Eleina Qirici: Rama, përgjegjës për përmbytjet
Deputetja e PD-së, Eleina Qirici, flet për krizën ekonomike dhe për mos menaxhimin e duhur në sektorin e turizmit
Intervistoi: Redjon Shtylla
Deputetja e PD-së për Qarkun e Korçës, Eleina Qirici kritikon ashpër qeverinë, për problemin me pyjet për abuzimin që ju bëhet dhe me mos investimin në mënyrën e duhur në sektorin e turizmit. Në një intervistë për ” Koha Jonë”, deputetja, për 19-të vite në Departamentin e Marketing-Turizëm, në universitetin “Fan S. Noli” Korçë, shpjegon me detaje pse nuk funksionon siç duhet turizmi në vendin tonë. “Nuk mjafton të kemi vetëm resurse turistike, pasi ato përbëjnë vetëm një element të ofertës turistike, janë akomodimet, restorantet, infrastruktura, burimet njerëzore dhe më e rëndësishmja janë politikat që ndjek qeveria në planifikimin e turizmit. Deri tani është mjaftuar me promovimin e resurseve dhe një numri të kufizuar akomodimesh dhe restorante sipas standardeve”, është shprehur znj. Qirici. Për sa i përket problemit në RTSH, me vonesën e dixhitalizimit, deputetja e ka komentuar se AMA është: “Problem i dukshëm; favorizim i paligjshëm i medias “qeveritare”. Më tej gjatë intervistës deputetja jep një pasqyrim të thelluar mbi realitetin ekonomik dhe duke marrë në konsideratë parashikimet për 2016, sipas Bankës Botërore, znj. Qirici ka theksuar se: “Taksat e larta, korrupsioni, pasiguria ligjore kanë bërë që Shqipëria gjithnjë e me pak të preferohet për investime të huaja, madje dhe ato që ishin po i drejtohen vendeve të rajonit”.
Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, është shprehur se, procesi i dixhitalizimit të RTSH-së është shumë i vonuar, konkretisht ku qëndron problem? Në komision çfarë është shqyrtuar dhe është vendosur?
Procesi i dixhitalizimit të RTSH-së vërtet është shumë i vonuar. Në progres-raportin të 2015, Bashkimi Europian shprehu kritika për Shqipërinë sa i takon zvarritjes së procesit të dixhitalizimit. Shqipëria ka nevojë për një shërbim publik që jep llogari jo qeverisë, por qytetarëve. Por duke e parë në rrjedhje kronologjike pse është krijuar kjo situatë, duhet të analizohen prapaskenat për drejtimin e AMA-s, duke u nisur nga interesat klienteliste të qeverisë. Ndërkombëtarët e kanë theksuar herë pas here se AMA duhet të vazhdojë me licencimin e operatorëve lokalë sa më shpejt dhe në mënyrë transparente. Por AMA iu “dhurua” Digitalb-it nga qeveria. Kështu, ikën dhe dy vjet qeverisje dhe u bë e qartë se vendi e kishte të pamundur të mbyllte transmetimet televizive analoge dhe të kalonte në sistemin dixhital të transmetimit më 17 qershor 2015. Problemi qëndron pikërisht se AMA është kapur nga qeveria, pavarësisht se është institucion i pavarur. Madje, kryetari i AMA-s (de facto qeveria), udhëheq prej një viti tenderimin e frekuencave dixhitale për operatorët transmetues audiovizivë privatë, pa arritur të japë asnjë licencë, proces që fillon e mbyllet në mënyrë qesharake. Çdo gjë është e qartë, AMA është tashmë një institucion i kapur dhe po pengon zhvillimin e medias në vend, duke u vënë në shërbim të monopolit qeveritar. Por shkelja e afateve është vetëm njëra anë e situatës me të cilin përballet AMA. Problemi qëndron tek pronësia e operatorëve që kanë mbetur në garë, ndërkohë që ligji për “mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” ( i miratuar në mars të vitit 2013 me asistencën e ngushtë të organizatave ndërkombëtare), vendosi kufizime të qarta për operatorët televizivë. Në maj të 2015, maxhoranca kërkoi të hiqte nenin 62, nga ligji për mediat për audiovizive. Ky amendament u kundërshtua fort, jo vetëm nga opozita në komisionin përkatës parlamentar, por dhe nga përfaqësitë e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe OSBE-së në Tiranë, të cilët kanë cilësuar se ky amendament do kishte efekte negativ në konkurrencën e mediave audiovizive, në rrezikun për monopolizëm dhe në lirinë e medias. Problemi është i dukshëm; favorizim i paligjshëm i medias “qeveritare”.
Banka Botërore ka parashikuar një rënie në ekonominë shqiptare, ju si një eksperte në këtë fushë si e përktheni këtë konstatim?
Rënia e ekonomisë shqiptare është vetëm vazhdim i politikave të gabuara që ka ndjekur kjo qeveri gjatë drejtimit së saj. Për të tretin vit radhazi, kjo qeveri paraqitet me një buxhet që nuk ka rritje të pagave, por në fakt ka ulje të tyre, për shkak të rënies së fuqisë blerëse. Për 2015, nga një rritje 3% të ekonomisë shqiptare që pritej, norma e rritjes është ulur në kuotën e 2.7%. Madje, Banka Botërore shprehet pesimiste edhe për dy vitet e tjera. Buxheti i 2016-s tregoi përsëri që qeveria po e braktis ekonominë dhe qytetarët shqiptarë po i lë në rrugë të madhe. Rritet luksi qeveritar, ndërkohë që, ai shpenzim luksi do të përdorej për qytetarët, për të mirat publike, për shëndetësinë, për arsimin, për ish-të përndjekurit, për pronarët, për studentët për të paguar tarifat universitare. Rritet papunësia, e këtë e konfirmojnë shifrat, por në buxhet nuk ka rritje për pagesën e papunësisë. Varfëria po thellohet, por nuk ka rritje për fondin e ndihmës ekonomike. Bizneset po rrënohen, po mbyllen dhe si rrjedhojë shtohen radhët e të papunëve. Dy vjet qeverisje dhe shqiptarët po marrin rrugën e mërgimit, gjë që do të thotë se ata kanë humbur përfundimisht shpresën. Shëndetësi falas u premtua, por në fakt kemi mungesë ilaçesh në spitale dhe fatura më të majme për t’u paguar, afera korruptive marramendëse në shëndetësi të drejtuar nga kupola qeveritare dhe aspak shërbim ndaj qytetarëve. Subvencione për fermerët u premtua, por në fakt, prodhime të kalbura në pamundësi shitje dhe harresë totale për ta. Çdo fermer që operon me produktet e tij në tregun vendas, do të ketë 10% më pak të ardhura, vetëm si rezultat i rritjes së taksave. U premtua luftë kundër korrupsionit, por korrupsioni jo vetëm që u rrit, por u bë dhe më i frikshëm, sepse tani ka kapur shtetin. U premtua përmirësim i jetës, por në fakt ndodhi rrënim i saj, as një rritje për pagat dhe pensionet edhe këtë vit, ndërkohë që, çmimet rriten. Në një vend, ku janë të dukshme: niveli i ulët i kreditimit, dobësi e theksuar e prodhimit vendas, bilanc tregtar dhe ai i pagesave që vazhdojnë të jenë ndjeshëm negative, rënia e besimit të popullsisë që ekonomia shqiptare do të përmirësohet, klimë e rënduar për të bërë biznes; qeverisë i vendosen shumë pikëpyetje. Ndërkohë që, duhet të fokusohej në rritjen e investimeve dhe zgjerimin e sektorit bujqësor, peshkimit dhe agro-përpunimit në përgjithësi, përmirësimin e klimës së biznesit, zhvillimin e turizmit duke përmirësuar ndjeshëm ofertën turistike dhe cilësinë e shërbimit e infrastrukturave turistike, vënien në eficencë e sektorit të minierave, shtimin e investimeve në arsim dhe kërkim shkencor e inovacion.
Edhe revista prestigjioze “Forbes”, e ka renditur në vendet e fundit Shqipërinë, për sa i përket mundësisë për të bërë biznes? Cilat janë pikat sfiduese që e ndërlikojnë investitorët e huaj të krijojnë biznes në vendin tonë?
Shqipëria vazhdon të zbresë në renditjen botërore ekonomike lidhur me gjendjen ekonomike dhe klimën e përkeqësuar të biznesit. Taksat e larta, korrupsioni, pasiguria ligjore kanë bërë që Shqipëria gjithnjë e më pak të preferohet për investime të huaja, madje dhe ato që ishin po i drejtohen vendeve të rajonit. Sigurisht që, zhvillimi i biznesit kërkon luftë kundër informalitetit, monopoleve, konkurrencë të ndershme dhe minimizim të evazionit. Sanksionet me burg dhe gjoba stratosferike nuk mund të jenë kurrsesi masa për të luftuar evazionin dhe informaliteti, por vetëm mbjellin farën e terrorit dhe mungesës së konkurrencës së lirë për të zhvilluar tenderat e monopoleve. Ku është përkrahja dhe mbështetja që një qeveri duhet t’i bëjë biznesit si promotor i zhvillimeve jo vetëm ekonomike, por dhe punësimit? Në sajë të këtyre sanksioneve dhe zbatimit të tyre të rëndë dhe selektiv janë mbyllur mijëra sipërmarrje të vogla familjare që mbajnë me bukë dhjetëra mijëra familje. Qeveria duhet të adoptonte një politikë dhe një sistem taksash që do ishte i përshtatshëm për biznesin, duhet të luftonte informalitetin me mjete dhe reformat e duhura dhe jo me fushata policore siç bëri deri tani. Në një vend të tillë, ku korrupsioni qeveritar është shtrirë kudo, ku ka radhë të gjata për të marrë licenca, ku sistemi gjyqësor është i dobët, me çështje të pronësisë, me një mjedis të dobët të biznesit, bëhet e vështirë tërheqja e investimeve të huaja. Qeveria e ka çuar Shqipërinë në vendin e 109-të për taksa të larta. Me kontrabandën nga tatimet dhe doganat, lojëra fati dhe shëndetësi e ka çuar Shqipërinë në vendin e 99-të për nivelin e korrupsionit. Asnjë reformë dhe kompensim nuk është kryer për rikthimin e pronës tek i zoti dhe e drejta e pronësisë është në vendin e 114-të e dëmtuar edhe nga një sistem gjyqësor thellësisht të korruptuar. Përsa i përket Shqipërisë në moshën dixhitale, kjo qeveri e ka çuar Shqipërinë në pozicionin e 118-të. Bazuar në vetë deklaratat e dhomave përfaqësuese të biznesit, ato shprehen se nuk shohin asnjë dritë jeshile dhe arsye se përse duhet të investojnë në Shqipëri, madje ka edhe biznese, të cilat shprehen se po marrin në konsideratë mundësinë e largimit nga Shqipëria drejt vendeve të rajonit vende, të cilat ofrojnë kushte, ambient dhe barrë fiskale më të mirë sesa ajo që aktualisht ofron Shqipëria.
Qeveria pak ditë më parë ka prezantuar moratoriumin 10-vjeçar për pyjet, duke e cilësuar kaotike panoramën që ofron sot gjendja e pyjeve në mbarë vendin tonë. A është politika e vetmja përgjegjëse për këtë situatë dhe çfarë masash konkrete duhen marrë, për të ndërgjegjësuar publikun?
Qeveria e cilëson kaotike panoramën e gjendjes së pyjeve sot, po ka dy vjet e gjysmë në qeverisje, madje duhet t’u japë përgjigje qytetarëve pse u zhvillua ankandi për prerjen e pyjeve në Korçë, Lezhë, Berat, Gjirokastër dhe po atë kohë qeveria deklaroi shpalljen e moratoriumit për prerje të pyjeve për 10 vjet, por duke filluar nga janar 2016? Ç’do të thotë kjo? Se duhen prerë dhe ato që kanë mbetur? Kjo situatë e rënduar e pyjeve ka ardhur dhe si rezultat i zëvendësimit të personelit profesional në drejtoritë e shërbimit pyjor. Në këto institucione qeveria e rilindjes ka pushuar inxhinierë dhe teknikët, duke lënë të kryejnë detyrat vetëm drejtuesit rilindës. Akoma më keq kur këto ndërmarrje drejtohen nga individë që as diploma e tyre universitare nuk ka lidhje me këto drejtori. Madje dhe individë në poste drejtuese të bashkisë, në vend që të kujdesen për pyjet, bashkëpunojnë në mënyrë abuzive me firmat, duke i lejuar të presin pyjet ku dhe si të duan. Prerja pa kriter i pyjeve, madje dhe në zonat e mbrojtura nga shteti, është një fenomen në rritje në gjithë vendin. Makinat me lëndë drusore përshkojnë rrugët pa hasur pengesë nga policia. Ndonëse qeveria bën shou për parandalimin e prerjeve të pyjeve, janë vetë pushtetarët që masakrojnë pyjet. Ekspertët vërejnë se shkatërrimi i pyjeve është një nga shkaktarët kryesorë të rritjes së shkallës së përmbytjeve në gjithë vendin. Ministria përkatëse duhet të ushtrojë funksionet e saj, duke zbatuar ligjin dhe duke pasur personelin e duhur në këtë sektor. Në kushtet kur varfëria ka arritur kulmin, kur papunësia është ulur këmbëkryq te familjet shqiptare, është vështirë të flasësh për ndërgjegjësim të publikut.
Për shumë vite keni qenë Pedagoge në Departamentin e Marketing-Turizëm, çfarë nuk po funksionon në planin turistik, kur resurset dhe bukuritë natyrore vendi ynë i ofron. Çfarë duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim?
Turizmi është një prej degëve të ekonomisë që gjeneron të ardhura, por në qoftë se planifikohet siç duhet, për ndryshe do të jetë një turizëm që do sjellë të ardhura për pak kohë dhe nuk mund të ketë vazhdimësi. Nuk mjafton të kemi vetëm resurse turistike që të mund të zhvillojmë turizmin në Shqipëri, pasi ato përbëjnë vetëm një element të ofertës turistike, janë akomodimet, restorantet, infrastruktura, burimet njerëzore dhe më e rëndësishmja janë politikat që ndjek qeveria në planifikimin e turizmit. Deri tani është mjaftuar me promovimin e resurseve dhe një numri të kufizuar akomodimesh dhe restorante sipas standardeve. Por jemi shumë larg, pasi për secilin prej elementëve të ofertës turistike, qeveria duhet të përcaktojë rrugët e përmirësimit drejt standardeve, me synimin për t’ju përshtatur kërkesës turistike. Nëse ne duam të jemi konkurrues në rajon dhe jemi në kërkim të zhvillimit të një sektori kaq të rëndësishëm, duhet të jemi më fleksibël në sistemin e taksimit, duke qenë konkurrentë në rajon. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në këtë sektor është i ndryshëm në vende të ndryshme dhe vetëm në rajon e kemi në nivelin 20 për qind. Vendet e tjera i kanë përkatësisht: Greqia 6.5%, Mali i Zi 7%, Kroacia 10%, Bullgaria 7%, Maqedonia 5%, Rumania 9% Serbia 8% dhe Sllovenia 8.5%. Vetë drejtuesit e bizneseve turistike donin të ishin më të qartë se cilat janë përfitimet direkte të tyre nga qeveria, dhe si do të ndihmohen ata për të çuar më tej biznesin e tyre, kur ka shembuj që shteti nxit bizneset turistike dhe i mbështet në rritjen e kapaciteteve të tyre. Mos harrojmë se në zonat rurale turistike, biznesi familjar është shumë i rëndësishëm për ekonominë e tyre. Duhet të vendoset kontroll strikt për plotësimin e kritereve me numrin e yjeve dhe vetë pronarët e hoteleve të kuptojnë që turisti do paguajë për një shërbim që i kthehet me vlerën e pagesës. Për të qenë realistë as statistikat e hoteleve nuk i kemi të sakta, sepse abuzimi me shifrat, për t’i shpëtuar taksave. Ekziston politika e zhvillimit turistik e që duhet të synojë qëndrueshmërinë, por kjo ra në vesh të shurdhër qeveritar, sepse rritën kompetencat e Ministrisë, por kjo e përdorur me abuzivitet dhe klientelizëm për njerëzit e qeverisë. Apo ndotja në plazhin e Durrësit dhe të Dhërmiut, nga anijet e huaja që kalojnë aty dhe kanë derdhur vaj motorësh dhe nënprodukte të tjera të naftës. Shteti është direkt përgjegjës.
Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi skemën e vitit 2014, për sa i përket dëmshpërblimeve, por ndërkohë, shoqatat e shpallën si antikushtetues këtë ligj. A duhet të ndërhyjë opozita në këtë rast?
Kjo qeveri premtoi pagesën e dëmshpërblimit brenda dy viteve të gjithë ish-të përndjekurve politikë që janë gjallë dhe brenda mandatit 4-vjeçar të gjithë përfituesit e kësaj skeme. Por ajo ka planifikuar në buxhetin e 2016 shumë më pak fonde sesa do të duheshin për të mbajtur premtimin elektoral. Me ritmet e planifikimit duhen rreth 20 vite që të plotësohet detyrimi ndaj ish-të përndjekurve. Ish të përndjekurit dhe pronarët janë dy kategori që do të mbështeten nga opozita, në ndihmë të zgjidhjes së problemeve të tyre, për t’i dhënë fund poshtërimeve dhe padrejtësive ndaj tyre. Opozita është gjithnjë në krah të qytetarit , qoftë ky pronar, ish i përndjekur, qytetar apo fermer, nga çdo zonë e vendit. Dhe nuk ka kohë për të pritur këtë qeveri të reflektojë!
Kur do të nisin protestat e radhës?
Viti 2016, sapo ka nisur dhe bashkë më këtë fillim viti do vazhdojnë edhe protestat e radhës, tashmë kundër korrupsionit galopant qeveritar dhe ministrave të kësaj qeverie, që pushtetin e përdorën për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve. Janë pikërisht qytetarët ata që nuk e meritojnë këtë qeverisje, që qëndron bashkë me krimin dhe korrupsionin. Zgjidhja mbetet qeveri teknike, duke mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Si do t’i vlerësoni deri më tani punën e Bashkisë Korçë, duke qenë se jeni deputete në atë zonë?
Fasadat e qyteteve, ndonëse këto dy vite kanë qenë të vështira, paskan qenë shqetësimi më i madh për qeverinë a thua sikur të gjithë qytetarët jetojnë në qendër të qyteteve, pa u shqetësuar fare për shumicën e tyre që kanë shqetësim primar bukën e gojës e jo shëtitjen në qendër të qyteteve. Janë bërë investime, por duhen të shihen sa janë ato në shërbim të qytetarëve dhe a janë prioritete të zhvillimit të qytetit të Korçës? Me argumentin e rregullimit të rrugëve në lagjet karakteristike të Korçës, ato janë shtruar jo sipas standardeve, madje, duke e vështirësuar edhe lëvizjen e banorëve në këto zona (kuptohet në këmbë, se pushtetarët lëvizin edhe me makina nëpër rrugicat e Korçës), a thua se Korça po shihet nga avioni. Është investuar për pedonalen e qytetit, duke krijuar mjedise shplodhëse për qytetarët, por fare afër pedonales vihet re një panoramë tjetër për qytetarët, rrugë të pandriçuara, rrugë që kanë nevojë për shtrime dhe rregullime, aq më shumë kur vjen stina e dimrit. U rregullua dhe u sistemua parku i qytetit, një mjedis shplodhës për qytetarët, pozitive deri këtu. Por po të shohësh projektin dhe fondet e përcaktuara në projekt, e më pas dhe realizimin e tij dhe fondet e përdorura në këtë projekt, kupton shumë, qoftë se është cenuar cilësia në pjesë të ndryshme të parkut, qoftë dhe për faktin se një pjesë e fondit të përcaktuar mund të përdorej për lulishte tjetër në qytet. Hije dyshimi ka dhe me tenderat e fituara gjatë kësaj kohe dhe me fituesit klientelistë pranë qeverisë. Së fundmi, do mbështetja çdo Bashki që në fokus të drejtimit të vet ka qytetarin dhe nevoja e tij, si dhe zhvillimin ekonomik të qytetit, duke i mbajtur larg duart nga pronat e pronarëve dhe larg korrupsionit.