Elona Gjebrea: Numri i azilkërkuesve shqiptarë është ulur

Intervistoi: Redjon Shtylla

Muaji Tetor është i shpallur nga ministria e brendshme si muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, dhe gjatë këtij muaji do të organizohen fushata të shumta. Zëvëndministrja e brendshme Znj.Elona Gjebrea në intervistën për “Koha Jonë”, prezanton të dhëna dhe mënyrën se si po luftohet fenomeni i trafikimit nga ana e qeverisë. Ndër të tjera. Gjebrea ndan me publikun dhe mënyrën se si po bashkëpunon vendi ynë me shtetet si; Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia e së fundi nënshkrimi i bashkëpunimit dhe me Britaninë e Bashkuar. Zëvëndësministrja flet edhe për fenomenin e azil kërkuesve shqiptarë. Duke ju referuar shifrave, Gjebrea shprehet se numri i shqiptarëve që kërkojnë azil është ulur.

Znj.Gjebrea gjatë këtij muaji ka nisur fushata e sensibilizimit në muajin tetor. Çfarë hapat konkret po merr Ministria e Brendshme në luftën kundër trafikimit?

Muaji tetor është shpallur nga ministria e brendshme si muaji i ndërgjegjësimit, në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Është një prioritet i qeverisë shqiptare, e ministrisë së punëve të brendshme dhe e zyrës së koordinatorit kombëtar pranë ministrisë së punëve të brendshme dhe që punojnë vazhdimisht në lidhje me këtë. Parandalimi apo ndërgjegjësimi i qytetarëve në lidhje me këtë fenomen është një nga shtyllat kryesore të strategjisë kombëtare kundër trafikimit të personave që qeveria ka miratuar dhe së bashku me mbrojtjen sociale dhe ri-integrimin e viktimave dhe e koordinimin e punës ndërmjet institucioneve. Në kuadër të këtij muaji, ne kemi zhvilluar aktivitete të ndryshme, qoftë me forume të hapura, aktivitete ndërgjegjësuese, shfaqje filmash, teatrot lëvizëse, vendosje të billboard në qytete të ndryshme dhe autobusë të lëvizshëm ne numrin e telefonin 116006 e cila është linja telefonike për viktimat e trafikimit dhe që do të kulmojë me një konferencë kombëtare kundër viktimave të trafikimit, ditën e premte tek hotel Tirana dhe që do marrin pjesë përfaqësues të rëndësishëm të qeverisë, të ambasadave, të institucioneve kryesore dhe të shoqërisë civile. Për ne është një prioritet, kjo konferencë pasi që aty do të paraqesim të dhëna që tregojnë se Shqipëria nuk ka një trend në rritje për sa i përket trafikimit përkundrazi, mund të themi që kemi rritur numrin e identifikimeve dhe numrin e dënimeve. Qeveria prej 2 vitesh e që nga tetori i 2013 ka arritur që të tregojë një efiçencë të saj dhe sidomos në lidhjen e tre hallkave kryesore shumë të rëndësishme; në adresimin e këtij fenomeni që ka të bëjë me funksiononim e policisë, e prokurorisë së krimeve të rënda dhe gjykatës së krimeve të rënda.

Si është bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet më të prekura Evropiane nga të cilat këto qeniet humane trafikohen, dhe si është procedurimi i përbashkët për luftimin e këtij fenomeni?   

Ashtu siç edhe ju jeni shprehur trafikimi është një krim që ndodh brenda një vendi por dhe jashtë vendit, dhe prandaj në këtë këndvështrim për ne bashkëpunimi me partnerët dhe vendet e huaja është shumë i rëndësishëm. Kjo rregullohet në kuadrin e marrëveshjeve të përbashkëta që qeveria shqiptare ka me vendet më të prekura dhe ne tashmë kemi marrëveshje në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore me Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën dhe kemi nënshkruar marrëveshje të re gjatë këtyre dy viteve me Greqinë, Britaninë e Bashkuar dhe kemi takime të shpeshta bilaterale, pikërisht në funksion të punës të përbashkët për të adresuar këtë fenomen. Sigurisht ne kemi oficerët tanë të kontaktit në shumë ambasada të cilët ndihmojnë në lidhje me këtë fenomen, ashtu si edhe Interpoli i cili dhe ai ka rolin e vet.

Sa ndikon teknologjia në mashtrimin që ju bëhet kryesisht fëmijëve por dhe femrave të cilat aplikojnë për punë jashtë vendit nëpërmjet faqeve të ndryshme në internet? Si proceduron ministria në mbikëqyrjen e këtyre formave të rekrutimit?

Sigurisht teknologjia ka ecur dhe në këtë këndvështrim përdoren forma rekrutimi të ndryshme dhe nuk na rezulton se format e rekrutimit për fëmijët shqiptarë ato më të shpeshta të jenë nëpërmjet rrjete sociale por kjo nuk nënkupton që ne nuk e kemi në vëmendje dhe policia me strukturat e veta që ka me anën e drejtorisë të krimit kiberintik përpiqet të jetë gjithmonë e vëmendshme dhe vigjilente për të identifikuar raste të mundshme në këtë drejtim. Ministria e punëve të brendshme e ka prioritet gjatë vitit 2016 luftën kundër krimit kibernitik dhe do të ndërmerren hapa konkrete në bashkëpunim me ministritë e tjera.

Raporti i fundit i Departamentit amerikan për trafikimin e qenieve njerëzore e vlerëson Shqipërinë si një vend ende me probleme në këtë drejtim. Çfarë është bërë në këtë sektor këto dy vite?

Raporti i Departamentit Amerikan është një raport i rëndësishëm që analizon situatën dhe punën e progresin që bëhet në Shqipëri në lidhje me trafikimin. Ky është një raport që analizon shumë vende në nivel evropian dhe botëror, dhe Shqipëria në vitin 2014 arriti që të dali nga lista e vendeve në dështim, kjo pasi kur morën qeverinë vendi ynë ishte në listën e zezë dhe arritëm që në krye të dy viteve të dalim nga kjo listë. Ndërkohë këtë vit ne arritëm të dalim dhe treguam konsolidim në raportin e qershorit të 2015 u tregua një konsolidim i pozicionin, jemi në listën e kategorisë dy duke theksuar se kategori një është më e larta. Aty theksohet rreth 22 arritje të qeverisë shqiptare, ashtu siç edhe ka rekomandime kryesisht për rritjen e identifikimit të rasteve, për të mbështetur më shumë shoqërinë civile. Në raport ka edhe rekomandime, siç është dhe ajo që ne e kemi arritur, paisja me karta shëndetësore, e libreza për viktimat e trafikimit. Ky është një raport që vlerëson punën që ka bërë qeveria, ashtu siç edhe e theksova ka rekomandime që do të adresohen duke shpresuar në një raport akoma më të mire për vitin që vjen.

Problemi i azil kërkuesve Shqiptarë në Gjermani deri më sot është trajtuar vetëm nga ana procedural e që autoritet gjermani ti kthejnë sa më parë. Çfarë strategjie ka Ministria e Punëve të Brendshme për të ndaluar fluksin?

Problemi i azil kërkuesve Shqiptarë në Gjermani apo çështja e tyre për të cilën qeveria Shqiptare e ka marrë shumë seriozisht, kemi pasur takime të shpeshta të Ministrit Tahiri në gjermani, të autoritete policore, ashtu si dhe të autoritete më të larta gjermane. Kemi patur një bashkëpunim të ngushtë nëpërmjet policisë kufitare, ndihmën e autoritete të policisë gjermane gjatë muajit të verës dhe patrullime të përbashkëta, dhe sigurisht gjithmonë në qendër të këtyre bisedimeve dhe të këtij partiniteti kanë qenë diskutimet se kush do të jetë më e mira për ata persona që kërkojnë azil. Duke mos harruar se gjithmonë ne zbatojmë të drejtat që ka çdo shtet përkatës e në këtë rast gjermania. Çdo shtet përkatës ka rregullat e tija për sa i përket kthimit të azil kërkuesve, në rastin e Gjermanisë gjithmonë qytetari pyetet paraprakisht nëse ka dëshirë të vijë vullnetarisht në vendin e vet e të mos penalizohet për të hyrë në vendet shenge dhe në rast se nuk pranon atëherë autoriteti gjerman ka të drejtë ta kthejë por sërish në këtë rast quhet i depërtuar. Në shumicën e kthimeve të shtetasve shqiptarë nga gjermania ka rezultuar se kanë ardhur me vullnet të lirë e dëshirë, pra nuk kanë kërkuar një mbështetje shtetit. Në pikat e kontrollit kufitar ka persona nga ministria e punës që ju japin informacion për mundësitë e punësimit që ekzistojnë në Shqipëri, gjithsesi nuk them se ne jemi një vend që i ofrojmë të gjitha kushtet ashtu siç duhet por po bëjmë më të mirën brenda mundësive që kemi.

Sa është numri i azil kërkuese shqiptarë, të cilët kërkojnë të punojnë e të krijojnë një jetë te rë në shtetin gjerman?

Shifrat e fundit që kanë ardhur e që u raportuan gjatë muajit shtator, tregojnë shifra në ulje, rreth 6 mijë shtetas që kanë kërkuar azil dhe sipas konfirmimeve të autoriteteve gjermane ky numër ka të bëjnë me pamundësinë e Gjermanisë për ti verifikuar të gjithë personat që kanë kërkuar azil. Mund të jenë persona që kanë qenë në muajt e verës dhe ju ka ardhur radha në shator për të paraqitur kërkesën e tyre. Nga të gjitha konfirmimet që kemi dhe nga hyrjet dhe daljet në krahasim të hyrje dhe daljeve të shteteve të tjera për azil jashtë vendit, ne na rezulton që kemi një ulje të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar që kanë kërkua azil. Presim gjatë muajve në vijim të konfirmohet kur paraqiten statistikat mujore sipas Eurostat.

Znj.Gjebrea keni deklaruar se vendi ynë ka qendra pritëse për emigrantët dhe një qendër për emigrantët e parregullt. A ka fuqi pritëse Shqipëria?

Kemi një numër të konsiderueshëm të shtetasve të huaj që kërkojnë azil në territorin e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka nën administrimin e vet, qendrën kombëtare pritëse për refugjatët e cila ka të gjitha detyrimet që të mirëpresin, të ndihmojë këta persona që me vullnet e tyre dëshirojnë dhe zgjedhin të jetojnë në Shqipëri. Qendra kombëtare pritëse i ofron të gjitha kushtet këtyre shtetasve për të jetuar me dinjitet dhe për tu integruar sa më shpejt në shoqëri. Kemi familje, që fëmijët e të cilëve shkojnë në shkollë, ashtu sikurse ju ofrohet një sigurim shëndetësor falas dhe kemi persona që kanë arritur të gjejnë punë në Shqipëri sipas konform ligjeve shqiptare.

Situata e shpërthimeve me tritol po rikthehet përsëri, çfarë plani ka Ministria për të luftuar këtë fenomen që shkakton dëme materiale dhe merr jetë njerëzish?

Shpërthimet me tritol nuk janë një fenomen i cili është bërë shqetësues, përkundrazi kemi patur vitin e kaluar një intetcitet të këtyre shpërthimeve por tashmë situata është në kontroll dhe nuk ka asnjë shqetësim.

Lazarati është një aksion i përshëndetur nga opinioni, por këtë vit është krijuar perceptimi se fenomeni i mbjelljes së drogës është shfaqur në zona të tjera të vendit. Sipas të dhënave të Ministrisë, kemi të bëjmë me një perceptim shpesh herë të ushqyer dhe nga ngjyrimet politike apo realisht kultivimi i drogës po njeh forma të reja në Shqipëri? A do ishte zgjidhje legalizimi i lëndëve narkotike?

Lazarati ka qenë një sukses i qeverisë Shqiptare, e Ministrisë së punëve të Brendshme si një vullnet për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike dhe për të çuar përpara ligjit të gjitha ata që merren me kultivimin e lëndëve narkotike. Të dhënat që ka dhënë Guardia Di Finanza për sa i përket asgjësimit të lëndëve narkotike e që kemi rreth 323 hektar në 2013 nga të cilat u asgjësuan vetëm 7.2 % dhe nëse flasim për shifrat e 2015, kemi 404 hektar nga të cilat janë asgjësuar 99.6 %, pra shifrat tregojnë vullnetin e qeverisë Shqiptare për të luftuar lëndët narkotike dhe sigurisht që është një fenomen që kërkon mbështetjen e shoqërisë, kërkon mbështetjen e të gjithë neve për të luftuar këtë fenomen i cili vërtet nëse lejohet ka pasoja.

Intervistoi: Redjon Shtylla

SHKARKO APP