Ethet e floririt po shkatërrojnë monumentet në Shqipëri

Gjerak Karaiskaj, specialist i trashëgimisë kulturore, pas promovimit të librit “5000 vjet fortifikime në Shqipëri” tregon për punën 10-vjeçare, që është realizuar për këtë botim të vitit 1981. Dëshira e tij, ka qenë që të shkonte sërisht pranë këtyre monumenteve, që përfshihen në libër, por për shkak të mundësive kjo ka qenë e pamundur. Ai na tregon se shumë monumente kanë qenë të dëmtuara prej shekujsh, por mosndërhyrja në to, ka thelluar edhe më tepër shkatërrimin e tyre. Ndërsa, sipas Karaiskajt, gjatë 25 vjetëve të fundit monumentet e kulturës po dëmtohen më tepër nga dora e njeriut, sidomos nga grupe të caktuara që gërmojnë në to për të gjetur florinj. Profesori ndalet edhe te dhënia me qira e monumenteve, por, sipas tij, çdo rast është i veçantë, duke filluar që nga banesat, kishat, hamamet etj., të cilat duhet të jenë në përdorim që të ruhen, prandaj ai që i ka në përdorim duhet që të kujdeset për dëmtimin e tyre.

***

Profesor, ç’mund të na thoni për ribotimin e librit “5000 vjet fortifikime në Shqipëri” (1981)?

Kjo është një vepër, e cila është botuar në vitin 1981, si rezultat i punës 10-vjeçare që kemi bërë asokohe ne në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ç’është e vërteta këtë libër e kam bërë jashtë orarit të punës, sepse në atë kohë ekzistonin inate, që mund të të çonin deri në burg. Unë e pata dërguar për botim te shtëpia botuese “8 Nëntori”, ku ishte një rubrikë e veçantë për librat shkencor. Por, kur mësuan se ishte për botim vendosën që ta çonin për karton.

Mirëpo brigadieri, që punonte në shtypshkronjë e kishte futur në botim para kohe, për të më bërë nder mua. Për këtë brigadierin e bën punëtor të thjeshtë. Megjithatë, libri nuk përfundoi për karton, ndoshta sepse u pëlqeu titulli, pasi atëherë ishte dhe koha e bunkerëve. Prandaj vendosën që ta çonin për ekspertizë në Komitetin Qendror (këtë gjë e kam mësuar tani vonë, para dhjetë vjetësh, nga personi që duhet ta kontrollonte), pasi e panë se nuk kishte gabime ideologjike, sepse shkenca nuk ka lidhje shumë me ideologjinë, libri shpëtoi.

Por, mua m’u krijua një farë shqetësimi, që nuk ishte dhe aq i madh, sepse recensentët ishin shkencorë,por kur redaktori më tha se përse unë nuk kisha përmendur as shokun Enver dhe as Partinë në libër unë u detyrova që t’i vija. Në këtë botim të ri kam cituar të gjithë ata emra, që atëherë nuk mund t’i citoja.

A e kanë ruajtur identitetin e tyre këto fortifikime?

Unë do të doja që të shkoja edhe një herë në disa vende, por nuk është aq e thjeshtë, sepse kjo është një lloj pune që nuk bëhet vetëm. Por për shkak të ndryshimeve pjesa më e madhe e tyre është në vende që nuk ka shkuar njeri, sepse tendenca është për të ardhur në qytet apo në kryeqytet, jo për t’iu qepur maleve, sikurse thoshte edhe Enveri (qesh). Prandaj ka dhe fortifikime që janë dëmtuar, por dëmtimi i tyre nuk ka filluar nga sot, por prej shekujsh. Për këtë arsye është me rëndësi që të dihen edhe të gjenden fazat e ndërtimit dhe dëmet që janë shkaktuar, sepse ato kanë lënë gjurmë.

Nuk është se kjo nuk mund të bëhet, por unë nuk pata mundësi të shkoja atje as për disa fortifikime, të cilat i kisha si merak, që t’i përfshija në libër. Më mbetën jashtë botimit dy kala; e Skraparit dhe Tomorrit, që përmenden në shekullin XI dhe më pas në shekullin XIV me rastin e një kryengritje, që mbahej nga popullsia fshatare e asaj kohe kundër pushtetit bizantin.

Monumentet e kulturës a i keni parë më nga afër? Në çfarë gjendjeje janë sot?

Monumentet e kulturës dëmtohen nga koha dhe nga dora e njeriut. Këto 25 vjet është një periudhë më e shkurtër sesa nga ajo kohë, që kishin ngelë në dorën e fatit. Ajo që i dëmton më shumë është dora e njeriut, sepse ka edhe grupe që kërkojnë flori. Hyjnë dhe kërkojnë, por nuk gjejnë asgjë. Dihet që nuk ka asgjë, por i gënjen mendja dhe i shkatërrojnë. Kjo gjë më parë nuk ndodhte, sepse nuk kishte aparatura në atë kohë. Por, dëmtohen edhe nga ndërtimet e rrugëve.

Një kishë shumë e rëndësishme, për historinë e Shqipërisë është prishur nga ata që ndërtonin Rrugën e Arbërit. Aty ku është varri i një prej feudalëve shqiptarë, të Skurajve, i vitit 1205 në shekullin e XII. Ai monument vërtetonte që dhe shqiptarët ishin të fuqishëm. Kjo ka rëndësi shumë të madhe për historinë e Shqipërisë dhe atë bizantine, por më tepër për ne. Janë dy apo tre monumente, të cilat janë dëmtuar gjatë kësaj periudhe.

Po ideja për dhënien e monumenteve me qira, si duhet vlerësuar?

Problemi është se çdo rast është i veçantë. Kur flasim për monumente, si banesat, kishat, hamamet etj. Privati e ka banesën e vetë dhe nuk mund ta nxjerrësh përjashta, por monumenti duhet përdorur dhe ruajtur, sepse ai që e ka në përdorim duhet të kujdeset për dëmtime të ndryshme që mund të ketë. E mira është që të përdoret për qëllimin që është ndërtuar, si për shembull banesa të përdoret për banesë, por sërisht edhe ajo nuk mund të përdoret më me kushtet e atëhershme.

Prandaj, sërisht ka diçka që mund të sakrifikohet për këtë përdorim, që në fakt duhet të jetë më e madhe. Çdo rast është i veçantë, prandaj kjo varet shumë nga projekti i restaurimit dhe nga kontrata që do të lidhet me personin, që do ta ketë në përdorim. Por, varet edhe se çfarë niveli ka personi që do ta marrë në përdorim. Për fat të keq niveli është zero, sepse ky tranzicion filloi me një vrull shumë të madh. Prandaj nuk mund të presësh ndonjë kulturë të madhe nga ata njerëz që përdorin monumentet. Një mundësi tjetër është, që të jetë një privat, i cili ka shumë biznese të tjera dhe këtë e ka më shumë për qejf, se për ndonjë fitim të madh.

Kjo mund të ndodhë. Për shembull, një monument kulture mund ta marrë një privat, që vetëm ta menaxhojë dhe jo të ndërhyjë ai vetë, por që të presë bileta për turistët dhe të heqë një pjesë të shpenzimeve, që do të bëjë IMK në këtë monument sa herë ka nevojë për restaurime.

Pra kujdesi duhet të tregohet nga ata që e menaxhojnë?

Në vitin 2004, kur unë isha drejtor në IMK nga UNESCO erdhi delegacioni më i madh, që ka ardhur ndonjëherë në vendin tonë. Ata ishin tetë specialistë nga vende të ndryshme, dy prej të cilëve ishin këshilltarë të drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s. Qëllimi i tyre ishte që të shikonin 40 monumente dhe të jepnin këshilla për to. Për këtë do të botonin dhe një libër, jo historik, por në të do të thonin se si janë trajtuar këto monumente. Prandaj ata dëshironin që t’i shoqëroje atje ku kishte raste të këqija, të mira dhe të zakonshme. Por, në atë kohë ishte shumë e vështirë, sepse nuk vinin as arkitektët për të punuar, sepse ishte si tani, që zihen arkitektë se kush do ta zërë vendin më parë.

Shumicën e kohës i shoqëroja vetë. Në ato monumente që ata panë, Lëkursin apo Elbasanin dhe një tjetër që ishte në vazhdim e sipër, edhe Limën. Si shembuj të mirë morën Lëkursin dhe Elbasnin, ndërsa si shembull të keq Limën, sepse në të do të bëhej një ngrehinë shumë e madhe, e cila do të mbulonte me hekura mozaikun.

Prandaj, që të përcaktosh se cili monument duhet dhënë dhe cili jo me qira është shumë e vështirë. Për këtë duhet një specialist i ngushtë i fushës, sepse mund të prishen elemente, që një turist apo një vizitor i zakonshëm nuk i vë re fare, por që kanë një rëndësi shumë të madhe. Këtë gjë, një person që nuk është studiues i asaj fushe nuk e kupton fare.

Kemi ne studiues të tillë?

Nuk e di këtë, sepse kam kohë që kam dalë në pension. (qesh)

SHKARKO APP