Elhaida Dani: Shqipëria, e mbushur plot me të rinj të talentuar

Këngëtarja e njohur i lutet  çdo të riu të talentuar në Shqipëri: Je pikërisht Ti që mund ta ndryshosh vendin!

Elhaida Dani:  Shqipëria, e mbushur plot me rinj të talentuar  

Këngëtarja Elhaida Dani u bë më e famshme për shqiptarët, kur ishte bërë po aq e famshme në Itali. Ajo fitoi dy vite më parë spektaklin muzikor, The Voice of Italy”, me 70 për qind të votave të publikut. Elhaida edhe pse ishte shqiptare, madje, garonte në një vend të huaj si Italia, në fund të garës askush nuk gëzoi të bënte ndonjë “gabim me  numërimin”, për të nxjerrë ndoshta ndonjë fitues tjetër “më të mirë”. Publiku italian me siguri do të zemërohej dhe nuk do të pranonte fitues tjetër. Pas suksesit Elhaida u kthye në Shqipëri, ku fitoi Festivalin e Këngës në RTSH, 2014. Suksesi i radhës i hapi rrugë edhe pjesëmarrjes së saj, në Eurovizion. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Elhaida tregon eksperiencat e saj, mbi dallimet dhe vlerësimet që i bëhet talentit në Shqipëri dhe planet e së ardhmes:

Elhaida, rasti yt është disi i veçantë. Talentin tuaj në Shqipëri e kanë vlerësuar vetëm kur vendosët të largoheshit jashtë vendit dhe arritët sukses në Itali. Nga eksperienca juaj, a është ky një tregues se në vendin tonë talenti nuk vlerësohet aq sa duhet dhe më keq akoma ka gjasa të shkojë dëm?

Është e vërtetë që emri im u bë i njohur për shqiptarët pas fitores sime në “The Voice of Italy”, por edhe në Shqipëri pak para asaj eksperience kisha filluar të merrja vlerësimet e para pas disa vite përpjekje. Për mendimin tim ky është një problem që nuk gjendet vetëm në Shqipëri. Bota është plot me të rinj të talentuar, të cilët nuk e njohin kurrë suksesin dhe kjo ndodh vetëm sepse ndonjëherë talenti nuk është gjithçka që duhet, (këtë e kuptova duke u rritur dhe duke hasur shumë zhgënjime dhe porta të mbyllura në fytyrë). Përveç talentit duhet të kesh atë kokëfortësinë dhe guximin të sakrifikosh gjumin e natës, orë e orë pune për të arritur aty ku ti dëshiron!

A mendoni se Shqipëria ka djem dhe vajza të talentuar, mjaftueshëm për t’u ballafaquar dhe triumfuar ndaj vendeve të tjera, të paktën ndaj atyre ballkanike, nëse do të kishte edhe drejtues të zotë që do t’i vlerësonin ata në kohë?

Nuk kam as më të voglin dyshim që Shqipëria ka plot të rinj të aftë të përfaqësojnë në mënyrë të shkëlqyer veten dhe Shqipërinë, jo vetëm në Ballkan, por dhe në botë. Frika ime e vetme është nëse këta të rinj kanë kapacitetin të mos ndikohen nga realiteti i muzikës shqiptare sot. Frika ime është ajo çfarë Ne, me të mëdhenjtë po u ofrojmë atyre. Dëshiroj që këta të rinj, përveç talentit të kenë edhe karakterin e fortë dhe të mos jenë një kopje e asaj çfarë tashmë ekziston në tregun shqiptar.

Ju personalisht njihni të rinj në Shqipëri talenti i të cilëve me apo pa dashje është lënë në “hije” dhe a jeni ndeshur me fenomenin e vlerësimeve jashtë meritave?

Patjetër, kam qenë pjesë e eventeve, ku kam parë të rinj të talentuar të eliminohen për t’i liruar vend një tjetri që meritonte më pak. Më ka ndodhur edhe mua! Por janë pikërisht këto ngjarje që në fillim më zhgënjyen, por pastaj më bënë edhe më të fortë.  E vetmja lutje ndaj të rinjve që e gjejnë veten në “hije”, është që kjo të mos u kthehet në një gjendje normale. Të mos mendojnë: “po kjo është Shqipëria, kush jam unë ta ndryshoj” , sepse ky do ishte gabimi më i madh. Je pikërisht Ti që mund ta ndryshosh! Dhe kjo gjë jo vetëm në fushën e artit. Ky fenomen ndodh nga bankat e shkollës, por duhet të jemi të sigurt që  gjithsecili nga ne ka në dorë të  përmirësojë jetën dhe të ardhmen në Shqipëri. Nëse nuk e bëjmë ne, kush do e bëjë?!

Ju jeni pjesë e tregut muzikor dhe e njihni më mirë atë. Çfarë produkti nxjerr tregu ynë dhe a po  “ushqehen” të rinjtë shqiptarë të apasionuar pas muzikës, me vlerat e vërteta që duhet të transmetojë kjo e fundit?

Më lart e përmenda disi këtë fenomen! Unë e mendoj tregun e muzikës si një familje të madhe dhe si në çdo familje prindërit dhe vëllezërit më të mëdhenj janë një shembull për më të vegjlit. Tani, duke parë atë që ofrohet sot në ekranet shqiptare, a kemi guximin të imagjinojmë atë që do shohim nesër? Nuk dua të jap idenë e pesimistes, as nuk dua të jem me të vjetrën, pasi ka këngëtarë, të cilët i admiroj për artin dhe cilësinë e asaj që i transmetojnë publikut. Por do doja vërtet që secili nga ne të mendohej dy herë para se të publikonte “hitin e ri”, pasi me muzikën tonë po edukojmë një  brez!

A mund të bëni një lidhje mes edukimit që marrin të rinjtë shqiptarë në shkollë, në familje, roli që ka politika për t’i orientuar ata drejt Europës, media a i kushton vëmendjen e duhur vlerave dhe talentit dhe muzika shqiptare a vuan si çdo fushë tjetër e jetës nga defektet që ato paraqesin?

Kjo është një temë shumë e fortë, por do të jap mendimin tim sa më të thjeshtë. Familja shqiptare është një familje patriarkale dhe sa më shumë rritem kuptoj që është edhe një shoqëri maskiliste.  Kjo është diçka që më vret pasi vërtet admiroj rolin e femrës në familje, në shkollë, në politikë dhe ekran. Fatkeqësisht ky fenomen për mua bëhet edhe më i bezdisshëm kur shikoj që shumë vajza në Shqipëri rriten me idenë që e vetmja mënyrë për t’u dëgjuar dhe admiruar është  duke treguar hiret fizike, në rrugë, në foto, në social-media apo në këngët pafund që publikohen çdo ditë. Mendoni vetëm nëse në familjet tona edukojmë vajzat të harxhojnë më shumë kohë të lexojnë libra sesa të qëndrojnë para pasqyrës duke tentuar të jenë kopja e dikujt. Atëherë, në politikë, media dhe në muzikë/art do kishte figura femërore  të forta që do të ndikonin në shoqërinë shqiptare. Besoj  mbi të gjitha, se duhet të jemi ne femrat që të inkurajojmë njëra-tjetrën.

Së fundmi, Elhaida është ndopak krenare që është shqiptare. Çfarë keni menduar ju personalisht të bëni  për Shqipërinë, edhe në rast se kjo e fundit nuk ka menduar asgjë për ju?

Shqipëria është shtëpia ime, duhet të jem unë ajo që e bën krenare atë për mua. Për momentin po punoj për të ardhmen time, por mendoj mirë çdo gjë pas. S’dua pas disa vitesh të zgjohem dhe të kuptoj që kam gabuar në shumë gjëra. Një ndër ëndrrat e mia që e vogël ka qenë që të hap në Tiranë apo në Shkodër, që është edhe qyteti im i mrekullueshëm i lindjes, një shkolle moderne/jazz të muzikës. Në të cilën të rinjtë do të mësonin të këndonin, të luajnë në instrumente apo të kërcejnë. Dhe gjithçka do të ishte falas. Jam e bindur që një ditë do e realizoj!

Intervistoi: Aranit Muraçi

SHKARKO APP