Ekonomi: Turizmi, një industri në rritje në ekonominë shqiptare
Pyetje: Znj. Ministre, a mund të themi se ka nisur sezoni turistik?
Ministrja Ekonomi: Sezoni turistik ka nisur. Ne së fundmi po diskutojmë në ministri duke thënë se, a duhet të kemi një sezon turistik që nis apo duhet të kemi një Shqipëri turistike? Ne duhet të kemi një Shqipëri turistike, ku turizmi duhet të promovohet përgjatë gjithë vitit dhe në momente të ndryshme të vitit, janar, shkurt, mars apo prill, zhvillohen aktivitete të ndryshme përpara se të fillojë sezoni turistik veror. Ne kemi një det të mrekullueshëm por kemi dhe kodra e male të mrekullueshme dhe duhet të bëjmë një paketë turistike për Shqipërinë, e cila lidh të gjithë këto pasuri natyrore që kemi, në gjithë territorin e vendit. Në fakt kjo synohet, që të kemi një listë, një kalendar turistik për gjithë vitin dhe produkte turistike të shtrira për gjithë vitin, në mënyrë që të adresojmë dy çështje. E para, të realizojmë një shtrirje më të gjatë të ditëve të qëndrimit të turistëve në territorin shqiptar dhe, e dyta, konsum më të madh të parave në Shqipëri. Kjo është një strategji normale, atraksion siç ndodh në të gjitha vendet, zbulon diçka të re dhe thua sa mirë që erdhi. Për shembull, fakti që ka ardhur “Reja” në Tiranë është një ngjarje kulturore e rëndësishme sepse mban një brand ndërkombëtar emri i Re-së. Ky është një fakt turistik dhe për Tiranën, përveçse është një fakt kulturor. Edhe hapja e Bunkart ishte një ngjarje e rëndësishme për Tiranën, çka bën që të vijnë më tepër vizitorë dhe bën që Shqipëria të hyjë në listën e vendeve që quhet që zhvillojnë turizmin e errët, që lidhet me momente historike të vështira të jetës së një kombi. Janë fasha të turizmit që lidhen me kujtesën të një kombi, në vende komunistë situata shumë e vështirë e kaluar në jetën ekonomike dhe sociale, të vetë vendit këtë periudhë të errët, do ta vendosë në kutinë që i takon, e promovon në një lloj mënyrë, për të thënë se ishim kaq keq.
Pyetje: Ne jemi sjellë pak keq me këtë pjesë dhe kemi prishur shumë gjëra….
Ministrja Ekonomi: Kemi prishur, por ndërkohë po përpiqemi të rikuperojmë për të thënë që në memorien tonë kolektive kjo ka qenë e keqja jonë, kjo ka qenë pjesa jonë e errët dhe ne kemi distancë nga kjo pjesë e errët, por është pjesë e historisë sonë.
Pyetje: Përsa i përket sektorit të turizmit, a kemi një pritshmëri përsa i takon 2016, qoftë krahasuar edhe me vitin e kaluar?
Ministrja Ekonomi: Sigurisht që kemi pritshmëri. Ne i jemi referuar gjithmonë burimeve ndërkombëtare për t’i vënë ballë për ballë me ato kombëtare. Banka e Shqipërisë bën bilancin e pagesave ku dalin të dhëna për shpenzimet që bëjnë turistët dhe ata që vizitojnë Shqipërinë. Ministria e Brendshme grumbullon numrin e vizitorëve që hyjnë në Shqipëri. INSTAT bën grumbullimin e informacionit lidhur me shpenzimet që bëjnë ndërmarrjet, ku janë dhe tur operatorët apo strukturat akomoduese për numrin e turistëve që vijnë. Përveç kësaj, është dhe Organizata Botërore Turizmit apo organizata “Word Travel and Tourism Center” që grumbullon informacion për turistët në të gjithë vendet e botës. Ka një kapitull për Shqipërinë. Ne kemi parë se turizmi për Shqipërinë është konsideruar si një industri në rritje. Për vitin 2016 parashikimet tregojnë se turizmi do të ketë një kontribut në rritje në GDP kombëtare, me 0.3 për qind, çka do të sjellë rreth 5500 vende të reja pune dhe do të shtohen investimet në turizëm. Ky është një fakt sepse, duke punuar në këtë ministrinë që drejtor, unë shikoj se çfarë mbështetje i japim ne sipërmarrjes dhe sipërmarrja turistike, përveçse po mbulohet nga disa programe të kredi dhënies, kryesisht ato që jep bashkëpunimi italian, po shikohen të hapen dhe projekte të reja që vijnë nga donatorë si EU, SIDA, USAID, kooperacioni holandez apo dhe GIZ që mbështesin operatorët që kanë ide zhvillimi për paketat turistike. GIZ ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si në pjesën veriore, ashtu dhe në atë jugore. Të tërë vërejnë që ka shtim të produktit.
Pyetje: Pra, ka potencial…
Ministrja Ekonomi: Potencial ka dhe pritet më shumë në turizëm. Ka shtim të produktit turistik. Është shumë e rëndësishme kjo. Shtohet paketa turistike, shtohet ajo çfarë mund të bësh në Shqipëri dhe çfarë ne ofrojmë.
Pyetje: Ne kemi pasur dhe turizmin patriotik, si turistët që vijnë nga Kosova. A rrezikohemi ne nëse Kosova përfiton liberalizimin e vizave?
Ministrja Ekonomi: Sigurisht që do të ketë lëvizje. Unë besoj se, bashkë me hapjen e vizave, turizmi patriotik do të mbetet sepse turistët vijnë nga Kosova, vijnë nga Maqedonia, vijnë edhe nga Mali i Zi. Kjo pjesë do të mbetet sepse është turizmi patriotik, siç e quajtët ju. Ndërkohë, për ata bëhen aktivitete të caktuara. Për shembull, Shqipëria merr pjesë në panaire në Kosovë për të promovuar turizmin e vet. Shqipëria bashkëpunon me Malin e Zi në fushën turistike. Gjithashtu, tur operatorët shqiptarë shkojnë në Shkup për të parë se si mund të përdorin burimet që kanë ata atje. Nga ana tjetër, ka dhe një situatë që lidhet me çfarë promovojnë ndërkombëtarët për rajonin. Ndërkombëtarët për rajonin promovojnë paketa të përbashkëta që nuk janë vetëm për shqiptarët por janë dhe për të huaj që vizitojnë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, por që kanë një kalim në Shqipëri. Ndaj, unë nuk besoj se do të ketë shumë ulje nga ky liberalizim i vizave. Kosovarët, maqedonasit dhe malazezët do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri sikurse ne do të vazhdojmë të shkojmë atje.
Pyetje: Nëse ne synojmë që turistët që vijnë në Shqipëri të harxhojnë më shumë para këtu, a ka një strategji për të arritur në këtë pikë apo disa mekanizma që do t’i nxitim ata që të harxhojnë më shumë?
Ministrja Ekonomi: Kemi disa mekanizma dhe po promovohen disa të tillë. Nuk e di nëse e keni ndjekur dje turin në liqenin e Komanit. Turi i liqenit të Komanit është një tur që bëhet për grup moshat e reja, kryesisht nga trevat shqiptare, ku një DJ i famshëm botëror jep një shfaqje në traget. Kjo u promovua dje. Është një paketë e re turistike, e cila nisi vjet. Nga 500 vizitorë që kishte vjet, këtë vit u raportua që ka dyfishin e vizitorëve. Përveç kësaj, Shqipëria po bën diçka tjetër që është shumë e rëndësishme. Agjencia Kombëtare e Turizmit po organizon ato që quhen “fam tour”, që do të thotë se një grup gazetarësh nga Italia, Greqia, Izraeli, Gjermania, Japonia, etj., vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë për të parë se çfarë destinacioni turistik është. Kur kthehen mbrapsht në vendin e tyre ata shkruajnë artikuj për turizmin shqiptar. Këtë e kanë bërë gazetarët shqiptarë, e kanë bërë ata japonezë. Unë nuk e di nëse e keni vërë re që ka më shumë prezencë aziatike në Shqipëri sepse Shqipëria ofron paketa UNESCO, ku ne kemi Beratin, Gjirokastrën, Butrintin, çka i josh shumë kjo gjë. Këtë gjë nuk e bën vetëm ministria e Turizmit, por e bën në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës. Ajo që kemi marrë përsipër është që të hapim oraret e muzeve tona ose të rinovojmë disa kisha në pjesën e jugut, pasi mund të ketë një tur kishash në këtë pjesë, për të parë se si ka qenë Shqipëri religjioze. Po ashtu, punohet edhe me ministrinë e Mjedisit për të parë biodiversitetin. Ne jemi një vend që kemi një biodiversitet shumë të lartë. Në ditën e mbrojtjes së zogjve, pelikanët e Divjakës u promovuan. Këto janë gjëra që Shqipëria duhet t’i promovojë dhe të bëjë shumë kujdes që t’i promovojë mirë.
Pyetje: Ka një lloj legjende se turizmi i aventurës lë më shumë të ardhura…
Ministrja Ekonomi: Ne në turizëm po punojmë me idenë që ne duhet të krijojmë ato që quhen “butik resort”, që të kemi disa hotele që shtojnë akomodimin, marinat ose me turizmin rural, si dhe turizmin e aventurës. Përsa i përket turizmit të aventurës, ngjarja më e bukur e tij së fundmi ishte përgatitja e Shqipërisë për të marrë pjesë në kampionatin botëror të paragliding që organizon shoqata jonë e paragliding. Shqipëria e kaloi provën dhe në maj-qershor të vitit që vjen ne do të mbajmë kampionatin botëror, i cili do të zhvillohet këtu, që është një ngjarje shumë e rëndësishme.
Një gjë tjetër e rëndësishme që kemi bërë lidhet me faktin se ne duhet të çojmë në shkollë dashurinë për natyrën. Ka shumë ndërkombëtarë që ndodhen në Shqipëri që përdorin shumë atë që duhet track-u i Dajtit, track-u i Thethit, track-u i Alpeve. Ne duhet të promovojmë këtë gjë në Shqipëri sepse ne kemi natyrë shumë të bukur dhe natyra duhet shkelur. Përmend këtu ujëvarën e Gramshit. Është një gjë e jashtëzakonshme që ka Shqipëria. Duhet ta promovojmë. Mund ta promovojmë nëpërmjet turizmit të aventurës. Rafting në Berat nuk ka më nevojë për publicitet. E ka bërë ciklin e vet. Tani atje shkohet duke dhënë një produkt të ri.
Pyetje: Për ujëvarën që ju thoni, po të shikosh në internet zor e gjendet se si mund të shkosh..
Ministrja Ekonomi: Ky është track-u që duhet të promovojë Shqipëria. Ta garantojë Shqipëria që e bën gjurmimin e vendit.
Pyetje: Më ka bërë përshtypje së fundmi blogu i një zvicerianeje që punon në një nga institucionet e BE në Shqipëri dhe ofron asistencë për të gjithë ata që duan të vijnë për “mountan bike” në Shqipëri. Me sa duket ka interes, sepse rrugët janë të pashkelura në Shqipëri.
Ministrja Ekonomi: Ligji i ri për turizmin ka vënë disa detyrime për ministrinë e Turizmit dhe nja nga këto detyrime është bërja e inventarit të gjithë paketave turistike ose produkteve turistike që ne ofrojmë, ku kjo duhet të bëjë pjesë patjetër. Nuk ka rëndësi kush e ofron, sepse turizmin nuk e bën shteti. Turizmin e bëjnë operatorët privatë, shteti krijon vetëm filozofinë turistike të vendit dhe më pas gjithçka zhvillohet nga operatorët. Duhet të bëjmë regjistrin e paketave që ne të dimë në vend se çfarë mund të japim për Shqipërinë dhe të promovojmë.
Pyetje: Po ju tregoj një kuriozitet, në Gjirokastër përpara hotel Çajupit, dy vjet apo tre vjet më parë, shikoj një rimorkio makine, e gjatë, por shume e çuditshme. Më shpjeguan se mbante gjashtë deri në 12 biçikleta. Ata ia lidhnin një furgoni nga mbrapa, shkonin gjashtë deri në 12 vetë, lëviznin nëpër Shqipëri nga njëri vend në tjetrin dhe aty ku ishin vendosur merrnin biçikletën dhe bënin zhvendosjen po me biçikletë sipas turit. Ka të tilla gjëra që ndoshta nuk të shkon mendja…
Ministrja Ekonomi: Ka të tilla gjëra, edhe panairi për moto show tregonte pikërisht këtë fakt se përveç makina të mira super teknologjike që sjellin adrenalinë kur i nget, mund të përdorim dhe makina off road-in dhe ku çfarë aventurash mund të bëjmë në off road shqiptar.
Pyetje: Për të kaluar edhe në gjëra më të vogla, ka një zhurmë shumë të madhe përsa i përket plazheve publike në Shqipëri…
Ministrja Ekonomi: Ne kemi një ligj për turizmin dhe tek ligji janë vendosur disa detyra që duhet të bëjë Ministria e Turizmit, njësitë vendore dhe agjencitë për të promovuar turizmin dhe menaxhuar territorin. Në funksion të këtij ligji ne kemi nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave që bën fjalë për një rregullore, e cila duhet të zbatohet nga njësia vendore kur të lidhë një kontratë me atë që është përdoruesi i stacionit të plazhit. Një njësi vendore ka një territor plazhi dhe ky territor plazhi ndahet në stacione plazhi. Të dhënat e një viti më parë tregonin që stacionet e plazhit ishin përdorur edhe në mënyrë informale. Qeveria ka vendosur fuqimisht që informaliteti nuk mund të shoqërojë jetën ekonomike në Shqipëri, pra gjërat duhet të formalizohen. Këta operatorë ekonomikë që do të përdorin territorin e plazhit, nëpërmjet stacionit të plazhit, duhet të sigurojnë disa kushte bazike për pushuesit, të bëjnë për sigurimin e jetës si dhe me përdorimin e mirë të mjedisit. Përdorimi ka kusht qiraje, sigurie dhe pagese taksash. Këto po stabilizohen nëpërmjet këtyre rregullave dhe në rregullore është përcaktuar dhe forma tip e kontratës që çdo njësi vendore duhet të lidhë me operatorin turistik që përdor stacionin e plazhit. Nëpërmjet disa vendimeve dhe ligjeve të tjera që ka Republika e Shqipërisë si p.sh,: kodi detar, përdorimi i vijës bregdetare etj, të cilat nuk kanë ndryshuar, ato tregojnë që njësia e qeverisjes vendore ka të drejtë që vijën e vet të territorit të plazhit ta përdori në një raport 80 % për operatorin privat dhe 20 % për operatorin publik. Në disa vende mbahet në kufi, në disa territore të tjera është e hapur 100 % për publikun. Mund të jetë e vështirë në vendet që ka shumë kërkesa siç është Durrësi apo Vlora, por ku është një kusht që duhet të respektohet. Megjithatë, edhe atje, kryetarët e njësive vendore, së bashku me komisionin që kanë për rregullimin e territorit, po i qëndrojnë shumë strikt këtij rregulli. Kjo është detyra që të jep ligji. Një tjetër detyrë që i takon Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, është që këto stacione private të plazhit privat duhet të ngrihen sipas disa modeleve. Agjencia Kombëtare e Bregdetit promovon modelin se si duhet të jetë një stacion plazhi, si duhet të jetë shezlongu, çadra, distanca, kulla e vrojtimit, tualetet, dhomat e zhveshjes, pra bëhet një promovim i këtij lloji. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, së bashku me Inspektoratin e Tregut që është ngritur së fundmi, monitoron listën e kompanive dhe operatorëve ekonomikë që po përdorin stacionin e plazhit, nëse kontrata është bërë konform rregullave dhe nëse zbatohen të gjitha kriteret e sigurisë. Këto të dhëna do të jenë në një regjistër për çka ka ndodhur deri vjet në vijën bregdetare të plazhit në Shqipëri.
Pyetje: Hapësira dy metra e gjysmë nga deti edhe te privati do qëndrojë?
Ministrja Ekonomi: Kjo varet nga lloji i plazhit sepse janë disa lloje plazhesh që kanë dimensionin e rërës të gjerë dhe ky rregull do të qëndrojë për të gjithë, për publikun dhe për privatin.
Pyetje: Janë në gjendje bashkitë t’i menaxhojnë me të vërtetë plazhet? Kam përshtypjen që duhet shtysë nga ju, pra nga qeveritë qendrore, nga Agjencia e Bregdetit…
Ministrja Ekonomi: Duke qenë kontrata bashkëngjitur me rregulloren, gjëja e parë është zbatimi i ligjit, të zbatohen rregullat. Ne po përpiqemi ta japim këtë mesazh nëpërmjet takimeve të vazhdueshme. Deri tani janë bërë katër takime me njësitë vendore, pasi rregullorja nuk është vetëm një rregullore e hartuar vetëm nga ministria, ka qenë një rregullore e konsultuar me këto grupe. Sot përdoren shumë forma komunikimi. Janë mbajtur minutat ku janë bërë diskutimet për këtë rregullore, që çohen me e-mail apo edhe me komunikimin zyrtar. Pra, komunikimi me ta ka ndodhur. Natyrisht që është një sfidë dhe ne duhet të monitorojmë në mënyrë të vazhdueshme këtë pasuri turistike që kemi, ta përdorim dhe ta menaxhojmë me shumë kujdes pasi kjo është shumë e rëndësishme.
Pyetje: Janë mbyllur tashmë aktet nënligjore për ligjin?
Ministrja Ekonomi: Jo, ka ende punë për të bërë.
Pyetje: Po yjet kur do shpërndahen?
Ministrja Ekonomi: Standardet kanë filluar të hartohen. Duke marrë shembuj nga standardet europiane që kemi ne për strukturat akomoduese që mund të jenë hotele, bujtina, shtëpi mikpritëse, kampingje, etj., se si i ka Bashkimi Europian kriteret për strukturat akomoduese ose donatorë të ndryshëm. P.sh., për shtëpitë mikpritëse ka pasur një diskutim të gjerë, sepse ka shumë interesa, dhe ka qenë pikërisht GIZ-i ai që ka promovuar shtëpitë mikpritëse në Shqipëri. Në këto diskutime marrin pjesë edhe shoqata e hotelierëve si dhe shoqata e turizmit rural. Diskutimet kanë nisur që në fund të muajit mars dhe vazhdojnë ende. Përveç kësaj, ajo që po mendohet tani është platforma elektronike e marrjes së yllit. Nëse këto kritere janë në Bashkimin Europian, mund t’i gjeni shumë lehtë edhe në website, pasi ka disa kritere standarde të përcaktuara. Një operator që ka një strukturë akomoduese e vet deklaron kriterin dhe pastaj verifikohet nga një grup miks me të huaj dhe shqiptarë. Pra, është një proces shumë demokratik sepse ai duhet të marrë pjesë vet, pra deklaron, verifikon dhe automatikisht merr yllin që i takon.
Pyetje: Na duhet akoma punë për të rritur profesionalizmin pasi kam përshtypjen që kemi probleme me sjelljen e kamarierit, s’di si të përgjigjet…
Ministrja Ekonomi: Na duhet shumë punë në të gjitha nivelet si nga lart – poshtë dhe nga poshtë – lart. Mos të lodhesh së dhëni edukim në arsimin profesional, mos të lodhesh së dhëni komunikim të butë me klientin/turistin. Shqipëria është shumë mikpritëse, ne të hapim derën dhe zemrën e të mirëpresim, por duhet të mësojmë të sillemi mirë. Se ndonjëherë nuk është vetëm nga mikpritja, por edhe nga kultura që kemi marrë për këtë lloj industrie. Ne po përpiqemi që, përveç shkollave të formimit profesional, të gjitha këto gjëra t’i bësh me dashuri. P.sh., Italia është një vend që ka shumë progres. Greqia ka bërë progres gjithashtu. Po marr si shembuj vendet afër nesh pasi kultura e turizmit nuk është shumë e ndryshme nga e jona. Ne po punojmë nëpërmjet projekteve IPA Cross Border ose IPA Adriatica me këto vende, pikërisht për të rritur shkallën e profesionalizmit dhe të hapim më shumë vende pune për turizëm. Një njeri nuk i bën dot të gjitha detyrat. Duhet të specializohet dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Pyetje: Po përsa i përket nivelit të pastërtisë, a kemi probleme të ndjeshme apo jemi brenda standardeve?
Ministrja Ekonomi: Kam bërë një diskutim me një kompani italiane, ardhur nga kooperacioni italian në kushtet e trajnimit për mësimdhënien e shërbimeve në turizëm. Komenti i tyre për restorantet në Shqipëri ishte që janë shumë të pastra, restorantet tona kanë cilësi të lartë higjiene, por ka informacion të pakët përsa i përket disa gjërave teknike, si p.sh., ndërrimi i filtrit të kondicionerit. Përsa i përket mirëmbajtjes së plazhin, operatorët privatë që do të po menaxhojnë stacionin e plazhit do ta kenë kushtin e i higjienës pjesë e kontratës.