Ekskluzive/Ermina Lekaj: Detyra e parë, pranimi si popull autokton në Kroaci


Flet për "Koha Jonë", deputetja e parë Shqiptare në Parlamentin Kroat: Koha që zëri ynë të dëgjohet në çdo vend, jemi faktor i rëndësishëm në Ballkan

Ermina Lekaj: Detyra e parë, pranimi si popull autokton në Kroaci

Intervistoi: Redjon Shtylla

Është e para deputete shqiptare, e cila ka arritur të fitojë një vend në parlamentin Kroat. Në një intervistë për "Koha Jonë", Ermina Lekaj Prljaskaj rrëfen kandidimin e saj, vështirësisë e fitores për të përfaqësuar pakicat etnike si dhe rolin që do të ketë ajo në atë Parlament. Kroacia si formë parlamentare ka përveç listave të përgjithshme, dhe dy lista të veçanta, njëra i takon diasporës, kurse tjetra pakicave kombëtare që jetojnë në Kroaci. Kroacia është e ndarë në 10 njësi elektorale që japin nga dhjetë deputet, lista e diasporës jep 3 deputetë dhe lista e pakicave jep 8 deputetë, gjithsej 151 deputet në parlamentin Kroat. Ermina ka fituar të drejtën për të qenë deputete që paraqet 5 pakica kombëtare. Znj. Lekaj jeton në Rijekë dhe është kryetare e kësaj bashkie në shtetin Kroat. Me profesion ajo është juriste dhe siç rrëfen dhe vetë, kjo gjë e ka ndihmuar shumë dhe i ka hapur dyert për postin e  kryetares së bashkisë dhe për tu mos u manipuluar nga dokumente siç ndodhi në zgjedhjet e fundit.
Ajo thotë se shqiptarët kanë dhënë kontribut të madh në shoqërinë kroate. Ajo e tregon vetë më së miri këtë pjesë të rëndësishme duke shtuat se: "Mos të harrojmë se ne shqiptarët kemi dhe kontribut të madh për shoqërinë kroate, gjatë luftës kemi qenë krah për krah për mbrojtjen e shtetit kroat. Gjatë ndërtimit dhe gjatë këtyre viteve me bizneset tona, i kemi ndihmuar shoqërisë kroate. Mirëpo tani është koha që të integrohemi edhe ne në institucione qendrore  dhe lokale".

Jeni deputetja e parë shqiptare që fiton vend në parlamentin Kroat. Si jeni ndjerë, kur në rezultatet e zgjedhjeve, ju siguruat përqindjen e duhur të votave për të qenë deputete në Parlament?

Kjo është një sukses i madh për komunitetin tonë, e vërteta është se gjatë gjithë këtyre viteve në parlamentin kroat na ka përfaqësuar boshnjaku dhe për të parën herë kemi përfaqësuesin tonë. Pra, ne jemi në grupin e pestë ku janë të përfshirë boshnjakët, maqedonasit, malazezët, sllovenët dhe shqiptarët. Ky grup quhet edhe grup I ex jugosllavisë. Edhe pse me vite shumica e shqiptarëve kanë menduar se nuk do t'ia arrijmë, mirëpo ja një pjesë e shqiptarëve ka qenë i bindur se do t'ia arrijmë dhe këtë e treguam në këto zgjedhje. Dua të përmend edhe një gjë se në zgjedhjet e kaluara njehjet kam fituar, mirëpo ka pasur manipulime dhe boshnjaku ka kaluar. Këtë herë do të treguam se jemi duke u pjekur politikisht dhe qe jemi duke u bërë unik. Me zgjedhjen time i kemi thyer paragjykimet pranë shoqërisë kroate.

Përfaqësoni pakicat kombëtare si: shqiptarët, boshnjakët, malazezët, maqedonasit dhe sllovenët, pse kjo zgjedhje e kandidimin tuaj, për të përfaqësuar pakicat kombëtare në parlamentin kroat?

Unë si aktiviste dhe shqiptare që jetoj në Kroaci, me vite jam e angazhuar me çështjen e ruajtjes së kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar. Në bashkinë e Rijekës kemi bërë shumë projekte pozitive me bashkëpunëtorët e mi pasi që me vite jam edhe kryetare e baskisë. Filluan të më bindin se unë jam personi me adekuat, që të kandidohem për parlamentin kroat. Por përmenden edhe një gjë se në këtë grup kemi qenë 12 kandidatë,  prej tyre 8 boshnjak, 3 shqiptar dhe 1 slloven. Dhe te gjitha pakicat me të drejtë vote kanë pasur të drejtë të votojnë për favoritin e tyre. Kështu që në këtë listë unë fitova, mirëpo i dyti pas meje ishte pro kandidati shqiptar. Prapë po kthehem te ajo që ne kemi filluar të integrohemi në shoqërinë kroate dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme  sepse mendoj që jemi duke u bërë faktor i rëndësishëm në këtë shoqëri.

Në profesion jeni juriste, sa do t’u ndihmojë ky fusha e jurispodencës në punën e re si deputete?

Po në profesion jam juriste dhe që prej 17-të vitesh punoj si juriste. Profesioni im më ka ndihmuar shumë dhe më ka hapur dyert edhe si kryetare të bashkisë sepse çdo herë të themi ashtu kam ditur se ku dhe si mund ti kërkoj të drejtat e komunitetit shqiptar. Mirëpo shpesh kam hasur në mos kuptim duke më thënë se unë përfaqësoj shoqatën e jo ndonjë institucion tjetër të rëndësishëm.

Gjithmonë minoritetet nuk kanë vëmendjen e duhur nga qeveritë apo nga vetë shteti, kudo që këto pakica janë. Me ardhjen tuaj në parlamentin Kroat, çfarë prisni të ndryshojë në lidhje me të drejtat e këtyre minoriteteve?

Jam e vetëdijshme që minoritetet nuk kanë vëmendje të duhur nga qeveritë, mirëpo unë do të përpiqem në maksimum që sado pak t'iu ofroj çështjen e minoriteteve qeverisë. Tani është ajo se  sa do te kenë mirëkuptim. Tani për tani mund të them që vetëm fitorja ime dhe qëndrimi im, që nuk do ti bashkëngjitëm asnjërës parti politike deri sa nuk themelohet qeveria e cila ka bërë një jehonë të madhe në Kroaci. Sipas gjithë komenteve që shoh unë kam marr një qëndrim pozitiv dhe  shoqëria kroate ka filluar të na njoh si një popull me qëndrim të prerë, që mendojmë me kokë tonë.

Fitorja juaj për të qenë pjesë e parlamentit Kroat nuk ka qenë e thjeshtë, sepse në zgjedhjet e kaluara, para katër vitesh ju ishin një kandidate për karrigen e deputetes por nuk fituar. Pse vendosët përsëri këtë vit të kandidonit, cilat janë arsyet e forta që ju lidhin me pjesëmarrjen në politikë?

Siç thashë më herët qëllimi im është integrimi ynë në shoqëri kroate, dhe mendoj se ne mund të integrohemi në shoqëri vetëm nëse jemi pjesë e partneriteti të kësaj shoqërie. E dyta është mbrojtja e interesave të komunitetit tonë dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse jemi pjesë vendimmarrëse në shoqëri. Mos të harrojmë se ne shqiptarët kemi dhe kontribut të madh për shoqërinë kroate, gjatë luftës kemi qenë krah për krah për mbrojtjen e shtetit kroat. Gjatë ndërtimit dhe gjatë këtyre viteve me bizneset tona, i kemi ndihmuar shoqërisë kroate. Mirëpo tani është koha që të integrohemi edhe ne në institucione qendrore  dhe lokale.

Kemi marrë mesazhe urimi për fitoren, nga kolegët tuaj deputetë nga Kosova por dhe nga Shqipëria. A duhet të ketë bashkëpunim midis Kroacisë dhe Kombit Shqiptar?

Kam marrë mesazhe të shumta për fitoren nga koleget e mi dhe nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë. Kombi shqiptar duhet të jetë partner me Kroacinë dhe unë do te punoj në atë drejtim, që të jem një urë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Cilat janë masat apo ndryshimet e para që do të ndërrmerni si një deputete e minoriteteve në shtetin Kroat?

Kërkesat e para që do ti bëj, janë që të na pranojnë si popull autokton në Kroaci edhe pse jam e vetëdijshme që kjo është një procedurë e vështirë sepse duhen bërë ndryshime në kushtetutë, mirëpo kërkesa ime është që të kërkojë këtë.

A do të zhvendoseni e do të jetoni tashmë në Zagreb?

Unë jetoj në Kroaci që 20 vite dhe jam shtetase kroate. Me siguri mendoni a do të jetoj në Zagreb pasi që jetoj ne Rijekë dhe për shkak të funksionit dhe punës duhet të shpërngulem në Zagreb. Përgjigja është po.

Cilat ishin fjalët e para të familjes suaj, pasi mësuan që fituat vendin e deputetes?

Familja ime është krenare dhe pa mbështetjen e familjes nuk do ja arrija këtë sukses.

Çfarë mesazhi keni për lexuesit shqiptarë?

Mesazhi im është që të përforcohemi dhe të bëhemi faktor kryesor në Ballkan. Ne si popull nuk jemi të vetëdijshëm se sa faktor kryesor jemi. Zëri ynë duhet të dëgjohet në çdo vend!

SHKARKO APP