Elmar Brok: Bisedimet për paqe, në interes të të gjithëve!
Bisedimet mes Ukrainës, Rusisë dhe separatistëve prorusë janë ndërprerë që nga e premtja. Eurodeputeti Elmar Brok u bën thirrje palëve të kthehen në tryezën e bisedimeve.
Negociatat e paqes në Minsk nën drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) me sa duket dështuan. Si do të vazhdohet më tej sipas vlerësimit tuaj?
Unë shpresoj se kjo është vetëm një ndërprerje e shkurtër. Nëse Rusia dëshiron të shpëtojë nga sanksionet, kjo është e mundur vetëm nëse përmbushet Marrëveshja e Minskut. Por me sa duket deri tani – me përjashtim të shkëmbimit të robërve – nuk është rënë dakord për pika të tjera.
Të paktën për dy ditë palët me njëra-tjetrën. Si duhet vlerësuar shkëmbimi i robërve mes ushtrisë së Ukrainës dhe separatistëve prorusë në Donbas?
Ky është një hap i mirë përpara. Kjo është një çështje humanitare – në këtë fushë Marrëveshja e Minskut ishte e suksesshme që në shtator. Por kjo është e vetmja gjë që ka funksionuar me të vërtetë. Sepse armëpushimit për të cilin u ra dakord atëhere, deri tani nuk është realizuar kurrë si i tillë. Unë mendoj se kjo është pyetja e parë e rëndësishme: Si mund të hiqet dorë nga lufta, në mënyrë që të mos ketë asnjë përpjekje që secila palë të shikojë se si mund të fitojë terren.
A ka ndikuar në dështimin e bisedimeve fakti që Ukraina synon tani hapur anëtarësimin në NATO?
Nuk besoj dhe nuk shpresoj. Fjala ishte për heqjen e pasusit të futur vetëm katër vjet më parë nga Janukoviçi për mosangazhimin e Ukrainës. Diçka të till Ukraina nuk e ka pasur kurrë më parë. Presidenti Petro Poroshenko ka thënë se pas shtatë vjetësh dëshiron të organizojë një referendum për këtë çështje, kështu që kjo praktikisht nuk është tani në rend të ditës.
Zhvillimi më i fundit është doktrina e re ushtarake që nënshkroi Vladimir Putini. Në të planet e zgjerimit të NATO-s quhen si kërcënimi më i madh i jashtëm për Rusinë. Si e vlerësoni ju këtë doktrinë?Së pari, kjo nuk është një çështje reale. Aderimi i Ukrainës në NATO është refuzuar në vitin 2008 edhe nga Gjermania dhe Franca. Së dyti, sigurisht që është lehtësisht e mundur për të arritur një marrëveshje me Rusinë dhe për të hequr dorë nga aderimi në NATO, në qoftë se Rusia plotëson Marrëveshjen e Minskut dhe kujdeset gjithashtu që edhe forcat proruse ta bëjnë këtë, si dhe në qoftë se rivendoset sërish e drejta ndërkombëtare. Unë nuk mendoj se anëtarësimi i Ukrainës në NATO duhet të jetë qëllimi i parë.
Çfarë roli i mund të luajë ende OSBE-ja?
Unë besoj se OSBE-ja luan një rol shumë të efektshëm, për shkak se të gjitha palët janë anëtare të saj, dhe Rusia. OSBE-ja është një organizatë që siguron bazën ligjore dhe instrumentet e nevojshme për të bërë vëzhgime dhe për të garantuar sigurinë, në mënyrë që pas bisedimeve të vijë zgjidhja paqësore. Ky është qëllimi i vërtetë i Marrëveshjes së Helsinkit, e cila është baza e OSBE-së: që konfliktet – e të tilla do të ketë gjithmonë mes kombeve – të zgjidhen në Evropë në mënyrë paqësore. Unë shpresoj se OSBE-ja – e cila drejtohet nga Zvicra me mençuri – është në gjendje që ta arrijë këtë nivel bisedimesh.
Dhe ju besoni gjithashtu se kjo do të ndodhë përsëri ditët e ardhshme në Minsk?
Unë këtë nuk e di, por shpresoj kështu. Është në interesin e të gjithëve që kjo të ndodhë. Dhe shpresoj se kemi kaq zgjuarsi për t'i vazhduar biseda të tilla, nëse duam të shmangim një përshkallëzim të konfliktit dhe në qoftë se sidomos këtë dimër, mendojmë për njerëzit që jetojnë në kampet e refugjatëve dhe në vetë rajonin e krizës. Duke mbajtur parasysh njerëzit palët duhet të ndihen të detyruara për të arritur një marrëveshje.
*Elmar Brok (CDU) është Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Për shkak të krizës në Ukrainë, ai ka shkuar që nga muaji nëntor 2013 vazhdimisht në Kiev për të negociuar.