ka nisur të pastrojë gjithçka ka gjetur, pastaj të hyjë në veprime konkrete për të rregulluar gjërat e mëdha. Në çdo nismë si fillim ndërtohet rruga, hiqen ferrat, mbeturinat, pastaj me radhë… Por unë do të thosha që të mos mundohet të ndërtojë të gjithë qytetin menjëherë, por të ndërtojë gradualisht qytetin.
Të ruhet kritika brenda të majtës
Si ju duket lidershipi i ri?
Tashmë rreth së majtës është krijuar një grup politikanësh të rinj që rrezatojnë ambicie të madhe. Mendoj se duhet të jenë figurat qendrore të së majtës. Më pëlqen që në PS ka edhe kritikë brenda grupit dhe kjo frymë është trashëguar dhe duhet të ruhet. Të lejohen që të flasin edhe kur e drejta që predikojnë mund të dhemb për dikë. Edhe në PD janë grumbulluar djem dhe vajza të përgatitur që kanë studiuar dhe kanë marrë nga eksperiencat e tyre jashtë vendit. Pse të mos të sjellin modelin që kanë parë jashtë, në Shqipëri, dhe jo të kopjojnë gjuhën vulgare të politikanëve tradicionalë. Nëse shohim Kuvendin, vërehet se sillen njësoj dhe flasin njësoj. Konica ishte nga intelektualët më kritikë ndaj të gjitha qeverive dhe kundërshtarëve politikë, por asnjëherë nuk baltoste me gjuhën e rrugës siç bëjnë sot politikanët tanë. Qëndrimet kundra të palëve duhen argumentuar më fjalë dhe jo me ofendime. Gabime politike ka në të gjithë krahët por nuk duhet të katranosim njëri-tjetrin. Shqiptarët pavarësisht bindjeve politike janë të mirë. Ky brez duhet të sillet siç janë shqiptarët në të vërtetë, të mençur dhe të respektuar.
Koleksion bastunësh
Në hyrje të shtëpisë së shkrimtarit Dritëro Agolli qëndrojnë të varur 6 bastunë, një pjesë të cilëve ia kanë dhuratë miqtë e tij. “Gjatë këtyre viteve e kam pasur më se të nevojshme të përdorja bastunët, por dhe përpara më kanë pëlqyer”, thotë Dritëro Agolli.
Dhoma me piktura
Dhoma ku shkrimtari kalon pjesën më të madhe të ditës është e mbushur me piktura. “Pikturat që më kanë dhuruar miqtë e mi i kam ngjitur në mur sepse më çlodhin. Më frymëzojnë pikturat, gjithmonë më kanë frymëzuar”, thotë shkrimtari.
Rakia, pjesë e tryezës
Në konakun e shkrimtarit Dritëro Agolli rakia është shërbyer gjithmonë për mysafirët. Bashkëshortja e tij teksa na sjellë rakinë tregon se kurrë nuk e ka parë Dritëroin të dehur. “Dritëroi është një pijedashës. Rakia në tavolinë me miqtë nuk i ka munguar kurrë, por është çudi se kurrë nuk e kam parë të dehur”, shprehet Sadija.
Agolli duhanpirës
Në shtëpinë e shkrimtarit të njohur konsumohet duhani. Bashkëshortja e tij thotë se cigaren e ka të pamundur që ta lërë. “Në shtëpinë tonë pihet cigarja. Jemi të detyruar pasi Dritëroi nuk ka arritur të ndahet nga cigarja”, tha Sadija.(shekulli)