E shkuara dhe e tashmja në penelin e Mjeshtrit Përvathi (FOTO)

Albina Gjergji

Pasi ka shijuar suksesin e 35 ekspozitave personale në Pikturë, mjeshtri i penelit dhe i telajos, Pashk Përvathi sot është përqendruar dhe po shijon punën në një bashkëpunim amerikan, por me kryefjalë zhanrin e preferuar, Peizazhin. I frymëzuar nga mrekullitë që natyra shqiptare ofron, imagjinata, por edhe nga portretet reale që përcjellin gjendje të forta emocionale, Përvathi nuk resht së mahnituri publikun shqiptar në vazhdimësi. E ndërsa ekspozita e tij e fundit i përket vitit të kaluar, me titull Tradita ne Telajo”, artisti lezhjan na tregon se vitin 2015 e ka nisur me nje cikel punimesh me deboren e Korces dhe po ashtu me disa punime kushtuar lagunes se Vainit ne Lezhe. Fanatikët e Përvathit presin ekspozitën e radhës, por ndërsa ata presin, artisti na rrëfen se në një farë mënyre vetë ai i ka mësuar me këtë “traditë”. Por ndër gjithë këto vite punë, gjithë këto realizime me mjeshtëri, çmime e suksese e sigurisht edhe sakrifica, cila prej 35 ekspozitave mbetet më e veçanta për Pashk Përvathin? Pse? A ka një kulm suksesi artisti? Ku dhe kur e ka shijuar ai kulminacionin e tij? Këtyre pyetjeve, por edhe të tjerave që kanë të bëjnë me sfidat e nje piktori në raport me vetë artin, të shkuarën, të tashmen, por edhe me institucionet shtetërore dhe tregun sot, Përvathi u përgjigjet në intervistën e mëposhtme dhënë për gazetën “Koha Jonë”.

 

Z. Përvathi, ekspozita juaj  fundit ka qenë ajo e 2014-ës, e titulluar “Tradita ne Telajo”. E ndërsa dashamirësit e mjeshtërisë suaj presin të radhës, mund të na thoni cili është punimi që keni në dorë sot?

Dashamirësit e mi të artit kanë të drejtë të presin. Ata në një farë mënyre prej shumë vitesh janë mësuar ta kenë prezent një ekspozitë timen në çdo vit. Kam ekspozuar shumë dhe nuk kam pasur frikë asnjëherë prej ekspozimit. Ekspozimi është shfaqje, është ballafaqim dhe prej ballafaqimit krijuesi nuhat dhe kupton arritjen dhe mosarritjen e tij. Vitin 2015 e kam nisur me një cikël punimesh me dëborën e Korçës dhe po ashtu me disa punime kushtuar lagunës së Vainit në Lezhë. Aktualisht po punoj një seri peizazhesh, pjesë e një bashkëpunimi të sapo nisur me një kompani distribucioni të artit në SHBA. Kjo përvoje e re më ka dhënë plot emocion për të realizuar vepra të mira. Deri tani bashkëpuntorët e mi amerikanë kanë mbetur mjaft të kënaqur me rezultatin e punimeve të realizuara.

 

Deri më tani numëroni 35 ekspozita me punime të larmishme. Arrini dot të bëni dallim në ndjesi nga njëra-tjetra, pra se cila mbetet më e veçanta për ju?

Ekspozitat janë përfaqësim. Unë jam kujdesur t’ju kushtoj gjithnjë vëmendjen e duhur, duke filluar që nga përzgjedhja e punimeve që do të ekspozohen, ashtu dhe me paspartimin e punimeve në korniza, apo me imazhin e tyre në media e katalogje të artit. Tre ekspozita mendoj se janë më të rëndësishmet për mua dhe të treja janë hapur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. E para është e vitit 1992, kohë kur sapo kisha mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve dhe i prezantohesha publikut me profilin tim si peizazhist. Po ashtu dhe ekspozitat e vitit 2005 dhe 2010 në këtë institucion janë po aq të rëndësishme. Këto tri ekspozita mbeten të rëndësishme, por e veçantë mbetet dhe ekspozita me natyra të qeta në Galeri “Kledio” në vitin 2014. Ishte hera e parë në krijimtarinë time që trajtoja natyrën e qetë, prandaj mbetet e veçantë.

 

Teknikat tuaja më të preferuara?

Teknika ime e preferuar është realizimi me ngjyrat e vajit në metodën pleneriste. Kam mbetur besnik i kësaj teknike, mbasi i përshtatet më shumë stilit tim të realizimit të punimeve “alla prima”. Në studion time kam edhe disa fletë letre profesionale aquareli, por që akoma nuk po ulem  të merrem me to. Ndoshta do të ndodhë një ditë.

Peizazhi, duket se është gjinia më e dashur për ju, sidomos ato me tematikë vendlindjen, apo zonat malore. Pse?

Peizazhi mbeti si gjini e  preferuar për mua fare rastësisht. Ndoshta lidhet me ekspozimin tim të parë në një ekspozitë kombëtare të vitit 1979. Isha fare i ri, me arsimin e mesëm, por ekspozimi i këtij peizazhi më bindi që atëherë se duhet të mbetesha brenda kësaj gjinie. Unë nuk arrita të shkollohesha në kohë, biles e kisha humbur shpresën se një ditë do të shkelja në Akademinë e Arteve. Duke ekspozuar peizazhin tim në një ekspozitë kombëtare, mendova se deri këtu duhej të mbetej caku im i ambicies. Nuk doja të hallakatesha shumë, por të mbetesha në këtë gjini, ku edhe dhashe një prove suksesi. Në atë kohë motivet e preferuara mbeteshin ato të Lezhës së vjetër të sapo shembur nga tërmeti, por dhe ato të vjeshtave të laguneës së Lezhës. Me shume isha i fokusuar tek peizazhi lokal i zones sime.

 

Pra ju po më thoni se shkollimi juaj nuk ka ardhur normalisht në kohë si gjithë të tjerët?

Pikërisht kështu është. Unë konkurrova sapo mbarova shkollën e mesme, por nuk u shpalla fitues i konkursit. U dëshpërova shumë. Me refuzimin që i bëra një burse për shkollë ushtarake, zgjedhja e vetme mbetej kryerja e shërbimit ushatarak. Nga kjo kohë dhe mbrapa kam ekspozuar vazhdimisht peizazhe në ekspozita lokale dhe kombëtare, derisa erdhi një ditë që tërhoqa vëmendjen e një njeriu të mirë që nguli këmbë që unë të ndiqja studimet e larta. Këtij zëri ju shtuan edhe të tjerë. Por këtu pata dhe mbështetjen e familjes sime, që me mbështetjen për ta ndjekur rrugën time. Kishin kaluar 10 vite nga mbarimi i shkollës së mesme, isha i martuar dhe baba i dy djemve. Ky vendim mendoj se ka qenë nga ata më madhorët që merren në jetë. Realizova një ëndërr të madhe, pikerisht në kohën kur e kisha humbur shpresën se do të ndodhte një ditë.

 

Ju keni ekspozuar edhe portrete në ekspozitën tuaj të vitit 2013. Ju pëlqen portreti?

Unë e kam thënë se jam dhe mbetem peizazhist. Por një piktor profesionist është në gjendje t’i trajtoje edhe gjinitë e tjera të artit siç janë portreti dhe natyra e qetë. Në ekspozita gjithnjë jam përfaqësuar me peisazhe, por në ekspozitën e vitit 2010 dhe 2013 kryesisht, kam ekspozuar edhe portrete. Motivet e mia të preferuar tek portretet kanë qenë ciganet. Edhe Sara e bukur u bë muza ime për portretet e vitit 2013. I bëj portretet, por nuk them se jam edhe portretist.

 

Ngjyrat, loja me to… Në shumicën e realizimeve tuaja, coloret zënë jo pak, por shumë vend!

Vetë piktura është marrëdhënie e koloreve. Në udhëtimin tim piktoresk potenca e ngjyrës ka ardhur në ngritje. Dikur preferoja ngjyrat opake si, okren, umbren dhe grinë, por me kalimin e viteve dhe fitimin e sigurisë, paleta ime u pasurua me një gamë më të larmishme ngjyrash. Me zhvendosjen e gjeografisë sime të piktures në zonën e Vithkuqit në Korçë, në Theth dhe Valbonë, pasuria ngjyrore erdhi natyrshëm në peizazhet e mia. Janë motive që të sugjerojnë të ndjekësh marrëdhënien ngjyrore të natyrës aq shumë të ekuilibruar. Unë kështu kam bërë, por e kam zhvilluar edhe më tej duke krijuar raporte të reja mbi një realitet ekzistues. Vithkuqi mbetet në krye të vendit për bukurinë natyrore të vjeshtës.

 

A ka një kulm artisti z. Përvathi? Ku dhe kur e keni shijuar ju kulminacionin në pikturë?

Ne punojmë dhe ekspozojmë gjithnjë. Kjo është puna dhe misioni ynë. Duam që piktura jonë të pëlqehet dhe vlerësohet. Mua më ka dhënë kënaqësi dhe më jep akoma fakti se ata që e duan pikturën time vijnë dhe më gjejnë në Lezhë. Vazhdimisht jam në shoqërinë e këtyre vizitorëve. Biles kam thënë në një intervistë tjetër se, veprat e mia po shkojnë në shtëpi me të mira se shtëpia ime. Kjo është gjë e bukur për një krijues. Por kam ndjerë dhe vlerësime të institucioneve të tjera. Jam shpallur fitues i çmimit “Kult” për vitin 2011, i çmimit “Abdurrahim Buza” në 2011, çmimin e parë 2013, kushtuar Pavarësisë së Kosovës. Por edhe Presidenti i Republikës në vitin 2006 më ka akorduar titullin “Naim Frashëri i Artë”. Mbi këto tituj, më shumë më ka dhënë kënaqesi fakti se peizazhin tim njerëzit e duan. E kam ndjerë gjithnjë këtë.

 

Parë në këndvështrimin tuaj, cilat janë problematikat që has sot tregu i artit pamor?

Nuk ka treg të artit të organizuar në Shqipëri. Unë, por dhe kolegët e mi, presim të na vizitojnë në studion, apo ekspozitën që hapim ndonjë koleksionist, apo ndonjë artdashës që në rastin më të mirë dhe mund të blejë ndonjë vepër. Kjo është fakultative dhe kështu po vazhdojmë. Ne na mban dëshira për t’u marrë me këtë profesion të bukur pa e parë në këndvështrimin se, sa po e gjen rrugën e tregut vepra që bëjmë. Edhe ne jemi në sinkron me kohën që jetojmë. Vështirësi gjithandej.

 

Mbështetja reale që merr një piktor nga strukturat shtetërore. Nëse doni të hapni një ekspozitë personale, sa mbështetje ndjeni nga institucionet, apo të gjitha shpenzimet i mbuloni vetë?

T’ju them të drejtën jemi mësuar të mos presim nga shteti. Gjithnjë, të gjitha nevojat që kërkon një ekspozitë i kemi kryer vetë. Unë kam botuar dy katalogje me mbi 100 faqe secili me shpenzimet e familjes sime. Kjo është sakrificë, por ne e bëjmë në emër të artit që bëjmë. Piktorët nuk janë bezdisës në të kërkuar. Janë fjalëpak, modest dhe puntorë. E dimë se ky shtet ka vrima shumë për të mbyllur, është indiferent ndaj nesh dhe prandaj nuk kërkojmë. Shteti meqenëse nuk po merret me ne, një gjë të paktën duhet ta bënte. Të pasuronte fondin e Galerisë Kombëtare me vepra të reja të zgjedhura në studio dhe ekspozitat e artistëve. Kjo do ishte e drejtë të bëhej, sepse kaluan 24 vite që të japin idenë sikur ka një ndalesë në zhvillimin e artit figurative. Unë për shembull, kam në fondin e Galerise kombëtare dy vepra të kohës së shkollës së mesme, me të cilat nuk ndjehem i përfaqësuar. Ky do të ishte indirekt shërbim për krijuesit, por edhe për vete kulturën kombëtare.

 

Si e shikoni brezin e ri të piktorëve z. Përvathi? Prurjet në këtë gjini arti?

Gama e prurjeve stilistike dhe konceptuale në artet figurative tashmë është zgjeruar shumë. Kjo është gjë e bukur. Ka plot individualitete që po shkëlqejnë në Galeritë e botës, por brezi i  ri nuk gjen shumë preferencë në artin që bëjmë ne të “vjetrit”. Peizazhin thuajse nuk e njohin. Nuk e bëjnë edhe në procesin mësimor. Ndoshta koha do ta zgjidhe vetë natyrshëm këtë ngerç të kohës moderne.

 

Raporti i piktorëve të vjetër me institucionet e Artit (Galeritë) parë në një këndvështrim më të gjerë. Hapësira që ju ofrohet krahasuar me brezin e ri?

Hapësirat në Shqipëri asnjëherë nuk të ofrohen. Ato vetëm po kërkohen dhe gjithnjë e më shumë për të rinjtë po bëhet më i vështirë ekspozimi. E them këtë se ekspozimi është kosto e lartë. Nëse nuk arrin ta shesësh veprën tënde do të përballesh me humbje të mëdha financiare. E prandaj të rinjtë e kanë edhe më të vështirë. Edhe arti që ata bëjnë akoma nuk po e merr “qytetarinë”, që të hyje natyrshëm në familjet shqiptare. Ne të vjetrit kemi bërë si kemi bërë dhe kemi bërë disa zgjidhje për të mos humbur shumë.

 

Kriteret që duhet të plotësojë një artist i arteve pamore për të çelur një ekspozitë? Mungesa e kritikës? A plotësohen dhe a përmbushen këto kritere siç duhet sipas jush?

Kriteri bazë për të hapur një ekspozitë mbetet gjithnje cilësia e punimeve të krijuesit. Vetë krijuesi ka vendosur për rriskun e tij të suksesit, ose jo. Them të suksesit artistik dhe jo të atij komercial. Për kritikë profesionale prej 25 vitesh as që nuk bëhet fjalë. Askush nuk e merr kurajon për të folur profesionalisht dhe kështu i mbetet gjithçka vetë krijuesit të vendosë për ekspozimin e veprës së tij.

 

Nga ana menaxheriale si e shikoni punën e Galerive të pikturave (GKA më së shumti)?

Galeritë nuk kane ecur me ritmin e zhvillimeve të kohës. Iluzionarët e parë siç ishte TE&GI nuk është më. Art Galeri “Kledio” ka afruar gjithnjë një shërbim mjaft të mirë për krijuesit falë gjenerozitetit që kanë pasur vetë pronarët e kësaj galerie. Galeri “Zeta” duke pasur menaxherë të saj, vetë një piktore ka qenë gjithnjë në aktivitet. Por këto janë pak në tregun e galerive private që duhet të kishte një kryeqytet. Sa për Galerinë Kombëtare, mund t’ ju them se politikat e saj të ekspozimit kanë ndryshuar sipas ndryshimit të kreut të këtij institucioni. Herë është hapur e herë është mbyllur porta e kësaj Galerie. Por për Galerinë, siç e thashë pak më sipër mbetet problem thithja e veprave më të mira për fondin e kësaj galerie. Ti mbajnë këto vepra brenda Shqipërisë se po ikin për pak para jashtë vendit prej nevojave që kane vetë autorët e këtyre veprave. Por Galeria duhet të mendojë edhe për një përfaqësim në nivel kombëtar të artit që bëjnë artistët vendas. Të jetë më përfaqësues dhe larg emrave bërtitës siç ia vunë emrin Onufrit  “ndërkombëtar”. Të bëhet kombëtar një herë e pastaj të mendohet për më larg. Galeria duhet të mendojë për botimin e një kolanë me veprat më të mira të arritura në gjini të ndryshme të artit. Botimi i fundit i një katalogu modest është i vitit 1980. Galeria ka plot punë për të bërë.

 

Z. Përvathi, krijimtaria juaj ka nisur në Lezhë, ka kulmuar që herët në kryeqytet, por ka shkëlqyer edhe jashtë vendit. Duke u kthyer në retrospektivë, si do ta cilësonit rrugëtimin tuaj në pikturë, të suksesshëm, apo të zakonshëm?

Rrugëtimi im ka qenë i vështirë. Dikur jam rrëzuar, por jam ngritur. Jam shkolluar në moshë jo si të tjerët. Kam rendur shumë për ta kapur kohën e humbur dhe ia kam dalë. Ky rrugëtim për mua mbetet  i bukur e interesant. Të tjerat ia lë kohës. Koha është gjykuesi e vlerësuesi më i mirë i veprës që kam bërë. Një gjë e di me siguri; Populli e do veprën time.

 

Piktura juaj e parë, ajo e cila shënjoi më vonë talentin e rrugën e gjatë që ju priste drejt suksesit.

E thashë në fillim të intervistës. Është peizazhi “Vjeshtë në Manati” që është ekspozuar në ekspozitën kombëtare të vitit 1979. Ajo më ka dhënë besim se mund të jem edhe unë krahas të tjerëve.

 

Vështirësitë e një piktori në rininë tuaj? Pengesat, sfidat, sakrificat?

Pambarim vështirësi. Por në rininë tonë ne ishim më këmbëngulës se brezi i tanishëm. Kishte shumë seleksion në shkollim për arsye të ndryshme. Jo të gjithë e kishin fatin të shkelnin në shkallët e akademisë. Akademia ishte si porta e ndaluar. Të ndalohej edhe për shkak të biografisë e përbërjes shoqërore. Nuk kam për ta harruar një takim me një piktor të njohur në prag të konkurimit të parë për në akademinë e arteve. Isha bashkë me shokun tim, Jorgo Mici nga Gjirokastra. Kur mori vesh se origjina e familjeve tona ishte kooperativiste, me dëshpërim na u kthye e na tha: “Sa keq. Po të ishit me origjinë klasë punëtore do kishit më shumë shanse për ta fituar konkursin”. Asnjëherë nuk kam dashur ta besoj atë që na tha piktori i njohur, por ai këtë e dinte mjaft mirë, sepse gjithnjë kishte qenë anëtar komisioni i pranimit të studentëve në akademi. Unë përmenda vetëm një fakt që mua më ka dhembur shumë, pa përmendur mungesën e ngjyrave e materialeve për pikturë, që jepeshin me listë për piktorët e afirmuar. Shumë rrallë e kam pasur fatin të isha në atë listë për një seri ngjyra. Aq sa merrja atëherë, sot rastis t’i përfundoj vetëm në një udhëtim disa ditor vjeshtë në Vithkuq.

 

Duket se, gjuha që flisni më pastër sesa vetë shqipja është Piktura, e cila është trashëguar kaq natyrshëm edhe tek djali juaj. Na flisni pak për raportin me Admirin? Po si piktori me piktorin, ku shkëlqen më shumë marrëdhënia juaj?

Unë u bëra piktor rastësisht. Nuk kishim asnjë lloj trashëgimie nga prindërit, apo fisi im. Edhe vetë Lezha nuk kishte asnjë piktor kur zuri zanafillë dëshira ime për t’u marrë me Pikturë. Në moshën 6-vjeçare i pozova një piktori profesionist të ardhur në shtëpine time. Ai ishte nga Tirana dhe në Lezhë mblidhte motive për veprën e tij të ardhshme. Kjo pati qenë dhe fillesa e një lidhje të gjatë e të pambarimte me artin që bëj sot. Ndërsa djali im më pati për model mua. U rrit në një ambient ku vetëm ngjyra dhe telajo kishte. E dashuroi natyrshëm profesionin që bën dhe ai sot. Kam qenë skeptik dikur për zgjedhjen e tij, por sot më ka bindur, sepse është bërë piktor. Por ai është dhe paksa i veçantë si karakter. Nuk ka qenë asnjëherë prezent kur unë pikturoja. Kurrë nuk më ka vështruar gjatë procesit të realizimit të një vepre. Sot po mendoj se ndoshta kjo i ka bërë mirë. Nuk më ka për model ndjekje stili, apo formë. Ai është i ndryshëm nga unë. Rryma e tij e ekspresionizmit abstrakt i përshtatet më së miri edhe karakterit të tij paksa impulsiv. Është mjaft punëtor, rebel, kundërshtues i vërejtjeve të mia, por di të tërhiqet dhe t’i pranojë ato në heshtje paksa më vonë. Në një gjë jemi të ngjashem. Jemi të dy të palodhur kur pikturojmë dhe veprat i realizojmë në kohën më të shkurtër të mundshme. Admiri pati vitin e kaluar një ekspozitë mjaft të mirë në Muzeun Kombëtar dhe sot është pjesëmarrës në Bienalen e Torinos. Unë i gëzohem suksesit të tij.

 

SHKARKO APP